Thursday, January 1, 2015

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1914, 1924, 1934... dhe 2014?

Derisa në shtetet normale, në Perëndim, në çdo fundvit qytetarët shpresojnë që viti i ardhshëm të jetë më i mirë se ky që po e lëmë, shqiptarët luten që viti që vjen të mos jetë i keq si i kaluari. Se çka
i ka karakterizuar fundvitet në trojet shqiptare, në dekadat e 100 viteve të fundit, këtë mund ta lexoni në përmbledhjen e mëposhtme të përgatitur nga Telegrafi.
Paralajmërimi i storjes nga Klan Kosova: Shqiptarët në 100 vite! (Video)
AGRON SHALA
1914: TOKAT SHQIPTARE - TË COPËTUARA E TË SHKRETUARA
Më 1 janar të vitit 1914, zëri i një serbi të zgjuar nuk dëgjohet nga pushteti i Serbisë. Socialdemokrati Dimitrije Tucoviq e quante
pushtimin e Kosovës si okupim imperialist, ndërsa konsideronte se Kosova (që nënkuptonte territor më të madh se sot) u takonte shqiptarëve.
LEXO PO ASHTU: Shqiptarët, 1912-2012 (Kronologjia e ngjarjeve)
LEXO PO ASHTU:
Historia e flamurit kuqezi
Tucoviqi tërhiqte vërejtjen edhe për masakrat e kryera nga serbët, ndërsa thoshte se “është kryer përpjekja e vrasjes me paramendim ndaj një popullsie të tërë“, që është edhe “vepër kriminale për të cilën duhet pësuar“. Në fakt, fjalët e tija dalin deri-diku, sepse Serbia e pëson këtë vit, por më shumë shqiptarët.
LEXO PO ASHTU: Çfarë tha për shqiptarët Dragisha Lapceviq, më 6 shkurt 1914?
Më 5 janar 1914, kompania e automobilave “Ford Motor Company”, shpall orarin e punës prej tetë orësh, me pagë ditore prej pesë dollarëve. Kjo, sipas kalkulatorit të inflacionit, i bie që më 2014 të jenë 116 dollarë. Këto të holla para 100 vitesh argati shqiptar as në ëndërr nuk i shihte. E, më 2 shkurt, Charlie Chaplin debuton me filmin e shkurtër komik, “Making a Living”.
Fotografi në Dibër të realizuara nga Vëllezërit Manaqi
Shqiptarët që merreshin me bujqësi dhe ishin buzë ekzistencës fizike, nuk kishin informata për industri e aq më pak për kinematografi (ndonëse në një qytet shqiptar, në Manastir, nga vëllezërit Manaqi lindi kinematografia e Evropës Juglindore). Për ta në këtë kohë pikë shprese ishte ardhja e princit Wilhelm Wied në Shqipëri, më 7 mars 1914. Ardhjes së tij iu gëzua shumë sidomos Isa Boletini. Se a do të bënte ai diçka për shqiptarët e ndarë e të nëpërkëmbur, kjo gjë nuk dihet, pasi Wied shpejtë braktisi Shqipërinë e cunguar, më 3 shtator, të njëjtën ditë kur vdiq edhe Papa Benedikti XV.
LEXO PO ASHTU: A e keni parë karikaturën e Isa Boletinit të vitit 1914?
Ngjarje e madhe që preku edhe shqiptarët ishte vrasja e trashëgimtarit të Fronit të Austro-Hungarisë, Franz Ferdinand, më 28 qershor 1914 në Sarajevë. Atentati u krye nga një organizatë terroriste serbe e quajtur “Dora e zezë”, qëllimi i së cilës ishte ekspansioni territorial i Serbisë dhe dominimi i këtij shteti në Ballkan. Në korrik Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë.
LEXO PO ASHTU: 1914 - viti që fundosi Evropën
LEXO PO ASHTU: Gavrillo Princip sot do të ishte anëtar i al-Qaedas! (Video)
Kështu nisi Lufta e Parë Botërore, që ishte shkas i mirë që shqiptarët ta festojnë të qetë Vitin e Ri 1915. Por, në atë kohë Viti i Ri nuk festohej, e shqiptarët e varfër nuk kishin as me çka ta festonin. Atëbotë kalendari shqiptar ishte i orientuar me ngjarje: kur iki turku, kur ra breshni i madh, në kohën e të korrurave, kur hini shkau, Shëmitri, Arbaini, Hamsini, Nevruzi, pas lamive (Darka e Lamës), Shëmarku... Shqiptarët nuk i dinin saktë as datat e lindjes. Për orientim shkonin te hoxha e te prifti: njëri fliste sipas kalendarit lunar, e tjetri sipas atij gregorian.
LEXO PO ASHTU: Flamuri qindvjeçar i forcave shqiptare në ushtrinë e Austrisë (Video)
Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, Serbia pëson humbje të mëdha, por edhe shqiptarët të cilët pësojnë nga hakmarrja serbe. Vuajtjet shtohen e shtohen, sidomos më 1915 kur fillon e ashtuquajtura Betejë e Kosovës, e kur bullgarët mundin serbët. Më 25 nëntor 1915 nisi po ashtu ajo që serbët e quajnë “Golgota shqiptare”: Ushtria serbe tërhiqet përmes Pejës, Gjakovës e Prizrenit për në Shkodër, e pjesa tjetër përmes Dibrës e Strugës për në Elbasan. Kudo që shkelën ata - në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni e në Shqipëri - bënë masakra. Por, as bullgarët nuk ishin më të mirë. Në Kosovë nis ajo që quhet “Koha e bugarit”, prej nga lindi edhe sharja “ta q... bugari n...”! 
 Tërheqja e ushtrisë famëkeqe serbe
 Oficerët serbë e malazezë në Gjakovë
Shqipëria si shtet, dhe Kina - mikja e saj më e mirë 50 vite më vonë - në Luftën e Parë Botërore ishin neutrale, sepse kishin telashe të veta. E, shqiptarët e Kosovës kishin telashe edhe më të mëdha. Terrori serb kundër tyre nuk kishte të ndalur, që nga vitet 1912-1913 kur më shumë se dy të tretat e trojeve shqiptare u okupuan gjatë luftërave ballkanike. Kështu, përderisa nga të dhënat kadastrale të administratës osmane, trevat shqiptare - që nga Mesjeta e deri më 1912 - kishin një sipërfaqe prej 115 mijë kilometra katrorë, nga ky territor u krijua shteti i cunguar shqiptar në vetëm 28.748 kilometra katrorë. Por, serbëve, malazezëve e grekëve as kjo nuk u mjafton, sepse donin ta zhdukin tërësisht qenësinë shqiptare.
Shpërnguljet e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit më 1878
Shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi: Sipas të dhënave të “Komitetit të Kosovës”, gjatë prillit të vitit 1914, për në Turqi janë shpërngulur 6520 shqiptarë (në maj - 15414 shqiptarë; qershor - 14821; korrik - 26237 shqiptarë)
Më 1914 fillon edhe kolonizimi i Kosovës. Më 17 shkurt Serbia ua ndaloi gjyqeve ta regjistronin tokën, përderisa gjoja të shqyrtohej çështja e patundshmërisë me “studimin” e çështjes së tapive. Qeveria serbe kështu dëshironte të injorojë realitetin e dikurshëm nga koha osmane lidhur me përkatësinë e pronës. Pronat në Kosovë - para okupimit të vitit 1912 - ishin në mbi 90 për qind në duar të popullatës shqiptare (fatkeqësisht, kryesisht të bejlerëve dhe agallarëve). Prandaj, më 20 shkurt 1914 Serbia nxjerr “Dekretligjin mbi kolonizimin e viseve të posaçliruara dhe të bashkuara në Mbretërinë e Serbisë”, e njëjtë veproi më 27 shkurt edhe Mali i Zi.
Ditë të zeza po prisnin shqiptarët në Vitin e Ri 1915.
1924: VAZHDON KOLONIZIMI I KOSOVËS
Më 21 janar 1924 vdes lideri i parë i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), Vladimir Ilyich Ulyanov - Lenin. Vendin e tij do ta zë një faqezi tjetër, Iosif Vissarionovich Stalin. Me emrin e këtij maniaku, Shqipëria komuniste do ta emërojë Kuçovën si Qyteti Stalin.
Fan S. Noli duke hyrë në Selinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë më 1924
Në qershor 1924, Fan Stilian Noli me mbështeteshit e tij udhëhoqi të ashtuquajturin Revolucioni Demokratik i Qershorit. Noli premtoi se do të bënte Reformën agrare, por nuk ia arriti. Vendi u zhyt në anarki totale. Fuqitë e Mëdha nuk e njohën qeverinë e re, pos Bashkimit Sovjetik. Kështu lindi për herë të parë raporti shtetëror i shqiptarëve me komunizmin. Për këtë doktrinë shqiptarët në përgjithësi nuk kishin informata. Natyrisht, pos Ali Kelmendit nga Peja, që ishte “baba” i të gjithë komunistëve shqiptarë dhe kësaj ideologjie të mbrapsht që deri vonë zgjidhjen e çështjes kombëtare e identifikonte me zgjidhjen e çështjes së proletariatit botëror. Plot nga këta marksistë-leninistë që mendonin kështu, edhe sot i kemi në pushtet në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni!
Ali Kelmendi në pullën postare të Republikës Popullore të Shqipërisë (1960)
Në këtë vit ndodh edhe një tjetër gjë e keqe: Ahmet Zogu pas këtij Revolucionit të Qershorit iki në Jugosllavi, tek armiku, dhe që aty përgatiti planin e rikthimit në pushtet. Në dhjetor 1924 ai futet në Tiranë. Tri vite më vonë Zogu e shpall veten mbret të Shqipërisë, ndërsa 15 vite më vonë braktisi sërish popullin, kur më 7 prill 1939 Italia pushton Shqipërinë. Gjatë sundimit të tij, Shote Galica vdes në mjerim në Fushë-Krujë. Fat të tillë në Shqipëri do të kenë shumë idealistë të Kosovës, në çdo sistem të këtij shteti.
Aleatët e interesit: Ahmet Zogu e Ceno Bej Kryeziu
Në vitin 1924, Xhandarmëria dhe Ushtria serbe vazhdojnë ekspeditat ndëshkimore nëpër Kosovë dhe likuidimet masive të shqiptarëve. Në vitin 1924, më 15 korrik, në moshën 35-vjeçare vritet Azem Bejta, me të cilin identifikohej rezistenca e shqiptarëve në Kosovë kundër ndarjes e pushtimeve të padrejta që iu bënë tokave shqiptare 12 vite më parë.
Azem Bejta e Shote Galica
Në këtë vit, më 3 mars 1924, përmbyset edhe Kalifati i fundit Sunit, pas dëbimit të sulltanit të fundit të Perandorisë Otomane, Abdyl Mexhidi i II-të. Më shqiptarët nuk kishin kujt t’i thonë Baba Sulltan. Pushteti kalon në duart e Asamblesë së Madhe Kombëtare. Më 8 prill 1924 ndalohen gjykatat e Sheriatit, ndërsa nisin reformat për ta bërë Turqinë shtetin laik, ndryshime këto me të cilat 90 vite më vonë nuk pajtohet Recep Tayyip Erdogan.
Mustafa Kemal Ataturk
Sundimtar absolut në vitin 1924 në Turqi ishte “baba” i kombit turk, Mustafa Kemal Ataturk, djali i shqiptarit Ali Riza. Por, siç nuk ia kemi parë hairin Perandorisë Otomane, e njëjta vlente edhe për Republikës së Turqisë. P.sh. Qeveria jugosllave më 1935 ka mbajtur takime për projektin "mbi dëbimin e elementit josllav nga Serbia Jugore", për miratimin e një konvente bilaterale me Turqinë dhe Shqipërinë, për shpërnguljen e shqiptarëve nga Mbretëria e Jugosllavisë. Në krah atyre iu doli Turqia e Ataturkut, e cila më 1936 shprehu gatishmërinë për arritjen e një marrëveshjeje formale me Jugosllavinë për transferimin e 200 mijë shqiptarëve “që janë të ngjashëm me mentalitetin turk”, që në Turqi ata " të asimiloheshin lehtë". Edhe sot e kësaj dite, ndonëse të shumtë në numër, Turqia nuk njeh se në territorin e saj ka shqiptarë.
Fatmirësisht, ky projekt nuk u realizua tërësisht, sepse më 1939 krisi Lufta e Dytë Botërore.
Më 1 prill 1924, Adolf Hitleri burgoset. Në burg ai shkruan veprën "Mein Kampf" që do të jetë bibla e ideologjisë naziste që do të ndez Luftën e Dytë Botërore. Hitlerit më vonë shqiptarët e Kosovës do t’i thonë Hetë. Madje, kishin besim shumë të madh te ai, për çka thoshin: “I di Heta punët e veta”!
Më 4 maj 1924 nisin Lojërat Olimpike Verore në Paris të Francës. Shqiptarët atëherë nuk merreshin me sport. Tek 90 vite më vonë Kosova si shtet do të pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Në Kosovë tashmë ishin vendosur kolonët serbë, në tokat më të mira, dhe në pozicionet që do të mund të bllokojnë kur të duan shqiptarët. Ata këtë edhe sot e bëjnë. Por, edhe vetë shqiptarët me të zezat tjera!
1934: ME NDIHMËN E “VËLLEZËRVE” TURQ, HARTOHEN PLANET PËR SHPËRNGULJE
Kolonizimi i Kosovës nuk ka të ndalur, qëkur më 1931 Mbretëria e Jugosllavisë nxjerr edhe Ligjin për kolonizimin e viseve jugore. Shqiptarët në viset e pushtuara jetojnë në mjerim, por hiq ma mirë as ata në shtetin që quhej Shqipëri. Kështu, ambasadori amerikan në Tiranë, Herman Bernstein - intelektual i shquar dhe mik i gjeniut Albert Einstein - në vitin 1934 parashikonte pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.
LEXO PO ASHTU: Pamje të rralla të Shqipërisë së vitit: Zogu dhe Bernstein (Video)
Në Italinë fashiste, më 1934 mbahet Kampionati Botëror në Futboll, dihet pa shqiptarë. Kombëtarja shqiptare u themelua më 6 qershor 1930, por Shqipëria do të duhej të priste 16 vite për të luajtur ndeshjen e parë të saj ndërkombëtare. E, Kosova priti 80 vite që FIFA t’ia mundësojë këtë, dhe atë vetëm me ndeshje miqësore. Atëbotë, më 1934, mitrovicasi Riza Lushta luante për KF Tirana. Më vonë ai do të luajë edhe për Juventusin. Por, shumica e shqiptarëve nuk merreshin me këtë sport. Sportet e tyre të preferuara ishin: kapuçash dhe dagërxhik (edhe guxhas, sepse topi ishte haram atë kohë)!
Torino, korrik 1942: Riza Lushta (i pari lartë, nga e djathta), shënon tri gola për Juventusin, për Kupën e Italisë
Më 2 gusht 1934, Adolf Hitler bëhet Fyrer i Gjermanisë, ndërsa në shtator gjermanët mbajnë Marshin e Nurembergut, ngjarjen më të madhe propagandistike naziste. Në këtë muaj lindi edhe Brian Epstein - që do të jetë menaxheri i rok grupit më të madh në histori, The Beatles - si dhe Leonard Cohen. Këta dy emra do të jenë mesin e shumë pjesëtarëve tjerë të kundër-kulturës që 30 vite më vonë do ta ndryshojnë botën.
Atentati ndaj mbretit të Jugosllavisë
Në tetor 1934, nga një bullgar i Maqedonisë së sotme vritet mbreti i Jugosllavisë, Aleksandri i I-rë, e në dhjetor lindi Stjepan Mesiqi, që cilësohet si mik i madh i shqiptarëve të Kosovës. Në vitin 1991 Mesiqi ishte presidenti i fundit i Jugosllavisë komuniste, fund ky që shënonte edhe fillimin e pavarësimit të Kosovës nga Serbia.
Stjepan Mesiq
Shqiptarët as më 1934 nuk e festonin Vitin e Ri. Ky koncept ishte sa i panjohur aq edhe i parëndësishëm. Pastaj, bota që nga viti 1929 ishte e kapluar nga kriza e madhe ekonomike. Efektet e kësaj krize kulmojnë në Shqipëri sidomos më 1934. Në situatë hiq më të mirë ekonomike nuk jetonin as shqiptarët në viset e okupuara.
LEXO PO ASHTU (Në faqen e parë të një gazete të vitit 1934): Emocionale: Djaloshi “me 13 jetë” mahnit edhe 77 vjet pas vdekjes së tij
Në shkurt 1934 formohet Antanta e Ballkanit, apo Pakti famëkeq Ballkanik ndërmjet Jugosllavisë, Rumanisë, Greqisë dhe Turqisë. Ndërkaq, bisedimet turko-jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve vazhdojnë në Ankara, në prill të vitit 1934, midis Ruzhdi Arasit - ministër turk i Punëve të Jashtme - dhe homologut të tij jugosllav, Bogolub Jevtiq. Këto bisedime rezultuan me arritjen e një marrëveshjeje “parimore” mbi favorizimin e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Për realizimin e plotë të shpërnguljes, Qeveria jugosllave ndau fonde monetare. P.sh. në vitin 1934 ajo siguroi 42 milionë dinarë për këtë qëllim. Gjithashtu, edhe Qeveria turke në vitin 1934 shpalli Ligjin mbi Kolonizimin. Diplomacia turke, në krye me Arasin, po hartonte një projekt traktat shpërnguljen e shqiptarëve që ai i quanin “turq” dhe të atyre që - siç u cek më lartë - janë “të afërt me ta për nga mentaliteti”.
Faqeziu Ruzhdi Aras (Tevfik Rüştü Aras) dhe Ataturku
Në vitin 1934, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Mbretërisë së Jugosllavisë ishte Sheqir (Halil) Visoka (Hoxhë Visoka). Në një seancë parlamentare, duke kundërshtuar shpërnguljet, ai kishte deklaruar: “Unë dhe populli im nuk jemi turq. Ne në pazar nuk ka mundur të na qes Evropa e lëre më Bogolub Jevtiqi”.
Peja e vitit 1934
Të tjerët që përfaqësuan interesat e shqiptarëve në këtë Parlament janë edhe Mulla Asim Efendi Luzha, Ramë Bllaca, Sherif Voca, Adem Murmullaku (Dushi)... Por, ata, si të gjithë shqiptarët tjerë që nuk kishin asnjë shtet të fortë për vete, nuk i prisnin ditët më të mira as më 1935.
1944: KOSOVA NË MES TË DY ZJARREVE
LEXO PO ASHTU: Pamje të rralla nga qyteti i Pejës, në vitin 1942 (Video)
LEXO PO ASHTU:
Mustafa Kruja: “Nuk mundem me dashtun sërbín, Beligradin, xhelatët e vllazënve të mij kosovarë”
Në janar të këtij viti, Lëviza Nacional-Çlirimtare e Shqipërisë, e furnizuar me armë britanike, mori kontrollin e Shqipërisë së Jugut. Në maj takohen komunistët për të formuar Qeverinë shqiptare. Hoxha merr kontrollin e Partisë Komuniste në Shqipëri. Në korrik, forcat komuniste futen në Shqipërinë qendrore dhe veriore. Ndërsa, në tetor formojnë qeverinë e përkohshme me Enver Hoxhën si kryeministër. Në nëntor komunistët futen në Tiranë. Shqipëria çlirohet, me forca vetanake.
Partizanët në krye me Xhaxhin u futën në Tiranë
“Me forcat tona”, është slogani që Enver Hoxha do ta përdorte gjatë tërë sundimit të tij famëkeq e që do t’ia shohin sherrin shqiptarët, kudo që ata jetonin. Natyrisht, shumëkush me këtë nuk pajtohet, pasi edhe 70 vite pas çlirimit të Shqipërisë, Xhaxhi Enver cilësohet si një nga figurat më të mëdha kombëtare shqiptare.
Prefektura e Pejës me flamuj nazistë
Më 1944 Lufta e Dytë Botërore ende nuk kishte mbaruar. Shqiptarët në Kosovë ishin akoma të pushtuar, por kurrë më të lirë nuk ndiheshin. Kosova, që ishte pjesë e Shqipërisë, kishte mësues nga Shqipëria të cilët i kishte sjellë më herët Ernest Koliqi. Shqiptarët këtu po edukoheshin dhe po emancipoheshin. Kishte shpresë për ta.
Fadil Hoxha n’kali t’bardhë
Kosova kishte edhe komunistët e saj. “E nisi Marksi, e sosi Engelsi”, thoshin dikur. Kështu, nëse “baba” i të gjithë komunistëve shqiptarë ishte nga Peja, tash bazën ata do ta kenë në Gjakovë, qytet ky që do të “pavarësohet” nga Peja 70 vite më vonë.
Më 31 janar 1943 mbahet Konferenca e Bujanit. Më 2 janar 1944, pasi shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit, Konferenca zgjodhi kryesinë prej nëntë vetash: Mehmet Hoxha (kryetar), Rifat Berisha (nënkryetar), Pavle Joviqeviq (nënkryetar), Xheladin Hana (anëtar), Fadil Hoxha (anëtar), Hajdar Dushi (anëtar), Zekeria Rexha (anëtar), Milan Zeqarin (anëtar) dhe Ali Shukriu (anëtar). Konferenca e Bujanit doli me një dokument përfundimtar, ku thuhet: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”.
Faksimile e dokumentit me nënshkrime të pjesëmarrësve të Konferencës së Bujanit
Formulimi i një qëndrimi të tillë, siç thoshte Hajdar Dushi, mbështetej në vetë deklaratat e PKJ-së dhe të KANÇ-it të Jugosllavisë, në të cilat njihej parimi i vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje, parim bazë ky i Kartës së Atlantikut, i shpallur solemnisht nga aleatët e koalicionit antifashist.
Po bëhet mirë, mendonin shqiptarët e Kosovës. Por, qëndrimi i tillë nuk do të merret parasysh më vonë. Kosova u tradhtua. Sepse, me Kushtetutën e Jugosllavisë Popullore Federative, Kosova me Rrafshin e Dukagjinit shpallet qark autonom i Republikës Popullore të Serbisë, kurse territoret e tjera shqiptare ndahen midis Republikës Popullore të Maqedonisë dhe Republikës Popullore të Malit të Zi.
Në lindjen e komunizmit në Shqipëri kishin ndikim jugosllavët, si Milladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha. Më 13 mars 1945, Popoviqi vritet nga Haki Taha. Teoritë janë të shumta për këtë vrasje, gjoja se ishte vrarë nga regjimi jugosllav, sepse Popoviqi mbronte kauzën shqiptare. Por, në fakt, Taha këtë atentat e bëri sepse u shkel Marrëveshja e Bujanit, e Kosova u tradhtua dhe mbeti nën Jugosllavi.
Dushan Mugosha, Enver Hoxha dhe Milladin Popoviqi
Taha ishte njëri nga ata që i organizoi të rinjtë e Gjakovës që me flamur kombëtar t'i dilnin para, më 1942, kryeministrit të Shqipërisë, Mustafa Krujës (nënshkrues i Dokumentit të Pavarësisë), dhe të kërkonin nga ai që në Gjakovë të hapej Shkolla Normale, shkollë kjo që do të jetë një vatër e rëndësishme e arsimimit të brezave të ardhshëm. Tahën regjimi komunist shqiptar e quajti shovinist e agjent të huaj që kishte vrarë “simbolin e vëllazërimit në mes popullit shqiptar e atij sllav” (simbol i të cilit do të jenë pak më vonë Boro Vukmiroviq e Ramiz Sadiku). Kështu, Enver Hoxha, me vendimin nr.117 të datës 5 shtator 1945, e dekoron Popoviqin me Urdhrin e Flamurit. Por, lista e të dekoruarve të tij është më e madhe, e aty futen edhe Eduard Kardeli, Bllazho Jovanoviq, Radovan Zogoviq, Dushan Mugosha, Arso Jovanoviq, Millovan Gjilasi... e madje edhe antishqiptari mizor Aleksandar Rankoviq që dekorohet me Urdhrin “Ylli i Partizanit”.
Boro-Ramizi
Kështu, shqiptarët e Kosovës, me çlirimin e Shqipërisë më 1944, mbetën pa krahë. Ata nuk duhen as nga komunistët sllavë, e as nga regjimi komunist i Shqipërisë. E, ditët më të zeza për ta vijnë në prag dhe pas Vitit të Ri 1945, kur Qeveria e përkohshme e Shqipërisë pajtohet me vendimin e Jugosllavisë që Kosova të mbetet nën Serbi. Këtë muaj po ashtu fillon rezistenca e Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës në Drenicë. Duke i marrë të gjitha masat për gjoja "spastrimin" e terrenit nga "mbeturinat e fashizmit" dhe "kundërrevolucionarët", ushtarët serbë (bashkë me ata nga Shqipëria), vranë e masakruan mijëra shqiptarë gjithandej Kosovës. Qëndresa e armatosur shqiptare, e tradhtuar në të dy anët, nuk arriti t’i bëjë ballë forcave serbe.
Ibrahim Rugova e Sali Berisha
Më 15 tetor 1944, në Viçidol të Shqipërisë u lind Sali Berisha, presidenti i parë i Shqipërisë i emëruar nga një Parlament i formuar me zgjedhje të lira demokratike në vitin 1992. Ndërsa, më 2 dhjetor të po të njëjtit vit u lind Ibrahim Rugova, intelektual, politikan dhe president historik i Kosovës - simbol i rezistencës paqësore kundër pushtimit serb të Kosovës. Me këta dy emra, sidomos të Rugovës, do të nis revidimi i gabimeve historike të bëra më 1944.
1954: KEQ BOLL, POR MË E KEQJA PO VJEN...
Hoxha ia jep postin e kryeministrit Mehmet Shehut, por e mban postin kryesor të Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste. Shehu, në rrethana të dyshimta, më 17 dhjetor 1981 bën vetëvrasje. Thuhet se kjo vetëvrasje ndërlidhet me demonstratat e këtij viti të studentëve në Prishtinë.
Më 17 janar 1954 shkarkohet nga detyrat lideri komunist jugosllav, Millovan Gjilas. Më vonë ky do të cilësohet si disidenti më i madh i Evropës Lindore, i cili prejardhjen e Josip Broz Titos do ta ndërlidhte dhe me shqiptarët përmes fisit Kuç.
LEXO PO ASHTU: Tito kishte origjinë shqiptare!?
Më 19 shkurt, Krimea i jepet Ukrainës që më parë ishte pjesë e Republikës ruse të BRSS-së. Problemet me këtë territor nuk do ta lënë të qetë Ukrainën as 60 vite pas.
Më 26 shkurt lindi edhe Recep Tayyip Erdogan, emri më i përfolur sot në botën islame. Më 1 mars amerikanët prezantojnë bombën e hidrogjenit, ndërsa më 12 mars Gjermania dhe Finlanda i japin fund gjendjes së tyre luftarake. Greqia më 1954 ishte ende në gjendje lufte me Shqipërinë.
Më 14 maj del në shitje Boeing 707. Emri Boeing do të jetë shumë i pranishëm - me zhdukje e rrëzime - 60 vite më vonë.
Më 15 qershor lindi aktori i njohur botëror me origjinë shqiptare, Jim Belushi. E me 19 nëntor Abdel Fattah el-Sisi, i cili pas puçit të vitit 2013, më 2014 do të jetë presidenti i gjashtë i Egjiptit.
Zgjedhja e Miss Botës
Në tetor 1954 mbahet Miss Bota. Bukuroshe shpallet Antigone Costanda nga Egjipti i el-Sisit. Shqiptarët nuk morën pjesë në këtë kontest bukurie, sepse ishte “spektakël turpi”! Njëjtë, por për arsye tjera, ata nuk ishin të pranishëm as në Kampionatin Botëror të Futbollit që u mbajt në korrik në Zvicrën neutrale.
Edhe në vitin 1954 Kosova kolonizohet nga serbët, të cilët natyrisht kishin pushtet në të gjitha aspektet. Por, siç ndodhi 10 vite më parë, viti i ardhshëm për shqiptarët e Kosovës do të jetë edhe më i keq. Sepse, në Prizren mbahet një proces gjyqësor i cili do të pasohet me aksionet famëkeqe të mbledhjes së armëve. Mijëra e mijëra shqiptarë torturohen, burgosen e vriten. Në Turqi në vitet në vijim thuhet se shpërngulen 283 mijë shqiptarë, apo një e treta e popullatës së atëhershme. Strumbullar i këtij projekti ishte Aleksandar Rankoviqi, i dekoruar 10 vite më parë nga Enver Hoxha.
Antishqiptari mizor, Aleksandar Rankoviq
Siç po shihet, çdo vit që ka përfunduar me “4” ka qenë i keq për shqiptarët. Por, jo aq sa ai që përfundon me “5”! E frikshme a? Athua çfarë na pret më 2015?
Mos keni merak, do të bëhet mirë, pasi edhe në vitet e këqija lind shpresa. Kështu, më 28 nëntor 1955 lindi heroi legjendar i shqiptarisë, Adem Jashari.
1964: NË POLITIKË ASGJË E RE, NË EDUKIM PO NDODH “REVOLUCIONI”
Me Kushtetutën e 7 prillit 1963, RFPJ shndërrohet në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë (neni 1), ndërkaq Kosova shpallet Krahinë Autonome (neni 111), e shqiptarët nga nocioni “pakicë kombëtare” me këtë Kushtetutë u definuan si ”kombësi”. Kjo Kushtetutë nuk kishte sjell ndonjë ndryshim esencial në trajtimin e shqiptarëve. I tillë ishte në aspektin politik edhe viti 1964.
Në këtë kohë në pushtet prapë ishte Rankoviqi. Ai do të shkarkohet me të ashtuquajturin Plenumi i Brioneve, tek më 16 qershor 1966. Ndaj, shqiptarët vazhdonin të shpërnguleshin. Shumë nga ta kërkonin shpëtim në Shqipëri, por e pësonin edhe më keq.
Adem Demaçi
Më 1964 UDB zbulon aktivitetin e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve), themelues i së cilës ishte Adem Demaçi. Nëpër duar të UDB-së kaluan mbi 500 shqiptarë, 80 nga të cilët u nxorën para gjyqit. Gjykimi i dytë kundër themeluesit të LRBSH-së, Adem Demaçi, dhe 11 të akuzuarve të tjerë u mbajt më 27, 28, 29 e 31 gusht dhe 1 shtator 1964 në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë. Në këtë gjykim, në “emër të popullit”, Demaçi - atëherë student i Fakultetit Juridik - u dënua me 15 vjet burg të rëndë. 50 vite më vonë, Demaçi vazhdon të jetë aktiv, sidomos me deklaratat për politikë.
Tashko Anastas Ilo
Në këtë vit vdes Tashko Anastas Ilo, veterani i shquar i lëvizjes për çlirim kombëtar, njeriu që solli për herë të parë partiturën e himnit kombëtar në Shqipëri. Ai vdiq në gjendje të vajtueshme shëndetësore e mendore, i harruar e aspak i respektuar nga regjimi i Enver Hoxhës. Fati i tij ishte dëshmi se shqiptarët, qoftë nën Titon apo nën Enverin, nuk e kishin jetën e mirë. Bile, ata, në të dy anët e kufirit, jetonin në një paradoks të çuditshëm: në njërën anë persekutoheshin nëse e donin Enverin, e në anën tjetër persekutoheshin nëse nuk e donin Enverin!
Bota ishte e pushtuar nga heronjtë e rinj, përfaqësues të muzikës rock. Kjo rini do rebelohej kundër sistemit politik, ndërsa proklamonte paqen, dashurinë dhe lirinë individuale. Ata i urrenin vlerat morale të kohës, korrupsionin dhe autoritetin e pushtetit politik dhe ekonomik të "Vëllait të Madh". Synimi i tyre ishte që të barazohet individi me institucionin. Dhe, ia dolën.
Grupi FARAZIMUS
Rinia e Kosovës kishte telashe tjera, por ishte më afër këtyre rrjedhave. Kështu, sipas studiuesit Behar Arllati, më 1964 formohet rok grupi i parë në Kosovë - “Farazimus” nga Gjakova. Kjo ishte dëshmi se shqiptarët po emancipohen dhe se janë më afër rrjedhave moderne të kohës. Po ashtu, në këtë kohë shqiptarët kishin si kurrë më parë shkolla e njerëz të shkolluar.
Prishtina e vitit 1964
Ditët më të mira po vinin për shqiptarët, ishte shpresa që gjithmonë e mbante gjallë shqiptarin.
1974: PËR HERË TË PARË NDJEHET FRYMA E LIRISË PËR SHQIPTARËT E KOSOVËS...
Ky ishte viti më i mirë për shqiptarët në ish Jugosllavi. Në Kosovë u hap më 1970 Universiteti i Prishtinës. Nëse pas Procesit të Prizrenit shqiptarët persekutoheshin për armë, serbët thanë se me hapjen e këtij universiteti “shqiptarëve ua dhamë topat”!
Prishtina e vitit 1974
Shqiptarët e Kosovës pra ishin në “ekspansion”, një fenomen botëror. Një popull i shkelur dhe nëpërkëmbur, për tri dekada bëhet me universitet që atë kohë ishte me renome e diplomat e së cilës pranoheshin kudo në botë. Kosova kishte Akademinë e Arteve dhe Shkencave, si dhe Radiotelevizionin e Prishtinës, institucione këto që i çelën rrugë ngritjes së tyre intelektuale e kulturore. Në pranverën e këtij viti (1974) marrin hov po ashtu punimet në ndërtimin e Pallatit të Shtypit, që edhe sot njihet si Rilindja, e që ishte motor i zhvillimit të shqiptarëve.
Ballina e Rilindjes e 24 marsit 1989
Në këtë vit miratohet Kushtetuta e re e Jugosllavisë, me të cilën shqiptarëve u njihen më shumë të drejta, kurse Kosova bëhet element konstitutiv i Federatës jugosllave. Kosova kështu de fakto ishte e pavarur nga Serbia, ndaj serbët do të punojnë shumë që këtë realitet ta ndryshojnë, sidomos pas vdekjes së liderit komunist të Jugosllavisë, Josip Broz Tito (4 maj 1980). Kështu, 15 vite më vonë, me më 23 mars 1989, nën sundimin e Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, do të suprimohet autonomia e Kosovës, apo ajo që edhe sot njihet si Kushtetuta e vitit 1974. Fatkeqësisht, delegatët shqiptarë që ishin kundër këtij ndryshimi, apo ripushtimi klasik, numëroheshin me gishta. Nga 190 delegatë të tri dhomave sa kishte atëherë Kosova, humanisti dhe atdhetari Riza Lluka (i cili do të vdes më 2014), Melihate Tërmkolli, Shkëlzen Gusinja, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Mehdi Uka dhe Avdi Berisha votojnë kundër suprimimit të asaj autonomie. Dy delegatë thuhet se abstenojnë, ndërsa 25-30 mungojnë në seancë.
LEXO PO ASHTU: Kujtesë: 25 vite nga suprimimi i dhunshëm i autonomisë së Kosovës (Foto/Video)
Më 1974 mbahet Plenumi i V-të i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, pas të cilit bëhen likuidime në kreun ushtarak të Shqipërisë, si dhe të shumë intelektualëve tjerë.
Më 20 korrik 1974, Turqia invadon në ishullin e Qipros. Turqisë së fortë kush nuk i bëri zë. As sot nuk guxojnë, 40 vite më vonë, pa çka që Qipro është pjesë e BE-së.
Në këtë vit lindin Jimmy Fallon dhe Leonardo di Caprio, ndërsa aktori i mirënjohur nga Kosova, Bekim Fehmiu, luan në këto projekte filmike: “Il testimone deve kacere”, “Cagliostro”, “Il gioco della verità”, “Deps” dhe “Koshava”.
Në Kosovë Ekrem Kryeziu realizon filmin e shkurtër “Por”, ku luan Faruk Begolli dhe aktorja e njohur sllovene Manca Koshir, e që ishte edhe një dëshmi e zhvillimit kulturor të vendit.
Kosova më 1974 kishte orkestër, kor, balet, teatër, studio incizimi etj. Emrat më të njohur në muzikë në këtë kohë ishin Nexhmije Pagarusha, Shahindere Bërlajolli, Liliana Çavolli, Ismet Peja, Sadete Musliu, Shyqrije Spahiu, Idriz Dhomi, Belkize Tuli, Shaban Gjekaj etj. Ndërkaq, nga arti skenik veçoheshin Muharrem Qena, Melihate Ajeti, Abdurrahman Shala, Istref Begolli, Ragip Logja, Ahmet Spahiu, Xhevat Qena, Matej Sereçi, Malo Gami, Naxhije Deva etj. Kosova kishte shkrimtarët e njohur si Anton Pashku, Rifat Kukaj, Agim Deva, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rrahman Dedaj, Fahredin Gunga... Kishte piktorë e skulptorë si Muslim Mulliqi, Nysred Salihamixhiqi, Budim Berisha, Fatmir Krypa, Tahir Emra, Agim Çavdarbasha, Shemsedin Kasapolli, Xhevdet Xhafa, Kadrush Rama etj.
LEXO PO ASHTU: Çfarë barsoletash tregoheshin për Titon!?
Në këtë periudhë ishin të relativizuara edhe raportet Shqipëri-Jugosllavi, kështu që artistët e intelektualët e të dy vendeve vijnë e shkojnë. E, kur ktheheshin shqiptarët e Kosovës nga Shqipëria, përjetimet e tyre i ndanin me lexuesit. Ato lexoheshin me vëmendje e kërshëri. Shqiptarët e shkretë këndej kufiri kënaqeshin, sepse e cilësonin Shqipërinë si vendin më të mirë në botë, më të zhvilluarin ekonomikisht dhe ushtarakisht. E, kush nuk mendonte kështu, ishte “dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete jugosllave”.
Këtë vit thyhen edhe tabutë. Është folur për seksin “pa pikë turpi e frike” (ndoshta pse pak kush atë kohë e ka kuptuar fjalë seks). Shkruhej për “burimin e konflikteve seksuale”, për “duhanin si rrezik për jetën seksuale”, për këmbët e lodhura, për çorapët me lara, jelekun etj. Po ashtu, flitej për emancipim e femrave, por i cili perceptohej më mirë se sot, sepse thuhej se “pavarësia ekonomike e femrës, kusht për barazi të plotë”. E, sot kjo barazi bazohet vetëm në shifra statistikore.
Grupi MAK
Derisa bota moderne dridhej nga tingujt e muzikës rok, e njëjta vlente edhe për Kosovën. Shqiptarët dëgjonin Radio Luksemburgun, e nga ky vit edhe kanalin e dytë të Radio Prishtinës. Ata edhe krijonin koleksionet e tyre të disqeve, si: Faruk Spahija, Fadil Bajraj, Gazmend Mustafa, Idriz Doli, Llazar Llazari, Feim Kurasani, Nexhmedin Salihu... Kosova kishte filluar të ketë edhe rok skenën e saj, që dominohej nga grupi MAK.
Ky ishte viti më i mirë që shqiptarët e Kosovës kishin përjetuar më parë në historinë e tyre. Por, ishte edhe viti i krijuesve, i artistëve, i intelektualëve, i universitetit... 40 vite më vonë, të gjitha këto aspekte në shtetin e Kosovës do të shkojnë për mbrapsht. Në atë kohë shpërnguljet u ndalën, ndërsa numri i të papunëve ishte shumë, shumë më i vogël se sot.
1984: RIKTHIM NË... ASGJË TË RE!
Nga demonstratat e vitit 1981, gjërat përkeqësohen për shqiptarët e Kosovës, por edhe për ata në Maqedoni, në Mal të Zi e në Luginë të Preshevës, sepse Kosova ishte dhe mbetet motori i shqiptarisë. Nga kjo kohë humbet edhe më shumë burrëria në mesin e politikanëve, gjë që mungon edhe sot. Serbia punonte intensivisht për ta shkelur Kosovën, e këto plane do të dalin në pah më 1986 kur Shpallet Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, në të cilin kërkohet që Kosovës t’i merret statusi i autonomisë i njohur në Kushtetutën e vitit 1974.
Prishtina e viteve ‘80
Agron Haxhi Ferizi, nga Deçani, mobilizohet në Armatën Popullore të Jugosllavisë, më 6 janar 1984, me shërbim në Novi Sad. Më vonë e transferojnë në Baçka Topollë, ku vritet më 25 gusht 1984. Arsyetimi i dhënë ishte: “Ka bërë vetëvrasje”! Kjo ishte pra koha kur shpeshtohen edhe vrasjet e ushtarëve të pafajshëm shqiptarë në APJ.
LEXO PO ASHTU: Urrejtja e Jovanka Brozit ndaj Fadil Hoxhës
“1984” (Nineteen Eighty-Four) është emri i kryeveprës së George Orwellit (i shkruar më 1948). Në këtë vepër shpjegohet sistemi totalitar dhe “Vëllai i Madh që vëzhgon”. Nën vëzhgim të tillë ishin shqiptarët nga sundimi serb. Nën vëzhgim të tillë ata janë edhe sot, sepse Vëllai i Madh e do pushtetin vetëm për të mirën e tij, e jo për mirëqenien e qytetarit.
LEXO PO ASHTU: Biblioteka Kombëtare, ndërtesa e nëntë më e shëmtuar në botë
Shpresat e shqiptarëve nisin të shuhen. Filloristët vazhdonin të jepnin “fjalën e nderit të pionierit”, qytetarët prisnin të kalonte në qytetin e tyre Stafeta dhe të gjithë deklaroheshin se janë të përcaktuar për “rrugën së Titos”. Atëherë kishte edhe kalendarë me fytyra të buzëqeshura nga fabrikat dhe aksionet e vjeljes së mollëve dhe të rrushit. Por, shqiptarët, më shumë se të tjerët, e parandienin të zezën. E, kjo dëshmohet edhe me “terminologji”: nga kjo kohë bashkëpunëtorët e vjetër e të rinj të politikës serbe (antishqiptare) nisin të quhen “shqiptarë të ndershëm”!
Manifestimi i Ditës së Rinisë në Beograd, ku përfundonte Stafeta
Më 8-19 shkurt 1984 mbahen Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë, qytet ky që në këtë vit kishte epitetin e bashkëjetesës e të “vëllazërim-bashkimit”, e ca vite më vonë të “vëllazërim-vrasjes”. Më 1 korrik Lihtenshtajni ua lejon femrave të drejtën e votës. Ndërkaq, më 11 gusht ndodh shakaja që do të trondit rusët: me këtë datë, presidenti amerikan Ronald Reagan - që kandidonte për mandatin e dytë presidencial - gjatë testit të zërit për fjalimin që do ta mbante në Radion Nacionale Publike, thotë: “Miqtë e mi amerikanë, kam kënaqësinë t’ju them se sot kam nënshkruar ligjin që do ta shpallim Rusinë përgjithmonë të jashtëligjshme. Do t’i nisim bombardimet për pesë minuta”. Ndonëse nuk u transmetua kjo fjali publikisht, ajo rrodhi në publik, për çka BRSS vuri në gjendje gatishmërie Armatën lindore. Mandati i tij i dytë ishte edhe fillimi i fundit i komunizmit dhe bllokut lindor.
Marku i madh e Marku i vogël: Zbulimi që po i "afron" e po i "ndanë" shqiptarët!
E, më 14 maj 1984, u lind Mark Zuckerberg. 20 vite më vonë ky do ta lansojë rrjetin social Facebook, rrjet ky qo do të krijojë realitete të reja sociale kudo në botë. Edhe tek ne. Gjithçka do të jetë virtuale, madje edhe shoqëria! Kështu, një studim i bërë nga sociologët e Universitetit Duke tregonte se mesatarja e njerëzve të cilëve amerikanët mund t'u besojnë, ka rënë nga 2.94 më 1984, në 2.08 më 2004. Sot kjo rënie është më e madhe...
Në vitin 1984 fillojnë xhirimet e filmit “Proka” me regji të Isa Qosjes. Për këtë film do të thuhet se ka fituar çmimin kryesor në Kanë më 1988. Lajme të tilla, për çmime “kryesore” e në fakt inekzistente - nga ata që kanë monopolizuar me artin në Kosovë e kanë pak lidhje me art - do të kemi me bollëk sidomos sot, nga këtu e deri në Mongoli.
Në Kosovë dëgjoheshin shumë Irfan Blakçori, Arian Kerliu, Gazmend Pallaskës, Bedri Islami, Valentina Saraqini, Hilmi Obërtinca... Ndërsa, në këtë vit nis edhe ajo që do të njihet si “vitet e arta të rokut kosovar”, me grupet si Ilirët, TNT, Gjurmët, 403, Rokmasa, Telex, Minatori...
Ndërsa, shpresa vdes e fundit...
1994: NËN PUSHTIM...
Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina ishin në luftë; Kosova ishte nën pushtim klasik. Shqiptarët besonin në shifrën 1992, sepse kjo simbolizonte Evropën e Bashkuar që nuk lejon shkelje dhe abuzim të të drejtave të njeriut. Por, ndodhi e kundërta.
Dokumentar i Khier Korrichit për Kosovën
Shqiptarët e Kosovës janë të papunë, të shkelur e të nëpërkëmbur. Në këtë kohë rikthehen skenat e shpërnguljeve: kush mundet kërkon shpëtim në Perëndim, në rrugë ilegale, pasi Kosova konsiderohej pjesë e Serbisë e ndaj këtij shteti kishte sanksione ekonomike e politike.
LEXO PO ASHTU: Sharlatani që e huqi parashikimin për fundin e botës
20 vite më vonë, shqiptarët prapë do të ikin nëpër rrugë ilegale për në Perëndim, por këtë herë nga Kosova shtet e jo “krahinë” e Serbisë.
Në Kosovë më 1994 nuk kishte televizion (kishte RTP pro-serbe me Hajrije spikericën si maskotë), e nuk kishte as radio. Kishte një javore (Zëri) dhe një ditore (Bujku). Shqiptarët në këtë kohë “kënaqen” me video-kaseta, me filma patetikë e me muzikë patetiko-patriotike. Tash, gjithçka ishte biznes me ndjenjat e popullit, gjë të cilën e shfrytëzojnë mirë disa këngëtarë.
LEXO PO ASHTU: Dhjetë këshillat e Ukshin Hotit - për shqiptarët
E, bota po lulëzonte. Në këtë vit dalin filmat “Forrest Gump”, “The Lion King”. “Four weddings and a funeral”, e po ashtu fillon edhe sezoni i parë i serisë nga më të njohurat komike, “Friends”. Oasis debuton me albumin “Definitely Maybe”, e Pink Floyd mban turneun “The Division Bell”.
Më 1994 del në shitje konsola PlayStation që shitet në 100 milion kopje, ndërsa The Daily Telegraph bën një risi: lansohet versioni elektronik i saj si portal i lajmeve.
Në vitin 1994 shtohet numri i përdoruesve të telefonave mobilë, por natyrisht jo në Kosovë (në Kosovë tek pakica vijnë pager-ët), pasi kjo ishte teknologji luksi e përtej luksi. Në këtë vit do të jenë 67 mobilë në njëmijë banorë në Britani. 10 vite më vonë do të ketë më shumë celularë se njerëz në botë.
Kështu dukej pageri më 1994: Shqiptari që i mbante këto në këtë kohë, ishte i dyshimtë!
Shqiptarët e të dy anëve të kufirit, Kosovë e Shqipëri, shkonin e vinin si 30 vite më parë. Por, kontaktet e para që u bënë në fillim të ’90-ave, vazhdonin të mbanin gjallë hendekun në “ne” dhe “ata”!
Në këtë vit acarohen raportet Shqipëri-Greqi, ndërsa Fatos Nano dënohet me 12 vjet burg. Ramiz Alia, lideri i fundit komunist, do të akuzohet për persekutime gjatë regjimit komunist dhe do të dënohet me nëntë vjet burg.
Më 4 qershor themelohet Universiteti i Tetovës. Ky universitet zyrtarizohet 10 vite më vonë, në janar të vitit 2004, me sjelljen e Ligjit nga për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës.
USHT sot
Më 1994 në SHBA mbahet Kampionati Botërore në Futboll, prapë pa shqiptarë. Ndërsa, lider i shqiptarëve të Kosovës ishte Ibrahim Rugova, i cili e sensibilizoi çështjen e Kosovës në botë me shpresën që pavarësia do të arrihej me metoda paqësore.
Liria do të vije pesë vite më vonë, por jo ashtu siç e ëndërronte shqiptari...
2004: NGA TRAZIRAT, DREJTË NEGOCIATAVE DHE SHTETIT PËR PUSHTET
Çështja e qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe provokimet e qarqeve ekstremiste serbe sollën protesta të dhunshme, apo ato që do të njihen si trazirat e marsit 2004. Ky është njëri interpretim i ngjarjeve.
Trazirat do të nisin më 17 mars, pasi dy fëmijë shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës u mbytën në lumin Ibër. Gjatë këtyre trazirave u dogjën disa shtëpi dhe kisha serbe. Diçka e ngjashme ndodhi me shtëpitë shqiptare në pjesët me shumicë serbe. 19 persona, prej këtyre 12 shqiptarë, humbën jetën me këtë rast. Ndërkaq, as 10 vite më vonë nuk dihet saktë se çfarë ndodhi më 2004. Këto trazira vazhdojnë të mbesin një enigmë e paqartë.
Pamje nga trazirat e marsit 2004
Megjithatë, këto trazira zgjuan nga gjumi shumë vendimmarrës ndërkombëtarë. Të gjithë e kuptuan se shumë pak në Kosovë mund të përmirësohet pa zgjidhjen e statusit përfundimtar. Prandaj, nisin negociatat. Pavarësia do të shpallet më 17 shkurt 2008, por as kjo pavarësi nuk do të jetë ashtu siç e ëndërronin shqiptarët. Defektet e saj, sidomos me të ashtuquajturin decentralizim, po i vuan edhe sot qytetari.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë më 2004, fiton Lidhja Demokratike e Kosovës. Koalicionin qeveritar kjo parti e bëri me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Kryeministër i Kosovës emërohet Ramush Haradinaj. Ndërsa, si president vazhdon mandatin Ibrahim Rugova. Haradinaj në Kryeministri qëndron nga 3 dhjetori 2004 deri në mars 2005. Ai do të vazhdojë të thirret në këto ditë, me dëshirën që sërish të jetë kryeministër i vendit. Kjo dëshirë për pak iu plotësua 10 vite më vonë.
Haradinaj largohet për shkak të akuzës së ngritur nga Tribunali i Hagës
Sali Berisha fillon protestat në Tiranë, me sloganin: “Nano ik”. Fatos Nano do të bie nga pushteti një vit më vonë dhe do të largohet si burrat nga skena politike. Këtë fat do ta përjetojë më 2013 edhe Berisha, por ai nuk do të tërhiqet nga politika, e sidomos nga postimet e tij në rrjetin social Facebook.
Në këtë vit vdesin këta emra të mëdhenj: politikanët Ronald Reagan dhe Yasser Arafat; këngëtari dhe kompozitori Ray Charles; aktorët Marlon Brando, Peter Ustinov, Fay Wray dhe Christopher Reeve; kompozitori i filmave Elmer Bernstein. Në këtë vit, po ashtu në rrethana të dyshimta, në Bosnje dhe Hercegovinë në një aksident ajror mbytet presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski.
LEXO PO ASHTU: Rrëfim tronditës: Po të lindja përsëri, nuk do të martohesha me Arafatin
Në vitin 2004 ndodh anëtarësimi më i madh në histori në NATO. Anëtarë të rinj janë: Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Romania, Sllovakia dhe Sllovenia. Ndërsa, edhe në BE ndodh zgjerimi më i madh në histori, me pranimin e këtyre shteteve: Polonia, Lituania, Letonia, Estonia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Malta dhe Qipro.
Dhjetë vite më vonë Kosova nuk do të jetë as anëtare e NATO-s e as e BE-së. Bile, për banorët e saj nuk do të vlejë as qarkullimi i lirë pa viza.
2014: BLLOK E BLLOKIM E NGËRÇ E KËRRK...
Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme. Partia e parë doli PDK. Partitë tjera shqiptare - LDK, LVV, AAK dhe Nisma - formuan më 10 qershor një koalicion paszgjedhor që do të njihet si LAN e pak më vonë LVAN. Sipas marrëveshjes, Isa Mustafa (LDK) do duhej të ishte kryetar i Kuvendit, ndërsa Ramush Haradinaj (AAK), kryeministër i vendit. Kjo marrëveshje do të bie përfundimisht më 19 nëntor.
LEXO PO ASHTU: Ramushi kryeministër
Kuvendi i Kosovës do të shpërbëhet më 7 maj me 90 vota pro. Zgjedhjet u mbajtën më 8 qershor, ndërsa tek më 9 dhjetor formohen institucionet e reja të koalicionit PDK-LDK, me Isa Mustafën si kryeministër dhe Hashim Thaçin si zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm. Gjatë tërë kësaj periudhe, fjala më e përdorur në diskursin politik dhe qytetar do të jetë “ngërçi”!
LEXO PO ASHTU: Kuvendi voton Qeverinë e re: Ja emrat e Kabinetit Mustafa!
Në tetor edhe një fjalë do të futet në përdorim: droni. Më 14 tetor në stadiumin e Partizanit në Beograd do të mbahet ndeshja Shqipëri-Serbi. Shqiptarët gjatë tërë kohës ishin të fyer e të kërcënuar. Pastaj, një dron fluturoi duke bartur hartën etnike shqiptare me shqiponjën dykrerëshe. Ky dron do ta “traumatizojë” aq shumë Serbinë, sa që dy muaj më vonë do të formojnë njësite anti-dron.
LEXO PO ASHTU: Videolajm: Flamuri më i bukur në botë mbi qiellin e Beogradit!
Me 10 nëntor Beogradin do ta vizitojë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Aty Rama tha një gjë që e dinin edhe serbët: “Pavarësia e Kosovës është një realitet i pamohueshëm dhe këtë Serbia duhet ta kuptojë sa më shpejt të jetë e mundshme”. Por, kjo deklaratë ishte një dron tjetër që fluturoi mbi Serbi. “U poshtëruam”, thanë fqinjët tanë veriorë.
LEXO PO ASHTU: Ja fjalimi i plotë i Ramës dhe përgjigjet që ia dha gazetarëve (Video)
Sidoqoftë, shqiptarët për herë të parë në histori shënuan “fitore” kundër serbëve, dhe atë midis Beogradi. Ndërsa, në Kosovë po shënojnë fitore qentë endacakë. Më 17 dhjetor qentë do ta mbysin një fëmijë në Fushë Kosovë, teksa i gjori ishte duke kërkuar hedhurina nëpër kontejnerë. Qentë janë bërë problem, e askush nuk po e di zgjidhjen e këtij problemi.
LEXO PO ASHTU: Çfarë thonë familjarët e fëmijës që e mbytën qentë në Fushë Kosovë (Video)
Në vitin 2014 fjalët që do të përmenden shumë janë edhe “zogu”, “gjoksi” e “prapanica”. Madje, ato që i ekspozuan këto, ishin “temë qendrore” - më shumë se droni e se ngërçi.
Në vitin 2014 as Kosova e as Shqipëria nuk morën pjesë në Kampionatin Botëror në Futboll, por shqiptarët ishin në formacionin e Zvicrës, Belgjikës, Gjermanisë... e njëri nga ta u bë kampion bote - Shkodran Mustafi.
Në botë problem do të jetë Shteti Islam dhe ISIS-i. Pjesë e këtyre formacioneve terroriste do të bëhen edhe shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Prandaj, në gusht do të fillojë një seri e arrestimeve në Kosovë nën dyshimin për vepra penale, organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste. Në shtator do të arrestohen edhe disa hoxhallarë nën dyshimin për nxitje të urrejtjes ndërfetare e të ekstremizmit islamik.
LEXO PO ASHTU: Kalifati i ISIS-it do të përfshinte edhe Kosovën
Problem në Kosovë ishte sërish papunësia, që është më e larta në Evropë. Tek meshkujt ajo mbetet 28.1 për qind, e tek femrat 40.0 për qind, ndërkaq tek të rinjtë e moshës 15-24 vjeçe është 55.3 për qind. Prandaj, ky vit do të shënohet edhe me shpërnguljet e shqiptarëve anekënd Kosovës. Qytetarët po shesin çka kanë, për të siguruar mjetet materiale për të dalë ilegalisht në Perëndim. Ndonëse të gjithë po apelojnë të rrinë këtu, sepse nuk ka azil për ta, mungesa e perspektivës dhe shpresa po i detyron të marrin këtë rrugë.
Për herë të parë në histori, shpërnguljet masive të shqiptarëve nuk po organizohen nga Serbia (edhe pse ka njerëz që prapë fajin ua lënë atyre).
Ishalla e bën Zoti hair më 2015...
2024: A?
Bëhet më mirë... /Telegrafi/

No comments: