Sunday, November 30, 2014

NOA: Paloka e Spaho nënkryetarët e rinj të PD, Ristani Sekretar i Përgjithshëm

Përditësuar 23:19 - Partia Demokratike zgjodhi sot forumet e larta drejtuese, si dhe votëbesoi dy nënkryetarët e partisë dhe kryesinë e grupit parlamentar. Këshilli Kombëtar votoi për Sekretarin e Përgjithshëm, drejtuesit e Departamenteve dhe Sekretariateve.

Në përfundim të procesit, rezulton se Këshilli Kombëtar ka votuar si më poshtë:


Sekretar i Përgjithshëm, Arben Ristani

Burimet Njerëzore, Fatbardh Kadilli

Organizmi, Enno Bozdo

Zgjedhjet, Ivi Kaso

Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma

Organizatat Partnere, Valbona Mezini

Shoqëria Civile, Nevila Xhindi

Energjia dhe Burimet Natyrore, Suzana Guxholli

Infrastruktura dhe Transporti, Ervin Minarolli

Bujqësia, zhvillimi rural, peshkimi dhe agroindustria, Enkeleida Sallaku

Shoqëria e Informacionit dhe Komunikimi, Endri Hasa

Ekonomia dhe tregu, Florion Mima

Financat publike, Tregu bankar financiar dhe jo bankar, Sherefedin Shehu

Antikorrupsioni, Aksesi Publik në Shërbime dhe Transparenca në Qeverisje, Lealba Pelinku

Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, Ervin Salianji

Punësimi dhe Cështjet Sociale, Kastriot Sulka

Emigracioni dhe Diaspora, Bardh Spahia

Të Përndjekurit Politike dhe Pronarët, Belind Kellici

Siguria, Rendi Publik, Lufta kundër Krimit, Bashkim Shehu

Administrata Publike, Endira Bushati

Drejtësia dhe Cështjet Ligjore, Eduard Halimi

Pushteti Vendor dhe Administrimi i Territorit, Voltana Ademi

Ambjenti, Pyjet dhe Turizmi, Jamarbër Malltezi

Arsimi, Shkenca dhe Inovacioni, Luciano Boci

Kultura, Rinia dhe Sporti, Arben Skenderi

Shendetësia, Tritan Shehu

Integrimi Europian, Laura Vorpsi

Politika e Jashtme, Kreshnik Collaku

Siguria Kombëtare, Avenir Peka

Pjesë e Kryesisë së re të Partisë Demokratike janë edhe kryesia e Grupit Parlamentar Demokrat dhe kryetarët e nënkryetarët demokratë të komisioneve parlamentare.

Duke vlerësuar procesin, cilësinë dhe entuziazmin e aplikantëve, përpara shpalljes së garës, kryetari Basha tha se: “Nga zgjedhjet e sotme do të dalë ekipi që do të punojë çdo ditë, non-stop, për të intensifikuar e fuqizuar aksionin politik opozitar të partisë, për të çuar përpara Nisjen e Re dhe të gjitha synimet e objektivat që përcaktuam në Kuvendin Kombëtar, për të përgatitur programin tonë të detajuar politik, ekonomik, që do të jetë propozimi ynë i ri, alternativa jonë e re për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

“Parimi i përgjegjësisë na ka mbledhur e na mban të bashkuar në rrugën tonë. Ne marrim përgjegjësi para vendit. Ne marrim përgjegjësi para qytetarëve. Marrim përgjegjësi për të mos u dhënë paqe mashtrimeve, dështimeve, klientelizmit, krimit dhe korrupsionit qeveritar. Marrim përgjegjësi për të mbrojtur me çdo çmim demokracinë. Marrim përgjegjësi për të përgatitur alternativën e ringritjes së vendit dhe të ekonomisë. Një moment përgjegjësie i Këshillit Kombëtar është zgjedhja sot e ekipit të ri drejtues të Partisë”, u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike.

Përditësuar: 16:56 - Arben Ristani zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i PD-së

Arben Ristani është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i PD-së me 101 vota pas votimit të sotëm, duke lënë pas dy kandidaturat e tjera, atë të Eduard Selamit dhe Enkelejd Alibeaj.

Në prononcimin e parë pas zgjedhjes Ristani u shpreh se kjo ishte “një garë e lirë midis njerëzish me kontribute dhe figura te çmuara të PD.basha kuvendi pd2

“Falënderim i madh për ata që më votuan, por një falenderim i veçante për zotin Berisha që më bëri pjesë të politikës të Partisë Demokratike dhe për zotin Basha që më bëri pjesë të garës për një post kaq të rëndësishëm”- tha Ristani.

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka uruar Ristanin për postin e ri.

“Garë e fortë dhe e bukur mes tre kandidatëve për Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Demokratike. Të tre personalitete me kontribute dhe vlera unike për demokratët dhe të gjithë vendin. Urimet e mija të përzemërta Arben Ristanit, Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Partisë Demokratike! Urime edhe Enkelejd Alibeajt dhe Eduard Selamit për performancën dinjitoze! Proces transparent dhe festë demokracie”, deklaron Basha.

basha kuvendi pd

13:55 - Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike është mbledhur sot në Tiranë për të zgjedhur strukturat e saj të reja drejtuese. Në këshill, votohet për drejtuesit e 22 departamenteve dhe 6 sekretarëve, si dhe për 2 nënkryetarët e partisë.

Në nisje të mbledhjes, Basha propozoi që votimi nga 278 anëtarë të Këshillit Kombëtar për nënkryetarët e rinj të PD-së të ishte i hapur.

Anëtarët dhanë aprovimin e tyre për Edi Palokën dhe Edmond Spahon në postin e nënkryetarëve.

Kështu, Paloka dhe Spaho u votuan nënkryetarë të partisë më të madhe të opozitës.

Ndërkaq, me interes pritet gara për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Për këtë post, deri më tani janë renditur Eduard Selami, Enkelejd Alibeaj dhe Arben Ristani.

Basha flet para Këshillit

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në fjalimin e tij që gjeni më poshtë, duke folur fillimisht për zgjedhjen e strukturave të reja, tha se janë përzgjedhur kandidaturat më të mira si dhe ka bërë një analizë të situatës politike që po kalon vendi.

“Me bindjen se do ta përmbushni me sukses, ju uroj punime të mbara dhe ja si do të procedojmë: Procedojmë me votëbesimin  e kryesisë së grupit parlamentar, kryetarit të grupit zotit Paloka dhe nënkryetarit të kuvendit Edmond Spaho për postet e nënkryetarëve të partisë. Procedojmë më tej me zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm mes tre kandidaturave, Selami, Ristani dhe Alibeaj. Paralelisht në dy kuti të ndryshme do të votohet edhe për krerët e departamenteve dhe sekretariateve me dy kandidatura për secilën prej tyre”, - sugjeroi z. Basha.

Kryetari i PD uroi që në garën për postet drejtuese, të fitojë më i miri.

“Ju uroj juve dhe gjithsecilit prej jush i shpreh besimin e plotë se përveçse forumi më i rëndësishëm i PD do jetë një selinë e urtësisë, mençurisë, fuqi e pararojës e sfidave sot dhe qeverisjes nesër. Në mbledhjen e sotme përmbyllet gara e madhe. Gara është mes më të mirëve, numri i madh dhe sidomos cilësia e tyre e lartë, shumë e lartë. Kur ka aplikantë kaq cilësorë është e vështirë të zgjedhësh. Ata që nuk do zgjidhen kanë vlerësimin tim të thellë. Ata janë pa përjashtim një vlerë e a madhe e burimeve të PD, pjesë e ekipit drejtues që nuk mund të jetë e kufizuar në një numër të zgjedhurve", tha ai.

Sipas Bashës, sot PD numëron 150 mijë anëtarë të rregullt ndërsa riorganizimin e strukturave drejtuese e vlerësoi, jetike.

Mesazhi i plotë i Kryetarit të Partisë Demokratike para Këshillit Kombëtar, me rastin e zgjedhjeve të forumeve të larta drejtuese:basha noa

“Sot është një ditë e shënuar për Partinë Demokratike: zhvillojmë mbledhjen e parë të Këshillit të ri Kombëtar; do të votëbesojmë nënkryetarët, dhe anëtarët e kryesisë që vijnë si rezultat i detyrave të tyre në Grupin Parlamentar, do të zgjedhim sekretarët dhe krerët e departamenteve, të cilët, së bashku me kryesinë e Grupit Parlamentar, kryetarët dhe nënkryetarët demokratë të komisioneve parlamentare do të përbëjnë Kryesinë e re të Partisë Demokratike.
Me ketë rast, kam kënaqësinë t’u uroj të gjithëve dhe gjithësecilin prej jush, për zgjedhjen tuaj anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe të shpreh besimin tim të plotë se ky Këshill, përveçse forumi më i rëndësishëm i Partisë Demokratike nga një Kuvend Kombëtar në tjetrin, do të jetë një seli e urtësisë e mençurisë, fuqi e pararojës në sfidat tona të opozitarizmit sot dhe të qeverisjes nesër.
Në mbledhjen e sotme përmbyllet procesi i rëndësishëm i zgjedhjes së forumeve, dhe drejtuesve të rinj të Partisë në gjithë piramidën e saj.
Nga zgjedhjet e sotme do të dalë pjesa përfundimtare e që do të punojë çdo ditë, non stop, për të intensifikuar e fuqizuar aksionin politik opozitar të partisë, për të çuar përpara Nisjen e Re dhe të gjitha synimet e objektivat që përcaktuam në Kuvendin Kombëtar, për të përgatitur programin tonë të detajuar politik, ekonomik, që do të jetë propozimi ynë i ri, alternativa jonë e re për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Programet janë gjysma e punës. Njerëzit që angazhohen për hartimin dhe zbatimin e tyre janë pjesa tjetër. Një parti politike, sidomos kur është në opozitë, merr tiparet e përkushtimit të drejtuesve, të ekipeve, të gjithë atyre që drejtojnë.
Ja pse sot anëtarësia e gjerë e Partisë Demokratike dhe jo vetëm, ka drejtuar vëmendjen te kjo mbledhje dhe pret produktin e saj. Opinioni publik po kështu.
Gara e parë e madhe është bërë për të ardhur këtu. Në këtë fazë ku kemi mbërritur, mbi këdo që do të bjerë zgjedhja, do të bjerë drejt. Gara është mes më të mirëve.
Numri i madh i aplikimeve për këto funksione politike dhe sidomos cilësia e tyre e lartë dhe shumë e lartë, ishte lajmi i mrekullueshëm në një anë i angazhimit dhe vendosmërisë së aplikantevë për të marrë përgjegjësi dhe për të kontribuar në vijën e parë të opozitarimit dhe nisjes së re, dhe e vërteta po aq e mrekullueshme në anën tjetër e ekzistencës dhe ardhjes në Partinë Demokratike të individëve me vlera të spikatura si profesionistë, si ekspertë, si intelektualë, si qytetarë dhe sigurisht edhe si njerëz të apasionuar me politikën si përkushtim ndaj qytetarit.
Kur ka kaq shumë aplikantë cilësorë është e lehtë, por edhe vështirë njëkohësisht për të përzgjedhur ata që do ta vazhdojnë garën. Ata që nuk do ta vazhdojnë sot këtë garë kanë vlerësimin dhe nderimin tim të thellë, vlerësimin dhe nderimin e gjithë Partisë Demokratike; ata janë të gjithë pa përjashtim një vlerë e madhe e shtuar e burimeve njerëzore dhe politike të PD-së, pjesë e ekipit të madh drejtues e kontribuues që nuk ka qenë e nuk mund të jetë i kufizuar vetëm te një numër të zgjedhurish.
Nuk ka dyshim se duke marrë gjithsecili prej të zgjedhurve të rinj përgjegjësitë e veta, brenda përgjegjësisë së përbashkët, dhe duke punuar e jetuar politikisht në frymën e solidaritetit dhe kolegjialitetit bashkëkohor, Partisë Demokratike do t’i shtohen forcat, do të jetë shumë më efikase dhe kjo do të fillojë të ndihet menjëherë.
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar,
Përgjatë maratonës politike për ringritjen dhe rinisjen e Partisë Demokratike pas rezultatit në zgjedhjet e 23 qershorit, ne realizuam regjistrimin dhe riregjistrimin e anëtarësisë së Partisë dhe krijuam për herë të parë një bazë të të dhënave, siç nuk e ka asnjë parti tjetër në vend.
Partia Demokratike numëron sot 105 mijë anëtarë të rregullt.
Në asnjë moment të jetës së saj kjo parti nuk ka qenë një parti në letër. Përkundrazi, ka qenë dhe është një parti e gjallë e veprimit, e përballjeve në fushë të hapur me çdo lloj te keqe, e arritjeve, e zgjidhjeve, e punëve të mëdha, e veprave konkrete.
Por ka qenë jetike që të bëhej edhe ky formalizim në kuptimin më modern të fjalës, me qëllim që kur të votohen forumet dhe të zgjedhurit e Partisë Demokratike të dihet se po votojnë anëtarët e Partisë Demokratike, kur të promovohen apo angazhohen zyrtarë politikë të dihet se po vinë nga burimet njerëzore të Partisë Demokratike, kur të anëtarësohen anëtarë të rinj ata të marrin sadisfaksionin dhe përgjegjësinë e bashkimit me një organizatë politike me rregulla, që i njeh në çdo kohë dhe i vlerëson lart anëtarët e saj.
Përgjatë këtij viti, paralel me aksionin e regjistrimit, ne shpallëm Bashkimin dhe Ribashkimin, Hapjen dhe Përtëritjen; shpallëm kuvendimin e lirë dhe zgjedhjet e lira, shpallëm parimin e garës dhe vumë në themel të zgjedhjeve votën e anëtarëve. Të gjitha këto kanë bërë që në harkun e një viti Partia Demokratike të ringrihet dhe të niset me energji të reja, e fortë, e freskët, e kthjellët, e bashkuar dhe e fuqishme.
Partia ka bërë analiza, por nuk ka bërë harakiri.
Partia është përtërirë, por nuk është tjetërsuar.
Një plejadë drejtuesish të rinj në mbarë vendin janë zgjedhur me vote të lirë. Anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, që nuk janë deputetë, apo drejtues të degëve, janë zgjedhur me votë të lirë nga Kuvendi më i madh në historinë e PD-së dhe çdo partie tjetër shqiptare. Sekretarët dhe krerët e departamenteve do të zgjidhen sot me votë nga Këshilli Kombëtar.
Detyrë e dorës së parë e gjithë të zgjedhurve, e drejtuesve të çdo niveli, e anëtarëve të Këshillit Kombëtar mbetet ajo që kam nënvizuar në takimin me kryetarët e rinj të degëve dhe dua ta përsëris sot me forcë: Përtëritja duhet të vazhdojë, hapja duhet të vazhdojë. Hapja si mendësi duhet t’u dëshmohet jo vetëm atyre që duan të anëtarësohen në Partinë Demokratike, por mbarë simpatizantëve, qytetarëve, intelektualëve, shoqërisë në tërësi.
Hapja është një koncept shumë i gjerë, është një sjellje, komportim njerëzor dhe demokratik, hapja është të njohësh gjendjen e vendit, të jetosh me shqetësimet e qytetarëve; hapja është të dëgjosh qytetarët, të reflektosh dhe të reagosh në bazë të shqetësimeve të tyre të drejta, të kërkosh dhe të vësh në lëvizje zgjidhje për qytetarët.
Për këtë hapje kam folur. Për këtë hapje flas sot me theks akoma më të fortë, duke parë me sy e prekur me dorë hendekun e jashtëzakonshëm që është krijuar midis qeverisë oligarkike Rama –Meta dhe qytetarëve shqiptarë pa dallim.
Ka njohur distancë dhe kontraste, në çdo kohë, Shqipëria e qeveritarëve me atë të qytetarëve.
Por kurrë nuk ka qenë kaq e madhe kjo distancë dhe kurrë nuk ka qenë ky kontrast si sot.
Shqipëria e qeveritarëve dhe ajo e qytetarëve janë sot dy botë të huaja për njëra-tjetrën.
Shqipëria e qeveritarëve fabrikon arritje fiktive për qytetarët.
Ajo e qytetarëve vuan mashtrimet, dështimet dhe gënjeshtrat e qeverisë.

Protesta e madhe popullore e 22 nëntorit solli në bulevard, përpara dritares së Edi Ramës, Shqipërinë e revoltuar nga demagogjia dhe rrenat e tij. Protesta ishte klithja kundër përkeqësimit dhe varfërisë së shtuar, ishte paralajmërimi për të mos e bërë akoma më keq e më zi me rritjen e taksave, me rritjen e çmimit të energjisë, me uljen e investimeve publike, me rritjen e shpenzimeve, luksit dhe tashmë edhe korrupsionit të shfrenuar qeveritar me tenderimin pa garë të fondeve publike, që është një kthim alarmant prapa i kësaj qeverie në kohërat e korrupsionit të ngritur në sistem.
Me shurdhërinë, verbërinë dhe kryeneçësinë tipike të dy oligarkëve të regjur, Rama dhe Meta, u injorua zëri i protestës, zëri i qyetarëve, kërkesat e tyre. Injoruan paralajmërimet dhe argumentet e opozitës se me paketën e tyre të re fiskale dhe me buxhetin e ri të vitit 2015, ekonomia do të rrokulliset në një reçesion edhe me të thellë, me pasoja të rënda për sipërmarrrjen e ndershme, për familjet dhe individët pa dallim. Injoruan pa asnjë argument profesional, por vetëm me të folurën në delir të kryeministrit, 31 propozimet e opozitës.
Nuk u konsultuan me asnjë grup interesi. Vulosën me një votim sa për të kaluar radhën, si paraardhësit e tyre politikë, buxhetin më arbitrar kundër qytetarëve dhe më klientelist për vete të dy dekadave të fundit.
Vazhdojnë të mburren me paratë që paskan përfituar një pjesë e punonjësve nga taksimi progresiv, sipas tyre, mbi të ardhurat. Vazhdojnë të reklamojnë sapunin për djathë. Për ta shitur nuk bëhet fjalë se nuk ua blen njeri.
Nuk thonë dhe nuk ua zë goja të thonë se përse nuk dhanë rrogën e 13 aq shumë të premtuar gjatë fushatës elektorale, dhe nuk dhanë as shpërblimin e fundvitit. Vlerat që nuk janë dhënë nga rilindasit dhe kostot shtesë që ka përballuar çdo shqiptar nga rritja e taksave, janë ku e ku më të larta se sa përfitimi që erdhi nga ndryshimi i tatimit mbi të ardhurat për fashën 30 mijë- 130 mijë lekë.
Kjo diferencë do të thellohet më tej këtë vit me taksat e reja. Me një dorë jep me pikatore, me të dyja duart merr me garuzhde. Këtë thonë punonjësit buxhetorë për taksimin e famshëm progresiv. Por efektet zinxhir të paketës fiskale do të godasin buxhetin e çdo familjeje dhe ekonominë kombëtare në tërësi. Fuqia blerëse ka rënë do të vazhdojë të bjerë, pasi rrogat nuk rriten deri në fund të 2016 sipas zotimit të kësaj qeverie dhe për pasojë të rritjes së çmimeve çdokush blen më pak. Rikujtojmë se edhe paga minimale në shkallë vendi nuk ka ndryshuar, ndonëse praktika e vendosur nga qeverisja jonë, ishte që çdo vit ajo rritej.
E kemi vërtetuar disa herë e do të vazhdojmë ta vërtetojmë me fakte të pakundërshtueshme se shëndetësia që u premtua falas u kushton më shtrenjtë shqiptarëve, arsimi po se po, legalizimet po kështu, çdo gjë është shtrenjtuar.
Këtë nuk ka nevojë ta provojmë ne, e provon xhepi i qytetarëve. Kemi provuar e do të vazhdojnë të provojmë me fakte të pakundërshtueshme demagogjinë e tyre, qeverisjen e tyre as socialiste, as liberale, as popullore, por oligarkike, që përfaqëson, shërben dhe mbron interesat e një grushti pushtetarësh dhe klientelës së tyre nga bota e informalitetit e malavitës kriminale. Edhe po të mos e vërtetonim ne, e vërteton përkeqësimi i vazhdueshëm i gjendjes në mbarë vendin. Edi Ramës nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të bëjë prestigjiatorin për të shitur gënjeshtrat e tij. Por edhe atë nuk e bën dot dy herë sepse qeverisja nuk është shfaqje.

Me këtë buxhet oligarkia Rama–Meta ka llogaritur t’i pjellë gjeli dhe të vazhdojë të ngushtojë hapësirat e demokracisë në vend. Jeta e qytetarëve në anën tjetër do të bëhet e do të vazhdojë të bëhet më e vështirë. Përballja është e pashmangshme, qytetarët nuk mund të pranojnë këtë gjendje. Partia Demokratike dhe opozita do të jenë dhe do të jenë me ta, përkrah tyre, në ballë të protestave, jo me qasje populiste, por duke argumentuar me fakte dhe në mënyrë profesionale çdo fakt të keqqeverisjes, korrupsionit apo maskaradës.

Secili prej nesh, secili prej deputetëve, secili prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar, çdo kryetar i degës, secili prej të zgjedhurve të çdo niveli duhet të jetë çdo ditë pranë qytetarëve për t’i dëgjuar, për t’i mbështetur, që ata të kuptojnë e të ndjejnë se nuk janë vetëm në braktisjen e madhe që u ka bërë qeveria, se Partia Demokratike është me ta, opozita është me ta për të ndaluar bashkë me ta të keqen e për të ndërtuar së bashku shpresën. Me besim, me bashkim, me arsye.

E themi shpesh e nuk do të rreshtim ta themi: Ne, Partia Demokratike jemi një parti e Lirisë. Etika e Lirisë është përgjegjësia. Ne jemi të lirë sepse jemi të përgjegjshëm, ne jemi të përgjegjshëm sepse jemi të lirë. Parimi i përgjegjësisë na ka mbledhur e na mban të bashkuar në rrugën tonë. Ne marrim përgjegjësi para vendit. Ne marrim përgjegjësi para qytetarëve.
Marrim përgjegjësi për të mos u dhënë paqe mashtrimeve, dështimeve, klientelizmit, krimit dhe korrupsionit qeveritar.
Marrim përgjegjësi për të mbrojtur me çdo çmim demokracinë.
Marrim përgjegjësi për të përgatitur alternativën e ringritjes së vendit dhe të ekonomisë.
Një moment përgjegjësie i Këshillit Kombëtar është zgjedhja sot e ekipit të ri drejtues të Partisë.
Me bindjen se do ta përmbushni me sukses, ju uroj punime dhe votim të mbarë”.

No comments: