Tuesday, September 23, 2014

Papa Françesku: Shqipëria nuk është vend mysliman, por europian

Në udhëtimin e kthimit nga Shqipëria, Papa Françesku ka pohuar se Shqipëria është një vend europian për kulturën që ka dhe bashkëjetesën që ka trashëguar. “Të tria besimet kanë dhënë prova dhe besojnë në Zot dhe tani japin prova se kanë vëllazëri”
Në udhëtimin e tij të kthimit drejt Vatikanit, pas vizitës 11 orëshe në Shqipëri, Papa Françesku ka ndarë me gazetarët shqiptarë që ndodheshin në avion, mbresat e tij. Ati i Shenjtë ka pohuar se Shqipëria nuk është një vend mysliman,
por një vend europian, një surprizë që ai vetë e ka zbuluar gjatë vizitës. Më tej ai ka pohuar se prej dy muajsh kishte studiuar periudhën e vështirë të regjimit komunist në Shqipëri, ku klerikë katolikë, myslimanë e ortodoksë u vranë për shkak të besimit. “Tri besimet kanë dhënë prova që besojnë në Zot dhe tani japin prova se kanë vëllazëri”, – shtoi më tej Papa Françesku. Ai ka rrëfyer më tej se ishte i entuziazmuar nga mosha e re e popullsisë në vendin tonë, për të cilën shpreson se do ta çojë përpara kulturën e vëllazërisë.
Shenjtëria juaj, ju vizituat Shqipërinë, një vend me shumicë myslimane, e vizituat në një moment kritik të situatës në botë, pasi ju vetë keni thënë që Lufta e Tretë Botërore ka filluar tashmë. Mesazhi juaj në Tiranë ishte vetëm për shqiptarët apo edhe për të tjerët?
Edhe për të tjerët. Ishte një mesazh paqeje, bashkëjetese, vëllazërimi dhe për vende të tjera që kanë të njëjtat ngjashmëri me rrënjë të ndryshme etnike. Ju thatë që ka shumicë myslimane, por nuk është një vend mysliman. Është një vend europian. Për mua, kjo ishte surprizë. Shqipëria është një vend europian për kulturën që ka dhe kulturën e bashkëjetesës që ka trashëguar.
Përgjatë bulevardit kryesor ishin varur portretet kryesore të klerikëve që u martirizuan gjatë periudhës komuniste, në një vend që ishte ateist deri 25 vite më parë. Ç’emocion përjetuat?
Prej 2 muajsh studiova atë periudhë të vështirë të Shqipërisë, për ta kuptuar më mirë. Studiova pak edhe periudhën më parë. Ju keni rrënjë kulturore të bukura dhe të forta që në fillimet e historisë. Studiova vazhdimin dhe pashë që kjo ishte një periudhë mizore dhe niveli i mizorisë ishte i tmerrshëm. Kur pashë portretet e tyre, më thanë që s’janë vetëm katolikë, kishte dhe ortodoksë dhe islamikë. ‘Ti nuk duhet të besosh në Zot!, ‘Unë besoj dhe pikë!’ – për këtë i vrisnin. Prandaj them se që të tria besimet kanë dhënë prova dhe besojnë në Zot dhe tani japin prova se kanë vëllazëri.
Shenjtëria juaj, u nisët me një ide në kokë për shqiptarët dhe Shqipërinë. Mësuat se si një shqiptar ka vuajtur, por edhe që është tolerant. Gjetët cilësi të tjera tek shqiptarët? A janë të mjaftueshme këto cilësi për të kthyer shqiponjën në fole?
Vuajtjet që keni kaluar i pashë nga afër. Dua t’ju korrigjoj; një shqiptar nuk është tolerant, por është vëlla, një shqiptar ka aftësinë e vëllazërisë dhe më tepër se kaq dhe kjo shihet në bashkëjetesën dhe bashkëpunimin midis tri besimeve, islamikëve, katolikëve dhe ortodoksëve, bashkëpunojnë si vëllezër. Një gjë që më ka bërë përshtypje që në fillim ishte mosha e re e popullsisë. Më thanë që ishte vendi me popullsinë më të re në Europë. Në Shqipëri vihet re një zhvillim sipëror në kulturën dhe qeverisjen drejt kësaj vëllazërie.
Ju kemi parë të gjithë duke qarë, besoj për të parën herë, gjatë atij takimi. Besoj se ishte momenti më prekës i udhëtimit?
Duke dëgjuar një martir të flasë për martirët është e fortë. Besoj se të gjithë ne që ishim aty, ishim të prekur: të gjithë. Ato dëshmi flisnin si për një tjetër njeri, me një natyrshmëri dhe përultësi. Mua më bëri mirë e gjitha kjo!

No comments: