Saturday, August 23, 2014

Kokëdhima u përgjigjet kritikave të Bazes, Tema publikon të tjera fakte mbi zyrën e Sarandës



Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima,
shfrytëzoi replikën me një ndjekës të tij në Facebook për t’u dhënë përgjigje edhe kritikave të disa gazetarëve e drejtuesve të mediave ndaj tij, më konkretisht të drejtuesit të gazetës Tema, Mero Baze dhe kryeredaktorit të gazetës Dita, Adrian Thano, dikur kryeredaktor i gazetës Shekulli, e cila është në pronësi të deputetit. Në një deklaratë për shtyp të botuar në gazetën e tij, Kokëdhima flet për herë të parë personalisht për skandalin seksual të sekretarit të tij, Agron Cane. Ai thotë se Cane nuk ka pasur kompetenca të autorizuara nga ai për të krijuar marrëdhënie ndikuese me qytetarët dhe se të gjithë raportet e tij me E.G. janë personale, të paautorizuara nga ai dhe jashtë funksioneve të tij.
“Për gjithçka ai akuzohet s’ka lidhje me veprime, autorizime apo mosveprime te miat. Cane është në duart e drejtësisë dhe duhet të përgjigjet përpara saj. Këtu ka mbaruar puna jonë me të” -deklaron deputeti Kokëdhima.
Por nga ana tjetër ai akuzon opozitën dhe disa media pranë saj, përfshirë gazetarët Baze e Thano, se donin të nxirrnin përfitime politike për këtë ngjarje, përmes mashtrimeve.
“Koalicioni i ndyrë mes opozitës politike dhe disa mediave pranë Saliut e Bashës, përfshi Merot e Thanot, meriton një shqyrtim të kujdesshëm e të qetë, për të shpjeguar përfitimet politike dhe jo vetëm, që donin të nxirrnin nga kjo ngjarje, madje edhe në dëm të gjykimit të vetë kësaj ngjarjeje përmes spekulimeve, mashtrimeve, shpifjeve, urrejtjes së verbër, politizimit dhe mjerimit etik e profesional, që i karakterizon” -thotë ai.
Gazeta Tema publikoi pak më vonë fakte, që sipas saj vërtetojnë, se Agron Cane ishte sekretari i Kokëdhimës dhe njeriu që merrej me punësimet. Në shkrimin që në thelb ka diskriminimin fetar që u bëhet qytetarëve në zyrën e deputetit, në Sarandë, aty ku ndodhi skandali seksual, Tema thekson se deputeti Kokëdhima autorizonte Canen për të zgjidhur problemet.
“Kokëdhima jo vetëm që nuk i ka refuzuar këto sugjerime, por ua ka rekomanduar dy sekretarëve të tij, Agron Canes dhe sekretares tjetër të tij, ta shikojnë këtë problem. Dokumentet hedhin poshtë deklaratën e Kokëdhimës, që thotë se Agron Cane nuk ishte sekretar, pasi ai i rekomandon atij gjithë letrat që i vijnë me sugjerime përçarëse fetare dhe që kanë krijuar në qytetin e Sarandës një situatë të tensionuar mes pushtetit dhe pjesës tjetër të qytetit” -shkruan Tema.
(Tema: Faksimile që i drejtohet deputetit Kokëdhima dhe që ai ia rekomandon Agron Canes)
Drejtuesi i gazetës Tema e ka kritikuar publikisht deputetin Kokëdhima jo si përgjegjës për skandalin, por “për delegimin e pushtetit në rrugë informale, jashtë strukturave të shtetit shqiptar”, duke krijuar zyra paralele punësimi, me zyrat shtetërore të punës.
Deputeti Kokëdhima dhe Drejtori i gazetës Tema kanë replikuar më parë edhe për çështjen e ndarjes territoriale, ku Baze e akuzuar publikisht socialistin si përgjegjësin kryesor të konfliktit për Himarën, ndërsa deputeti është kundërpëgjigjur duke i quajtur akuzat e tij si shpifje. Kontradiktat e tyre në fakt datojnë edhe më herët, që me zgjedhjet e 23 qershorit të vitit të shkuar kur Baze kritiko përfshirjen e Kokëdhimës në listat e PS, ndërsa deputeti e kërcënoi duke thënë “Me Meron do të merrem pas zgjedhjeve”.

No comments: