Saturday, July 19, 2014

Projektligjet/ A ka kryengritje në “pallatin” e Rilindjes?

Opozita është prej javësh në bojkot, por debati parlamentar ka qenë mjaft i ndezur edhe në këtë fund sesioni. Deputetët e PS dhe LSI kanë mbuluar “sektorin e oponencës”, duke krijuar në fund të 300 ditëve të para të qeverisjes “Rama” tre blloqe të mëdha: qeverinë, opozitën dhe një grup deputetësh të majtë, të cilët duken të ftohtë dhe të barazlarguar nga dy palët kundërshtare. Kjo situatë ka shkaktuar një frenim të turravrapit të qeverisë për të kthyer në ligje, premtimet populiste
të fushatës së vitit të kaluar, po aq sa ka nxjerrë edhe një tjetër herë në pah vështirësitë që e presin mandatin 4-vjeçar të Ramës, më së pari në betejën me të vetët. Të anashkaluar nga kryeministri, por superiorë përballë ministrave të tij të besuar në jetën parlamentare, deputetë si Pandeli Majko, Ben Blushi apo Luan Rama i LSI po krijojnë dora-dorës profilin e politikanëve që e kanë ndarë mendjen të votojnë në kokë të tyre. Të tjerë socialistë  në parlament e tregojnë përmes indiferencës apo zhdukjes nga sytë e publikut, pakënaqësinë që kanë me Ramën. Por a janë kundërshtitë për projektligjet, një hedhje dorashke brenda kampit të majtë? Sa rrezikon kryeministri Rama nga të qejfmbeturit brenda PS dhe a ka gjasa që kjo forcë politike të pësojë një tjetër shizmë, pas asaj me Ilir Metën? Hë për hë, loja duket e fokusuar më shumë në terren teknik sesa politik, por pakënaqësitë janë aty! E ndoshta presin momentin e duhur.
Ligjet e kundërshtuara nga të majtët
Faqja online e Parlamentit tregon se nga shtatori e deri më tash, mazhoranca PS-LSI ka miratuar 121 projektligje. Po të heqësh marrëveshjet dhe arnimet e ligjeve të mëparshme, që përbëjnë edhe shumicën e kësaj shifre, bilanci i qeverisë në Kuvend mund të bëhet rreth reformës fiskale, ligjit të ri për Policinë e Shtetit, atij për arsimin profesional, ligjit për Forcat e Armatosura apo strategjinë e saj për pronat dhe legalizimet. Janë pikërisht këto drafte, që kanë krijuar edhe më shumë debat në gjirin e vetë mazhorancës. Që Rama nuk e ka pas vetes gjithë grupin parlamentar të PS, kjo u duk që në krye të herës, me diskutimet e zbehta për buxhetin e vitit 2014. Por javët e fundit kanë nxjerrë zbuluar cilësinë e projektligjeve nga njëra anë dhe një grup deputetësh të pakënaqur më anën tjetër, që nuk kanë ndërmend të bëjnë kompromis me parimet e kohës opozitare. Ish-kryeministri Pandeli Majko abstenoi në seancën e së enjtes ligjin që i ngushton kompetencat Presidentin të Republikës, në funksionin e tij si komandant i Forcave të Armatosura. Ai e kishte paralajmëruar votën e tij më herët, që në komisione, kur tha se pavarësisht qejfmbetjeve me Nishanin, ligji ia njeh këtë të drejtë Presidentit të Republikës. Majko ka qenë edhe më herët aktiv edhe në debatet ekonomike, kur ngulmoi që qeveria nuk duhej të taksonte dyfish shtëpitë e dyta. Ben Blushi, oponent i hershëm i kryeministrit Rama brenda Partisë Socialiste ka votuar gjithashtu kundër ligjit për arsimin profesional. Përmes një projektligji, qeveria ia kalonte këtë fashë të arsimit ministrisë së drejtuar nga Erion Veliaj. “Unë kam dyshime nëse është gjëja e duhur apo jo. Unë dyshoj nëse ky është hapi i duhur për ta reformuar sistemin. Ministria e Mirëqenies pretendon se arsimi profesional nuk ka dhënë efektet e duhura dhe ka nevojë për reformim. Meqë kjo reformë ka dështuar, a i duhet kaluar një ministrie tjetër?”-tha Blushi në Parlament, duke e kundërshtuar me forcë copëzimin e arsimit sa në një ministri në tjetrën. Më parë, Blushi nuk e ka fshehur pakënaqësinë e tij për qeverinë edhe në diskutimet për ambasadorin në Arabinë Saudite apo situatën në Lazarat, ende pa u realizuar operacioni. Por debati më i ashpër ka qenë ai për Gardën e Republikës dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, dy premtimet elektorale të qeverisë, që u diskutuan këtë javë në Kuvend. Drafti i prezantuar nga ministri Saimir Tahiri parashikon bashkimin e Gardës së Republikës me Policinë e Shtetit, një pikë kjo e kundërshtuar fort nga ish-ministri Luan Rama, tanimë me LSI-në.  “Nuk ka asnjë strukturë policie në BE, që ruan presidentin e vendit x apo y. Presidentin e Italisë nuk e ruan policia italiane. Presidentin e Gjermanisë nuk e ruan policia. Kur të vjen presidenti amerikan stafi i sigurisë së tij nuk hyn në negociatë me Policinë e Shtetit”,-kundërshtoi Rama, i mbështetur më pas edhe nga Paulin Sterkaj, Arben Çuko apo Spartak Braho. Kjo ishte shuplaka e radhës për ligjin e prezantuar nga ministri Tahiri, i cili gjeneron veçanërish debate me të vetët, sa herë shkon në Kuvend për të raportuar. Paralelisht me këto kundërshti, në Komisionin e Ekonomisë, Braçe vetë udhëhoqi rrëzimin e dy taksave të propozuara nga qeveria; e para për makinat dhe e dyta për kartat telefonike. Por përtej episodeve, grupi i deputetëve veteranë duket vazhdimisht i provokuar nga ministrat, e veçanërisht nga zëvëndësit e tyre çunakë, që dërgohen rëndom në Kuvend për të mbrojtur projektligje. Diferenca mes grupeve është e qartë!
Shqetësimi i Ramës
Vëmendjes së kryeministrit nuk i ka shpëtuar ky karshillëk i deputetëve të PS. Ka zbritur dy herë në grupin parlamentar të PS, për të kërkuar shpjegime mbi vonesat e miratimit të ligjeve, që ai vetë i quan të pashpjegueshme. Ka realizuar edhe një takim të gjerë mes ekipit të tij dhe deputetëve të partisë, por situata vazhdon njësoj. Debatet në grup nxorrën edhe një tjetër herë në pah dy blloqet brenda një partie: ministrave në qeveri dhe deputetëve në Parlament, që hë për hë, presionit të Ramës po i përgjigjen me hedhje topi, sa në një fushë, në tjetrën.  Gramoz Ruçi, një tjetër veteran i PS-së që ka mundur të gjejë më mirë se të tjerët ekuilibrin mes të rinjve dhe të vjetërve në parti, ka debatuar me Ramën lidhur me vonesat e pretenduara. “Një projektligj duhet të kalojë të gjitha procedurat që përcakton Rregullorja dhe nuk mund të kalojnë para një afati të caktuar”,-është përgjigjur Ruçi, i cili ka kërkuar më tej që draftet të mos mbahen gjatë nëpër ministri. Edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj nuk ka qëndruar jashtë këtij debati. Xhafaj i ka ngritur Ramës shqetësimin se të dërguarit e tij në Kuvend kanë paraqitje të dobët në mbrojtjen e projektligjeve. Vetë kryeministri e ka pranuar këtë shqetësim, duke urdhëruar ministrat që t’i mbrojnë vetë projektligjet në Kuvend. Por armëpushim nuk ka, sikurse nuk ka as luftë.Qeveria konsiderohet ende në periudhën e vet të provës dhe deputetët duket se nuk kanë gati ndonjë plan për “kryengritje”.
“Senatorët” e zhgënjyer
Në sallonet e politikës flitet shpesh për fatin e tyre, si edhe për pamundësinë e një kundërpërgjigjeje të shpejtë. Por ka gjithmonë një antenë ngritur për “veteranët” e PS, e ngjashme me kujdesin që tregohet ndaj një zonë me intensitet të lartë tektonik.  Situata makro-politike dhe konjukturat e pushtetit e shtyjnë në kohë një përplasje të mundshme, por plagët e anashkalimit nuk janë mbyllur ende. Politikanët e njohur e tregojnë këtë sa herë kanë mundësi. Bojkotojnë takimet publike të Ramës dhe dalin në mejdan, në momentet kur e kanë për mbarë të tregojnë se mbeten të njëjtët, si në opozitë, ashtu edhe në mazhorancë. Më shumë se me Ramën, kjo stinë acari bëhet më e dukshme përballë beniaminëve të tij, Tahiri e Veliaj, më të përkëdhelurit dhe të shenjestruarit e kabinetit “Rama”.  Deputetët e PS nuk janë grup, por as vetëm. Bashkë me pakënaqësinë e tyre, ata përfaqësojnë edhe pezmin e militantëve të mbetur me gisht në gojë nga rotacioni. I pyetur për pakënaqësitë në grupin që drejton, Gramoz Ruçi tha se “senatorët” nuk janë futur në politikë për sprint, por për maratonë. “E ç’më gjeti mua që vetem 3 muaj kam qenë në ekzekutiv, në ‘91?. S’mund të bëjmë gabimet që bëri PD, ku e gjithë kryesia ishte edhe në cabinet”,-tha Ruçi në një intervistë televizive. Por ndryshe nga Ruçi, Rama duket sa i ndërgjegjshëm për këtë rrezik, aq edhe i qetë. I sprovuar në betejën e gjatë për të vënë nën kontroll Partinë, edhe përmes përçarjes, Rama ka disa arsye për këtë. Në krye qëndron aleanca me Metën, që i ka hequr përkohësisht presionin e numrave dhe i ka dhënë komoditetin të qeverisë me kë të dojë. Marrëdhëniet e deputetëve me njëri-tjetrin janë një tjetër kalkulim që e bën kryeministrin të mos vendosë në axhendën e afërt një front të ri lufte politike. Çdo fraksion kërkon një lider, e mes grupit të të pakënaqurve, nuk është shfaqur ende ndokush që mund të bëjë bashkë ambiciet për të prodhuar një aksion. Vendimi i Berishës për të mos hequr dorë nga politika aktive në kampin tjetër, krijon gjithashtu një terren aspak të favorshëm për përçarje brenda së majtës. Por mandati 4-vjeçar sapo ka filluar dhe rruga për të mbajtur nën kontroll pakënaqësitë duket sa e gjatë, aq edhe e paparashikuar. Njësoj si një maratonë, ku sprinti i mbarë nuk jep garanci për të mbërritur fitimtar në vijën e finishit.

Nga Aleksandra Bogdani 

No comments: