Thursday, May 8, 2014

PD rihap pengmarrjen e ’99: Artan Didi vrau një të pafajshëm, të hetohet

komisioniPartia Demokratike i është rikthyer dje historisë së vrasjes së Flamur Pislit në prill të vitit 1999, duke akuzuar kryepolicin Artan Didi për ngjarjen. Të mbledhur pa praninë e mazhorancës në Komisionin parlamentar për Policinë, deputetët demokratë shfaqën videon e operacionit të para 15 viteve. “Personi që e udhëhoqi këtë operacion, ku mbeti i vrarë edhe një pasagjer, është Artan Didi.
Ai duhet të hetohet për këtë ngjarje”, – kërkuan dje deputetët Arben Ristani dhe Flamur Noka. Videoja u komentua nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët theksuan se Artan Didi fshihet pas këtij krimi të rëndë. Sipas Nokës, Didi ka qenë pjesë e një operacioni ku u vra një peng i pafajshëm, përveç pengmarrësit nga Burreli, Flamur Pisli. Në video shfaqeshin forcat e policisë shqiptare, të cilat vranë Pislin. Në këtë operacion mbeti i vrarë edhe një pasagjer grek. Ngjarja e pengmarrjes së autobusit me pasagjerë nga një emigrant i zemëruar shqiptar ndodhi më 28 prill të vitit 1999. Sipas Ristanit, personi që drejtonte operacionin e policisë shqiptare ishte vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë sot, Artan Didi. “Autobusi i marrë peng, ndalon. Është dukshëm e kuptueshme që kemi të bëjmë me ekzekutimin e një qytetari të pafajshëm. Do e shihni se personi i dyshuar për pengmarrës është vrarë në mes të autobusit me snajper, ndërkohë që kryhej veprimi tjetër që juve e patë”, – tha Ristani. “Për çfarë duhet të vritej një qytetar i pafajshëm, pasi është neutralizuar pengmarrësi? Këtë material ne e disponojmë nga mediat greke dhe ne do t’ia vëmë në dispozicion prokurorisë. Drejtori i Policisë së Shtetit është fshehur pas një ngjarjeje kriminale, duke vrarë një qytetar të pafajshëm. Ndaj kërkojmë të hetohet kjo ngjarje”, – tha ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Pas denoncimit të Partisë Demokratike ka reaguar edhe deputeti i PS, Taulant Balla. “Videoja tregon një punonjës policie që ka vënë jetën në rrezik në përpjekje me elementët kriminalë. Videoja e opozitës tregoi edhe një herë sa shkëlqente drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi në punën e tij”, – tha Balla, duke e cilësuar publikimin e videos në komision, në kundërshtim me rregulloren. Kreu i komisionit, Arben Ristani gjatë fjalës së tij tha se ka ende kohë për të marrë një vendim në lidhje me hetimet në këtë komision. “Jemi duke marrë ende informacione nga Policia e Shtetit. Sipas Policisë së Shtetit, bëhet me dije se janë marrë sot në punë disa efektivë, pasi ishin pushuar për shkelje”, – bëri me dije Ristani. Ndërsa PS pretendon se gjatë ditës së djeshme, Komisioni duhej të dilte me konkluzionet e hetimit për policinë.

No comments: