Sunday, March 30, 2014

SHBA: Jo Enver Hoxhës, Jo “Vorio Epirit në1950 ”

Nga Thanas Mustaqi
Plani grek i Vorio-Epirit për një konfederatë greko-shqiptare.
Telegrami TOP SECRET i ambasadorit amerikan në Athinë: Plani grek është afatgjatë dhe Ministri i Jashtëm grek mendon se plani mund të zhvillohet vetëm kur të ketë një Shqipëri të saktë dhe të qetë, dhe me nismë shqiptare.
Kundërshtimi i Uashingtonit dhe lëvizjet paralele kundër diktatorit komunist, i cili kishte nisur rusifikimin e Shqipërisë
Athina bëri përçapje në Uashington lidhur me një plan grek për konfederatë greko-shqiptare.
Më 14 janar 1950, i famshmi shef i diplomacisë amerikane, Din Açeson, i dërgonte një telegram ambasadës në Athinë, ku thuhet se Departamenti amerikan i Shtetit e konsideronte planin grek si “të pazbatueshëm dhe të padëshirueshëm, veçanërisht në dritën e qëndrimit anti-grek të shumicës së shqiptarëve, dhe që përmban rrezik për ndërlikime serioze me italianët, jugosllavët dhe bllokun sovjetik”.
Rekomandon gjithashtu që të kundërshtohen çfardolloj masash operacionale të projektuara për t’i dhënë shtysë projektit grek.
SHBA-ja nuk do të mbështeste një projekt, për të cilin Departamenti i Shtetit mendon se është në kundërshtim me të drejtën e Shqipërisë për pavarësi, që SHBA-ja e ka nënshkruar qysh në Luftën e Parë Botërore; mund të fusë në sherr grekët me shqiptarët por dhe me jugosllavët dhe në këtë mënyrë dëmtohen jo vetëm interesat dhe pozita e Greqisë, por krijon një burim të ri destabiliteti në Ballkan dhe rrezikon paqen në botë.
Po ashtu ambasada porositej t’u thoshte grekëve se SHBA kundërshtonte fuqimisht veprimet apo marrëveshje me shqiptarët emigrantë që i varnin shpresat për aksion në Shqipëri me qëllim krijimin e bashkimit, apo arritjen e ndonjë marrëveshje tjetër të veçantë mes Shqipërisë dhe vendeve fqinje (d.m.th. Greqisë, Jugosllavisë ose Italisë).
Ky dokument sensacional është hartuar në kohën kur, qysh nga shkurti 1949, po zhvillohej një operacion i përbashkët i shërbimeve sekrete britanike dhe amerikane për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri.
Fatkeqësisht gjithçka dështoi në saj të dekonspirimit te Sigurimi i Shtetit nga ana e agjentit britanik të rekrutuar nga KGB-ja, Kim Filbi.
Açeson, i cili mund të kishte apo mund të mos kishte dijeni për operacionin sekret, i druhej dinakërisë së Athinës për të përfituar nga situata. Gazeta “Investigim” boton 3 dokumente nga arkivi diplomatik amerikan dhe që i takojnë vitit 1950.Më 16 shkurt 1950 Açesoni i kërkon ambasadës amerikane në Athinë t’i transmetonte Ministrisë së Jashtme të Greqisë pikëpamjet e Departamentit të Shtetit në lidhur me Shqipërinë: SHBA-ja nuk kishte “plane” imediate për Shqipërinë përtej politikës së kohës (qëndrimi për mosnjohjen, dënimi për sjelljen e regjimit, marrja e masave të bashkërenduara kundër Shqipërisë, sikurse janë embargo armësh ndaj qeverisë së Shqipërisë, si dhe angazhim maksimal i shërbimeve sekrete).SHBA kishte informuar paraprakisht Qeverinë greke, se Uashingtoni mendonte se “Shqipëria ka të drejtën e pavarësisë, vetëqeverimit. Ndërsa i njeh këto dy të drejta tashmë, SHBA-ja nuk pranon si dominimin sovjetik ashtu dhe udhëheqjen komuniste, por nuk parashikon masa aktive të tjerë kundër regjimit aktual përveç atyre të treguara më sipër.
Jemi të mendimit se shtetet fqinje (Italia, Greqia, Jugosllavia), pavarësisht provokimit të këtyre dy shteteve të fundit duhet të frenojnë ndërhyrjen. Shtetet e Bashkuara do të paralajmëronin me vendosmëri ndonjërin prej tyre kundër çdo ndërhyrjeje nëse mund të ndodhë.
SHBA-ja i shihte me dashamirësi përpjekjet e krerëve shqiptarë në mërgim që punonin për çlirimin e vendit, por nuk ishte e angazhuar me ndonjë prej udhëheqësve apo grupeve dhe ishte e mendimit se fuqitë e jashtme nuk duhej të angazhoheshin në aktivitete të këtyre emigrantëve, përfshirë përpjekjet për përmbysjen e regjimit.

Departamenti amerikan i Shtetit ka vëzhguar me interes formimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë” nga emigrantët politikë shqiptarë. Megjithatë, Departamenti i Shtetit ka përshtypjen se vdekja e kryetarit Mithat Frashëri ka rënduar përçarjen midis elementëve shqiptarë që kanë të bëjnë me Komitetin dhe ka ngandalësuar shumë progresin e tij”.
————————————————————————————–
Projekti grek, i pazbatueshëm dhe i padëshirueshëm
Telegram – Sekretari amerikan i Shtetit për ambasadën në Greqi
TOP SEKRET
UASHINGTON, 14 janar 1950-ora 16,00.
Departamenti i Shtetit ka marrë në dorëzim memon nga një tjetër agjenci. Athina [burimi] bëri përçapje me anë të Rendis-it [1] lidhur me një plan grek për konfederatë greko-shqiptare (re Greek plan for Greco-Albanian confederation) dhe nga Rendis-i u kërkua të diskutohet më tej me Papagos-in [2] dhe Pipinelis-in. [3] Ambasada thuhet se u informua nga … [burimi] mbi bisedën.
Përgjigja e Departamentit të Shtetit: njoftoni agjencinë tjetër se Departamenti i Shtetit tashmë ka dijeni për këtë projekt, që e konsideron të pazbatueshëm dhe të padëshirueshëm (unfeasible and undesirable), veçanërisht në dritën e qëndrimit anti-grek të shumicës së shqiptarëve, dhe që përmban rrezik për ndërlikime serioze me italianët, jugosllavët dhe bllokun sovjetik.
Reagimi i Departamentit të Shtetit shton … [burimi] se nuk duhet përfshirë në diskutim kjo temë politike me zyrtarë grekë, të cilët, nëse ngulin këmbë, do të duhej t’i referoheshin ambasadorit. Rekomandon gjithashtu që të kundërshtohen çfardolloj masash operacionale nga agjenci të tjera, masa të projektuara për t’i dhënë shtysë projektit grek (Also recommends against any operational arrangements by other agency designed promote Greek project).
Ju sugjerojmë të bëni përçapje në Ministrinë e Jashtme greke dhe t’i dekurajoni prerazi që të mos ndërmarrin ndonjë plan të tillë. SHBA-ja nuk do të mbështeste një projekt, për të cilin Departamenti i Shtetit mendon (1) se është në kundërshtim me të drejtën e Shqipërisë për pavarësi, që SHBA-ja e ka nënshkruar qysh në Luftën e Parë Botërore (2) mund të fusë në sherr grekët me shqiptarët por dhe me jugosllavët dhe në këtë mënyrë dëmtohen jo vetëm interesat dhe pozita e Greqisë, por krijon një burim të ri destabiliteti në Ballkan dhe rrezikon paqen në botë.
Mund t’u thoni grekëve se kundërshtojmë fuqimisht veprimet apo marrëveshje me shqiptarët emigrantë që i varin shpresat për aksion në Shqipëri me qëllim krijimin e bashkimit, apo arritjen e ndonjë marrëveshje tjetër të veçantë mes Shqipërisë dhe vendeve fqinje (d.m.th. Greqisë, Jugosllavisë ose Italisë).
Për herë të fundit njerëz të ambasadës greke këtu nuk ka shumë që u interesuan lidhur me propozimin e raportuar italian për bisedime amerikane-britanike-franceze-italiane mbi Shqipërinë, dhe tha se qeveria greke do ta konsideronte si “të papajtueshme me marrëdhëniet miqësore” çdo diskutim të tillë që përjashton grekët.
Ambasada u informua se Italia nuk ka bërë asnjë demarsh të tillë diplomatik në drejtim të SHBA-së (edhe pse ne kemi mësuar se demarsh është bërë në drejtim të Francës). [4] Për të sheqerosur vërejtjet e pakëndshëm të mësipërme, ju mund t’u jepni sigurime grekëve se SHBA-ja nuk ka ndërmend të bëjë biseda të tilla dhe se gjithesi nuk do të bjerë dakord të marrë pjesë në ndonjë eveniment nëse grekët përjashtohen.
AÇESON (ACHESON)
Shënime të origjinalit.
[1] Konstantin Rendis, ish-Ministri i Jashtëm grek.
[2] Feld-mareshal Aleksandër Papagos, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Greke.
[3] Panajotis Pipinelis, ish-Ministri i Jashtëm grek, nga 6 janar 1950.
[4] Në fund të dhjetorit të vitit 1949 qeveria italiane pyeti qeverinë franceze nëse ishte e gatshme të merrte pjesë në konsultimet mes katër shteteve (Itali-Francë-SHBA-Britani e Madhe) lidhur me Shqipërinë. Ambasada franceze informoi më 12 janar 1950 Departamentin amerikan të Shtetit se Franca i ishte përgjigjur negativisht propozimit italian. Vërejtjet e përmbledhura këtu janë paraqitur gjatë një bisede më 6 janar 1950 mes Xhon Xhernigen-itt (John D. Jernegan), Drejtor i Zyrës së Çështjeve Greke, Turke dhe Iraniane në Departamentin amerikan të Shtetit dhe ministrit grek Paul Ekonomou-Gouras.
—————————————————————————
Kryediplomati grek: Mirëpresim emisarët e Zogut
Telegram – Ambasadori në Greqi (Grejdi) drejtuar Sekretarit të Shtetit
TOP SEKRET
Athinë, më 20 janar 1950, ora 10 paradite
Gjegje telit të Depratmentit të Shtetit, datë 14 janar 1950
Pipinelis-it i është dhënë sot përmbledhje verbale e telegramit me referencë Departamentin amerikan të Shtetit. Ai tha se nuk do të fshihte faktin se ai beson (dhe Kabineti kohët e fundit e miratoi idenë) se nuk mund të ketë rregullim të çështjes shqiptare që nuk parasheh marrëdhënie të ngushta shqiptare-greke.
Kjo nuk do të thotë, tha ai, se grekët po ndjekin një plan zyrtar lidhur me këtë aktualisht. Plani grek është afatgjatë dhe Pipinelis mendon se plani mund të zhvillohet vetëm (1) kur të ketë një Shqipëri të saktë dhe të qetë (true and peaceful Albania), dhe (2) me nismë shqiptare. Ai tha se grekët kanë qenë të gatshëm të mirëpresin emisarë të Zogut [2] dhe shqiptarë të tjerë për diskutime të përgjithshme, por që këto emisarë u kanë thënë grekëve se po veprojnë me kujdes dhe po shmangin aksionin imediat.
Ai shtoi se Kupit [3] i është dhënë viza për të ardhur në Greqi. Ndërkaq nuk shoh asnjë arsye pse ne nuk duhet të kemi besim në sigurimet që jep Pipinelis-i, duhet shënuar se kohët e fundit ka pasur aktivitetit të pazakontë në qarqet e zbulimit grek për sa i përket Shqipërisë.
Pipinelis më kërkoi të falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit për sigurimin që jepte se SHBA-ja nuk parashikon bisedime dhe nuk do të binte dakord të marrë pjesë në to në qoftë se grekët përjashtoheshin.
Ai shtoi se do të ishte i interesuar të dite se çfarë planesh kanë amerikanët dhe cilat janë pikëpamjet lidhur me Shqipërinë dhe deklaroi se Greqia do të ishte e gatshme në çdo kohë të diskutonte çështje të tilla me përfaqësues amerikanë për t’u siguruar se ne punojmë në të njëjtin drejtim.
GREJDI (GRADY)
Editorial i botuesit amerikan.
Lordi Xhelliko (Jellicoe), sekretari i dytë i ambasadës britanike në Uashington, thirri më 15 shkurt 1950 Luelin Tompsonin (Llewellyn E. Thompson), zëvendës-ndihmës-sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane, për t’i dorëzuar një letër që parashtronte komentet e konsideratat e Forin Ofisit Britanik (Foreign Office – Ministria e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe) mbi dokumentin e politikës të Departamentit amerikan të Shtetit të 21 shtatorit 1949 mbi Shqipërinë, një kopje e të cilit i ishte dhënë ambasadës britanike në tetor 1949.
Në letrën e tij dhe me gojë, Xhellikoja sqaroi se Forin Ofisi ishte plotësisht dakord me politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëse zbatimi i saj konsiderohej objektiv afatgjatë.
Nga ana tjetër, britanikët mendonin se Jugosllavia ishte vënë nën trysni të fortë, dhe se trysnia ndaj Jugosllavisë do të rritej gjatë vitit 1950, dhe se vëmendja aktuale kryesor ishte shmangia e çfarëdo lloji aktiviteti ndaj Shqipërisë, gjë që do të rrezikonte gjithmonë e më tepër pozitën e Jugosllavisë.
Tompsoni i tregoi Xhellikoit se komentet britanike dukej se në përgjithësi ishin në përputhje me mendimin e Departamentit amerikan të Shtetit (letër e Xhellikoit drejtuar Tompsonit, më 15 shkurt dhe memo e bisedës, shkruar nga Tompsoni, 15 shkurt 1950)
Sqarime të tjera të origjinalit.
[1] ish-Mbreti shqiptar në mërgim
[2] Abas Kupi, lider shqiptar anti-komunist në mërgim
———————————————————————
Problemi shqiptar si çështje ndërkombëtare.
Aerogram – Sekretari amerikan i Shtetit për ambasadën në Greqi [1]
SEKRET.
Uashington, më 16 shkurt 1950.
A-103. Gjegje telit nr. 155, datë 20 janar në pajtim me shmagien e ftesës së Rendis-it për të folur lidhur me Shqipërinë.
Mund të kaloni pikëpamjet e mëposhtme të Departamentit të Shtetit në Ministrinë e Jashtme [të Greqisë] lidhur me Shqipërinë: (1) SHBA-ja nuk ka “plane” imediate për Shqipërinë përtej politikës aktuale (qëndrimi për mosnjohjen, dënimi për sjelljen e regjimit, marrja e masave të bashkërenduara kundër Shqipërisë, sikurse janë embargo armësh ndaj qeverisë së Shqipërisë, si dhe angazhim maksimal i shërbimeve sekrete). (2) Sikurse është informuar paraprakisht Qeveria greke, jemi të mendimit se Shqipëria ka të drejtën e pavarësisë, vetaqeverimit.
Ndërsa i njeh këto dy të drejta tashmë, SHBA-ja nuk pranon si dominimin sovjetik ashtu dhe udhëheqjen komuniste, por nuk parashikon masa aktive të tjerë kundër regjimit aktual përveç atyre të treguara (1) më sipër. (3) Jemi të mendimit se shtetet fqinje (Italia, Greqia, Jugosllavia), pavarësisht provokimit të këtyre dy shteteve të fundit duhet të frenojnë ndërhyrjen. Shtetet e Bashkuara do të paralajmëronin me vendosmëri ndonjërin prej tyre kundër çdo ndërhyrjeje nëse mund të ndodhë.
Në rastin e Jugosllavisë, ngjarjet e tanishme duke përfshirë edhe gjendjen e marrëdhënieve jugosllave-sovjetike dhe rolin e Jugosllavisë në OKB, me sa duket tregojnë që Qeveria jugosllave dëshiron të shmangë problemet, që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe nuk ka ndërmend të ndërhyjë. [2] (4) SHBA-ja i sheh me dashamirësi përpjekjet e krerëve shqiptarë në mërgim që punojnë për çlirimin e vendit, por nuk është e angazhuar me ndonjë prej udhëheqësve apo grupeve dhe është e mendimit se fuqitë e jashtme nuk duhet të angazhohen në aktivitete të këtyre emigrantëve, përfshirë përpjekjet për përmbysjen e regjimit të tanishëm.
Departamenti amerikan i Shtetit ka vëzhguar me interes formimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë” nga emigrantët politikë shqiptarë. Megjithatë, Departamenti i Shtetit ka përshtypjen se vdekja e kryetarit Mithat Frashëri [3] ka rënduar përçarjen midis elementëve shqiptarë që kanë të bëjnë me Komitetin dhe ka ngandalësuar shumë progresin e tij. (5) Në Shqipëri aktualisht nuk ka shtim të forcimit të elementit për bllokun sovjetik.
Ndërsa njëfarë ripërtëritjeje të kërcënimit të luftës së guerrileve grekë nga Shqipëria kundër Greqisë ende ekziston… (6) Të pranohet rëndësia e problemit shqiptar për Greqinë dhe rreziku i veçantë që një regjim armiqësor në Shqipëri tani paraqet për sigurinë e Greqisë. SHBA-ja do të konsultohet me Greqinë dhe shtete të tjera të interesuara për një rikonsiderim të përgjithshëm të problemit shqiptar si çështje ndërkombëtare.
AÇESON (ACHESON)
Shënime të origjinalit.
[1] Kopje të këtij aerogrami janë dërguar për dijeni vetëm në Beograd, Londër, Paris, dhe Romë.
[2] Më 4 janar ambasada britanike informoi Departamentin amerikan të Shtetit për thelbin e një bisede për Shqipërinë midis ambasadorit britanik në Jugosllavi, Sër Çarlz Pik (Charles Peake), dhe Ministrit të Jashtëm jugosllav Edvard Kardel. Kardel-i deklaroi se Jugosllavia nuk kishte ndërmend të ndërhynte në Shqipëri.
Po ta bënte këtë, Jugolllavia do të shkatërronte pozitën e e saj në mbrojtjen e pavarësisë së vetë përballë presioneve që vinin nga Bashkimi Sovjetik.
Kardel-i deklaroi më tej se besonte që regjimi aktual shqiptar duhet dhe do të ndryshojë, por që një ndryshim i tillë duhet të jetë rezultat i përpjekjeve të vetë shqiptarëve (memo bisede, shkruar nga Xhon Kempbëll (John C. Campbell), më 4 janar 1950). Më 26 janar Gabriel Van Laethem, sekretari i dytë i ambasadës franceze në Uashington, informoi Xhon Kempbëll-in, zyrtari i ngarkuar për çështjet e Ballkanit në Departamentin amerikan të Shtetit, se qeveria franceze ishte e mendimit që Shqipëria do të duhej lënë e qetë për disa kohë. Qeveria franceze kishte përshtypjen se pasojat e ndërhyrjes së Jugosllavisë apo Greqisë ose fuqive perëndimore do të ishin të paparashikueshme dhe ndoshta do të përkeqësonin gjendjen aktuale të problemeve.
Kempbëll-i deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin krijuar përshtypjen se Jugosllavia e ndiente se ishte në interesin e vet të shmangte të gjitha shenjat e jashtme se po ndërhynte në Shqipëri.
Kempbëll-i shtoi se nëse ndërhyrja jugosllave kishte shenja se po ndodhte, SHBA-ja ndoshta do të donte të konsultohej me qeveritë britanike dhe franceze, për të paralajmëruar kështu Jugosllavinë kundër ndërmarrjes së një veprim të tillë (memo bisede, shkruar nga Kempbëll-i, më 26 janar 1950).
[3] Lider shqiptar në mërgim dhe kryetar i Komitetit Shqipëri e Lirë, i cili vdiq në Nju Jork në tetor 1949.
Din Açeson (1893–1971).
Din Açeson (Dean Acheson, 1893–1971) ishte burrë-shtetas dhe jurist i shquar amerikan. Në postin e sekretarit të Shtetit të SHBA-së në vitet 1949-1953, luajti rol kryesor në përcaktimin e politikës së jashtme amerikane gjatë Luftës së Ftohtë.
Açeson-i ndihmoi në projektimin e Planit Marshall, zhvillimin e Doktrinës Truman dhe krijimin e NATO-s, duke nënshkruar në emër të SHBA-së ditën e themelimit. në vitin 1944, Açeson-i mori pjesë në konferencën e Bretton Woods-it si kryetari i delegacionit amerikan. Në këtë konferencë u projektua struktura ekonomike ndërkombëtare e pasluftës. Konferenca ishte vendlindja e FMN-së, BB-së, OBT-së.
Historia paralele.
Moska: Këshilltarët ushtarakë, emërtesë e KQ të PKBS
Shqipëria merr nga Kremlini 17 nga 159 instruktorët gjithsej në 8 vendet aleate të BS
Në arkivat diplomatike ruse të epokës sovjetike ka shumë dokumente që lidhen dhe me Shqipërinë. Kështu, janë tejet domethënëse dy-tre fakte nga fillimviti 1950. Një vendim top sekret i 3 shkurtit 1950 i Sekretariatit të KQ të PK Mbarë-ruse (bolshevike) përfshinte në emërtesën e funksioneve të KQ të PK Mbarë-ruse (bolshevike) të këshilltarëve ushtarakë në 8 ushtritë e vendeve aleate Nga 159 gjithsej në Shqipëri u dërguan 17 këshilltarë ushtarakë aq sa në Hungari.
Binte në sy se, nëse Kinës iu çuan 37 këshilltarë, Mongolisë dhe Hungarisë nga 25, Bullgarisë 20, Koresë 14, Çekosllovakisë vetëm 4 ose mbi 4 herë më pak se Shqipërisë. Për frymë popullsie, Shqipëria u furnizua me më shumë këshilltarë se secili nga 8 shtetet aleate të BS. Kuptohet se ç’rëndësi i jepte Moska Tiranës në fushën ushtarake.
SOVJETIZIM DHE ANTIAMERIKANIZIM.
Fill pas prishjes me Jugosllavinë, udhëheqja e Tiranës nxitoi të rusifikojë jetën shqiptare. Natyrisht, ky rusifikim kërkonte kopjimin e metodave ideologjike sovjetike kundër “kozmopolitizmit”, që nënkuptonte antiamerikanizëm. Janë fillimet e Luftës së Ftohtë.
Në vitin 1947 radiostacion “Voice of America” (Zëri i Amerikës) kishte filluar transmetimet në drejtim të vendeve të bllokut komunist.
Sipas memos sekrete të një nëpunësi të misionit sovjetik në Tiranë, më 13 mars 1950, “Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës për Marrëdhënie Kulturore Shqipëri-BRSS Nasho Natanaili më kërkoi të ndihmoj për të marrë nëpërmjet VOKS-it (Shoqata mbarë-sovjetike për marrëdhënie kulturore me vendet e huaja) dramën “Golos Ameriki” (Zëri i Amerikës), e cila tani po interpretohet në teatrot e Moskës. Ai njoftoi se Teatri Popullor i Shqipërisë e ka përfshirë tashmë vënien në skenë të kësaj drame në planin e vetë dhe duhet të fillojë punën me të në muajin prill”.
Në një shënim të Ministrisë së Jashtme të BRSS të 8 prillit 1950 shkruhet se “pjesa “Golos Ameriki” u dërgua”.
Në vitet 1950-51 në një fushatë kundër kozmopolitizmit u organizua vënia në skenë e dramës “Golos Ameriki”. Dhe pse pjesë e dobët, në vitin 1950, autori i saj, prozatori dhe dramaturgu Boris Lavrenjov (1891-1959), mori çmimin Stalin, klasi i dytë, për dramën politike “Golos Ameriki” shkruar në vitin 1949.
PIEDESTALI
Në memon e sekretarit të dytë të misionit sovjetik në Shqipëri, B.S. Sotin, flitet për një bisedë të 13 marsit 1950 me sekretarin e përgjithshëm të Shoqatës për marrëdhënie kulturore Shqipëri – Bashkimi Sovjetik, Nasho Nathanaili, edhe rreth bashkëpunimit për projektimin dhe ndërtimin e monumentit të Stalinit në Tiranë.
Nëpunësi i misionit sovjetik shënon: “Nathanaili më tha se Nexhmije Hoxha gjatë qëndrimit të saj në Moskë ka folur me shokun V.G. Jakovlev [zëvendëspresidenti i VOKS-it - Shoqata mbarë-sovjetike për marrëdhënie kulturore me vendet e huaja – “Investigim”] rreth qëllimit të qeverisë shqiptare për të ngritur në Tiranë një skulpturë monumentale të sh.Stalin dhe i kërkoi që shqiptarët të ndihmohen në projektimin dhe krijimin e kësaj skulpture. Duke iu referuar kësaj bisede, Nathanaili më kërkoi që unë të sqaroj nëpërmjet VOKS-it të dhënat orientuese për këtë skulpturë dhe, në veçanti, gjithçka për formën dhe përmasat e piedestalit, të cilin shqiptarët kanë ndërmend të fillojnë ta ndërtojnë menjëherë, me qëllim që ndërtimi i të gjithë skulpturës të përfundojë para 1 majit.
Pres udhëzime, nëse duhet t’i dërgojmë shoqes Nexhmije Hoxha të dhënat që kërkoi, duke pasur parasysh se në përgjithësi nuk është zgjidhur ende çështja e kalimit të skulpturës”.

No comments: