Thursday, March 27, 2014

Rama dhe Basha duhet të takohen

Artur Zheji
Lexova me çudinë dhe kundërshtinë që më rritej rresht pas rreshti, shkrimet e djeshme të kolegut Fevziu dhe Vasjari, në lidhje me takimin e përfolur Rama-Basha, respektivisht në të përditshmet e rëndësishme Panorama dhe Mapo. I perceptova këto qëndrime të ndryshme dhe të ngjashme njëherësh, pavarësisht njëri-tjetrit.
Në këto shkrime, simbas asaj që kuptova, sendërtohej pa të drejtë,
një skepticizëm dhe një parashikim depresiv në lidhje me kotësinë e këtij takimi.
Madje, Fevziu ‘votonte’ i bindur për mostakimin e tyre, i cili, nisur nga precedentët që ai rreshtonte, kanë sjellë më shumë ‘të këqija’ sesa të mira në këto 20 vitet e fundit, në analizën e parashtruar.
Këta dy kolegë të mençur dhe të moderuar, në këto kohë tritolesh, predhash antitank dhe konfliktesh parlamentare të thekshme, rrudhin buzët me cinizëm në lidhje me këtë opsion të mundshëm takimi, i cili me sa duket tanimë duket krejt i kërcënuar.
Do t’i bashkohesha fët e fët kësaj rrudhjeje të buzëve, madje do t’i shtoja edhe një rrudhje të thellë balli, pasiqë skepticizmi ka rrënjë të thella edhe tek unë, porse, edhe kundrejt ‘dështimit’ shumë të mundshëm, do të doja të votoja publikisht ‘pro!’ këtij ‘Takimi’ dhe ‘pro!’ këtij ‘Dialogu’ që herët a vonë duhet të fillojë në interes të të gjithëve.
Madje shpreh habit të thellë, se si moderacioni i kolegëve ka rënë në ‘kurthin’ e një dëshpërimi të pafshehur mirë, mbi sterilitetin e barqeve idhnake të politikës shqiptare, të cilat më shumë dështojnë se sa pjellin krijesa të gëzueshme. Sepse shpesh nga cepat e buzëve të tyre del më shumë pështymë e nerv, se sa idera që na çojnë përpara. Ka më shumë tritol në verbin e politikës dhe aspak vullnet për të ndërtuar ura lidhëse, që bashkojnë ishujt blu apo rozë, ku me sa di unë, banohen gjithsesi nga shqiptarë. Shqiptarë të një kategorie dhe me një ADN të njëjtë.
Ndryshe nga ata, mendoj se ‘Takimi’ i liderit të Shumicës dhe liderit të Pakicës, brenda dhe jashtë kontekstit të reformës territoriale, të cilën me një ‘lapsus’ frojdian Fevziu e mbiquan ‘reformë elektorale’, sepse në të vërtetë edhe e tillë është mbasi hyn në fuqi, ky ‘Takim’ pra, dhe takime të këtij lloji dhe niveli, janë vetëm një e mirë publike.
Një e mirë publike që duhet inkurajuar. E me këtë rast e në radhë të parë, këto hapa duhen inkurajuar nga partia e pashpallur e të moderuarve të opinionit publik, ku unë mendoj se bëjnë pjesë edhe Fevziu edhe Vasjari.
Sepse edhe nëse ky takim nuk pjell beben e dëshiruar konsensuale, së paku shkrin akujt dhe zbyth qëndrimet e vëngërta dhe luftarake të palëve të ndërsyera.
Dhe, le ta themi një herë të vetme krejt pa takt edhe shqeto fare, që ky konfliktualitet mbi baza krejt egoiste, është shndërruar në një çarje ‘trapi’ rraskapitëse që vazhdon me dhjetëvjeçarë. Madje është një vijueshmëri e qëndrimit urrejtës të kundërshtarit, që vjen drejtpërdrejt nga hoxhizmi, të cilin Fevziu e njeh shumë mirë, edhe si individ edhe si biograf i talentuar i diktatorit.
Kjo vëngërsia trapçarëse dhe mllefi konfliktual, ngjan si dy pika uji me mbledhjet e Pleniumeve të KQ të Partisë së Punës, kur dënoheshin ‘armiqtë e kllasës në gjirin e partisë’. Dhe kjo që shohim në Kuvend, falë Zotit, në një Kuvend demokratik qoftë edhe kur e drejtonte me ashpërsi zonja Topalli, është shpesh e më shpesh një sallë Pleniumi, ku ‘armiqtë’ duken të dënuar të rrinë bashkë dhe të shahen e të rrihen mes vetes deri në pikë të fundit. Falë Zotit, në kohën tonë, pa ndërhyrjen e Sigurimit të Shtetit apo të Policisë Popullore, që dikur u vinte hekurat ‘armiqve’, pikërisht në sallën e mbledhjeve të Komitetit Qendror.
Nëse personalisht nuk kam patur rezerva në mbështetjen publike të Lulzim Bashës, në vitin 2011, ka qenë pikërisht bindja apo iluzioni, se ai vinte nga një shkollë tjetër. Krejt pa lidhje me Pleniumet dhe larg erës së rëndë të kuzhinave pikante të urrejtjes ‘kllasore’.
Nëse në vitin 2007, mbështeta rikonfirmimin e Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës, për të frenuar sadopak ekspansionin berishian të mbas vitit 2005, edhe kjo lidhej me domosdoshmërinë e forcimit të frymës së re, që Rama po sillte në Partinë Socialiste, sidoqoftë moderne, gjithsesi edhe përpara ‘zbarkimit’ të tij.
Por përveç përfitimit në ‘frymë pozitive’, që një takim i tillë do të kishte për Interesin e braktisur Publik, qoftë Rama dhe qoftë Basha, do të bënin hapin e duhur, jo thjesht kundrejt partive, e pra, kundrejt grupeve të interesit të pjesës që ata përfaqësojnë, por do të shkaktonin demoralizimin e duhur dhe në kohën e duhur ndaj radikalizmit sherrdashës të të dy krahëve. Një radikalizëm që fshihet pas sloganeve ‘morale’, madje të ‘moralit të lartë’. Por që në të vërtetë, fsheh lakuriqësinë jo dhe aq morale të ca interesave të vogla dhe krejt egoiste politike.
Sepse mendoj që sot, ashtu si edhe dje, opinioni publik shqiptar ka nevojë të demilitarizohet. Por këtë duhet ta bëjnë së pari liderët e këtyre dy partive antagoniste. Në dobi të të gjithëve, por edhe në dobi të tyre.
Sondazhet, përkundrejt shitblerjeve të tyre të herëpashershme, dëshmojnë se shqiptarët, dje më 23 qershor 2013, sot dhe sigurisht edhe nesër, vlerësojnë dhe ‘shpërblejnë’ me votë moderacionin politik që u mishërua në mënyrë bindëse nga LSI dhe Ilir Meta. Kjo parti, tanimë një Pol i Tretë, falë këtij qëndrimi dhe kësaj platforme, u katërfishua në 2013 duke marrë vota dhe konsensuse të bollshme centriste nga krahët PD dhe PS.
Nëse Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, nëse duan pa vetëdije, një zmadhim të mëtejshëm dhe një gjigantizim të Lëvizjes Socialiste për Integrim, janë deri më tash në rrugë të mbarë.
Mirëpo në mënyrë paradoksale, Meta është direkt ose indirekt një inkurajues i këtij takimi, në përputhje me trendin e platformës së tij.
Por përtej kësaj, kam bindjen se ky takim dhe ky trend nuk rrit më shumë Bashën apo Ramën përpara opinionit të brendshëm apo të huaj, porse rrit klasën politike në tërësinë e saj. Përtej bunkerizimeve dhe frëngjive, nga ku shtihet për të vrarë politikisht dhe jo për të konkuruar.
Sigurisht, pikëpyetjet më të mëdha shtrohen për Lulëzim Bashën, ndaj të cilit presionet e radikalëve janë shumë të mëdha, nga brenda dhe jashtë partisë së tij. Personalisht mendoj se Basha ka dy rrugë:
Ose të ngujohet në qëndrimet e përgjithësuara mohuese, që kanë gjithmonë e më shumë fjalën ‘JO!’ si kryefjalë, duke rrezikuar mpakjen dhe fishkjen e forcës politike që drejton,
Ose, të tejkalojë këtë ngërç, me hapin e gjatë të një ‘kampioni’ të moderacionit modern, koha e të cilit ka ardhur tashmë dhe t’u tregojë publikisht të gjithëve se Luli, është bashkëthemelues i një shkolle të re politike që ka si Yll Polar reformizmin, konsensusin dhe dialogun.
Dhe kjo është e mundur. Prandaj dhe mendoj se është në interes edhe të atyre, me të cilët po replikoj sot, që përtej skepticizmit, të jenë sidoqoftë më inkurajues të Pozitivitetit.
Këto qëndrime, edhe kur impostohen në emër të ‘dashurisë’ për Bashën, apo në emër të ‘dashurisë’ për Ramën, në pozicionimin ekstremist dhe radikal kundër takimit, janë veçse dëmtuese dhe mëtuese të një shkolle tashmë të tejkaluar politike.
Kolegët me të cilët po replikoj, nuk mbërrijnë deri këtu.
Ndërsa kolegët e Bashës dhe Ramës, e kanë tejkaluar me të tepërt këtë cak.
Dhe ky nuk është një lajm i mirë.

No comments: