Sunday, February 16, 2014

Shtyhet patenta me pikë, ligji do të ndryshojë

TIRANE-Bërja funksionale e patentës me pikë do të fillojë sapo të bëhen ndryshimet ligjore që janë propozuar për Kodin Rrugor.

Deri tani ky ka qenë një nga projektet më ambicioze, por edhe më i ngadaltë ku problemet kanë qenë të lidhura me bazën e të dhënave, softin apo edhe ngërçe ligjore. Një pjesë e këtyre pengesave janë kaluar dhe sistemi është i plotësuar. Mbetet vetëm të bëhen përcaktimet e fundit ligjore. Në një intervistë për gazetën 'Panorama',
Nikolin Berxhiku, specialist në Drejtorinë e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore në Ministrinë e Transporteve, shprehet se ka një konfuzion në shprehjet e përdorura në Kodin Rrugor, të cilat do të korrektohen. Ai thekson se paralelisht me funksionimin e patentës me pikë, do të synohet që të bëhet një informatizim i plotë i Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor në mënyrën se si mbikëqyren autoshkollat, për të eliminuar kështu çdo mundësi abuzimi. Berxhiku shprehet se disa nga masat që janë propozuar në paketën e sigurisë rrugore, që është bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, synojnë shtrëngimin e kërkesës për marrjen e një lejeje drejtimi. Në këtë pjesë është futur për herë të parë kontrolli psikofizik, që është një kontroll shumë më i detajuar se sa kontrollet rutinë që kalohen te mjeku kur një kursant kërkon të marrë një leje drejtimi.

Në çfarë faze është aktualisht procesi i implementimit të patentës me pikë?
Kjo edhe në kuadër të masave që po merren për sigurinë rrugore? Implementimi i patentës me pikë është akoma në proces për arsye se do të ketë një korrektim të Kodit Rrugor në nenin që bën fjalë për këtë sistem. Ka një konfuzion në shprehje të cilat do të korrektohen me propozimin e ri të ndryshimeve në Kod. Ndërkohë po bashkëpunojnë Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe Policia Rrugore mbi komunikimin e informacionit që duhet të shkëmbejnë në mënyrë që të fillojë sa më shpejt futja e në funksion e këtij sistemi.

Kur pritet që të sigurohet funksionimi i plotë i sistemit?
Me korrektimin e legjislacionit ekzistues mendojmë se do të fillojë dhe funksionimi i sistemit.

A kemi sot një bazë të dhënash të saktë dhe të plotë të Regjistrit Kombëtar të Mjeteve dhe të drejtuesve të mjeteve?
Po, ky ekziston sot i informatizuar dhe i plotë në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor.

Çfarë ndryshimesh ka pasur në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor, që është institucion nën varësinë e Ministrisë suaj, në funksion të përmirësimit të pjesës që lidhet me dhënien e lejeve të drejtimit? Në planin e masave për sigurinë rrugore në seksionin ku flitet për drejtuesit e mjeteve, janë të renditura shumë masa, të cilat janë përgjegjësi direkte e DPSHTRR për t’i zbatuar ato. Për shembull, i tillë është rishikimi i programeve të trajnimit të kandidateve me ndryshimet e ardhshme ligjore dhe përshtatshmërinë që duhet të kenë me direktivat europiane të fushës, futja e teknologjisë së informacionit gjerësisht për të minimizuar falsifikimet dhe korrupsionin, mbikëqyrje më e kontrolluar e autoshkollave.

Është parashikuar në paketën e masave të Ministrisë së Transportit dhe asaj të Brendshme që kursantët që duan të marrin një leje drejtimi duhet të kalojnë një test psikofizik. Si është menduar kjo dhe çfarë do të përfshijë ky test? Çfarë do të kërkohet më shume nga sa kërkohet sot?
Sot nuk zhvillohet ndonjë test i tillë. Do të transferohet në legjislacionin tonë së pari direktiva përkatëse e cila përmban dhe kërkesa të tilla specifike në përgatitjen e kandidatëve. Do të vihen në funksion real komisionet mjekësore, siç parashikohet në legjislacion, si dhe do të shfrytëzohet përvoja e vendeve të zhvilluara. Me sa jemi në dijeni, ka aplikime të përparuara teknike që eliminojnë subjektivizmat njerëzorë dhe në kohën e duhur do të vlerësohet mundësia e përdorimit të tyre dhe në vendin tonë.

Po tek autoshkollat çfarë kontrolli do të ketë lidhur me angazhimin e tyre në pjesën që lidhet me drejtuesit e rinj të mjeteve?
Flasim këtu për përgatitjen. Do të ketë ndryshime të programeve të trajnimit të kandidateve duke i vënë theksin sigurisë rrugore, kërkesa më të larta kontrolli ndaj tyre, monitorim të performancës së kandidatëve të përgatitur prej tyre në drejtim të aksidenteve të ndodhura mbi bazën e informacionit nga Polica Rrugore për shkeljet, pezullimet, heqjet e lejeve të drejtimit etj. Do të ketë kurse të veçanta për kandidatët që duan të marrin kategoritë C dhe D, pasi këta drejtues do të pajisen me Certifikatë të Aftësisë Profesionale (CAP).

(d.b/BalkanWeb)

No comments: