Friday, February 21, 2014

Kë provokoi Fatos Lubonja?

Nga Arman Shkullaku  Vdekja e Vaçe Zelës ishte një tjetër shfaqje që nxori në pah cilësinë tonë si shoqëri emotive dhe jo reflektive. Ndërsa reagimi popullor ndaj një ftese të Fatos Lubonjës, për ta kuptuar më mirë këtë fenomen, qe një dramë e vërtetë, një vërtetim se sa të pashpresë jemi për t’iu afruar mendimit dhe gjykimit të qytetëruar. Lubonja me siguri ka provuar zhgënjime më të mëdha në jetë, e ndoshta për këtë arsye vazhdon i paepur të shkruajë e të flasë edhe kur ndeshet me idiotësi kolektive si ato që shpërthyen pas një shkrimi të tij, ku përpiqej të shtronte disa dilema që e mundonin teksa shihte përcjelljen që po i bëhej Vaçe Zelës.

Eseja e Lubonjës nuk kishte lidhje thjesht me këngëtaren e ndjerë, ajo ishte më shumë një përpjekje thuajse filozofike për të kuptuar histerinë aq shumë të sipërfaqshme që mbërthen shoqërinë shqiptare pikërisht në momentet kur i duhet të mendojë, gjykojë e vlerësojë. Madje autori edhe valën kombëtare të ngashërimit nuk e dënon, por thotë se është ndjerë keq përballë saj dhe mundohet të kuptojë se çfarë e shkakton atë. A është inerci e një regjimi të shkuar, epidemi konformizmi, hipokrizi apo debilizëm masiv. Përplas kokën Lubonja mes rreshtave për t’i dhënë një shpjegim këtij cunami lotësh, nderimi, mitizimi, hyjnizimi që provokohet shpesh në ngjarje të ngjashme. Të këtij cunami që e përlan në zulmën e tij çdo tentativë për reflektim, thellim, analizë e që e mbyt dëshirën për të kuptuar. Vaçe Zela është thjesht shkaku, ngacmimi që Fatos Lubonja të shtrojë disa pyetje që edhe 24 vjet pas hapjes së Shqipërisë ndaj botës, ende nuk u kemi dhënë përgjigje. Ai mendon se shoqëria shqiptare ka nevojë të kuptojë ndjenja si këto që shpërthyen me vdekjen e këngëtares, sinqeriteti i të cilave nuk mjafton për të zhvilluar vetveten. Një fenomen i soc-realizmit, një ingranazh i rëndësishëm i makinerisë që prodhonte në seri njeriun e ri, sot, kur të gjithë e kanë pranuar e kuptuar se çfarë pasojash fatale solli në jetët tona ai regjim, askush nuk ndalet së paku për të provuar të ngrejë një kufi mes nderimit qorrazi dhe peshës që ka arti për të formuar e ndikuar një shoqëri.
Si ka mundësi që ndodh kjo, është nostalgji për një jetë të shkuar, zhgënjim nga sistemi i sotëm, keqardhje për një ekzistencë të kaluar kot, apo çfarë? Si ka mundësi që një rast i tillë për të parë më mirë vetveten, kapërcehet nga protagonizmi se kush qan më shumë e kush thotë fjalë më të bukura për të ndjerën? Çfarë mund të thuash për një shoqëri që refuzon të thellohet mbi të kaluarën e saj dhe përfshihet nga ethet e garës së cekët për të thurur lavde e himne? Këto pyetje shtronte Lubonja në esenë e tij. Një pjesë mundohej t’i gjente përgjigje e një pjesë ftonte lexuesit për reflektim. Dhe në vend të reflektimit pasoi reagimi reaktiv që t’i pret gjunjët e shpresës se kjo shoqëri po kupton çfarë i ka ndodhur dhe çfarë po ndodh me të. Një lehtësi e pamëshirshme për të refuzuar mendimin dhe për të përqafuar eksitimin. Si guxon Lubonja të prekë të madhen Vaçe? E nën këtë thirrje, pa kuptuar asgjë prej asaj nevoje të sinqertë të autorit për të diagnostikuar shoqërinë ku bën pjesë, ngrihen këngëtarë, humoristë, politikanë, gazetarë… si dikur kolektivat punonjëse për t’i treguar vendin këtij renegati. Çfarë zhgënjimi kur shikon se edhe pas traumës 50- vjeçare të izolimit, shoqëria shqiptare përsëri shkon drejt masakrimit të individit që është kundër rrymës, kërkon ta demaskojë, ta linçojë dhe jo ta kuptojë atë. Çfarë zhgënjimi kur përballesh me të vërtetën e tmerrshme se shqiptarët nuk kanë dalë ende prej gjendjes emotive, se ata mendimi dhe reflektimi i mundon dhe reagimi emocional është forma më e lartë e shprehjes që njohin.
Këtu nuk është fjala për individë që bëjnë thirrje që Lubonja të varë veten apo e krahasojnë atë me Hitlerin sepse nuk i pëlqejnë këngët e Vaçes. Problemi nuk është me ta, por me atë pjesë të shoqërisë që ka marrë përsipër të orientojë opinionin publik dhe që idiotësi të tilla i publikon e i shpërndan me një papërgjegjshmëri fëminore. Që në vend të tentojë të hapë një debat serioz për fenomene të tilla shoqërore, e mbyt atë me lloj-lloj reagimesh naive e populiste. Secili ka të drejtë të shprehë opinionin e tij, por një shoqëri e ka jetike gjithashtu që të thellohet mbi dukuritë që e ndikojnë atë. Duke iu referuar artit gjatë regjimit komunist, Lubonja thotë se “ai art formonte njeriun e ri që zbrazëtinë e mendimit e mbushte me entuziazmin e të vërtetave që i servirte ideologjia”. Sot ne jemi në atë fazë ku zbrazëtinë e mendimit po e mbush emocioni, reagimi dhe duket sikur mezi presim një rast si ai i Vaçes për të treguar se jemi. Shpërthimet emocionale dhe lotët duket sikur janë shndërruar në mënyrë të qeni. ‘Qaj, prandaj ekzistoj’, ngjan se është gjithashtu një lloj shpjegimi për histeritë kolektive që na mbërthejnë herë pas here. Të krijohet përshtypja se një pjesë e madhe e shoqërisë jeton në mënyrë të pandërgjegjshme, pa menduar për atë që bën. Dhe sapo i jepet rasti shpërthen në delir e protagonizëm për të treguar se është. Tamam si ata individët që zgjasin kokën apo bëjnë me dorë pas shpinës së personazheve të njohur që dalin para kamerave të tv.
E në një shoqëri që refuzon në mënyrë sistematike mendimin dhe gjykimin, që zgjedh emocionin dhe shpërthimin, nuk është e lehtë të thuash disa të vërteta e të bësh ftesa për refleksion siç bëri Lubonja. Reagimi ndaj tij nuk ishte një çudi. Por ndoshta është një mundësi që të vlerësojmë atë për çka kemi më shumë nevojë dhe të ndjejmë përgjegjësinë për të mos kapërcyer të rrëmbyer nga vala e lehtësisë kolektive ngjarje dhe fenomene që ndikojnë në formimin e një shoqërie.

No comments: