Sunday, January 26, 2014

Ilir Meta: “Serveri i Tatimeve”, Spartak Braho ka çantë tjetër

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta në një intervistë të dhënë dje për emisionin “Opinion” të gazetarit, Blendi Fevziu në TV Klan ka deklaruar se qëndrimi i LSI-së për 21 Janarin nuk ka ndryshuar. Meta ka reaguar edhe lidhur me çështjen e “serverit të tatimeve”.
A ka pasur presion ndaj kandidateve gra që të largohen dhe a po shkelet ligji në këtë rast? Më vjen shumë keq që opozita mbetet gjithmonë në kuadrin e një propaganda destruktive,
në rastin konkret. Gjatë seancës, për shkak të ndërhyrjeve destruktive të opozitës nuk u zhvillua ashtu siç do të duhet të ecte mbarëvajtja e Kuvendit për shumë çështje të rëndësime të rendit të ditës, pra e gjithë kjo mbetet në kuadrin e një propagande destruktive, sepse në rast se opozita ka informacione të tilla, ajo mund të ndiqte rrugën e drejtësisë.
Së dyti, sa i takon rastit të PS-së, besoj se përgjigjen më të mirë z.Berisha e mori nga znj.Mimi Kodheli, e cila ka qenë kryesuese e listës së PS-së në qarkun e Lezhës.
Si shpjegohet që tërhiqen dy kandidate femra njëra pas tjetrës?
Kjo është një zgjedhje e tyre dhe e PS-së.
E lirë, apo nën presion?
Po më vjen shumë keq që ma bëni mua këtë pyetje. Unë përgjigjen time e dhashë. Unë nuk kam asnjë dijeni për presion ndaj asnjë kandidateje apo kandidati për deputet.
Meqenëse për dy kandidatet e PS-së nuk doni të flisni, përse është tërhequr kandidatja për deputete e LSI-së, Silvana Maksuti?
Mund t’ju jap një sqarim, i cili ka të bëjë me faktin se LSI-ja në qarkun e Durrësit fitoi një mandat deputeti dhe në krye të listës ishte z.Lefter Koka, së bashku me z.Edmond Panariti, i cili gjithashtu është ministër dhe të dy, për arsye të mospajtimit të mandatit të ministrit me atë të deputetit, një normë e vendosur nga ky koalicion, nuk mund të vazhdonin më për të ushtruar këtë funksion dhe ka qenë një vendim i vetë ekipit dhe i vetë skuadrës sepse kanë qenë 13 kandidatë, të cilët kanë qenë në listën e LSI-së për qarkun e Durrësit. Për shkak edhe të rezultateve të arritura, ku rreth i Krujës në qarkun e Durrësit rezultoi si rrethi më në vështirësi jo vetë në atë qark, por në gjithë Shqipërinë, pra si i vetmi rreth, ku LSI-ja nuk pati rritje, për arsye të vetë punës sonë në të kaluarën, kanë vlerësuar që edhe për këtë arsye, këtë mandate përfaqësimi ta marrë kandidati i tretë që ishte në listën për deputet të qarkut të Durrësit, i cili është nga Kruja dhe është figurë e njohur në rrethin e Krujës, z.Bujar Derveni. Kjo është një zgjidhje e tyre dhe unë e respektoj.
Z.Meta, televizioni “News 24” ka publikuar, një video të marrë nga videot e sigurisë së selisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në të cilën shfaqet deputeti i LSI, Spartak Braho, i shoqëruar nga një këshilltar i Kryeministrit. Çfarë kërkonte deputeti i LSI, i shoqëruar nga dikush tjetër, në zyrat e tatimeve dhe pse duhet të hynte në një vend, me kaq rëndësi të veçantë sa është vendi ku ndodhen deklarimet personale të pothuajse gjithë shqiptarëve?
Kemi të bëjmë me një spekulim, por jo vetëm. Duket qartë që kemi të bëjmë edhe me panik. Më fal, por çfarë video është ajo?! Është spekulim, por edhe panik, sepse e para pyetje që duhet të na vijë të gjithëve në mendje është: pse drejtori i IT-së së tatimeve shkon te selia e PD-së dhe merret menjëherë në mbrojtje nga lideri i kësaj force politike, Berisha, i cili afishohet hapur dhe publikisht me të, ndërkohë që denoncimin e parë për këtë çështje dhe në prokurori e ka bërë vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve?
Pasi kishin hyrë persona të paautorizuar dhe ishte bllokuar serveri. Ata kishin kërkuar kopjimin e të gjitha të dhënave…
Ju mund të bëni emision dhe të thërrisni z. Braho, ai çantën me vete e ka, është mjeshtër për punët e videove.
Vazhdon akoma ta ketë atë çantë?
Ka edhe një çantë tjetër. E kam fjalën, për të qenë më seriozë me qytetarët që na ndjekin se kjo nuk është një çështje e cila lë dhe do të lërë vend për spekulime, pavarësisht nga përpjekjet, të cilat, për mua, vijnë më shumë nga paniku. Pse e them këtë gjë? Sepse çdo ndërhyrje që bëhet, këtë duhet të dijë ish-drejtori i IT-së që del në konferencë shtypi, duhet ta dijë çdo zotëri tjetër, lë gjurmë dhe çdo gjurmë rikuperohet. Kështu që nuk ka asnjë gjë të pamenaxhueshme në këtë çështje. Z.Braho ka dhënë sqarimin e tij, ndërkohë që nuk ka pasur ndonjë zbulim të madh, sepse z.Braho më ka vënë edhe mua në dijeni si kryetar Kuvendi për dijenitë që ai ka pasur për rastin konkret, në cilësinë e tij si kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, me anë të një shkrese zyrtare prej shumë kohësh. Një shkresë të tillë ia ka bërë edhe Kryeministrit, z.Rama, duke kërkuar një vëmendje të veçantë dhe ekspertizë ndërkombëtare për këtë çështje, ku sipas tij, nuk mund të komentoj ato informacione dhe të dhëna që ai ka, rezulton një problem i madh. Z.Braho, ka qenë atje si kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, deklaron se nuk ka një vendim të Komisionit të Sigurisë për të shkuar z.Braho atje…
Nuk vlen si dëshmitar z.Noka, të lutem!
Cilin nga kriteret e dëshmitarit nuk plotëson?
Duhet të kesh më shumë besim te z.Braho në cilësinë e tij si kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Ish-drejtori, si dhe të gjithë ata që mund të kenë punuar dhe mund të kenë vënë dorë atje, përfshirë edhe zotin Braho, meqenëse ju po pyesni, duhet të jenë të bindur e të qartë se çdo ndërhyrje lë gjurmë dhe gjithçka rikuperohet. Prandaj edhe zoti Braho është shumë i qetë, sepse e di shumë mirë këtë gjë. Të tjerët, të cilët po përpiqen të krijojnë ngjarje sikur çfarë ka ndodhur, thjesht janë në panik. Edhe atyre u them të qetësohen, sepse çdo gjurmë është atje dhe gjithçka është e rikuperueshme.
A lë gjurmë fakti, për shembull, që prokurori i çështjes është tërhequr dhe për hetimin e kësaj ngjarjeje është caktuar Juli Zonja, bashkëshorti i Ornela Zonja, që ka qenë kandidate për deputete e LSI-së?
Nuk e di fare këtë fakt, por mund t’ju them dhe një herë tjetër se çdo ndërhyrje lë gjurmë, çdo fshirje, çdo përpjekje për manipulim dhe gjithçka rikuperohet. Këtë jua jap me garanci 100%.
Si kryetar i Kuvendit a jeni në dijeni se çfarë ka ndodhur?
Z.Braho prej disa javësh për këtë çështje ka kërkuar zyrtarisht ekspertizë ndërkombëtare. Natyrisht kjo nuk është e drejtë e z.Braho, se ai nuk e ka këtë, ka të drejtën e përvojës, siç mund ta kërkojë çdo njeri. Kjo është një çështje që i takon prokurorisë, por ai e ka kërkuar ekspertizën për t’i dhënë besueshmërinë më të madhe të gjithë këtij procesi ngaqë është një proces i ndjeshëm.
Një nga eventet e tjera të rëndësishme të kësaj jave ka qenë përkujtimi i 3-vjetorit të 21 janarit. Përse ju vetë nuk morët pjesë në përkujtimore?
Unë kam qenë në Marsejë, në konferencën e organizuar nga Presidenti i Senatit francez dhe Kryetari i Parlamentit të Francës, që është Asambleja Parlamentare e vendeve të Mesdheut.
Çfarë ka qenë për ju 21 janari? Si do ta përkufizoni ju 21 janarin? A keni ndryshuar mendim për të?
Unë do të kisha dëshirë që kjo ditë të mos ishte në kalendarin e vendit tonë. Sigurisht është një ditë që na fton të gjithëve për të reflektuar vazhdimisht, për të normalizuar politikën dhe për të mos konfrontuar qytetarët dhe politikanët me njëri-tjetrin.
A keni ndryshuar ju mendim sot për atë që ka ndodhur më 21 janar krahasuar me mendimin që keni pasur 3 vjet më parë?
Cilin mendim?
A mund të marrësh pjesë në homazhe për persona që ju i quani halabakë, rrugaçë dhe kriminelë që sulmojnë shtetin?
Së pari, më vjen keq se pa dashje ju po përdhosni kujtimin e 4 viktimave të pafajshme.
Po ju pyes për deklaratat.
Më vjen keq, sepse ju po spekuloni fund e krye.
Ky është material filmik.
Ajo që është thënë varet se si interpretohet. Kemi dy çështje të ndryshme, qëndrimin për këta elementë, të cilët u konfrontuan me policinë, qëndrimin për qytetarët, pjesa masive...
Ata që ambasadori amerikan i quajti “një grup me axhendë të paracaktuar”?
... të cilët ishin pjesëmarrës dhe nuk kryen asnjë akt konfrontimi dhe natyrisht ajo që është më e rëndë, kemi edhe 4 viktimat e kësaj ngjarjeje tepër tragjike, të cilët ishin njerëz, qytetarë krejtësisht të pafajshëm dhe pamjet që kemi parë kanë treguar që janë vrarë në mënyrën më të papranueshme, më absurde dhe më kriminale.
Nuk kanë qenë sulmues të policies? Prandaj them se ky është një spekulim. Qëndrimi i LSI-së lidhur me çështjen e hetimit për 21 janarin dhe për vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm nuk ka ndryshuar. Qëndrimi është deri në fund: drejtësi dhe zbardhje për këtë ngjarje. Përgjegjësit të shkojnë përpara drejtësisë. Pra, nuk duhet të ngatërrojmë një qëndrim për ata elementë që janë konfrontuar me policinë, një grup i kufizuar, me pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve.
Si po shkon qeverisja me Ramën, a jeni i kënaqur me të?
Mendoj se qeveria po ecëm me mjaft angazhim dhe përkushtim. Është një qeverisje jo e lehtë, por e vështirë për arsye të problemeve të akumuluara në të gjitha drejtimet, problemet ekonomike dhe financiare, që janë të panumërta, natyrisht edhe ato sociale, sepse përderisa janë ato financiare dhe ekonomike ato reflektojnë...
“Tashmë kryetari i sektit të spiunëve të Shqipërisë, kjo fundërrinë morale e shoqërisë shqiptare, ky njeri që mohoi atësinë e të birit në gjyq……” Më elokuent se kaq, zoti Meta, nuk keni qenë ndonjëherë.
Duke mos e mohuar se ai që ishte aty quhet Ilir Meta, duke pasur parasysh edhe kohën e periudhën kur janë bërë këto deklarata – duket qartë edhe nga fjalori, sepse nuk janë termat e mi të zakonshëm, por kanë qenë një çikë edhe nën efektin e shoqërisë me Doktorin...

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

No comments: