Saturday, December 21, 2013

Marrëveshjet e Ramiz Alisë me drejtuesit e Lëvizjes së Dhjetorit ‘90


Libri “Padersytë e bardha”, fillimi i zhvillimeve demokratike.

Marrëveshjet e Ramiz Alisë me drejtuesit e Lëvizjes së Dhjetorit 1990

“Presidenti i fundit komunist synonte realizimin e tranzicionit sipas një skenari pa dhunë dhe pa viktima”

Letër e drejtuesve të degës së PD-së në Përmet, shkurt 1991
Shfaqja e frikshme e “Vullnetarëve të Enverit”


E mbështeti apo e kundërshtoi Ramiz Alia,
Presidenti i fundit komunist dhe një prej protagonistëve kryesorë të zhvillimeve politike të fundvitit ’90 Lëvizjen e Dhjetorit dhe krijimin e Partisë Demokratike? Alia, për të cilin flitet se pati një ndikim të rëndësishëm në këto ngjarje, nuk dëshmoi asnjëherë detaje thelbësore rreth tyre. Të tjerë personazhe kryesorë të kësaj historie, si Azem Hajdari e Gramoz Pashko, kanë ndërruar jetë. Pjesa tjetër e pranishme në këto zhvillime, më së shumti ka preferuar të heshtë, duke lënë bosh një pjesë të rëndësishme të momenteve kyç të kësaj periudhe kaq të rëndësishme të historisë sonë. Luljeta Progri, në librin e saj më të fundit “Pardesytë e bardha”, nuk merr përsipër të rrëfejë në mënyrë shteruese argumentat fundorë të kësaj dileme, por nëpërmjet dokumenteve autentike dhe dëshmive të pakontesueshme hedh dritë mbi një pjesë të vërtetash të atij kapërcyelli historik. Në numrin e sotëm po botojmë një pjesë të rrëfimit për rolin e Alisë në zhvillimet e dhjetorit ‘90 dhe shfaqjen misterioze të organizatës “Vullnetarët e Enverit”…


Ramiz Alia, aleat apo kundërshtar i Partisë Demokratike


TAKIMI I RAMIZ ALISË ME PËRFAQËSUESIT E STUDENTËVE, DHJETOR 1990

Si një prej personazheve kryesore të zhvillimeve politike të dhjetorit 1990, Ramiz Alia shfaqet në opinionet e drejtuesve të opozitës së asaj kohe herë si aleat, herë si kundërshtar. Në krye të regjimit, ai kishte gjithë mundësitë të vepronte me egërsi ndaj lëvizjeve anti- PPSH, që lindën në dhjetor 1990, ishte sekretar i parë i KQ të PPSH-së.
Kjo nuk ndodhi dhe, për këtë arsye, Ramiz Alia vlerësohet nga një pjesë e elitës së kohës si një liberal. A kishte ai mundësi të shfaqte të kundërtën e këtij versioni? Në ato kushte sigurisht që kishte mundësi. Ramiz Alia kontrollonte të gjitha strukturat e regjimit. Në një situatë kur ato struktura ishin rigorozisht të bindura, me një Byro Politike thellësisht konservatore dhe në shumicën e saj injorante, mund të vazhdonte të shtypte me dhunë çdo lëvizje antikomuniste.
Por situata nuk ishte kaq e thjeshtë. Shqipëria nuk mund të vazhdonte të qëndronte si një “kështjellë e pamposhtur në brigjet e Adriatikut”. Kohët kishin ndryshuar. Situata në vendet e tjera të Lindjes ishte tjetërsuar. Komunizmi kishte rënë dhe Ramiz Alia, me aleat të vetëm Byronë Politike, të mplakur, nuk mund të vazhdonte shumë gjatë.
Përvoja e Rumanisë e qartësoi mirë situatën. Nëse regjimi do të tentonte të shtypte me dhunë lëvizjet demokratike, sigurisht që skenari i Çausheskut ishte një version dhe më i mundshmi.
Në këtë situatë, Ramiz Alia duket se zgjodhi një tjetër rrugë; shfaqjen e tij si liberal. Lëshimet graduale erdhën dhe u finalizuan pikërisht në dhjetor 1990, kur me vendim të Plenumit të KQ të PPSH-së, po atë muaj, u shpall pluralizmi politik. Prej këtij momenti, në skenë u shfaqën aktorë të shumtë, me të cilët Alia duhet të bënte patjetër marrëveshje. Një sërë marrëveshjesh mes PPSH-së dhe PD-së pas dhjetorit ‘90 ishin në funksion të ruajtjes së stabilitetit në vend. Sfida kryesore e Ramiz Alisë dukej të ishte realizimi i një skenari të tranzicionit të pushtetit pa dhunë dhe pa viktima. Sigurisht kjo do t’i shërbente atij dhe pjesës tjetër të PPSH-së si një biografi e mirë për alibi në të ardhmen e afërt të Shqipërisë pluraliste.
Marrëveshjet me PD-në ishin në funksion të ruajtjes së këtij stabiliteti. Në marrëveshje nuk mund të lëshohej shumë. Për Ramiz Alinë dhe pjesën tjetër të Byrosë aktive, ishte e rëndësishme që PPSH-ja të vazhdonte të ishte një alternativë kryesore për elektoratin shqiptar, por distancimi nga figura e udhëheqësit nuk mund të bëhej kaq shpejt. Ndaj dhe strategjia për të ruajtur figurën e Enver Hoxhës shpejt u konkretizua me themelimin e “Vullnetarëve të Enverit”, një organizatë që drejtohej nga një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Enver Hoxhës, Hysni Milloshit.
Lajmi për krijimin e kësaj organizate u dha si kryeartikull në gazetën “Zëri i Popullit”. Aktivitetet e tyre pasqyroheshin në mënyrë të detajuar edhe nga TVSH-ja. Kjo do të thotë se organizata ishte e strukturuar dhe e mbështetur plotësisht nga Ramiz Alia dhe Byroja Politike.
Por cila ishte situata në të cilën u shfaq ky organizim?! Megjithëse ishte publikuar dekreti i Kuvendit Popullor i 23 janarit 1991, një dekret i cili mbronte me ligj emrin dhe bustet e Enver Hoxhës, lëvizjet opozitare veçse u përforcuan kundër figurës dhe busteve të diktatorit. Lëvizja studentore, e cila shpejt u finalizua në grevë urie, e kishte shpërfillur këtë dekret dhe pasojat që sillte çdo veprim ndaj busteve. Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit rrëzoi një pjesë të rëndësishme të fuqisë që kishte ende PPSH-ja. Kjo ngjarje e irritoi pjesën radikale të Byrosë Politike dhe brenda tyre lindën kontradikta.
Në dëshmitë e mëvonshme, konstatohet se Ramiz Alia u vlerësua si një “dinak” në këtë moment, pasi nuk mbajti një qëndrim të qartë lidhur me reagimin që duhet të kishte rendi në mbrojtjen e simboleve, e përcaktuar në dekretin e saposhpallur. Nga ana tjetër, Ramiz Alia investoi në besueshmëri ndaj pjesës tjetër, pra të opozitës. Prej tyre mund të kërkonte marrëveshje të reja. Bazuar në këto marrëveshje me Ramiz Alinë, Partia Demokratike kishte marrë një vendim pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës; të gjitha degët e kësaj partie ishin porositur nga qendra, që të mos nxisnin protesta, që stimulonin rrëzime bustesh në qytete të tjera. Por kontrolli mbi turmat nuk mund të vendosej lehtë.

VULLNETARËT E ENVERIT DHE RREZIKU I PËRPLASJES CIVILE
Akti i rrëzimit të busteve të diktatorit u masivizua shpejt në të gjithë Shqipërinë, ndërkaq vendimi i Komisionit Nismëtar të PD-së nuk u zbatua nga asnjë prej degëve të kësaj partie në rrethe. Reagimi i PPSH-së ishte i shpejtë. “Vullnetarët e Enverit” u masivizua brenda pak ditësh. Komunikata e ngritjes së këtyre organizatave në të gjithë vendin u botua në gazetën “Zëri i Popullit” si kryeartikull i saj. “Vullnetarët e Enverit” përbëhej nga individë, të cilët morën përsipër të ruajnë jo vetëm bustet, por edhe emrin e veprën e Enver Hoxhës. Brenda pak ditësh kjo organizatë u masivizua në të gjithë Shqipërinë me aktivitete intensive.
Ballë për ballë, dy palët po agravonin në qëndrime e veprime. Aktivistët e lëvizjes antikomuniste rrëzonin bustet e Enver Hoxhës, ndërsa “Vullnetarët e Enverit” i rikthenin ato. Situata shpesh bëhej komike. Është rasti i Fierit, kur aktivistë të lëvizjes demokratike e hiqnin bustin e Enver Hoxhës dhe e hidhnin në lumin Gjanicë, ndërsa “Vullnetarët e Enverit” prisnin atje, e merrnin, e pastronin dhe e vendosnin sërish në vendin që ishte. Sërish kundërshtarët e merrnin dhe e hidhnin në lumë dhe kjo situatë përsëritej, duke shkuar deri në përplasje fizike mes turmave.
Ngjarja e Shkollës së Bashkuar është rasti më domethënës për të ilustruar këtë konflikt, që po rritej përditë e bëhej më i rrezikshëm. Është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të atyre ditëve, ku pati edhe viktima. Më datë 21 shkurt, një grup ushtarakësh i Shkollës së Bashkuar, me një bust të Enver Hoxhës në dorë, u nisën drejt qendrës së Tiranës për ta vendosur në piedestalin e lënë bosh, pas rrëzimit të statujës së madhe një ditë më parë.
Në këtë situatë të tensionuar, Ramiz Alia vendosi të bëjë ndryshime thelbësore në drejtimin e vendit. Ai shkarkoi nga detyra qeverinë Çarçani dhe në vend të ministrave të shkarkuar u emëruan disa intelektualë të rinj, ndër të cilët edhe Fatos Nano. Menjëherë pas krijimit të qeverisë së re, Ministria e Brendshme doli me një deklaratë zyrtare dhe kërcënoi se do të vepronte kundër akteve të dhunës dhe protestave, ritmi i të cilave ishte gjithnjë në rritje. Dorëheqja e qeverisë dhe zëvendësimi i tyre me emra të rinj, të cilët s’kishin të bënin drejtpërdrejt me udhëheqjen e lartë të partisë, ishte një hap për të cilin Ramiz Alia kërkonte një farë “shpërblimi” nga turmat e irrituara dhe nga ata, që sipas tij e kishin marrë me shumë nxitim procesin e demokratizimit të vendit. Ai pretendonte se me ndryshimet e rëndësishme që u kryen, duhet të ulej ritmi i reagimit popullor kundër udhëheqjes së partisë. Por ndodhi e kundërta. Reagimi popullor kundër PPSHsë dhe qeverisjes së saj po rritej çdo ditë.
Në këto kushte, Ramiz Alia kërkoi një takim tjetër me përfaqësues të partive politike, për të ndikuar në stabilizimin e situatës. Në takimin me përfaqësues të partive politike, të zhvilluar më 5 mars 1991, Ramiz Alia u kërkoi atyre më shumë se ç’pritej, një marrëveshje e cila të parashikonte ruajtjen e busteve të Enver Hoxhës dhe të mos bëhej propagandë kundër figurës së tij. Kërkesa e Alisë duket se u miratua nga partitë politike, por marrëveshja nuk funksionoi për turmat e irrituara. Ato nuk ndaleshin në rrugën e tyre për rrëzimin e busteve të diktatorit. Paralelisht më këtë, masivizohej edhe aktiviteti i “Vullnetarëve të Enverit”.
Retorika që përdorej në mitingjet e “Vullneatrëve të Enverit”, ishte për vëllavrasje. Mundësia për një përplasje civile mes palëve ishte shumë afër. Në mbarë vendin u aktivizuan me shpejtësi celula të “Vullnetarëve të Enverit”, të cilët organizoheshin në mitingje e antimitingje, ku përdorej një retorikë ekstremiste, e cila acaronte në skaj palën tjetër. Gjuha e ashpër e “Vullnetarëve të Enverit” u kthye në shqetësim serioz për drejtuesit e PD-së në qendër dhe në bazë. Ata që e ndienin drejtpërdrejt frikën e një përplasjeje civile, ishin drejtuesit në rrethe. Një letër e drejtuesve të degës së PD-së në Përmet, ku pasqyrohet një miting i “Vullnetarëve të Enverit”, jep detaje të situatës së tensionuar.

LETRA PËR KËSHILLIN DREJTUES TË PARTISË DEMOKRATIKE
Informacion
Vërshimi i turmës në kryeqytet drejt monumentit të Enver Hoxhës dhe pasojat e mëpastajme, rrëzimi i shtatores, me të cilën Partia Demokratike nuk u solidarizua dhe njëkohësisht u distancua, u bënë shkak që dhjetëra njerëz nga kooperativa e Kosinës të vërshonin drejt qytetit të Përmetit. Para ndërtesës së Komitetit të Partisë së rrethit organizuan një miting. Pamje e vajtueshme! Sekretari i komitetit të partisë së rrethit Përmet organizonte fëmijët 7- 10 vjeçarë para turmës prej rreth 150 vetash. Nuk i dënojmë mitingjet, vetëm se, kur janë të paligjshme si ky miting, madje kur forcat e rendit solidarizohen me të, kundërshtojmë me forcë dhe jemi të bindur se shprehim shqetësimin qytetar. Çdo gjë është e paligjshme, qysh nga fillimi dhe deri te histeria e paturpshme e indinjatës së tyre.
Sekretari i parë i këtij komiteti, më tepër se një burokrat mediokër dhe i paskrupullt, duke përfituar mbi ndjenjat e turmës e irriton më tepër, duke lëshuar mendime çmendarake si këto: “Po qe nevoja, do të japim edhe armë, se edhe ato i kemi, të mira dhe të pastra. Për 10 minuta, 20 minuta për një orë, kur të jetë nevoja, kur të bëjë thirrje partia, të shkojmë drejt Tiranës, për të marrë pushtetin.
Turma, e cila reagonte me idiotësi, ndërsa përtypte këto pilula helmi vëllavrasëse, kaloi në ekstazë kur një ushtarak deklaroi: “Jemi në gjendje lufte me qeverinë dhe repartet ushtarake të këtyre rretheve (nënkupton Tiranë, Durrës, Korçë etj).
Sikur të kishin ardhur ditët e apokalipsit, komisari i divizionit, të cilët fatkeqësisht po i shpëtojnë depolitizimit, rëndon këtë tension politik: “Barutin e kemi të thatë. Armët janë të popullit. Ato i kemi gati në kohën dhe vendin e duhur”. Kjo marramendje, e cila kaloi mbi tri orë, patjetër që duhej të dëgjonte edhe sekretarin e Byrosë së degës së brendshme. Ky aparatçi, duke aluduar se qenkësh bashkëqytetar i Enver Hoxhës dhe i kënaqur prej kulturës së këtij qyteti (nënkupto marrëzisë përmetare, sepse në fakt kënaqej me turmën e mjeruar të fshatarëve që kishte prapa, sepse qytetarët u distancuan në largësi dhe nënqeshnin me këtë maskaradë), lëshoi dufin e pistë dhe të pandreqshëm: “Poshtë Partia Demokratike! Ajo është parti fashiste. Demokratët janë agjentë të CIA-s (Fashist ngjan paniku i këtij sekretari palaço, kurse mendimi agjent ka të bëjë me budallallëkun dhe pafytyrësinë e tij. Për çudi, pas “figurinave” të nderuara, u erdhi radha edhe të burgosurve ordinerë hajdutë. Dhe çudia e çudirave, ata deklarojnë solemnisht, që Sali Berisha e Gramoz Pashko të varen në mes të Tiranës.
Sa fatlume PPSH-ja, që gjen oratorë të denjë për turmën që ka përpara. Ovacionet disi reshtin, sepse shiu vazhdoi gjatë gjithë mitingut. Ndoshta ky ishte shkaku i lektisjes, që kjo turmë oratorësh laroshë duke kaluar caqet e ndërgjegjes së saj, dalldisi në klithma të këndshme: “Presidenti ka tradhtuar. Të japë llogari para popullit të Kosinës (fshati nga erdhi turma). Ai lejoi pluralizmin. Ai lejoi të hiqej monumenti. Të japë dorëheqjen” etj. Ca veteranë të vetëdijshëm për përgjegjësinë “morale” para kombit vërtetojnë gjakun duke thënë: “Tiranën e çliruam ne dhe nuk e çliroi Tirana”, bile “të vriteshin edhe 28 mijë të tjerë, por busti të mos hiqej”, për të shprehur fuqimisht vlerat atdhetare të brezit të tyre dhe dashurinë për “komandantin”, deklarojnë për thirrje të hapur rretheve Kolonjë, Skrapar, Tepelenë, Vlorë e Gjirokastër, të bashkohen si qëmoti (mundet ndonjë vilajet turk me kryeqytet Vlorën) e për kujtesë ndaj ngjarjes së studentëve, drejtori i një shkolle 8-vjeçare deklaron se “ishin 723 studentë ata që shpallën grevën e urisë, për të rivendosur bustin e tij”.
Mitingut i erdhi fundi, si çdo fund i lodhshëm, por sekretari i parë u rikujton qytetarëve, se në një zyrë në Komitetin Ekzekutiv do të bëhet regjistrimi për “vullnetarë të gatshëm për çdo moment që t’i kërkojë partia”. Për fat të keq të tij, askush nuk e ndoqi këtë këshillë gjaknxehtë.
Dega e Partisë Demokratike e qytetit të Përmetit e ndien të nevojshme t’i përcjellë qendrës në Tiranë këtë pasqyrë informative, pasi konkludon se ky miting, duke kaluar caqet e arsyes dhe shkeljen e çdo norme demokratike, vëren se komiteti i PPSH-së në rreth, bëhet shkak për tension vëllavrasës dhe atakim të pandershëm me degën e PD-së në Përmet. Anëtarët e Partisë Demokratike, të cilët u distancuan nga kjo herezi staliniste, ruajtën gjakftohtësinë dhe nuk u konfrontuan me këtë budallallëk politik. Veprimi i tyre i la shteg arsyes më të mirë dhe nderit të anëtarit të PD-së.
Sekretari i informacionit pranë degës së Partisë Demokratike të qytetit të Përmetit,
Anëtari i këshillit drejtues, Dega Demokratike Përmet, Sinan Vaka
21 shkurt 1991

No comments: