Wednesday, December 18, 2013

Jamambër Malltezi: Greva e Dhjetorit, Edi Rama u fsheh në Greqi

Një prej studentëve të grevës së urisë në dhjetor 1990, Jamarbër Malltezi,  flet  per kete levizje te studenteve, si lindi greva, roli i  Berishes, i Alise dhe Edi Rames ndaj levizjes studentore.  Ai shprehet se në atë grevë urie ishte edhe e bija e njërit prej drejtuesve kryesorë të komisionit nismëtar të PD-së, Argita Berisha, qe me vone do te behej bashkeshortja e tij. 
(Intervistë për librin “Pardesytë e bardha” me autore gazetaren Luljeta Progni)

Si ishte Tirana e muajve të parë të vitit 1990 për një student? Cilat ishin pëshpërimat që dëgjoheshin asokohe lidhur me lëkundjen e sistemit komunist, nisur nga çfarë po ndodhte në vendet e Lindjes, ku thuajse kishte përfunduar rënia e diktaturës..?
Tirana vijonte të ishte trishtim. Skamje e tmerrshme deri në uri masive, mungesa e sendeve bazike, përfshi veshjet. Mund të thuash se të gjithë ishin të barabartë në varfëri, që shkonte në skamje. Rënia e regjimeve të lindjes ishte ndjerë fort dhe duket se fati i udhëheqësve komunistë në lindje i kish trembur komunistët Shqiptarë, të cilët organizuan mbledhje të shumta për të sqaruar se “Shqipëria nuk ishte as Lindje dhe as Perendim” ndaj dhe nuk kishin lidhje me komunizmin ngjarjet e ndodhura në Evropën Lindore. Ishte një situatë disi absurde. Nëse ju intereson një shembull për të ilustruar: në fillim të 1990 isha maturant tek shkolla Ismail Qemali në Tiranë, kur na sollën në mbledhje edhe pinjollë të Byrose Politike dhe ndër të tjera na pyetën se çfarë këngësh na pëlqenin. Askush nuk foli, pasi ndihej që pyetja ishte provokuese dhe nuk dihej si e kanalizonin më pas. Nuk mu durua dhe i thashë që si të rinj na pelqenin Beatles dhe Albano dhe Romina Carridi. Personalisht më pëlqenin më shumë Pink Floyd, Scorpions, Doors, U2, AC/DC, etj., por nuk ishte as vendi dhe as momenti të ishe aq i hapur. Për më tepër Beatles ishin grupi që dëgjoheshin më gjerësisht nga të rinjtë dhe që shumë prej këngëve i këndonim çdo ditë. Pak muaj më parë kish pasur (për herë të parë në historinë e komunizmit) një koncert të Albano dhe Romina Carridi në stadiumin e Tiranës. Ndonëse pinjolli i Byrosë Politike të Partisë Komuniste nuk e ngriti si “problem ideologjik për të cilin duhej të thellohej dhe të merreshin masa sipas nenit 55 të agjitacion dhe propagandës”, gjithsesi u shpreh i mërzitur nga përgjigja dhe filozofoi, se duhet të rrimë në tabanin tonë dhe pse sillet një këngëtar i huaj në Shqipëri nuk do të thotë që të pëlqejmë muzikën e huaj mbi atë shqiptare. Së pari absurdi ishte në atë që njerëzit e zakonshëm ishin në botë krejt të ndryshme me ata që vinin për të bërë propagandë. Njerëzit nuk kishin bukë dhe ushqimet elementare, ndërsa ata që bënin mbledhje filozofonin që të rrimë tek muzika e vendit, e cila për më tepër ishte e censuruar dhe e politizuar saqë ishte fat i madh kur jepte Radio Tirana ndonjëherë kënget e papolitizuara si p.sh. ato të artistit Agim Krajka. Shkurt, Shqiperia ishte si në një teatër absurd, në skamje, vegjetim, e shumë propagandë.
Në fillim të këtij viti, ka ngjarje sporadike që dhanë idenë e protestës, kryesisht rrëzimi i bustit të Stalinit në Shkodër apo edhe në Kavajë. Si i mbani mend këto ngjarje dhe çfarë reagimi pati në Tiranë midis stuentëve?
Ngjarjet e Shkodrës dhe të Kavajës fliteshin nën zë dhe veç me njerëz të besuar. Duke qënë maturant në Tiranë informacioni ishte shumë i paktë (krahasuar p.sh. me studentët në Qytetin Studenti) pasi bazohej veç në një fjalë që dikush mund të kish dëgjuar dhe t’a thoshte nën zë. Gjithsesi qarkullonin barcaletat e Shkodrës, ku qytetari i kërkonte lulishtarit të mos e ujiste vendin ku kish qënë busti i stalinit se “mos na mbin prapë busti”. Në Tiranë u bënë përpjekje për të organizuar protestë të heshtur, por duke qënë se diktatura ishte e egër, ishte e vështirë të gje persona të besueshëm ku të pyesje për informacion të saktë. Protestat e heshtura në fillim të 1990 dështuan në Tiranë, pasi edhe ishin të paorganizuara mirë dhe me pjesëmarrje të kufizuar ndërkohë që kishte prezencë të shtuar policore dhe ushtarake.
Pas këtij momenti, 2 korriku hapja e ambasadave, është padyshim një moment i rëndësishëm në rrugën e rënies së sistemit komunist në Shqipëri. Çfarë efekti shkaktoi kjo ngjarje tek ju?
Më 2 korrik 1990 unë kisha organizuar mbrëmjen e maturës për shkollën “Ismail Qemali” tek Hotel Arbana. Ditët para 2 Korrikut kishin qënë të tensionuara dhe nëpër rrugët e Tiranes ishin parë policë të dhunshëm që nuk di pse quheshin sampistë. Godisnin pacipërisht të rinjtë që mund të kishin një palë pantallona për të qënë dhe ju kërkonin letërnjoftimin njerëzve në rrugë, dhe nëse nuk ishin nga Tirana atëherë i rrihnin dhe i çonin në polici. Në atë atmosferë të rëndë organizova mbrëmjen e maturës dhe u çudita kur që të gjithë maturantët erdhën. Veçse hoteli nuk pranonte të qëndronte hapur pas orës 22:00. Ishim duke festuar kur na erdhi lajmi se janë hapur ambasadat por nuk e besuam. E morëm më shumë si një provokim. Lajmin e konfirmuam veç të nesermen. Shumë prej shokëve ishin të dyzuar mes pyetjeve (i) të hynim apo të mos hynim edhe ne?,  (ii) do të ndërhynin me polici që t’i nxirrnin me forcë apo nuk do ndërhynin me polici, (iii) do t’i linin të shkonin jashtë apo do t’i mbanin brenda në ambasada si konserva peshku siç kishte mbi dy vjet që rrinin familja Popa tek Ambasada Italiane, (iv) çfarë mund të ndodhte me familjet përkatëse, dhe (v) a ishte më mirë të tentoje lirinë në vend të huaj dhe pa lidhje me familjet, apo duhej të rrinim me familjet dhe miqtë dhe të përpiqeshim të ndryshonim sistemin brenda vendit. Mitingu për të sharë ata që ishin futur në ambasada ishte i shëmtuar. Miting me detyrim, me apel në formacione. Për fat ne kishim mbaruar maturën dhe nuk na thirrën dot siç bënë me punonjësit e çdo ndërmarrje në Tiranë. Ata mijëra të rinj u shpallën “armiq dhe llumi i shoqërisë” si pa të keq, kur secili prej nesh e kishte menduar dhe mund të ishte aty me të tjerët. Të shaheshe me fjalët më fyese pse kërkoje liri dhe dinjitet njerëzor ishte pjesë e teatrit absurd ku jetonim.
Si u lexuan artikujt e Ylli Popës, apo Sali Berishës, nga ju të rinjtë. U konsiderua shpresë për liri apo më shumë provokim i sistemit?

Padyshim shumë të guximshme. Natyrisht bazuar në standartin e kohës ku jetonim. Atëherë njerëzit burgoseshin për një fjalë goje ndaj dhe të dilte hapur me një artikull ishte gjë shumë e fortë. Mesazhi kryesor ishte që frika po vritej. Po dilnin njerëz më trima dhe më të qartë.
Takimi i Ramiz Alisë me intelektualët dhe më pas ikja e Kadarese, janë dy moment të tjera që konsideroheshin shenja të rëndësishme të krisjes së diktaturës. Pra ngjarjet po shtoheshin dhe regjimi nuk po nxirrte kthetrat. Dukej provokim, dobësi e sistemit apo pamundësi për të reaguar?
Takimi me intelektualët në fillim na u duk si makiazh i vetë sistemit ku thërriteshin veç ata intelektualë që donte dhe tregonte që ata e mbështesnin sistemin, si të thuash një lloj deklarate vetëlavdëruese. Veç pas pak ditesh kur u mor vesh (gjithnjë nën zë) fjala e Berishës në atë mbledhje, ajo ishte si rrufe në qiell të hapur. Berisha kishte kërkuar heqjen nga Kushtetuta të nenit që sanksioninte monizmin, duke kërkuar që të ligjërohej pluralizmi. Kjo ishte shumë e madhe. Këtë nuk kishte guxuar njeri t’a kërkonte qysh prej vitit 1946 me arrestimet dhe ekzekutimet e grupit të deputetëve. Ishin burgosur dhe vrarë njerëzit sipas nenit 55 për agjitacion dhe propagandë edhe vetëm pse ishin ankuar se nuk kishte djathë në treg, imagjino sa e fortë ishte kjo kërkesë. Dhe kjo ishte kërkesë e drejtuar kreut të shtetit në mes të qindra intelektualëve.
Ishte interesante edhe shpjegimi që dha Kadare për situaten e krijuar në sallë kur Ramiz Alia ju ishte drejtuar intelektualëve që të flisnin, por të kishin parasysh se “armiku i jashtëm në bashkëpunim me armikun e brendshëm po bënin presion që të kërkohej pluralizëm politik në Shqipëri dhe kështu të rrëzonin komunizmin”. Kadareja tregoi se ky ishte provokim i hapur, që po të flisje diçka kundra, tregonte që ishte pjesë e komplotit mes “armiqve të jashtëm dhe atyre të brendshëm”.
Në këtë kohë, pra në shtator 1990, ju ishit student. Çfar mbani mend në atë kohë në bisedat midis jush, studentëve. A kishte guxim në këto biseda? Çfarë pritej, një lëvizje nga Ramiz Alia apo një reagim nga populli dhe studentët?
Mbaj mend që guximi ishte ngjitës. Pas fjalës së Berishës në mbledhjen e intelektualëve sikur u zgjuam nga gjumi. Filluan gjithnjë e më shumë të flisnim disi më hapur dhe me zë disi më të lartë në korridore se “është Partia e Punës kjo, jo e qefit”. Sikur frika po mposhtej. Nuk dihej fare çfarë pritej, as nga kush, as si, asgjë. Thjesht atmosfera po ngarkohej dhe njerëzit po zgjoheshin nga gjumi letargjik dhe po ndërgjegjësoheshin.
Në ata muaj të vjeshtës së vitit ‘90, sa gati ishin studentët për t’u përballur me regjimin?
Nuk mund të them se studentet ishin të gatshëm të përballeshin me regjimin, por kishte filluar të dëgjohej “Zëri i Amerikes” dhe intervistat e intelektualëve në to. Kishte më shumë ndërgjegjësim dhe vetëdije, ishin shtuar batutat e konsideruara “të rrezikshme” nga regjimi, por ende nuk kishte asnjë organizim dhe as nuk dihej çfarë do kërkohej. Po të shohësh edhe kërkesat e para të studentëve të lëvizjes së 8 Dhjetorit 1990 ishin të paqarta fillimisht.
Pa shkuar atje, në fund të nëntorit të këtij viti, diku nga data 25 nëntor, një letër e hapur iu drejtua kryeministrit të kohës, Adil Çarçani nga një grup studentësh. Kryesuesi i kësaj inisiative e konsideruar e  guximshme për kohën, ishte sekretari i rinisë së fakultetit të Inxhinierisë, Pandeli Majko. Si e mbani mënd këtë ngjarje dhe cili ishte efekti që shkaktoi tek studentët?
Nuk di të them gjë për këtë letër. Tani po e dëgjoj. Tingëllon pak si fletërrufetë komuniste, apo sajesat e tipit “me propozim nga poshtë dhe me vendim nga lart”. Fakti që nuk u dëgjua për këtë letër besoj që këtë tregon. Natyrisht pjesëmarrja në lëvizjet e Dhjetorit e nderon Majkon, por nuk mendoj që Pandeliu përfaqsonte palcën e qëndrimit studentor tek Inxhinieria. Kjo edhe po të kesh parasysh se studentët e Inxhinierisë kishin zgjedhur Spiro Curën e jo Majkon për t’i përfaqësuar në takim me Ramiz Alinë, por Spiro si natyrë e lirë dhe rrebele që është nuk e quante të vlefshme të shkonte tek Ramizi dhe i la vendin Pandeli Majkos. Të ishte për letra nga Pandeli Majko edhe sot e kësaj dite mund të vijonte komunizmi me të vetmin ndryshim që në vend të Ramiz Alise do kishim Evdin Ramën si sekretar të parë të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës.
Sa shpresa kishin studentët tek Ramiz Alia se do të ishte ai që do t’i jepte fund diktaturës?
Ardhja e Shtrausit dhe më pas e Gensherit kish zgjuar kërshërinë e të rinjve për ndonjë ndryshim pozitiv, por ato ëndrra u shuan shpejt. Kjo i hoqi shpresat që Ramizi do mund të hapte Shqipërinë me botën. Kish mendime të dyzuara nga studentët mbi rolin e Ramizit, por mbizotëronte ideja që ai ishte “as mish, as peshk” dhe që nuk kishte as mundësi dhe as dëshirë t’i jepte fund diktaturës.
Për më tepër me fjalën e vet në mbledhjen me intelektualët në verën e 1990 Ramiz Alia kish përdorur thashethemin e servirur nga sigurimi i shtetit se “armiku i jashtëm në bashkëpunim me armikun e brendshëm po sulmojnë Shqipërinë dhe kërkojnë të drejtat të njeriut, pluralizëm, e të tjera si këto”.
Në institutin e arteve kishte nisur një bërthamë antikomuniste. Mund të na rrefeni rreth këtij organizimi. Aty është protagonist edhe Edi Rama?
Nuk mund të thuhet bërthamë antikomunistë. Askush nuk dilte me parulla antikomuniste. Veçse duke pasur shpatullat me të ngrohta dhe lidhje më të fuqishme me zyrtarët komunistë, disa pinjollë të bllokut kishin mundësi të dëgjonin Beatles më hapur se studentët e tjerë. Për më tepër, vajtja jashtë shtetit ishte një privilegj që veç një grusht njerëzish e kishin gjatë komunizmit. Kontrolloheshin për çdo cen në biografi dhe nëse dilte gjë nuk lejoheshin të dilnin jashtë shtetit. Në ditët e para të dhjetorit Edvin Rama kishte marrë vizë greke (edhe pasaportë udhëtimi – gjë që nuk i jepej askujt pa lejën e organeve të diktaturës) dhe ishte në një vizitë turistike në Korfuz. Kjo ishte diçka e paimagjinueshme për kohën e komunizmit kur të vetmit të dilnin jashtë ishin kategorite e (i) nomenklaturës komuniste, (ii) shoferët dhe zyrtarët e tregtisë me jashtë, (iii) një grusht studiuesish të universitetit ose Akademisë së Shkencave dhe (iv) për trajtim mjekësor. Duke parë kategorite, i bie qe z. Rama ka qënë në kategorinë e parë, pra shumë i besuar i rregjimit komunist. Kështu që mendoj se është përrallë e stisur kjo, që kishte një bërthamë antikomuniste ku të ishte aktiv Rama. Për më tepër, Rama u fsheh dhe nuk ishte fare as në ngjarjet e grevës së urisë kur shumë pedagogë dhe studentë nga Artet ishin në grevën e urisë.
Mungesa në të dyja këto pika kulmore të lëvizjes studentore nuk besoj se flet për ndonjë qëndrim antikomunist. Për më tepër, gjatë ceremonisë së përkujtimit të festës së çlirimit 2013, Edi Rama si kryeministër futi në protokollin e shtetit Partinë Komuniste dhe fotot e Enver Hoxhes dhe nuk u distancua nga këto.
Shumë protagonistë të kohës kanë folur për tetë dhjetorin e ditët në vazhdim. Ju keni qënë student dhe ruani në kujtesë ngjarjet e atyre ditëve…
Protesta e studentëve filloi më 8 dhjetor, e shtunë në darkë vonë dhe duke mos jetuar në “Qytetin Studenti” nuk mora vesh gjë, por ditën më pas, atë të diel, kishim mësim për të zëvendësuar një ditë pushimi nga java e festave të nëntorit. Në auditor pashë që nuk kishte shumë studentë dhe mora vesh për protestat e një nate më parë, arrestimet dhe keqtrajtimet e disa prej pjesëmarrësve.
Nuk dinim çfarë ishte, kush e organizonte, a do vazhdonte lëvizja, por po atë ditë shkova tek “Qyteti Studenti”, ku takova një shok fakulteti, Dritan Koçia, të cilit ia dija bindjet dhe ai më tregoi për ngjarjet. Më pas, për ditë me radhë ndenja në “Qytetin Studenti”, duke shkuar në shtëpi vetëm për të fjetur. Pranë ndërtesës së konviktit u mblodhëm shumë studentë të vitit të parë, që nuk njihnim studentët më të mëdhenj, si Dritan Koçia, Sokol Elezi, Anila Resuli, Çiljeta Mitre, Alma Mema, Ardi Bakia, Ketrin Andoni, Gentian Hyka, Marjeta Çoku, Sokol Kalemi, por dhe nga Tirana si Argita Berisha, Rezarta Meço, Evis Gusmari, Arbër Misja, Elvin Kedhi, Blendi Vlashaj, etj. Mbaj mend që Dritani na solli dhe kemi firmosur shumë peticione, përfshi dhe kërkesën për krijimin e PD-së.
Mund të na i përshkruani në mënyrë kronoligjike këto ngjarje të atyre ditëve të para deri në shpalljen e pluralizimit dhe themelimin e PD-së?
Ne ishim studentë të vitit të parë, vetem 18 vjeçarë, ndaj nuk ishim ndër organizatorët. Por qysh me 9 dhjetor kemi qënë në Qytetin Studenti ku zhvilloheshin mitingje të mëdha spontane. Mbaj mend se më datë 9 dhe 10 Dhjetor studentët dhe banorët e Tiranës që vinin nga rruga kryesore ankoheshin për prezencë të policisë, që përpiqej t’i ndalonte të vinin tek Qyteti Studenti. Unë vetë banoja pranë ish-bibliotekës Karvanon (ish-kinemaja Ali Demi), dhe prej aty shkoja më shkurt tek Qyteti Studenti përmes përroit të Palpocit e kjo udhë e pashtruar dhe si shteg nuk kishte prezencë policie.
Folësit ishin të ndryshëm, pa ndonjë organizim dhe pa ndonjë përzgjedhje në ato që thonin. Shpesh jepnin dëshmi të dhunës së pësuar, të halleve që ishin përballur dhe kërkesave që kishin. U krijua një komision nismëtar i studentëve për kërkesat që do paraqiteshin, pasi regjimi e kishte paraqitur si protestë për kushtet e jetesës dhe ikjen e dritave. Kërkesat e këtij komisioni fillimisht ishin rrëmujë, ku përziheshin përmirësimi i kushteve të jetesës me ndëshkimin e atyre që ushtruan dhunë mbi studentët dhe dorëheqjen e Byrosë Politike a thua se do kish ndonjë ndryshim të madh që në vënd të Ramiz Alisë të vinte Kristaq Rama.
Të gjithë ne që u mblodhëm aty shumë shpejt, studentë, punëtorë, intelektualë dhe banorë të Tiranës vinim vetëm me një qëllim madhor “Liri – Demokraci”. Në rrinim gjithë ditën në ato pak hektarë tokë që Qytetit Studenti pasi gjatë atyre ditëve ai ishte i vetmi vend i lirë në Shqipëri. Nuk e di se sa shpejt, ndofta brënda ditës së 10 Dhjetorit, komisioni i studenteve ndryshoi renditjen e kërkesave që do paraqiteshin dhe kërkesa e parë doli kërkesa për pluralizëm politik. U prit me entuziazëm të paparë. Më vonë morëm vesh që Berisha i kish qartësuar, se cila duhej të ishte kryekërkesa që duhej drejtuar.
Natyrisht lista me kërkesat që do i paraqiteshin Presidentit Alia iu shpall studentëve paraprakisht, ndaj edhe Ramiz Alia ishte i parapërgatitur, kishte thirrur organet drejtuese të Partisë së Punës (më duket se kishte thirrur Aktivin e Komitetit Qendror të Partisë) ku pas shumë debatesh kishin vendosur të pranonin kërkesën e studentëve për pluralizëm politik. Ramiz Alia e kishte marrë miratimin për lejimin e pluralizmit nga udhëheqja e Partisë së Punës në paraditen e së njëjtës ditë (11 Dhjetor) kur gjatë mbrëmjes (në ora 18:00) disa dhjetëra studentë do shkonin në takim me të për t’i kërkuar pluralizmin. Alia kishte pranë vetes Skënder Gjinushin, Ministër i Arsimit në atë kohë dhe Lisien Bashkurtin, Sekretar i Përgjithshëm i Rinisë Komuniste në atë kohë dhe ishte deri diku në pozitë komode pasi kërkesa kryesore për çfarë po vinin studentët ai tashme ua konfirmoi vetë kur mori fjalën i pari. U mora vesh lajmin që Ramiz Alia kishte marrë miratimin e komunistëve për të lejuar pluralizmin qysh në mesditen apo në lajmet e orës 15:00 të TVSH aq sa fillimisht u vu në dyshim, nëse kish kuptim më që të shkonin studentët në takim kur çështja kryesore ishte arritur. Përfaqësia e studentëve u kthyen në mbrëmje rreth orës 19:30 dhe mes trumës që brohoriste konfirmoi që ishte pranuar pluralizmi politik. Fill pas kësaj, u njoftua me megafon se do mblidheshin për të diskutuar për emrin e partisë së rë që do krijonin studentët dhe intelektualët. Mesa mbaj mend, po atë mbremje, diku rreth orës 20:30 Berisha njoftoi me megafon se vendosën të krijojnë Partinë Demokratike si përmbushëse e aspiratave dhe kërkesave të studentëve që kërkonin demokraci.
Çfarë menduat për ata intelektualë që u gjenden pranë jush në atë shesh ku po projektohej rruga e mundimshme e Shqipërisë drejt demokracisë?
Prezenca e intelektualeve ishte inkurajuese pasi ishte si konfirmim i drejtësisë së kauzës sonë.Në fakt pati edhe ndonjë nga studentët e moshuar (që kishin ardhur me vonesë në universitet) që dëshironin të kishin një parti të veçantë të studentëve dhe që intelektualët le të krijonin partinë e vet, dhe me rradhë të gjithë të krijonin partinë e tyre. Por kjo ishte shumë e veçuar, e ngritur si tezë vetëm për të pasur ndokush një funksion momenti, por u shua menjëherë si ide.
Çfarë ju thoshte emri i Sali Berishës, Gramoz Pashkos, Arben Imamit, etj emra që u vunë shpejt në drejtimin e studentëve. Po Azem Hajdari, kush ishte për ju?  I zgjedhuri, apo ishte në vendin dhe kohën e duhur për t’u bërë hero i atyre ditëve?
Padyshim Sali Berisha ishte më i dëgjuari në publik, qoftë për dy artikujt e botuar dhe qoftë për fjalën e guximshme të tij në takimin me intelektualët. Berisha ishte shumë karizmatik dhe pritej si hero. Gramoz Pashkon e kishim dëgjuar në intervistë për “Zërin e Amerikës” dhe besonim që do ishte njeriu i duhur për ekonominë. Imamin e kishim të njohur vetëm nga filmat, por nuk dinim gjë tjetër. Ndërsa Azemi spikati brenda ditës. Nga një i panjohur në një udhëheqës i studentëve. Nuk ishte thjesht në vendin dhe kohën e duhur pasi të tillë ishin me dhjetra studentë që u ngritën të protestonin më 8 Dhjetor, por Azemi ndryshe nga dhjetra dhe qindra studentë të tjerë tregoi menjëherë guxim, kurajo dhe prerje politike si udhëheqës ku të tjerët mund të besonin dhe të mbështeteshin. Ishte karizmatik dhe mobilizues.
Berisha është njëri prej dy intelektualëve që u refuzua nga studentët kur foli në shesh, si e mbani mend këtë moment?
Nuk e kam degjuar këtë gjë dhe nuk besoj të jetë e vërtetë. Më duket më shumë si e stisur nga drejtoria e Sigurimit që çdo dite nxirrte nga një thashethem të pavërtetë dhe përpiqej t’a hidhte në qarkullim me shpresë për të ulur imazhin e figurave antikomuniste para njerëzve. Berisha konsiderohej dhe pritej si hero çdo ditë. Berisha ishte karizmatik dhe i vetmi që ishte i qartë në synimet politike paqësore. Disa nuk dinin çfarë ishte demokracia, pluralizmi, shteti ligjor, etj., Të tjerë si p.sh. Shinasiu (Rama), bënin thirrje për gjak dhe nuk mund të ishin figura që të përfaqësonin. Berisha ishte i vetmi që kishte dalë haptaz para gjithë të tjerëve, qoftë me dy artikuj në gazeta dhe qoftë në takimin me intelektualët dhe si i tillë kishte kredon morale. Kulisat e vockla që thureshin në zhvillimet brenda PD-së i ka treguar goxha këndshëm Mitro Çela (ne studentët nuk dinim gjë për to) por në publik figura kryesore ishte Berisha.
Cili ishte roli i studentëve në procesin e themelimit të PD-së?
Studentët ndezën shkëndijen e lëvizjes demokratike dhe u bënë mikpritës të takimeve për themelimin e PD-së. Disa studentë dhe pedagogë ishin në Komisionin Nismëtar të PD-së dhe më pas në Këshillin Kombëtar. Tani të gjithë janë mbi 40 vjeçarë dhe ose janë në profesionet e tyre brenda ose jashtë vendit, ose janë të angazhuar pranë PD-së apo partive të tjera politike.
Historia pak mujore pas themelimit të PD-së u shoqërua me probematikë kryesisht në raport me lëvizjet e studentëve, të cilat shpesh duken të ndara nga ato të PD-së. Në Institutin Bujqësor nisi një grevë. Si i mbani mend detajet dhe si u koordinuan lëvizjet me studentët e Tiranës?
PD mbështetej tek Qyteti Studenti dhe tek studentët. Nuk ka pasur problematikë me to. Mund të ketë pasur fërkime normale me personazhe që mund të donin të luanin më tepër rol politik aktiv, por jo fërkime me lëvizjet e studentëve.
Disa studentë si Shenasi Rama apo Blendi Gonxhe u identifikuan si protagonsitë të grevës së urisë. Ata ishin larguar ndërkohë nga aktivizimi në radhët e Komisionit Nismëtar të PD-së, për shkak të mosmarrëveshjeve apo për arsye të tjera. Si u gjenden ata në këtë lëvizje, e cila duket se nuk e pati miratimin e komisionit nismëtar të PD?
Ditët në prag të grevës ishin të mbushura me ngjarje politike. Mblidheshim rregullisht në Qytetin Studenti, ndonëse shpesh situata bëhej kaotike. Mbaj mend që në ditët e shkurtit 1991, një student më në në moshë (Sh. R.) që hiqej si ekstremist bëri thirrje për gjak, por me zgjuarsi, Azemi, tha haptas se “ata që bëjnë thirrje për gjak janë veçse provokatorë”. Ndonëse Azemi nuk i përmendi emrin, u kuptua haptas se kujt i drejtohej fjala dhe personi në fjalë u xhindos dhe e shau Azemin për spiun të sigurimit. Më pas morëm vesh se personi në fjalë ishte përjashtuar nga PD-ja si person që ishte përdorur si dëshmitar në gjyqet politike të diktaturës. Lëvizja studentore nuk ishte krijuar për të derdhur gjakun e atyre që mendonin ndryshe, por për të mundësuar që të kishim një shoqëri ku të bashkëjetonin të gjithë e të respektonin njëri-tjetrin, pavarësisht nga mendimet e njëjta apo të ndryshme. Thirrjet për gjak jo vetëm që do ngjyrosnin lëvizjen studentore si lëvizje banditësh, por do i jepnin qeverisë komuniste pretekstin për të sulmuar dhe dhunuar demokracinë e brishtë shqiptare, të kufizuar në “Qytetin Studenti”.
Sidoqoftë, cilat ishin arsyet që PD-ja nuk u pajtua menjëherë me grevën e urisë? Cilat janë detajet që ju mbani mend nga kjo grevë?
Nuk mund të them që nuk u pajtua, por e vërtetë është se nuk mori rol drejtues në këtë grevë. PD-ja po përgatitej për fushatë elektorale, të parat zgjedhje shumëpartiake që do bëheshin në Shqipëri vetëm një muaj më pas. Natyrisht si forcë politike e re duhej të përhapej në çdo qytet, ku njerëzit ishin ende të frikësuar, dhe jo të harxhonte kohë në Tiranë. Gjithsesi, shumë figura të PD-së ishin në grevën e urisë përfshi Ylli Vejsiun, ndërsa Berisha kishte vajzën e vet në grevë.
Nuk mbaj mend si doli ideja e parë, por di që shumë shpejt kërkesa për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës u përqafua nga studentët si diçka krejt e natyrshme dhe në frymën e zhvillimeve të atyre muajve. Nuk arrinim të mendonim që kjo kërkesë kaq e thjeshtë do kthehej në gurin më të rëndë të provës për regjimin komunist. Personalisht nuk besoja se do shkonte puna deri në grevë urie. Mendoja që do e hiqnin emrin në momentin e fundit. Çdo gjë u bë reale kur u njoftua me megafon se qeveria komuniste kishte refuzuar kërkesën e studenteve dhe se ftoheshin studentët të shënonin emrin për në grevën e urisë. Nuk pata asnjë mëdyshje kur shkova dhe shënova emrin; ndoshta për shkak të frymës elektrizuese të atyre ditëve, ndoshta edhe për shkak të shoqërisë dhe kurajës që i jepnim njëritjetrit. Mbaj mend që hyra me një shok një vit më të madh, Erlet Shehin, student i shkëlqyer i Biologji-Kimisë, i cili kishte përgatitur një tabelë me një frazë nga “Beatles”, “Give peace a chance”. Më pas me ne u bashkua edhe Argita dhe një shoqe tjetër e saj, Linda Shehu.
Kjo grevë çoi në rrëzimine bustit të Enver Hoxhës. Si e kujtoni këtë moment dhe situatën që shkaktoi pas, e kam fjalën për lindjen e “Vullnetarëve e Enverit”. Sa u rrezikua Shqipëria nga përplasja civile?
Ato ditë shkurti kisha qënë me kambale nëpër rrugë, por brenda në sallën e madhe ishte e vështirë të ecje rrotull me kambale e të kishe kujdes ku vije këmbën, ndaj i kërkova gjyshes të më sillte një palë këpucë të lehta të cilat ajo mi solli të nesermen më 20 shkurt 1991, qysh herët në mëngjes. Por pedagogët Ylli Vejsiu dhe Omer Stringa nuk lejonin asnjë komunikim me jashtë, pasi thonin mund të gjejnë pretekst sigurimsat. Iu drejtova me edukatë Prof. Stringës, duke i shpjeguar që ishte dita e tretë brenda në sallë që endesha me kambale dhe iu luta të më lejonte t’i këmbeja ato me një palë këpucë të lehta (ndoshta të vetmet që kisha asokohe) tek gjyshja që më priste tek dera. Por Prof.Stringa m’u drejtua me diçka të tipit “A je në vete? Sot ka gjasa që do na sulmojnë me policë me shkopinj gome dhe ushtarë me lopata xheniere. Mbaji kambalet që të kesh mundësi t’i gjuash mbrapsht ndonjë shkelm”. Sot ky arsyetim tingëllon sa qesharak aq dhe grotesk, por në ethet e asaj greve mua m’u duk shumë i arsyeshëm dhe falënderova prof. Stringën për sqarimin dhe i lidha mirë kambalet pas këmbëve.
Rrezimi i bustit te diktatorit ishte një revoltë e përshkallëzuar e banorëve të Tiranës që kishin fëmijet në grevë urie dhe regjimi komunist nuk pranonte të hiqte emrin e diktatorit nga universiteti i tyre. Ne ishim brenda në grevë të urise dhe nuk i dinim detajet, të cilat i morëm vesh me vonë. Kuptohej që po ndodhte diçka e madhe pasi atë ditë nuk ishin para ndërtesës ku qëndronim ne ato mijëra banorë të Tiranës që na jepnin kurajo dhe thërrisnin “Studentët janë heronj!” Atë mesdite ishim thuajse të vetëm me një shesh të zbrazur.
Disa studentë që po dëgjonin Radio Tiranën njoftuan për trazira në sheshin “Skënderbej” dhe rreth orës 14:05 që protestuesit kishin rrëzuar bustin. Diku rreth orës 14:15 erdhi një qytetar me biçikletë dhe me një dihatje të rënduar therriste me të madhe “e rrëzuan bustin!” Ne ishim tek dritaret e ndërtesës dhe nuk ju besonim veshëve. U gëzuam dhe përqafuam. Më pas pamë pamjet filmike me lëkundjen dhe rënien e bustit në lajmet e orës 15:00 të TVSH-së. Banorët e Tiranës e sollën bustin e rrëzuar të tërhequr pas një makine të madhe dhe mes një gëzimi të pamase dhe përqafimeve nuk di si dhe kush krijoi parrullën “E hoqëm qelbësirën!” ishte parrulla që elektrizoi gjithë sheshin.
Gjithsesi, formalisht studentët hynë në grevë jo për rrëzimin e bustit, por për aktin formal të heqjes së emrit dhe ndonëse u bë një festë e madhe në ndërtesë, përsëri u vendos të pritej derisa të dilte vendimi zyrtar për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti. Mes tingujve të haresë dhe festës u prit deri në mbrëmje kur erdhi njoftimi zyrtar për heqjen e emrit për shkak të “nevojave të reja, ndarjes në disa universitete…” e të tjera justifikime. Rreth orës 20:05 të mbrëmjes dolëm nën thirrjet “studentët janë heronj!”. Pashë mijëra qytetarë që gëzonin.
Fill pas grevës së urisë pati një pështjellim të madh. Pati një përpjekje donkishoteske për të rivendosur bustin e Enverit nga Shkolla e Bashkuar dhe organizimin e vullnetarëve të Enverit. Fillimisht ishim të gëzuar për heqjen e emrit nga universiteti dhe të busteve të diktatorit nga qytetet pasi hiqte frikën. Por kur pati përpjekje nga ushtarakët e Shkollës së Bashkuar për të sjellë bustin e diktatorit në shesh e morëm si një provokim. Krijimi i vullnetarëve të Enverit ishin skenare tipike të stisura nga sigurimi i shtetit “me propozim nga poshtë dhe me vendim nga lart”. Banorët e Tiranës e rrethuan Shkollën e Bashkuar dhe vërtet rrezikohej një konflikt civil. Rol shumë të rëndësishëm luajten Azemi dhe Abdi Baleta që shkuan brenda shkollës dhe i sqaruan që ky ishte një veprim kundërligjor dhe një skenar Grusht Shteti për të cilin organizatorët do përballeshin me drejtësinë. Ishte shumë e rëndëshime që u ruajt gjakftohtësia pasi situata mund të acarohej dhe të shkonte në lufte civile.
Nëse i bëjmë një analizë këtyre momenteve të rëndësishme në historinë e Shqipërisë,  cili mendoni se ishte roli i vërtetë i Ramiz Alisë, në lëvizjen studentore dhe a pati ndikim në formatimin e PD-së?
Ramiz Alia ishte dhe mbeti komunist deri ditën që vdiq. Ai i besonte filozofisë së tij dhe për fat të keq as nuk e hapi Shqiperinë me botën kur e kishte mundësinë dhe as nuk ndihmoi në krijimin e demokracisë në Shqipëri. Fundosja e ekonomisë dhe skamja e detyroi të lidhte marrdhënie diplomatike me Gjermaninë por edhe aty përsëri i refuzoi ndihmat Gjermane me parimet e çartura se “edhe bar do hamë por parimet nuk i shesim”. Ajo që është më e shëmtuara ishte se edhe kur shpalli ndryshime në legjslacion kinse kalimi i kufirit nuk do konsiderohej si “tradhëti ndaj atdheut” vepër penale e dënueshme me shumë vite burg, por vetëm kundravajtje që do dënohej me gjobë, me dhjetera të rinj qe u gënjyen nga ky ndryshim ligjor u vranë në kufinj dhe kufomat e tyre u përdhosën duke i tërhequr rrugëve me traktor.Të ishte për Ramiz Alinë dhe komunistët e tjerë sot do ishim ende duke i thurur lavde regjimit komunist.
Cilat janë arsyet që Alia konsiderohej aleat i studentëve dhe i PD-së në dhjetor ‘90, madje edhe muaj më pas deri në 31 mars 1991?
Nuk konsiderohej aleat i studentëve apo i PD-së. Sidomos me ligjet për mbrojtjen e monumenteve të Enverit me armë, që nxori në Shkurt 1991, ai tregoi që kishtë mbetur jashtë kohës dhe mund të vriste njerëz për të mbrojtur kukulla allçie apo bronxi.
Po roli i sigurimit të shtetit?
Nxjerrja e një shpifje dhe thashethemi të ri çdo ditë. Siç nxorën thashethemin se ngjarjet e ambasadave i kishin organizuar përfaqsitë e huaja diplomatike, edhe për ngjarjet e dhjetorit nxorën thashethemin se ishin fryt i bashkëpunimit mes “armikut të jashtëm dhe atij të brendëshëm”. Sigurimi u dobësua shumë me ngjarjet e vrullshme demokratike por nuk u shua. Puna kryesore e sigurimit ishte të nxirrte nga një thashethem çdo ditë dhe ta përhapte, pavarësisht se sa shpejt do kuptohej si shpifje dhe trillim. Edhe sot e kësaj dite shihen personazhe të Sigurimit që dikur i thurnin lavde diktatorit të jenë në pozicionin e botuesit apo pronarit të mediave dhe të trillojnë dhe shpifin për gjithkënd që duket se i prish planet apo pazaret e momentit.

No comments: