Sunday, November 17, 2013

Saimir Kodra: Nëse TCH mendon se i kam shkaktuar 16 milionë lekë dëm me ikjen time, jam gati të përballem në gjyq

Pak ditë para se Saimir Kodra të shfaqej në duetin e tij me Gentian Zenelajn në ekranin e “Agon Channel” me programin investigativ dhe argëtues “Ç’a Thu…”, televizioni “Top Channel” e paditi në Gjykatë Kodrën për zgjidhje të paligjshme të kontratës së punës si moderator i “Fiks Fare”. Në objektin e kësaj padie të paraqitur në Gjykatën e Tiranës më 7 nëntor sqarohet shprehimisht arsyeja e ngritjes së kësaj padie pas “konstatimit të zgjidhjes së paligjshme të kontratës së punës nga i padituri (Saimir Kodra) dhe mospërmbushjen e detyrimeve të tij, që rrjedhin nga kjo kontratë; Pra, detyrimin e të paditurit
të zbatojë marrëveshjen e ndalimit të konkurrencës dhe të paguajë shumën prej 1,612,224 (një milion e gjashtëqind e dymbëdhjetë mijë e dyqind e njëzet e katër lekë), si rrjedhojë e shkeljes së detyrimit të ndalimit të konkurrencës”. Në lidhje më këtë padi dhe çështjen që do të gjykohet nga gjyqtari Ervin Pollozhani, i pyetur nga gazeta “Panorama”, Saimiri u shpreh se: ”Ende nuk më ka mbërritur në dorë dokumenti i padisë për çështjen gjyqësore që ‘Top Channel’ ka hapur për mua. Por nëse ‘Top Channel’ mendon se i kam shkaktuar këtë dëm në para me ikjen time, atëherë jam gati të përballem në Gjykatë dhe të vendoset me gjyq vlera e dëmit që kam shkaktuar realisht. Mendoj që nuk ishte e nevojshme të bëhej publik lajmi që unë “Top”-it i shkaktoj dëm me ikjen time, pasi mendoj që manastiri ka rëndësi të jetë, se murgjit shkojnë e vijnë”, ka pohuar Kodra. Tashmë ai vazhdon punën e tij si moderator i përnatshëm i formatit “Ç’a thu” bashkë me aktorin Gentian Zenelaj, i cili vendosi të lërë “Apartamentin 2 xl” për këtë format. Ata nisën programin e tyre në “Agon Channel” këtë javë, dhe në puntatën e parë u shoqëruan nga një prej personazheve të njohur të televizionit italian të programit “Striscia la notizia”, Enzo Icchetti. Si Kodra, ashtu dhe Zenelaj, u larguan me dilema dhe shumë zhurmë nga programet e tyre. Saimiri vendosi të hiqte dorë nga “Fiks Fare” pas 12 vitesh dhe po ashtu Genti la “Apartamentin 2xl”, pjesë e të cilit ishte që në krijimin e tij në “Vizion Plus”. Dy miqtë, të cilët njiheshin që prej vitit 2000 nga puna e tyre në “Top Channel”, duket se janë kombinuar këndshëm në këtë program të ri, pasi shkëmbejnë me njëri-tjetrin batuta që tingëllojnë mjaft spontane.

No comments: