Saturday, November 16, 2013

Një fitore si e Pirros!

Nebil Çika
JO shqiptarë ndaj demontimit të armëve kimike është përjetuar si “feste” apo fitore e madhe nga të gjithë qeveria, opozita, shoqëria civile, media etj., e kanë nxituar të marrin autorësinë e kësaj “fitoreje” që në pamje të parë duket se ka vetëm “fitimtarë”. Pyetja pa përgjigje në këtë “betejë” të çuditshme “fitimtaresh” është: Kush është humbësi?
Si në çdo përplasje apo betejë politike, shoqërore apo ushtarake, ka fitimtarë e humbës, por në betejën shqiptare për armët kimike siriane këta të fundit duket se nuk ekzistojnë të paktën publikisht.
Thua të jetë vërtetë kështu ?! “Beteja” shqiptare për armët kimike siriane që zgjati pothuaj një javë përfundoi me deklarimin “Jo” të qeverisë pas një fjalimi të gjatë të shkaktarit kryesor të gjithë kësaj historie groteske, Kryeministrit Edi Rama i duartrokitur çuditërish nga ata që kishin dalë për disa ditë në rrugë për të ndalur “marrëzinë” e tij. Mijëra njerëz kryesisht të rinj mes tyre edhe fëmijë u ftuan të linin bankat e shkollave dhe punët e tyre (nëse kishin një të tillë) për të ndalur rrezikun e armëve kimike që z. Rama dhe qeveria e tij po i sillnin Shqipërisë. Një pjesë e mirë e tyre nuk e dinte çfarë ishin armët kimike siriane e megjithatë organizatorët ende anonimë arritën të krijojnë një lëvizje që detyroi qeverinë të thoshte “Jo”, ndërkohë që i kishte kohë që i kishte thënë “Po” miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët në mirëbesim kishin ndërtuar edhe strategjinë e një aksioni të madh ndërkombëtar siç është shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë, të cilën sigurisht që e ndryshuan pas tërheqjes së Shqipërisë.
Me pak fjalë gurguleja shqiptare e armëve kimike siriane solli efekte negative jo vetëm në Shqipëri, por edhe te mite e aleatët tanë aq të rëndësishëm e të domosdoshëm. Për mënyrën se si u zhvillua protesta dhe gjithë historia shqiptare e armëve kimike mund të gjenden shumë dyshime e enigma për qëllimin dhe produktin e sajë të shprehur me së miri në përfundimin vetëm me “fitimtarë” të saj se shumë media e politikanë nxituan ta cilësojnë si “fitore historike”. Lëvizja kundra armëve kimike siriane dhe komentet e analizat rreth saj ishin sa të paqarta aq edhe dyshuese, ndërkohë që përcaktimi si “fitore historike” e të gjithë palëve një hipokrizi kolektive që në fakt synon apo tenton të mbulojë të vërtetën e kësaj beteje pa humbës të përcaktuar publikisht. Por a kishte humbje dhe të humbur kjo betejë “historike”?!
Sigurisht që po si njëri prej atyre që nuk ndjehem pjesë e fituesve euforike mendoj se “fitorja” shqiptare ndaj armëve kimike të Shqipërisë ishte: “një fitore si e Pirros”. Them kështu, pasi mendoj se fitorja dhe humbja për Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë betejë ishin në të njëjtën masë për mos thënë në favor të kësaj të fundit. Përtej idiotësisë mediatike se fituam një lëvizje qytetare, një Shqipëri tjetër etj., unë mendoj se e vetmja gjë që fituam ishte mosardhja e armëve kimike siriane në Shqipëri, një zhvillim më shumë i aspektit teknik, i cili mund të ishte shmangur pa gurgulenë që amplifikoi në akuza një çështje që e shkaktuan vetë shqiptarët me zgjedhjet dhe përcaktimet e tyre aktuale e historike politike e shoqërore.
Të gjithë e dinë se kjo nuk do të kishte qenë fare çështje, madje sa do të ishte marrë vesh kurrë nëse Kryeministri i vendit nuk do të kishte premtuar apriori një sipërmarrje që nuk ishte as në kompetencën e as në dëshirën e tij. E gjitha nisi, ndoshta e planifikuar, nga një arrogancë e kreut të qeverisë që tentoi të kthente në pazar politik e personal të një angazhimi ndërkombëtar të vendit mbajtja sekret e të cilit e intrigoi edhe më shumë situatën, duke u dhënë mundësi shumë interesave, rrymave e grupimeve të ndryshme t’i përgjigjeshin në të njëjtën mënyrë të pandershme kreut të qeverisë e të manipulonin situatën në kërkim të realizimit të qëllimeve të tyre. Situata hermetike që zoti Rama krijoi me heshtjen e tij, çoi në spekulime e mashtrime nga bashkëpunëtorët dhe media afër tij që demontimi i armëve kimike siriane në Shqipëri ishte një kërkesë apo kusht i NATO dhe i SHBA një veprim i dyshimtë që synonte justifikimin e kreut të qeverisë dhe ngecjen e fajit partnerëve euroatlantikë dhe sidomos orientimin e zemërimit të turmave drejt tyre gjë që edhe ndodhi me protestën tek ambasada e SHBA dhe thirrjet kundër saj dhe NATO-s e një pjese të tyre para kamerave një lajm që bëri xhiron e botës dhe tronditi fort opinionin publik shqiptar.
Miqësia shqiptaro-amerikane e shenjtë për shumicën e shqiptarëve u vu në dyshim dhe u kris për shkak të një veprimi të pamoralshëm të Kryeministrit dhe manipulimit të situatës të mundësuar nga mungesa e transparencës së qeverisë. Me gjithë përbetimin e palëve për vazhdimësi të miqësisë shqiptaro-amerikane situata e krijuar me protestën antiamerikane tek ambasada në Tiranë ka efektet e saj dhe besoj se ishte një provë për antiamerikanët shqiptarë dhe mbështetësit e tyre të huaj. Besoj se, kjo përpjekje e pastër për të goditur marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ishte më e keqja e përfituar nga historia shqiptare e armëve kimike siriane në sajimin e së cilës palët kanë kontribute të konsiderueshme. Besoj se kjo lojë me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane fillon që me premtimin apo më mirë të themi me mashtrimin që Kryeministri u bëri miqve nga SHBA për përfshirje të Shqipërisë në procesin e demontimit të armëve të Sirisë, gjë që nuk mund ta bënte pa marrë më parë mbështetjen qeverisë e Kuvendit, Presidentit etj., me të cilët, të paktën sipas njoftimeve të deritanishme, nuk ka biseduar për këtë çështje.
Fakti që shqiptarët e morën vesh nga media e huaj atë çfarë kishte marrë përsipër Kryeministri i tyre, ndërkohë që media shqiptare u injorua tërësisht, ishte shumë tronditës. Pas kësaj situate, akuzat e Kryeministrit Rama ndaj një pjese të medias për manipulim të opinionit publik ngjan shumë fyese dhe të pavërtetë, pasi ishte ai që shkeli të drejtën e informimit të publikut si e drejtë themelore e njeriut. Por siç thashë edhe pjesa tjetër ajo e protestuesve nuk duket edhe aq e pafajshme në veprimet e saj. Kur falas për protestuesit kam parasysh drejtuesit dhe organizatorët e tyre dhe jo masën kryesisht adoleshentë dhe fëmijë. Drejtimi i turmës kundër ambasadës amerikane është një veprim e përgjegjësi e tyre. Sot, një pjesë e tyre distancohet nga ky veprim, por kur ndodhi kjo askush nuk bëri thirrje apo veprime të tjera për ta penguar, shpërndarë apo edhe distancuar prej saj në kohën, kur ajo ndodhi e pamjet e saj bënë xhiron e botës. E kam bërë edhe herë tjetër pyetjen: përse demonstruesit nuk shkuan edhe tek ambasada e Rusisë apo e Kinës, që janë përgjegjëse po aq sa SHBA-të si autore të marrëveshjes për armët kimike të Sirisë?
Përgjigja e kesh pyetje shpjegon qartë qëllimet e organizatoreve të protestës, por nuk është i vetmi argument i drejtimit të majtë të sajë. “Shumë nga protestuesit kanë qenë në krah me mua në protestat e PS-së”, tha në fjalën e tij Edi Rama, një e vërtetë e verifikuar lehtësisht si e tillë. Një nga bashkëpunëtorët e afërt të zotit Rama, ministri Erion Veliaj bëri një pohim tjetër domethënës: “Mburrem që në krye të protestave është “MJAFT” një OJF të njohur për qëndrime të forta majtiste e themeluar dhe drejtuar prej tij. Një fakt interesant që vërteton orientimin e majtë të protestës ishte përgjigja e një prej drejtuesve të saj ndaj një provokimi të Fahri Balliut në emisionin Opinion: “Nuk jam kundër Ramës, por në mbështetje të tij për të thënë “Jo”, tha ai, duke sjellë edhe një tjetër argument të fortë mbi dyshimet për qëllimin kryesor të protestës që më shumë se as armët kimike synonte të instalonte një frymë antiamerikane farën e së cilës besoj se e ka hedhur. Mendoj se padashje natyrën e protestës dhe qëllimin e saj e përcaktoi një prej aktivisteve të njohura të saj, deputetja e PD, Mesila Doda.
Zonja Doda e krahasoi atë me lëvizjet marksiste e anarkiste të rinisë në Evropën Perëndimore në vitet 1970, lëvizje të organizuara e sponsorizuara nga ish-Bashkimi Sovjetik, mbeturina të të cilit mund të jenë edhe pas protestës shqiptare, gjë që mund të shpjegojë edhe natyrën apo tendencën antiamerikane e anti-NATO të saj. Në fjalimin e tij zoti Rama u përpoq që natyrën, frymën antiamerikane të protestës t’ia faturonte opozitës, por edhe në këtë pikë faktet duket se janë kundër tij. E konsideroj gabim pjesëmarrjen fizike në protestë të liderëve të PD që çoi në një incident të pakëndshëm i zotit Basha e zotit Berisha me një prej drejtuesve të sajë, gjë që përdor nga qeveria si argument kundër saj. Por një ditë më parë, bashkëkryetari i qeverisë që donte të sillte armët kimike, Ilir Meta, u fut në mes të protestuesve para Kuvendit ku drejtuesit e tyre i dhanë mundësinë të mbante edhe një fjalim e askush nuk i kërkoi të largohej për faktin, se protesta ishte “e depolitizuar”, gjë që një ditë ja kërkuan drejtuesve të opozitës edhe pse ata mbështetën protestën dhe veçanërisht nuk ishin përgjegjës për armët kimike.
Ky fakt tregon qartë se pas kësaj proteste nuk ishte opozita, por e majta e ndoshta edhe vetë zoti Rama me njerëzit e tij, gjë që i ngarkon ata edhe me përgjegjësinë e frymës antiamerikane dhe sidomos organizimin e protestës tek ambasada e SHBA. Nëse zoti Velia mburret që në krye të protestave është “Mjaft”, atëherë i bie të dije edhe kush e pse i çuan protestuesit tek ambasada amerikane e ndoshta e ka pjesë të mburrjes edhe këtë. Por, pavarësisht mospërfshirjes drejtpërdrejtë në protestë besoj që edhe pala amerikane ka hisen e saj të përgjegjësisë në këtë gurgule antiamerikane. Mendoj se, raportet e tyre me ish-komunistët shqiptarë janë shkak i qenësishëm i zhvillimeve të tilla negative në marrëdhëniet midis dy vendeve.

No comments: