Thursday, November 28, 2013

Letra e 1907, Akuzat e Dervish Himës për Gurakuqin, Currin e Topullin

Fatmira Nikolli

Një kartë postale e Dervish Himës dërguar nga Brukseli më 8 nëntor të vitit 1907 Nikolla Ivanajt, hedh dritë mbi marrëdhëniet mes atdhetarëve më në zë të kohës. Patrioti nga Ohri, Hima, i njohur ndryshe edhe me emrin Ibrahim Mehmet Naxhi, duket se nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Bajo Topullin, Luigj Gurakuqin dhe Bajram Currin. Në fakt, në letrën që po botojmë me faksimile, Topulli e Curri shkruhen vetëm si emra, ndërsa
Gurakuqi përmendet vetëm me mbiemër. Mes radhëve përmendet edhe Faiku, pa u sqaruar nëse bëhet fjalë për Konicën, ashtu sikundër mund të mendohet. Dokumenti në fjalë është marrë në Arkivin Qendror të Shtetit (Fondi 44, dosja 21, fleta 92), ndërsa kartela orientuese e institucionit sqaron me këto fjali përmbajtjen dhe domethënien e letrës: Kartë postale e Dervish Himës dërguar Nikolla Ivanajt, ku ndër të tjera bën akuza kundrejt elementëve demokratë, si Bajo Topulli, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, dhe kërkon të dijë ku ndodhet Hilë Mosi.
Një tjetër letër tek e cila mund të ndalemi, është ajo e Gurakuqit për Jani Vruhon. Ish-ministri i Arsimit e firmëtari i deklaratës së Pavarësisë, shkruan se është treguar pak i rreptë me Abdyl Ypin (atdhetar, pjesë e Kongresit të Manastirit). Kjo letër, faksimile të së cilës po botojmë, është marrë në Arkivin e Shtetit (Fondi 22m, dosja 7/1, fleta 192).
Letra e Dervish Himës për Nikolla Ivanajn
Bruxelles më 8/ XI. 07
I dashur vëlla
Mora postëkartën tane dhe u gëzuash shumë.
Bajo (ghinet? e palexueshme mbase gjindet-gjendet në kuptimin është) në Napoli dhe pagon odën 7 ½ për ditën. (Ai?) më shkruan andej ky neri asht pa turp e i prishur mendsh.
Faiku ka shkruar dhe ka për të shkruar keq.
Tash për tash, nuk du me i shkru as keq as mir për atë nerin dhe aq për Gurakuqin.
Bajrami mëson italishten për me kuvenu ma mir në galerin Humberto I në Napoli me grat e udhës.
Do të jetë fort mir për këtë nerin le të këput qafën dhe le të hyn në Shqypnin.
Në Shcypni asht digjuar se ky neri harxon të hollat me (theatre?) dhe ...
Në vend që të dalë nami i keq në Shcypëni asht fort mir me i dal shpirti.
Shkruaj mua, kush ky Nicolla Laco.
L'Albanie ka për të dal me 60 face po po (prit?) të holla prej (shtëpie?). Kam shkruar ghërra të pëlcyeshme.
Ah! Or vëlla lypset ce të picemi në herë. Po shicioj se je neri energique dhe i punës.
(Yti, Dervish. Hil Mosi ku asht?)

Letra e Gurakuqit nga Nica e
Francës për Jani Vruhon në Egjipt
Nicë, më 8/7/1912
I dashur zoti Vruho!
Ka shumë kohë që nukë jemi shkruar, po të më besoni se kam mbajtur kurdoherë, një kujtim t'ëmbël për juve, sidmos ngaqë ju kuptonj nga shkrimet për një atdhetar të flaktë, të drejtë, zëmrëhaptë, ashtu si duhet të jenë sot shqipëtarët.
Mund të kuptoni pra sa e pëlqyeshme, m'erdhi karta juajë me përgëzimet për letrën e hapurë që bëra Abdyl bej Ypit, për të cilën edhe shumë të tjerë më kanë rrëfyer kënaqësiën e tyre.
Ndofta u tregova tepër i ashpër, por nuk mund t'u përmbajta më, e shkrova si shkrova.
Do t'a keni kënduar edhe tjatrin artikull tim të nënshkruar Lek Gruda, sot dërgova një të tretë nën titullin "Shkatërrimi i Turqiës".
Nesër do të nisem për Geneve ku kemi mbledhje e pastaj, do të vete të zë vendin tim pranë kryengritësvet që mbajta për pesë muaj vitin që shkoi.
Të fala juve, Tashkos (e pakuptueshme) e miqvet.

No comments: