Friday, November 22, 2013

Lamtumirë Koli!

Nga Arben Vata
Kur edicionet tona informative të televizioneve dhe faqet e gazetave mbushen përditë, për fat të keq, me njoftime për aksidente automobilistike me pasojë vdekjen, dhimbja është njerëzore dhe e njëjtë si kur vdes një fëmijë, i ri, i moshuar apo edhe një politikan apo njeri tjetër publik. Por ndërsa në rastet e para dhimbja është familjare dhe e shpërndarë në një rreth të caktuar shoqëror dhe miqësor, në rastet kur viktimë e një aksidenti bëhet një politikan apo njeri me profil të lartë publik, edhe dhimbja është më e gjerë dhe e thellë.
Jo se jetët njerëzore nuk vlejnë të gjitha njëlloj, por për shkak të faktit se njeriu publik apo politikani kanë në karrierën e tyre komunikime më masive me njerëzit dhe po ashtu edhe kontribute të caktuara për të gjithë shoqërinë, edhe dhimbja merr një përmasë tjetër.
E tillë ishte ajo e djeshmja për Sokol Olldashin. E tillë ka qenë 5 vjet më parë edhe për Dritan Hoxhën, Presidentin e “Top Channel”, një njeri publik që, pavarësisht se nuk preferonte shumë të dilte në ekran, themeloi një media që në atë kohë revolucionarizoi transmetimet televizive në Shqipëri. Edhe për Tanin, njerëzit u derdhën nëpër rrugët e kryeqytetit për ta përcjellë për në banesën e fundit. Edhe dje për Kolin, në selinë e Parlamentit u derdhën njerëz nga Shqipëria për t’i bërë respektet e fundit. Mijëra njerëzit e mbledhur dje në Tiranë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Kolit, do të kishin dashur t’i thoshin atij fjalët e fundit. Shumë prej tyre i shkruan ato te libri i ngushëllimeve, por më shumë akoma nuk patën mundësinë që t’i shprehnin atij nderimin dhe respektin për aq kohë sa ishte mes nesh. Nuk ndodhi kjo, pasi Koli u tregua i pabesë me ne. Ai iku shpejt, e mori shumë me nxitim kthesën që e çoi drejt vdekjes. Por gazetarët që e patën atë koleg, shok e mik, e kanë privilegjin që në këto raste fatkeqësish, jo vetëm ta bëjnë këtë, por nga ana tjetër edhe të shprehin kritikën e qytetarëve ndaj të gjitha qeverive për pasigurinë në rrugët tona.
Vërtet politikanët bëhen bashkë në dhimbje dhe zi në këtë rast, si dhe në të tjera fatkeqësi, por si mundet vallë që menjëherë pas kësaj gjithçka harrohet? Kush mund të thotë çfarë është bërë për problematikën në aksin Vlorë-Sarandë afër ‘Qafës së Vishës’, ku në majin e vitit të kaluar nga rrëzimi i një autobusi me studentë të Elbasanit vdiqën 13 të rinj dhe u plagosën shumë të tjerë?! Asgjë! Kush ka kaluar së fundi drejt Himarës e ka vënë re se as ndërhyrje nuk është bërë në këtë pjesë të rrezikshme të rrugës dhe as parmakët mbrojtës aty si dhe në pjesën tjetër të rrugës nuk janë forcuar. E njëjta situatë dhe rrezik edhe në Fushë-Arrëz, ku pak vite më parë viktima ishin nxënës të Kosovës që vinin për turizëm në Shqipëri. E njëjta situatë dhe frikë për të udhëtuar edhe në aksin e papërfunduar Tiranë-Elbasan, aty ku edhe Koli pati udhëtimin e tij të fundit mbi tokë.
Pavarësisht kushteve shumë të këqija të motit, shpejtësisë së udhëtimit, mungesës së ndriçimit, kthesa ku Sokoli mori rrugën drejt largimit prej nesh, është një nga kthesat e shumta të rrezikshme dhe pa paralajmërim të kësaj rruge të ndërtuar 80 vjet më parë. Kthesa vdekjeje që kanë larguar nga jeta shumë e shumë njerëz. Dikush mund të thotë se Sokoli ishte ministër për rrugët dhe ka të drejtë në këtë konstatim. Por vetëm ai të paktën nuk mund të fajësohet si njeri që neglizhoi situatën dhe sigurinë e rrugëve në vend. Ai ka shkuar në çdo cep të vendit, inspektuar dhe ndjekur ecurinë e punimeve apo riparimeve të çdo rruge, ditën e natën. Por Koli nuk mund të rregullonte çdo problem dhe defekt në rrugë të trashëguara nga e kaluara dhe aq më tepër ta bënte këtë me paratë e veta.
Gjithkush e di që fondet më të mëdha në këto vite kur ai ka qenë ministër i Transporteve kanë shkuar për investime në rrugë të reja dhe vepra të rëndësishme të tjera publike dhe thuajse aspak në riparimin e defekteve “të vogla” të rrugëve anekënd vendit. Kthesa që mori Kolin në Krrabë, duhet të jetë krraba që do t’u rrijë në qafë atyre që marrin vendime për jetën dhe sigurinë tonë, që aksidente të tilla të mund të parandalohen, qoftë edhe me vendosjen e sinjalistikës, ndriçimit të duhur apo edhe parmakëve, të cilat së bashku mund të kishin bërë që Koli të ishte edhe sot mes nesh. Duke udhëtuar sërish shpejt…por drejt projekteve të rëndësishme të jetës së tij, e cila u këput papritur në mes. Lamtumirë miku im. U prehsh në paqe!/Mapo Online/

No comments: