Tuesday, November 5, 2013

A rrëzohet kryeministri apo shkatërrohen monopolet?!

Dy deputetë të PS-së flasin hapur, kurse Luan Bregasi sa nuk “bërtet” për luftë ndaj biznesmenëve që kanë kapur krejt shtetin
 Të gjithë jemi të bindur se suksesi i qeverisjes së Edi Ramës do të jetë mbajtja e premtimeve. Pjesë e këtyre premtimeve është lufta kundër korrupsionit. Qytetari shqiptar dhe organizmat ndërkombëtare presin nga kryeministri Edi Rama që të jetë i pamëshirshëm në luftën kundër korrupsionit, qofshin këta ish-ministra, ish-drejtues doganash, tatimesh, apo ministra aktual.

 Edi Rama, si opozitar ka qenë kritik ndaj qeverisë së Berishës duke e akuzuar se: “... qeveria e nxori Shqipërinë në një ankand ku me vendime e ligje të qepura enkas, pasuri të panumërta i kanë kaluar blerësit të paracaktuar më parë... Janë kusuret e një grabitjeje të realizuar përmes vënies së qeverisë së Republikës në shërbim të interesave të qeveritarëve dhe përmes rrënimit të institucioneve të shtetit...”.
Dhe për çudinë e të gjithëve debati i ashpër aktualisht është zhvendosur midis vetë deputetëve të Partisë Socialiste, kur do të votohej Kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Me sa duket, beteja e monopoleve të biznesit nuk është thjesht batuta midis politikanëve me njëri-tjetrin, por interesa madhore biznesi. Këtë e vërtetojnë deklaratat e forta të deputetit Erjon Braçe dhe Tom Doshi në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Deputeti Doshi ka folur “pa doreza” dhe ka qenë i drejtpërdrejtë siç di të jetë ai, duke guxuar t’i drejtohet kryeministrit Rama hapur e pa frikë. Ndërsa deputeti Erjon Braçe që ka një arkiv të bollshëm më bëmat e qeveritarëve të Berishës, këtë radhë ka drejtuar shigjetat edhe tek kreu i Gjykatës Kushtetuese duke e akuzuar për çështjen e ngjyrosjes së karburanteve, duke theksuar se “...ky gjyqtar që ka ndikuar dhe në vendimmarrje në Gjykatën e Kushtetuese, këtë herë për këtë çështje vendimi i marrë apo që është shpallur ka qenë drejtpërdrejtë në interes të një kompanie, e cila mbetet okulte dhe sot e kësaj dite dhe që përfiton nga ky koncesion të paktën 20 milionë dollarë në një vit vetëm nga tarifa-taks kombëtare”.
Më tej, deputeti Braçe ka qenë i ashpër duke argumentuar se kjo kompani, për shkak se ngjyros dhe karburantin që prodhohet në vend dhe nga kompani të tjera, përfitimi i kësaj kompanie është 300 milionë dollarë në vit. Më i ashpër ka qenë kryetari i shoqatës së “Business Albania”, zoti Luan Bregasi, i cili ka theksuar se: “Vetëm në Shqipëri kanë ndodhur absurditete të tilla, një kompani (“Stream Oil”, 35 milionë dollarë pa paguar) që ka marrë një pasuri kaq të madhe siç është nafta, të mos paguajë asnjë lek tatim-fitimi. Përse e ka dhënë shteti këtë koncesion?”, - pyet me të drejtë z.Bregasi, i cili akoma nuk ka gjetur përgjigje konkrete nga qeveria e re e Edi Ramës. Akuzat e zotit Bregasi janë të drejtpërdrejta dhe pa ekuivoke, i cili akuzon se politikanët shqiptarë janë të përfshirë në këto afera. Kryetari i “Biznes Albania”, zoti Bregasi thekson se: "Këto të ardhura shkojnë në kanalet private dhe nëpërmjet tyre edhe në xhepat e politikanëve, qeveritarëve. Kjo është një goditje shumë e madhe që i është bërë edhe sipërmarrjes private".
Këto deklarata zyrtare të deputetëve të lartpërmendur kanë nevojë që zyra e Prokurorisë t’i marrë për hetim. Nga ana tjetër, nëse politika e mazhorancës është e sinqertë se do të luftojë monopolet në vend, Qeverisë së re i lind detyra në mënyrë urgjente t'i rishikojë të gjithë koncesionet se aty janë burimet që mund të rrisin të ardhurat në buxhetin e shtetit. Ky rishikim nuk duhet të bëhet për t’ia hequr koncesionin padrejtësisht një biznesmeni të djathtë për t’ia dhënë një të majti, por të synohet objektivitet në të mirë të publikut dhe zhvillimit të vendit tonë. Natyrisht, kjo nuk është një betejë e lehtë. Kjo është në radhë të parë një betejë midis vetë politikës. Kjo është një betejë midis politikës dhe monopoleve, kryesisht të krijuara nga vetë politika. Kjo është një betejë e Edi Ramës për të treguar se “Rilindja” e tij e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit. Dhe mbi të gjitha kjo është një betejë e drejtësisë që kërkon guxim dhe kurajë për të triumfuar ndaj korrupsionit.
Strategjia e Edi Ramës për të luftuar koncesionet e paligjshme nuk duhet mbetur në letër. Edi Rama, shpreh siguri se “dosjet janë të blinduara”, pikërisht për këtë qëllim, Ai nuk duhet të presë sa të krijojë Byronë Kombëtare të Hetimit, por duhet me “këto dosje” të godasë sa më shpejt korrupsionin.
Kryeministri Rama gjithçka e bën për ato që thotë, por vetëm në një gjë do të shikojmë nëse e bën siç e thotë: shkatërrimin e gjithë monopoleve të blinduara në Shqipëri. Mundet t’i rrëzojë, por mundet edhe të rrëzohet qeveria e tij përballë këtyre monopoleve!

No comments: