Saturday, October 5, 2013

Erla nuk qan më për Berishën

Mira Kazhani
Gjithmonë kam besuar se ajo ka një sekret, një formulë a kod që ia del të bëjë për vete të djathtë e të majtë bashkë. Erla Mëhillin e kam parë për herë të parë në foltore si zëdhënëse e Sokol Olldashit. Ishte ndryshe nga zëdhënëset që ishim mësuar të shihnim. Në kohë të Nanos mbisundonin meshkujt, ndërsa ato pak femra nuk shquheshin për ndonjë sharm të madh. Erla ishte nga ato vajzat e veshura me shije, pa ngjyra të forta, madje e mbisundon bezha, e zeza dhe bluja. Në rastin më të mirë ka një laps në sy dhe flokët
nuk janë lyer kurrë në jetë. Ka një bukuri me kripë, do thoshte nëna ime, e cila vdes për Erlën, dhe jo vetëm ajo, kam dëgjuar e lexuar shpesh nëpër blogje që e duan. Dhe të jesh zëdhënësja e një njeriu si Sali Berisha të duhet shumë punë, fat dhe pak magji që njerëzit mos të të urrejnë. Kjo sepse Berisha nuk është një lider i thjeshtë, jeta e gjatë në pushtet e bëri atë herë më të dashurin dhe herë të urryeshmin. Është një ditë e ngrohtë vjeshte dhe me Erlën takohemi diku rreth orës 10 e 30 të paradites. Është e veshur si gjithmonë me ngjyrat e saj, dhe në duar i dalloj një unazë me 5 diamante, pak a shumë si ajo e Scarlet Johanson, e cila ka 1 muaj që nxjerr unazën në çdo foto të saj. E pyes nëse unaza është dhuratë e Keltisit (deputet i PD) dhe ajo e sinqertë si një fëmijë më rrëfen se ai vetëm e ka paguar dhe se zgjedhjen e ka bërë vetë ajo. Nuk ka pak ditë që është kthyer në Tiranë nga Italia, ku kaloi disa ditë pushime me partnerin e saj. Pushimet më të gjata ndoshta që nga koha kur ishte zëdhënëse pranë ish kryeministrit Berisha. E pyes nëse po vazhdon ende në njëfarë forme të jetë afër doktorit.
-Po, më tregon ajo. Do të vazhdoj të bashkëpunoj me Berishën dhe të kuroj anën mediatike të tij.
Kur ta kërkoi një gjë të tillë?

-“Jo, nuk patëm asnjë bisedë për këtë. Thjesht u kuptua që unë do të vazhdoja pranë tij.
Po ai nuk është më kryeministër? – e pyes unë Erlën, duke e ngacmuar pak me shpresën se nuk do shkrehet në vaj si atë ditë të fundqershorit.
-“Kryeministër nuk është më, dhe as kryetari i PD-së nuk është, por për mua ai është pika e referimit dhe e orientimit e PD-së, Mira, nuk mund të jetë në pension Berisha. Ai është aktiv, energjik dhe e do shumë parlamentin, parlamentarizmin në përgjithësi.
-Ta ka thënë vetë ai që e do Parlamentin?

-“Po, po, ai ma ka thënë vetë…Kam përshtypjen se ai nuk e kupton jetën e tij pa Parlamentin, politikën, atë momentin kur mban fjalën në foltoren e Kuvendit”.
A mendon se është e dhimbshme që Berisha është vetëm si deputet aty tani?

Nuk mendoj se është çështje dhimbshurie. Politika është realiste dhe këto gjëra ndodhin fare normalisht. Me sa kam kuptuar, është i vetmi kryeministër dhe lider politik që ka pranuar humbjen menjëherë. Rama nuk di ta bëjë këtë. Kjo është shenjë prej burri shteti në gjykimin tim. Rama deri tani kryetar bashkie ka qenë. Rëndësi ka trashëgimia politike, e reformave dhe arritjeve që Berisha na la të gjithëve.
Edhe pse dua të flas për Erlën, kurioziteti më i madh më sillet rreth asaj që bën Berisha këto kohë kur nuk është në parlament apo në mbledhje grupi.
Mësoj se ka një zyrë pranë ‘Aba Center’ në Tiranë dhe që gjatë gjithë ditës punon dhe pret vizitorë të shumtë. Erla më tregon se Berisha është njeri me humor dhe batuta të holla. P.sh, kur ajo i ka shkruar se do të rrinte një javë me pushime, dhe se besonte se mund të kthehej një ditë të hënë, ai i është përgjigjur: “Beson që do kthehesh, apo do të kthehesh? Se mos qëndron atje dhe nuk vjen më”. Kur Erla u kthye, ai i ka thënë (me shaka): “Po të ishe martuar një vit më parë, nuk do të kishe qëndruar kaq gjatë”.
-Doja t’i shkruaja me mesazh një hahahhaha, sepse qesha me shpirt me atë që më tha, por sigurisht që nuk më shkonte të shkruaja një përgjigje të tillë. Por sa kam qeshur me mesazhin e tij”.
-Meqë ra fjala, s’e dija që je martuar… – e pyes unë.
-Nuk jam martuar, por kam rreth dy vjet që bashkëjetoj.
-Do të martoheni ti dhe Kelti?
-Të gjithë më ngacmojnë për dasmën në fakt. Sa herë që më sheh Olldashi më pyet për dasmën. Po do t’i vijë dita dhe dasmës, – tregon ajo si e shpenguar e ndoshta si me pak kujdes që deklarata të tilla të mos interpretohen fët e fët në media. Meqë e përmend Olldashin me lehtësinë më të madhe, dhe nuk të krijon idenë se është ajo natyra servile.  Mua më vjen ndërmend një përshkrim i Kadaresë tek “Aksidenti”, ku tregon sesi besnikët dhe servilët bëheshin më të bezdisshëm dhe armiq të diktatorit. Nuk i them asnjërën nga këto, por vijoj të flas për dasmën.
I them se një dasmë në PD do të zbuste tonet e larta të trishtimit të asaj humbjeje të madhe. Një dasmë me një nuse të bukur dhe me një dhëndër që e do gjithashtu parlamentarizmin. Keltisi është mik i familjes Berisha. Ai është nga miqtë më të mirë të fëmijërisë të të  birit, Shkëlzenit, dhe me siguri është në rrethin e simpative të Doktorit. Ndërsa unë improvizoj dasmën e Erlës, me Berishën kumbar dhe gjithë PD-në të bashkuar, ajo qesh dhe kafshon një copë të vogël keku.
-Çfarë mendon Berisha? Që duhet të martohesh? – e pyes unë.
-Nuk e di Mira, se nuk më ka thënë asgjë dhe gjithsesi, këtë vendim e marrim vetë, – thotë duke buzëqeshur. – Por nga mesazhi i tij kuptova që më quante të martuar tashmë. Mendoj që ai është i shqetësuar jo vetëm për PD-në, por për Shqipërinë. Berisha e do shumë këtë vend. Besoj ka mbajtur përsipër edhe koston e gabimeve të të tjerëve, pavarësisht se në fund lideri merr përsipër edhe sukseset, edhe gabimet. Këto ditë unë po ndjek me vëmendje si po drejton Rama. Shoh në Facebook dhe blogje, ku edhe një pjesë reagojnë mirë ndaj disa gjesteve të tij, si p.sh, heqja e gardhit tek Kryeministria. A thua se kjo ishte e keqja e vendit dhe iu zgjidhën të gjitha hallet. A thua se mirëqenia e tyre kalon nga fakti se sa të bukur e ka Rama tavolinën e punës apo sa komode do e ketë karrigen ku do ulet të punojë. Por ai di të luajë me imazhin dhe e njeh mentalitetin e këtij populli. Do ta shohësh që deri në fund me fasada do të merret. Një gjë që Berisha s’e ka bërë kurrë. Ai është kujdesur gjithmonë të punojë dhe reformojë në thellësi. Nuk është Berisha një njeri që luan me ngjyrat. Ai merret me thelbin e gjërave. Nuk është një lider sipërfaqësor dhe ndoshta shoqëria jo gjithmonë është në gjendje ta dallojë këtë. Duhet pak kohë për të vlerësuar ato që Berisha la pas.
-Po thua që do na marrë malli për Berishën?
-Nuk është çështje malli, është çështje vlerësimi. Unë besoj se njerëzit do të vlerësojnë gjithnjë e më shumë atë që ai bëri dhe si e transformoi Shqipërinë, por edhe sepse do shohin se ç’do të bëjë Rama.
Edhe PD-në do ta marrë malli?
-Po në PD ai është dhe do të jetë gjithmonë aktiv.
-A ka gjasa që Berisha të rikthehet kryetar pas disa kohësh?
-Jo, nuk besoj se kjo do ndodhë më.
-Pse qave aq shumë kur ai lexoi tekstin e dorëheqjes?
Ajo lëviz flokët nga një anë në tjetrën, dhe më rrëfen se do kish dashur që kamerat mos ta jepnin atë çast. – E dija që ai do jepte dorëheqjen. Nuk ma kish thënë, por isha e bindur sepse më herët kur ishte diskutuar e kish thënë që në rast humbjeje ai do të dorëhiqej. Shumë edhe janë tallur me faktin që qava atë ditë. Kishte dhe nga ata që shkonin larg, se gjoja qaja se do më mungonin lukset. Thjesht u preka shumë sepse me Berishën kam punuar shumë mirë. Ai është tolerant. Rrallëherë mund të kem patur ndonjë debat a mosmarrëveshje me të.
- Nga ty po e dëgjoj këtë, sepse shumë njerëz thonë se është i vështirë! Madje veç teje asnjë zëdhënës nuk mbijetoi me Doktorin. Të gjithë u larguan ose i largoi, por nuk rezistuan.
- Nuk e di pse dhe si. Ndoshta me mua ishte ndryshe. Ai më ka zgjedhur vetë. Nuk kam shkuar tek Berisha nga palë të treta. Unë jam përpjekur të bëj punën me dedikim, profesionalizëm dhe luajalitet”.
- Ti ke thënë shpesh që ke miq të majtë plot. Nuk është kjo diçka që e bezdiste dhe e bezdis Berishën?
- Jo, kurrsesi. Ta thashë, Berisha nuk është një lider paranojak. Mund të duket hijerëndë po është një burrë shteti i mirëfilltë, nga ata që pa dyshim vetëm historia mund t’i vlerësojë. S’mund ta bëj as unë, as kundërshtarët politikë, askush për momentin.
- Erla, e di që afeksioni për dikë me të cilin punon gjatë është natyral, por a nuk mendon se për hir të kësaj dashurisë ndaj vendit, parlamentarizmit, Berisha ka bërë gabime. Krijoi një kulturë mllefi, fjalori të vrazhdë në foltoren e Parlamentit…deri në dhomën e gjumit të rivalëve shkoi?!
- Nuk mendoj se është vetëm Berisha ai që ka sulmuar. Kush më shumë se sa familja e Berishës është sulmuar. Fëmijët e tij, pambarimisht në gojë të opozitës së kohës. Sigurisht politika duhet ta lërë pas gjuhën e vrazhdë, por nga ana tjetër politika duhet t’i shmanget së pari konfliktit, që pastaj gjuha e vrazhdë të mos ketë fare vend. Për fat të keq, Rama vitet e fundit vetëm konflikt ka gjeneruar.
-Por, sidoqoftë si femër, a nuk mendove se një burrë shteti, tolerant, baba, gjysh, nuk mund të thotë para kamerave fjalën “lavire”.
Ajo e dëgjon pyetjen time dhe unë s’di pse pres një përgjigje në stilin e Bregut ose të ndonjë tjetër ‘grifshe’ në PD. Erla të habit me mungesën e paranojës dhe një sinqeritet edhe pse të kontrolluar sërish të respektueshëm.
-  Nuk di të të them shumë sepse nuk e kam diskutuar këtë gjë, por unë besoj që ka qenë një gjuhë e fortë politike në një nga momentet më të rënda politike të vendit. A mund të krahasohet gjuha e ashpër politike me sulmet e dhunshme ndaj një institucioni?! Unë besoj se kjo e dyta është më e rëndë. Gjithsesi, unë vetë preferoj të mos përdor një gjuhë të ashpër.
-Në 21 Janar ishe edhe ti në Kryeministri?
-Po, aty kam qenë deri nga ora 12: 30 e natës. Ajo ditë ka qenë më e vështira dhe e tensionuara e të gjithë periudhës.
-Mendon se 21 Janari do të zbardhet? Apo mendon se është zbardhur?
- Nuk komentoj dot vendimet e gjykatave. Por në aspektin politik, mendoj se është një farsë e Edi Ramës. Çfarë do zbardhë me Ilir Metën që e kontrollon e për të cilin Rama e inskenoi 21 Janarin dhe s’la gjë pa thënë? Ma thuaj ti Mira, – më kthehet ajo duke vënë buzën në një gaz ironizues. Erla nuk më duket aq e hidhur me Edi Ramën sesa me Ilir Metën. I them se njerëzit po e vlerësojnë mënyrën sesi Meta po drejton Parlamentin dhe Erla përgjigjet vrikthi.
- Po sigurisht. I duhet për të zbutur figurën ai post dhe sjellja tolerante dhe ekuilibruese. Për më tepër gjërat i ka në terezi tani. Nëse një ditë PD do të vijë në pushtet, besoj që do të rikthehet me kartën morale në dorë.
-Po Rama si të duket?
-Rama është retorikë e gjallë. Ka një pozicion solid këto kohë në parti. Kontrollon çdo gjë. Por nuk kam asnjë dyshim që do zhgënjejë. “
-Cili të pëlqen nga kabineti ‘Rama’? Meqë i thua gjërat drejt dhe shefi është tolerant… -e ngacmoj unë.
-Kam ndoshta një gjysmë opinion pozitiv për Niko Peleshin. Nuk më pëlqen askush nga ata të tjerët. Kë të pëlqej, Erion Veliajn?
-Erioni më pëlqen më shumë nga të gjithë mua, Erla. Këtu nuk ndaj të njëjtin qëndrim me ty. Ndaj tij është krijuar një kulturë negativiste e pamerituar, do të thosha. Por nuk e zgjas shumë dhe e pyes për ‘dashurinë’ Blushi-Berisha. Pasi kjo është një nga ato dyshimet që davariten gjithmonë në ajër dhe askush nuk guxon të flasë hapur.
-Pse e duan kaq shumë në PD Blushin? – e pyes.
-Nuk them dot që e duan, por ndoshta e vlerësojnë sepse ai ka treguar se është një politikan me disa vlera dhe që është nga të paktit që Rama nuk ka nënshtruar. Mendoj që ai e meriton vlerësimin.
-Po pse jo Brace p.sh? Ai ka imazhin e të pakorruptuarit, e njeriut që s’bëhet palë.
-Edhe për Braçen kam një vlerësim pozitiv, por nuk e kalon dot cakun e deputetit. Nuk e bën më shumë sesa aq Rama atë. Dhe meqë ra fjala, Mira, një Braçe mungon në PD.
-Po në PS, a mungon një figurë që është në PD.
-PS-së i mungon një Sali Berishë”, – përgjigjet rrufe dhe rrufit një tjetër gllënjkë nga kapuçino. – Shiko emërimet e fundit… Spiropali, Brisida. Mendoj që kjo qeveri nuk ka as eksperiencën dhe as ekspertizën. Janë emërime të njerëzve që kontrollon Rama. Është tallje me pozicionet dhe detyrat ku i ka vendosur dhe tallje me figurat me eksperiencë e me vlerë në PS. Ditët e para të qeverisjes janë ditë revanshi, ndaj ligjeve, kushtetutës, institucioneve. Më keq se kaq nuk mund ta nisnin!
Biseda me Erlën nuk ka fund. Kemi qëndruar mbi 2 orë e gjysmë dhe unë ende dua ta pyes dhe ajo ka plot gjëra për të thënë.
E pyes nëse Berisha e lexon Mero Bazen.
- Nuk e di nëse ai e lexon, por di që ai lexon gjithçka që vlen. Unë për vete e lexoj rregullisht. Jam lexuese e rregullt e të gjitha mediave. Por gazeta ‘Tema’ dhe të tjera duhet të mësojnë të mos i lënë hapësirë negativitetit. Të thuash atë që mendon është diçka, por t’i hapësh rrugën fyerjes është serioze, e rëndë dhe etikisht e qortueshme. Besoj se ka ardhur momenti që diçka e tillë të rregullohet me ligj. Flas për komentet që bëjnë njerëzit nëpër blogje. Mero Baze ka penën e talentuar, por bojën e hidhur! Edhe kur duhet të jetë fair apo neutral.
-Cilët gazetarë janë të preferuarit e Berishës?
- Nga gazetarët që kanë mbuluar aktivitetin e tij, Elona Meço është e para. Gjithmonë Berisha ka thënë se në 1 minutë kronikë vetëm Elona është në gjendje ta kuptojë atë. Por vlerëson edhe të tjerë si Merita Haklaj, Alfred Lela dhe Menada Zaimi kur ishte në Tv Klan, por edhe të tjerë.
- Mendova se do nisje të thoshe që pëlqen Blendi Fevziun, Henri Çilin…ja këta emrat e mëdhenj. Por sa mirë që tani po kuptoj se Berisha ndoshta nuk është sipërfaqësor edhe pse nuk e kam parë të intervistohet nga këta gazetarët e thjeshtë e të zotë. Zakonisht liderët i tërheqin të “fortët” e mediave, – i tregoj Erlës si me inat.
Dhe meqë dola tek inati, s’di pse m’u ndërmend Sokol Olldashi, i cili gjithashtu më duket se po kalon një periudhë të vështirë, pavarësisht se me Erlën kur shihen shkëmbejnë batuta dasme.
- Sokol Olldashin e kam mik. E kam njohur si epror kur ishte ministër dhe unë zëdhënëse. Më pas kemi krijuar miqësi. Ai është politikan i zgjuar dhe me eksperiencë. Sipas meje, ndër më të mirët që ka PD-ja sot. Pavarësish rezultatit për kryetar, ai është një nga vlerat e PD-së sot. Besoj se zgjedhjet në PD do të bashkojnë të gjitha vlerat e spikatura të saj.
-Pse, mendon se Berisha nuk e mbështeti atë? Ka një perceptim që Olldashi do të ishte më pak i kontrollueshëm. Nuk ishte koha për një kryetar të pavarur e kokëshkëmb në PD? – e pyes.
-Nuk e di të të them për këtë. Nuk besoj se Berisha mbështeti njërin e nuk mbështeti tjetrin, por pa diskutim që do ketë patur preferencat e tij. Basha është pa diskutim një nga figurat e spikatura të PD. Kush e mendonte se PD do të humbte kështu?! Askush, as socialistët vetë, as Ilir Meta me shpk-në e tij.
Ndërsa kafja jonë zgjatet e zgjatet, mësoj se Erla përveç punës me Berishën mund të nisë të japë mësim si pedagoge pranë fakultetit të Gazetarisë. Berisha i ka sugjeruar që të merret me pedagogji. Gjatë kësaj kohe do të nisë edhe doktoraturën, por ende nuk ka marrë një vendim nëse do ta kryejë në Tiranë apo në Romë. Me Romën ajo është e lidhur pasi ka një motër të madhe, e cila jeton dhe punon atje si avokate. Motra është nga ato studentet e Dhjetorit, por që mesa duket, fati e ka vendosur të jetojë larg Shqipërisë.
- Ishte fati im, – thotë Erla. – Më mirë sesa kaq nuk mund të më ecte në Shqipëri. Ndonjëherë mami (e cila është dentiste) edhe është penduar që unë jam kthyer në Tiranë. Prindërit nuk i gëlltisin lehtë sulmet dhe shpifjet [e ulëta], por unë nuk jam dorëzuar kurrë. Sulmet që i bëhen femrave në politikë janë tregues i nevojës për emancipim të shoqërisë në raport me femrën, por kjo do marrë kohën e vet.
Tek çdo bisedë e lunch.com jam e ndikuar nga atmosfera që sjellin të ftuarit. Disave ua ndjej në ajër hutimin, paranojën, delirin, thjeshtësinë, vetëpërmbajtjen, dhe ndonjëri edhe ka rastisur të jetë hermetik nga ata që më është dashur t’i kërkoj diamantet në baltë.
Erla ishte ashtu siç e parashikoja. I kishte të gjitha instinktet të peshuara e të rreshtuara sipas radhës. Kjo jo për meritë të punës me Berishën, as të Keltit, por të ADN-së së saj. Është një vajzë e [çlirët], nga ato vajzat që prindërit dhe motra e madhe i kanë krijuar çdo hapësirë dhe vetvetiu në jetë nuk i është dashur të bëhet plastelinë. Duhet të jesh shumë i kujdesshëm për t’ia kuptuar inteligjencën. Sepse nuk është tipi fishekzjarr, por si një nëndetëse e vogël shikon mirë rrugën drejt portit të saj. Dhe po aq sa e zgjuar, Erla Mëhilli të lë atë shijen e një vajze të mirë.

No comments: