Sunday, September 29, 2013

Urrejtje fetare dhe racore e tejskajshme mbi bazën e një falsifikimi të paskrupullt të historisë së qytetërimeve

Prof. Gazmend SHPUZA (historian)
Duke krahasuar krerët e sotëm të koalicionit antiterrorist botëror me udhëheqësit e kryqëzatave të mesjetës më duket se nuk i bëhet nder as Bushit dhe as Blerit dhe as ndonjë tjetri dhe kompromentohet jo pa qëllim misioni i tyre. Përpjekjet për t’i veshur kësaj lufte një qëllim fetar, për t’i imponuar një karakter të tillë, ndjekin, vlen të ritheksohet, një synim të mbrapshtë. Dhe këto orvatje vijnë nga një person që pretendon të jetë ateist. Në të vërtetë rezulton se kemi të bëjmë me një njeri, me një femër, e cila nuk i len asgjë mangut një besimtari fanatik të tërbuar të kohëve të hershme të Evropës mesjetare,
të cilat mendohen të kapërcyera prej shekujsh dhe jo më sot në mijëvjeçarin e ri që posa ka filluar.
Për të përligjur deri në fund domosdoshmërinë e shndërrimit të luftës kundër terrorizmit në një kryqëzatë të re Falaçit i duhet që të vejë në lëvizje të gjithë potencialin e saj “intelektual”, i cili siç del nga argumentet që ajo sjell përfaqëson, me dashjen e saj, një bagazh të varfër, mjeran dhe të degjeneruar deri në banalitet.
Autorja shtron pyetjen e pavend e të formuluar keqas: “Ç’kuptim ka të mbrojmë kulturën e tyre, ose të ashtuquajturën kulturë të tyre, kur ata e përçmojnë tonën?” Në qoftë se ajo me “ata” ka parasysh vetëm e vetëm terroristët, besoj se i është bërë e qartë tashmë që “ata” nuk e nënvleftësojnë fare kulturën “tonë”, sidomos epërsinë teknologjike të Perëndimit. Porse me “ata” ajo nuk ka parasysh terroristët por, siç del qartë, të gjithë popujt muslimanë. Muslimanët nuk e përbuzin qytetërimin e sotëm edhe për faktin se ata kanë dhënë ndihmesën e tyre tejet të çmueshme në zhvillimin e tij dhe kanë kontribuar ndjeshëm që ai të lulëzonte deri në atë shkallë ku ai ka arritur sot. Le të kujtojmë që edhe kultura e tyre, në qoftë se do të kemi parasysh kulturën në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, është pa dyshim pjesë përbërëse e kulturës botërore. Kultura si një e tërë, për vetë karakterin e saj unik, nuk mund të ndahet në kulturë “e jona” dhe kulturë “e atyre”, pavarësisht nga nivelet kulturore në të cilët ndodhet sot për sot njëri apo tjetri popull, njëra apo tjetra zonë e rruzullit tokësor. Kultura e sotme e të gjithëve nuk mund të ndahet nga kultura e kaluar po e përbashkët. Për këtë është e bindur edhe vetë Falaçi, e cila i drejtohet kësaj të kaluare në mënyrën e vet, në mënyrë të sakatosur.
Duke këmbëngulur në qëndrimet e saj nihiliste të qëllimshme Falaçi shtron sërishmi pyetjen: po mbrapa kulturës së tyre çfarë ka? Dhe jep një përgjigje sa të pasaktë e të pabazë po aq intolerante: “Bah!” kërko e kërko, unë gjej vetëm Muhamedin më Kur’anin e tij…” Nën këtë këndvështrim, pak të thuhet, shumë të ngushtë sektar ajo sheh, të marrim si shembull, dhe zhvillimin e shkencës mjekësore.
Unë jam ende gjallë, hëpërhë, falë shkencës sonë, jo asaj të Muhamedit, njofton në vijim të argumenteve për tezën e saj të parapëlqyer, autorja Falaçi. Siç shihet, vlerësimin e mjekësisë së sotme e bën duhe qëndruar, siç pretendon, kinse, në pozita ateiste, duke mos ia njohur hapur këto merita Krishtit, por shkencës “sonë”, d.m.th. të krishterë. Ndërkaq, shkencën “tjetër” mjekësore kërkon ta denigrojë duke e personalizuar Muhamedin, duke rënë, siç bën gjatë gjithë trajtesës së saj, në pozita teiste. Porse nuk ka pse të harrojmë që në bazat e mjekësisë moderne qëndrojnë arritjet e dijetarëve islamë të afro para një mijë vjetëve si Razes, Zahravi dhe sidomos të Avicesës që jetuan në shekujt 9-11. Traktatet e tyre shërbyen si literaturë bazë për një kohë të gjatë në universitetet evropiane. Prandaj sot, sado fetarë ose ateistë që të jemi apo të tregohemi, nuk mund të bëjmë fjalë për një shkencë mjekësore të përlavdëruar të Krishtit e një tjetër të konsideruar mjerane të Muhamedit.
Në përgjigje të pyetjes se çfarë ka pas kulturës së “atyre” Falaçi vijon të japë përgjigje standarde, fare të thjeshtëzuara. Ajo shton se gjen dhe “Averroen me shkrimet studimore, Komentarët mbi Aristotelin etj. Arafati gjen edhe numrat dhe arithmetikën. Gjyshërit e Arafatit nuk shpikën numrat e matematikën. Shpikën, vijon të nënvizojë autorja në fjalë, shkrimin e numrave që i përdorim dhe ne “jobesimtarët”.
Duke lënë më një anë vlerësimin përbuzës që Falaçi ka për Muhamedin me Kur’anin e tij nuk mund të mos pranojmë që thjeshtimi deri në këtë shkallë i arritjeve të qytetërimit islam dhe të ndihmesës që popujt muslimanë dhanë në zhvillimin e qytetërimit modern nuk duhet të vijë nga padija e autores. Të bindur se ajo duhet t’i ketë kryer disa klasë shkollë nuk mund të mos i kujtohej patjetër se atje në bangat e saj ajo ka bërë një lëndë, të cilën sa na kumtojnë gazetarë që kërkojnë ta mbrojnë, e paska shumë për zemër (!), pavarësisht se sa ka qenë në gjendje ta përvetësojë, quhej me një fjalë arabe algjebër çka nuk është thjeshtë çështje emërtimi. Emri i saj është trashëguar nga libri “Kitab al Xhebr val-Mukaballa” (Libër mbi veprimet rindërtim dhe thjeshtim) i matematikanit dhe astronomit tëë shquar arab Muhamed ibn Musa al-Horezmi, autor i shumë veprave të tjera matematike dhe astronomike i fillimit të shek. IX. Le të kujtojmë që Tabelat astronomike dhe trigonometrike të al-Horezmit, me vlerat e sinusit dhe të tangentes, u përkthyen më vonë në gjuhën latine. Edhe vetë shprehja “algoritëm” nuk është gjë tjetër veçse një latinizim i emrit të autorit në fjalë al-Horezm, i trashëguar përmes përkthimit latinisht të veprës së tij “Mbi numrin indian”, përkthim i realizuar afro tre shekuj më vonë, shek. XII, me titullin “Algoritmi de numero indorum”.
Veprat e Horezmit, siç dihet dhe pranohet në rrethet shkencore dhe universitare, kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e matematikës, si një nga burimet kryesore me anën e të cilave Evropa Perëndimore ka njohur, qoftë dhe me mjaft vonesë, sistemin indian të numërimit dhe algjebrën indiane. Pra, del qartë se al-Horezmi, siç e dëshmon dhe titulli i veprës së tij, dhe dijetarët e tjerë islamë nuk e kanë mohuar ndihmesën e padiskutueshme të matematikës orientale, përkatësisht indiane, në zhvillimin e shkencave moderne përgjithësisht, siç vepron Falaçi me kontributin e studiuesve islamë në fushën e matematikës moderne.
Qenë autorët arabë ata të cilët në veprat e tyre e veçuan algjebrën dhe trigonometrinë si disiplina matematike më vete. Qenë pikërisht ata të cilët i pasuruan zbatimet e trigonometrisë në gjeometri dhe në astronomi.
Edhe nga një shfletim i shpejtë i librit të profesor Qazim Turdiut “Matematika në shekuj”, menjëherë të bie në sy fakti që arritjet e dijetarëve islamë në fushën e matematikës u përvetësuan me disa shekuj vonesë nga dijetarët e Evropës Perëndimore.
Përdorimi i thyesave dhjetore i njohur shekuj më parë nga arabët, në Evropë ndeshet vetëm në fund të shekullit XVI – fillimi i shekullit XVII te matematikani holandez Simon Stevin (1548-1620). Po ashtu, arritjet e dijetarit tjetër arab Nazaredin (1201-1274) u shfrytëzuan katër shekuj më vonë, më 1663, nga Xhon Valisi. Vepra “Tabelat planetare tolediane” e astronomit të shquar Al-Zarkali (shek. XI), nga Kordova, qendra e mirënjohur e kulturës islame, arriti të ndikojë shumë në zhvillimin e trigonometrisë në Evropë në kohën e Rilindjes mjaft vonë, pasi u përkthye dhe ajo në gjuhën latine.
Se sa i ulët ka qenë deri vonë niveli i dijeve në Evropë në krahasim me arritjet e matematikës në Lindjen muslimane, mund të gjykohet nga fakti që shekuj me radhë, autoriteti më i lartë shkencor ka qenë Severin Boeci me librin e tij “Institucioni i aritmetikës”. Ky, siç vlerësohet, përgjithësisht, ishte një përkthim i keq i autorit antik, Nikomahut, i cili përmbante pjesërisht teorinë e numrave pitagorianë. Deri në shek. XVI në shumë universitete të Evropës për të fituar titullin magjistër në matematikë kërkohej që kandidati të dinte gjashtë libra të “Elementeve” të Euklidit.
Pra, deri në mesjetën e vonë matematika evropiane kishte ngelur në nivelin e matematikës së sotme antike. Vetëm në shek. XIII bie në sy matematikani italian Leonard Fibonaçi (Leonardi nga Piza), i cili u përgatit si matematicien në Afrikë, në qytetin e Algjerit. Në formimin e tij ka ndikuar algjebristi Abu Kamil (fundi i shek. IX – fillimi i shek. X), i cili ka vijuar në Egjipt punën e Al Horezmit të famshëm. Historianët e zhvillimit të matematikës në shekuj vërejnë se gjatë periudhës nga Fibonaçi deri te Rilindja në matematikën evropiane nuk bëhet asnjë zbulim i ri i rëndësishëm dhe asnjë transformim rrënjësor në sistemin e dijeve të kohës.
Për të mos u zgjatur më tej mund të kujtojmë me këtë rast se edhe shkrimi i numrave të cilin, sipas shprehjes së Falaçit, e kanë shpikur gjyshërit e Arafatit, sado të thjeshtëzuar ta marrim këtë problem, sepse ata nuk kanë shpikur vetëm shkrimin e tyre, nuk ka luajtur rol aq të vogël në zhvillimin e shkencave sa duket apo sa paraqitet. Mjafton të sjellim ndër mend se ç’rol luan në arithmetikën dhe algjebrën e thjeshtë pa bërë fjalë për matematikën e lartë vetëm paraqitja shkrimore arabisht e shifrave dhe pozicioni i shifrës zero në shkrimin e numrave në krahasim me shifrat romake që përdoreshin në Evropë deri vonë. Me ndihmën e kësaj shkence matematikore, të themi, modeste të dijetarëve islamë, megjithëse e përbuzur keqas nga ana e Falaçit, shifra një në sistemin arab të numërimit me ndihmën e shifrës zero merr vlera të shumta deri në pafundësi. Le të mos bëjmë fjalë për mundësitë që hapi shkrimi arab i shifrave në përllogaritjet e ndërlikuara matematikore. Prandaj, ne “jobesimtarët” e përdorim këtë lloj shkrimi të shifrave dhe askujt prej nesh edhe sot e kësaj dite nuk i ka shkuar ndër mend t’i zëvendësojë ato me një sistem tjetër simbolesh deri sa zhvillimi i shkencës dhe teknikës të mos diktojë një nevojë të tillë. Edhe nëse do të ndodhë kjo gjë askush nuk mund ta mohojë dhe as ta thjeshtëzojë ndihmesën që ato dhanë deri më sot në zhvillimin e shkencave, kulturës, teknikës dhe të shkollës që nga më e ulta e deri në nivelet më të larta.
Por, siç del qartë, Falaçi nuk e ka hallin thjesht te numrat dhe paraqitja e tyre.
Autorja deklaron jo pa të drejtë në shkrimin e saj të titulluar për së mbrapshti “Mllef dhe krenari”, se “mbrapa qytetërimit tonë është Homeri, është Sokrati, është Platoni, është Aristoteli, është Fidia dreq o punë!” Porse le të mos harrojmë sërishmi se kontakti i evropianëve me botën antike është sendërtuar në Spanjë dhe në atdheun e Falaçit dhe pikërisht në Sicili përmes qytetërimit islam, me ndihmën e kulturës arabe dhe të vetë arabëve.
Pra harrohet, jo pa qëllim se mbrapa qytetërimit tonë qëndron, duam apo nuk duam ne, edhe qytetërimi islam. Është ky qytetërim i cili i përcolli Evropës madje në një shkallë shumë më të lartë arritjet e qytetërimit helenik dhe i hapi atij rrugën e zhvillimit të mëtejshëm. Pa Averroen dhe Komentarët a do të kishim njohur vallë sot Aristotelin pas atij sulmi sa të vrullshëm po aq edhe të mbrapshtë që kishte ndërmarrë Evropa mesjetare e quajtur kristiane kundër kulturës pagane të Aristotelit, megjithë qëndresën stoike disa shekullore të shkollave filozofike të Athinës?!
Falaçi, me gjithë ateizmin që pretendon se e karakterizon, të krishterëve, të cilët “dëfreheshin duke parë se si digjenin heretikët”, ua njeh nga ana tjetër, me shumë shpirtgjerësi ndihmesën që kanë dhënë në Historinë e Mendimit. Porse kemi bindjen se të krishterët që dëfreheshin duke parë se si digjeshin heretikët dhe ca më pak ata që i çonin këta heretikë në zjarr të kenë dhënë ndonjë kontribut në Historinë e mendimit botëror dhe ca më pak në zhvillimin e mendimit humanist, përkundrazi. Prandaj shpirtmadhësia e Falaçit ndaj tyre është e tepërt. Ndërsa të bijve të Allahut, shumicës së tyre që nuk kanë asnjë përgjegjësi për krimet që kryhen sot kinse në emër të Allahut nuk u njeh asnjë meritë. Fjala gjithsesi nuk është për djegien e “heretikëve” në turrat e druve.
Sistemi i dyfishtë i vlerësimit të meritave apo dhe i gjynaheve te Falaçi nuk njeh masë e bile as kufi. Prandaj është krejtësisht e palejueshme që “bijve të Allahut” të mos u njihen disa merita për ndihmesën që kanë dhënë në historinë e Mendimit.
Le të sjellim disa shembuj. Universitetet e para në historinë e njerëzimit janë krijuar në botën arabe: në Fes të Marokut në vitin 859 dhe në Kajro më 972. Universiteti i parë në Evropë është krijuar po nga arabët në Kordovë rreth viteve 961-976. Pra këto universitete qenë themeluar tre shekuj para atyre të Salernos në mbretërinë e Napolit, të Parisit dhe të Oksfordit. Italia e Jugut, siç dihet, njohu një zhvillim të veçantë nën arabët dhe qyteti i Palermos një lulëzim të dukshëm. Ky qytet së bashku me Toledon shërbyen si qendrat kryesore në të cilat u bë përkthimi i veprave të filozofëve grekë dhe arabë në gjuhën latine nga arabishtja, duke i dhënë hovin që dihet tashmë zhvillimit të shkencës dhe kulturës në Perëndim, duke i hapur rrugën Rilindjes evropiane.
Përkthimet dhe komentimet e autorëve antikë në gjuhën arabe kanë qenë i vetmi burim i njohurive mbi sukseset e shkencës dhe të kulturës antike dhe kanë shërbyer si bazë e krijimtarisë shkencore të dijetarëve evropianë të kohës së Rilindjes dhe më pas.
Janë shkencëtarët islamë, El Battani dhe El Biruni, që kontestuan Ptolemeun dhe i paraprinë Kopernikut, të anatemuar nga segmente të Evropës mesjetare, që të hidhte poshtë sistemin gjeocentrik dhe i hapën rrugën konfirmimit të sistemit heliocentrik. Bekoni dhe Kepleri u mbështetën te Optika e Al-Hazenit. Papa Silvestri II ka studiuar në Universitetin musliman të Kordovës, kësaj qendre të shkëlqyer të kulturës islame në Evropën e kohës. Shembuj të tillë ka plot.
Falaçi krenohet, me të drejtë, me muzikën perëndimore me tingujt që lëshojnë këmbanat por le t’i kujtojmë që janë muslimanët ata të cilët e kanë përdorur për herë të parë çelësin e solit dhe notat me pesë fusha (pentagramin). Nuk qenë pa rëndësi dhe studimet e Farabiut mbi natyrën e zërit në veprën e ti “Traktatet e muzikës”. Nuk po zgjatemi më shumë rreth rolit që luajtën në jetën ekonomike dhe kulturore të Evropës mesjetare përsosja nga ana e arabëve e prodhimit të letrës, e litografisë, e busullës e të tjera e të tjera.
Pa tjetër që te lexuesi i thjeshtë lind pyetja përse Falaçi e ul veten kaq poshtë, pse e bën veten kaq të paditur sa t’i përmbledhë arritjet e qytetërimit islam vetëm te, siç shprehet ajo me përbuzje, “Muhamedi dhe Kur’ani i tij”. Kjo pyetje përgjigjen e vet e gjen te synimi që ndjek autorja. Është e qartë se në funksion të qëllimit jo fisnik që i ka vënë vetes ajo arrin deri atje sa nuk i bëhet vonë për injorancën që demonstron.
Po kështu, parapëlqimet për një letërsi apo për një tjetër, për një autor apo për një tjetër nuk besoj se mund të shërbejnë si kriter, siç përpiqet t’i përdorë Falaçi, për vlerësimin dhe shvlerësimin e qytetërimeve dhe ca më pak të besimeve fetare.
Autorja në fjalë deklaron se pëlqen me shumë Dante Alighierin sesa Omar Khajamin. Kjo është një zgjedhje vetiake plotësisht e kuptueshme dhe e pranueshme për çdo lexues. Por ama le të kujtojmë, gjithsesi, se një anglez sqimtar si Fitcxheraldi u dashurua pas Omar Khajamit dhe e bëri atë të flasë anglisht, e bëri pronë të qytetërimit të sotëm. Edhe një klerik i lartë i krishterë shqiptar si Fan S. Noli, i cili jetoi kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sikurse Falaçi sot, u dashurua pikërisht po pas këtij poeti iranian dhe e bëri atë të flasë shqip. Dhe që të dy këta khajamianë e kanë njohur pa dyshim Danten dhe besohet se pa injoruar vlerat e tij kanë parapëlqyer pa asnjë paragjykim Omarin dhe e kanë bërë atë objekt të mjeshtërisë së tyre të përkthimit. Për hatër të Omar Khajamit Noli ynë i madh dhe jo vetëm i yni i hyri mësimit të persishtes për t’i shijuar rubairat e tij në burim dhe për t’iu rikthyer përkthimit të tyre nga origjinali. Dhe që të dy, si Fitcxheraldi, qoftë, protestant apo katolik, si Fan Noli, edhe pse ortodoks, ashtu sikurse Falaçi katolike kanë qenë të mbushur, sikurse pretendon ajo për veten e vet, me kulturë të krishterë, edhe pse jo thjesht katolike, gjithsesi jo muslimane. Madje ata kanë qenë edhe të krishterë të mirë dhe jo ateistë sikurse ateistë sikurse deklarohet autorja në fjalë. Megjithatë, që të dy nuk kanë ndjerë kurrëfarë kompleksi përballë artit dhe humanizmit të Khajamit musliman.
Por le t’i kujtojmë Falaçit, se Khajami nuk ka qenë vetëm poeti i madh. Ky musliman si shkencëtar dha kontributin e vet në studimin e thelluar të bazave të gjeometrisë apo si astronomi më i madh i botës, siç e konsideron dhe Noli, që nga shekulli XI e deri në shekullin XVI. Saktësimet që ai i ka bërë kalendarit diellor vlerësohen lart dhe nga specialistët e sotshëm. Kalendari i tij ishte më i përsosur, se sa kalendari Gregorian. I pari ndryshon një ditë në pesë mijë vjet, ndërsa i dyti një ditë në 3300 vjet. Pra, Khajami me saktësimet e tij shkencore astronomike, mund të thuhet, i ka përgjysmuar pasaktësitë e kalendarit Gregorian.
Me gjithë laicizmin dhe me gjithë ateizmin, që shpall, Falaçi është, “aq e mbushur me kulturë katolike” sa për të, në fund të fundit, është i papëlqyeshëm jo vetëm Khajami, por ajo nuk i honeps dot as xhamitë dhe as sinagogat madje dhe as kishat protestane. Kjo është çështje gustoje dhe jo kriter qytetërimesh. Një gusto si kjo nuk justifikon dot kryqëzatën që kërkon të nisë Falaçi. Çka është dhe më keq ajo kërkon t’ia imponojë botës së sotme një kryqëzatë të re.
Ndryshe nga sa mendon dhe propagandon Falaçi ish-presidenti i Gjermanisë Roman Herzog theksonte më 1996 se “përpara gjashtë apo shtatëqind vjetësh, ekzistoi një iluminizëm islamik i madh, që Perëndimit i ruajti një pjesë të konsiderueshme të dijes antike e ai vetë u gjet i konfrontuar nga një të menduar perëndimor, të cilin duhet ta ketë ndier si mjaft fundamentalist dhe intolerant”.
Nuk mund të mos bashkohesh me shqetësimin që demonstron kjo autore për ekzistencën e poligamisë në ndonjë vend musliman, për mbulimin e grave në disa të tjerë, për moslejimin që ato të dalin në fotografi, të shkojnë te doktori, të shkojnë në shkollë, të angazhohen në punë dhe në veprimtari shoqërore. Porse të gjitha këto unë nuk e di pse i vishen Kur’anit. Shkaqet e këtyre dukurive besoj se duhen kërkuar, në radhë të parë, në gjendjen ekonomike-shoqërore e kulturore dhe trashëgiminë kolonialiste. Kemi të bëjmë me interpretime të cilat siç na dëshmojnë dhe pamjet televizive kohëve të fundit, qoftë dhe nga një vend si Afganistani, po kapërcehen.
Porse shqetësimi i Falaçit nuk shkon përtej konstatimeve të mësipërme. Madje, në një kohë kur presim që këto pohime të çojnë në kërkim të rrugëve të mundshme për emancipimin e grave në vendet e Lindjes bëhen thirrje që këto gra të braktisen në fatin e tyre përderisa ato e paskan pranuar vetë këtë gjendje, përderisa pranojnë siç shprehet autorja, “të marrin për burrë një shkërdhatë (të më falin lexuesit dhe sidomos lexueset, sepse jam i detyruar të përdor fjalorin pornologjik të autores, i cili është i vështirë të perifrazohet dhe për meritë të përkthimit. Këtë përcjellje autentike të kësaj pornologjie do të jem i detyruar ta përdor dhe në ndonjë rast tjetër më poshtë) që do katër gra”. Sipas saj, të arsyetosh me këtë kontigjent njerëzish është jashtë mendsh; t’i trajtosh me zemërgjerësi ose shpirtmadhësi qenka vrasje (?!).
Pas gjithë kësaj urrejtjeje kundër një pjesë të njerëzimit, kundër grave nga ana e një gruaje, kinse të emancipuar, natyrshëm lind pyetja: “Ku vajti shqetësimi i Orianës për fatin e qytetërimit bashkëkohor? Në të vërtetë, shqetësimi për të ardhmen e qytetërimit tonë është dhe duhet të jetë i pandarë nga thelbi human i tij, çka mungon dukshëm te autorja e artikullit “Mllef e krenari”.
Në këtë kuadër autorja Falaçi vijon të mos përdorë të njëjtën njësi matëse për vlerësimin e dukurive pozitive apo negative, kulturore dhe shoqërore qofshin, si në Perëndim ashtu edhe në Lindje.
Ndryshe nga vlerësimi negativ që ka, për mendimin tim me të drejtë, ndaj marrëdhënieve martesore poligame në Lindje, ndër epërsitë e qytetërimit perëndimor përballë atij islam Falaçi rreshton dhe faktin që perëndimorët në plazh ose në pishinë dalin lakuriq ose gati lakuriq, dhe bëjnë seks kur, ku dhe me kë “t’ju dojë qejfi”. Siç shihet, nuk bëhet më fjalë për martesa monogame apo dhe poligame. Në përqasje me këtë promiskuitet të pakufi, të ngjashëm me atë që ushtrohej në fillimet e shoqërisë njerëzore, në komunën primitive, të cilit i nënshtrohen sot, dashur pa dashur, gratë perëndimore, kinse, të qytetëruara, poligamia e muslimanëve vetëm me katër gra nuk na del edhe kaq shumë e shëmtuar, pra dhe e kritikueshme. Një pozitë e tillë e gruas në Perëndim nuk na duket gjithashtu kaq e lakmueshme sa të mund të pranohet dhe të ngrihet lart nga një grua me të vërtetë e qytetëruar. Nga një gjendje e tillë mund të jetë e kënaqur veçse ndonjë grua, e ambjentuar me këtë pozitë mjerane (pa përjashtuar burrat, e interesuar për një pozitë të tillë të poshtëruar të femrës moderne), e gatshme dhe e kënaqur për të shijuar këtë liri seksuale dhe këtë promiskuitet pa kufi. Epiteti që Falaçi përdor për burrat muslimanë që marrin nga katër gra është tepër i varfër për karakterizimin e burrave dhe grave të “qytetëruara” në Perëndim, të cilëve kjo autore u bën thirrje që të ngrihen në mbrojtje të këtyre soj lirive, pra dhe të lirisë seksuale, që paskan siguruar nga “qytetërimi” i tyre (?!).
Jo rastësisht kjo autore që në vitet ’70 është karakterizuar, siç thuhet nga “shoqkat e së majtës”, si shkrimtare që mendon me atë që ka poshtë”, si autore “që në vend të trurit ka atë sendin”. Duke ia veshur këto karakterizime vetëm kritikeve të majta, nuk besohet se u bëhet ndonjë nder i madh admiruesve të saj që i përkasin krahut të djathtë.
Urrejtja fetare e autores arrin deri në racizëm pa dallim feje. Në krye të musafirëve të padëshirueshëm “që me aq zell i përkushtohen drogës dhe prostitucionit, me sa duket të pandalura prej Kur’anit” të ardhur në Itali nga Azia dhe Afrika ajo vendos shqiptarët. Ajo harron që Shqipëria bie në Ballkan, të quajtur ndryshe Evropë Jug-Lindore. Ajo besoj se duhet ta dijë që një pjesë e mirë e tyre janë muslimanë. Nuk e di a e ka marrë vesh, gjithashtu, që shumë prej refugjatëve muslimanë nga Shqipëria janë konvertuar sidomos në Greqi, me dashje apo pa dashje, kryesisht për arsye ekonomike dhe jo për shkak të bindjeve të tyre fetare në të krishterë, duke ndërruar jo vetëm besimin por dhe kombësinë. Kemi të bëjmë me një dukuri sa anti-demokratike po aq dhe anti-qytetëruese, antievropiane, që s’ka të bëjë me asnjë besim fetar, e cila nuk ndryshon fare nga rrugët e përdorura nga osmanët pesë shekuj më parë për islamizimin e shqiptarëve. Dhe për këto dukuri kjo autore, që e mban veten për kampione të lirive dhe të drejtave të njeriut, nuk shqetësohet fare.
Besoj se të gjithë lexuesit e kanë të qartë se identiteti ynë kulturor evropian dhe vlerat e qytetërimit bashkëkohor, nuk kërcënohen nga trashëgimia e qytetërimeve të kaluara apo nga qytetërimet e sotme jashtëevropiane.
Ndryshe nga sa pretendohet, siç del qartë, më tepër se sa të shfryjë mllefin për fuqitë e zeza të sotshme të antiqytetërimit ky shkrim shpalos urrejtje ndaj një pjese të qytetërimit botëror dhe bartësve të tij. Në vend që të jetë një himn për atdheun e demokracisë, Amerikën, aty kemi përpjekje këmbëngulëse për kompromentimin dhe përdhosjen e luftës së saj në mbrojtje të qytetërimit të vërtetë kundër terrorizmit. Në mënyrë të tërthortë në këtë rrugë kërkohet të kompromentohet dhe lufta që Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë kundër Millosheviçit “të krishterë” në mbrojtje të kosovarëve kryesisht muslimanë.
Me urrejtje, me injorancë dhe aq më pak me pornologji dhe me propagandimin e lirisë seksuale as nuk luftohet terrorizmi, as nuk mund të merret në mbrojtje qytetërimi modern. Me një “mbrojtje” të këtillë synohet të kompromentohet keqas lufta që SHBA po zhvillojnë kundër terrorizmit, kërkohet, sidomos, të njolloset dhe më keqas qytetërimi bashkëkohor, qytetërimi ynë. Nuk bëhet thirrje për luftë për mbrojtjen e qytetërimit të sotshëm por për t’i mohuar, për t’i hequr atij një nga shkallaret më të rëndësishme pa të cilën ai nuk do të arrinte dot këtu ku është sot. Mbi të gjitha, kërkohet të zhvishet qytetërimi modern nga shpirti i tij human, pa të cilin nuk ka ekzistuar dhe mbijetuar asnjë qytetërim. Pa thelbin e tij njerëzor qytetërimi ynë i sotëm gjithçka mund të jetë vetëm qytetërim jo. Pikërisht ky shpirt i mungon “shqetësimit” të Falaçit për fatet e qytetërimit të sotëm. Prandaj mund të thuhet pa dyshim se ajo dhe ata që e propagandojnë dhe e mbështesin këtë fushatë të ethshme antimuslimane, të dënuar nga udhëheqësit e botës demokratike euroatlantike, nuk i përkasin më qytetërimit tonë. Për të maskuar më mirë qëndrimin antihuman që mban në shkrim Falaçi i bën të ditur lexuesit se ka marrë pjesë në luftën e rezistencës antinaziste krahas gjithë familjes qysh katërmbëdhjetë vjeçe. Deklaron se është kundër Italisë qejfleshë dhe kopileshë, kundër Italisë musolineske, kundër fashistëve fashistë dhe antifashistë. Pavarësisht nga deklaratat, duket qartë se antifashizmi i saj ka shterruar plotësisht dhe është shndërruar në një fashizëm modern, i cili nuk arrin të fshehë në vetvete një urrejtje racore dhe fetare të paimagjinueshme para të cilit antisemitizmi hitlerian del mjaft i zbehtë. Është pak të thuhet se autorja përjeton një krizë të thellë intelektuale dhe shpirtërore të cilën kërkon t’ua përçojë dhe të tjerëve.
Me këtë predispozicione projektuesja e kryqëzatës së re rreshtohet përkrah atyre forcave që për disa vjet rresht, duke përdorur dhe parrulla fetare kinse antifondamentaliste, e futën gadishullin ballkanik në luftë dhe në gjakderdhje.
Së fundi. Përse midis sa e sa intelektualëve të shquar të sotëm në botë që janë shprehur lidhur me aktin e 11 shtatorit u gjet pikërisht shkrimi i Oriana Falaçit për t’u përkthyer në gjuhën shqipe?
Për më tepër, përse këtij shkrimi të Oriana Falaçit iu bë kaq shumë jehonë në shtypin tonë megjithëse pranohet se ajo nuk është treguar shumë (?!) e mirë me shqiptarët? Pse nuk jepen të plota kundërshtimet e shumta dhe të ashpra në të cilët shkrimi i Falaçit ka ndeshur në vetë shtypin italian? Pse vijojnë orvatjet mjerane për ta justifikuar deri në fund këtë urrejtje patologjike ndaj një pjese jo të vogël të njerëzimit dhe qytetërimit të tij qoftë, aktualisht, edhe inferior? Përse vijojnë gjithashtu orvatjet për të na shpalosur kapacitetin e saj intelektual?! Të gjitha këto pyetje besohet se i kanë brenda tyre dhe përgjigjet.
Orvatjeve falaçiane për nxitjen e një kryqëzate të re janë të huaja për dialogun intelektual që karakterizon mendjet e shëndosha dhe të arsyeshme kudo në botë.

No comments: