Friday, September 20, 2013

Si e ndryshoi Merkel BE-në gjatë krizës

Katër vitet e fundit Angela Merkel ka mbajtur e vetme timonin e drejtimit për ta nxjerrë Evropën nga kriza e euros dhe borxheve. Kjo nuk është parë me sy të mirë kudo në Evropë. Po a kishte Kancelarja tjetër alternativë?
Me hapa të vegjël drejt shpëtimit të euros - Merkel gjatë një shëtitje në mal
"Nëse dështon euro, dështon Evropa. Dhe kjo nuk duhet të ndodhë." Këtë fjali pati thënë Angela Merkel në tetor 2011 dhe qysh atëherë e ka përsëritur vazhdimisht. Ajo është lajtmotivi i
politikës së saj për menaxhimin e krizave dhe asaj evropiane. Kancelarja gjermane fillimisht i miratoi me ngurrim ndihmat financiare për vendet në vështirësi. Pastaj ajo mori pjesë në ndërtimin e ombrellave të shpëtimit, negociimin e shkurtimit të borxheve dhe në fund u pajtua edhe me blerjen e titujve shtetërorë të borxhit, nga Banka Qendrore Evropian. "Për ne kjo ishte një fushë e re", thotë Kancelarja.
"BE sot nuk është BE i para pesë vjetëve. Kanë ndodhur shumë gjëra, sepse kjo krizë ishte e thellë dhe strukturore", thotë për politikën evropiane të Kancelares, Janis Emmanouilidis nga "European Policy Centre", një think tank në Bruksel. "Në këto tre, katër, pesë vite Berlini, qeveria gjermane dhe me të edhe Kancelarja kanë luajtur një rol vendimtar."
"Zemërgjerësia" e Kancelares
Merkel kërkon nga Samaras premtime të qarta për kursime dhe reforma Merkel kërkon nga Samaras premtime të qarta për kursime dhe reforma
Angela Merkel në krizën e euros ka kërkuar masa kursimi dhe reforma në këmbim të ndihmave. Në Greqi, Qipro, Portugali, Irlandë, Spanjë dhe Itali ajo u bë përgjegjëse nga politika dhe mediet për shkurtime të ashpra. Protesta të zemëruara të njerëzve, ishin pasoja. Merkeli me uniformë naziste apo si version i Hitlerit ishin disa nga format e shëmtuara të kritikës. "Në thellësi të zemrave të tyre njerëzit në këto vende e dinë se nuk i kam shkaktuar unë problemet, por ka pasur gjëra të tjera që nuk kanë qenë në rregull", thotë Merkel sot në fushatën zgjedhore, thuajse me butësi ndaj kritikëve.
"Mami", siç quhet ajo nganjëherë në Gjermani edhe nga përkrahësit e partisë së saj, i fal fëmijët e saj evropianë. Ajo është e trishtuar kur njerëzit nuk janë të gatshëm të bisedojnë, por nuk i mban inat askujt. "Natyrisht kritika nuk ka gjithnjë lidhje me temat dhe as satira. Por unë mendoj se duhet të jemi zemërgjerë. Unë tërheq disa prej kritikave pasi edhe unë kam një pozicion të caktuar. Dhe pastaj unë i dal kësaj për zot", tha Angela Merkel në "Arenën zgjedhore" në kanalin televiziv ARD, një shou ku Kancelarja iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve.
Rol drejtues i pranuar me ngurrim
Politilogu nga Brukseli Emmanouilidis është i mendimit se Angela Merkel nuk e ka synuar rolin drejtues në krizë, por nuk kishte as mundësi ta refuzonte, duke qenë përfaqësuesja e fuqisë më të fortë ekonomike në Evropë. Revista ekonomike britanike "Economist" i bëri madje thirrje para disa javësh Gjermanisë të arrijë miratimin e reformave të mëtejshme në BE, pas frenës së borxheve, paktit fiskal dhe unionit bankar. Gjermania është një "hegjemon kundër dëshirës së vet", titullonte revista.
Merkel dhe Hollande - mosmarrëveshje në politikën për Evropën Merkel dhe Hollande - mosmarrëveshje në politikën për Evropën
Roli i Gjermanisë në Evropë është aktualisht kaq i fortë sepse vetë Franca është në krizë. Presidenti konservator Nicolas Sarkozy pas polemikave të fillimit, përkrahu çdo propozim të Merkelit. Së bashku Sarkozy dhe Merkel, larguan kryeministrin grek Papandreu dhe më vonë atë italian Berlusconi, kur këta nuk pranuan menaxhimin gjermano-francez të krizës. Presidenti i ri socialist François Hollande nuk arriti t'i kundërvihej Merkelit. Nga Berlini pati vetëm disa lëshime të vogla në lidhje me zbutjen e politikës së kursimit. "Angela Merkel ndërkohë është përshtatur me një president që nuk orientohet automatikisht nga pozicionet gjermane", thonte Thierry Repentin, zëvendësministër për Evropën, për gazetën "Süddeutsche Zeitung".
Vendet anëtare përcaktojnë kursin
Kriza dhe menaxherja e saj e kanë zhvendosur strukturën e pushtetit në Bruksel. Komisioni i BE-së dikur i fuqishëm, që propozon dhe mbikqyr ligjet, ka humbur terren pasi punon shumë ngadalë dhe me ngurtësi, ishte akuza nga Berlini. Parlamenti Evropian ka pak ndikim, pasi për shpëtimin e bankave buzë falimentimit në vendet në krizë, paratë vijnë kryesisht nga buxhetet kombëtare të vendeve anëtare. Këshilli i Ministrave ku janë të përfaqësuara qeveritë kombëtare, përcakton drejtimin. Ministri i Jashtëm britanik William Hague e përmblodhi kështu situatën në një diskutim në think tankun "Open Europe" në Londër: "Ndër të gjitha institucionet evropiane, Këshilli, i cili përgjigjet para parlamenteve kombëtare, ka marrë drejtimin. Pasi është fjala për vendime që kushtojnë para. Në këtë rast njerëzit shohin ashtu siç pritet, parlamentet e tyre kombëtare si vendimmarrës legjitimë.
Jo vetëm qeveria britanike skeptike ndaj BE-së, por edhe ajo holandeze kërkojnë ndërkohë reforma të thella. Holanda paraqiti së fundi një raport se si mund të reduktohet tepria e rregullave dhe kapërcimi i kompetencave nga qendra në Bruksel. Me këto rryma duhet të merret qeveria e re gjermane pas zgjedhjeve. Duket se Angela Merkel, nëse do të rizgjidhet, planifikon korrigjim të ri kursi në krizën e euros. Ajo do t'i marrë BE-së pushtet dhe kompetenca. Gazeta "Handelsblatt" njofton se Kancelarja do të vërë më shumë theksin në marrëveshjet direkte mes qeverive. Në fushatën elektorale Merkel ka thënë se "nuk sheh asnjë domosdoshmëri për t'i kaluar kompetenca Brukselit". Para pak muajsh motoja e saj ishte ende: "Më shumë Evropë!", e pikërisht përmes thellemit të unionit ekonomik dhe monetar.
Reforma radikale pas zgjedhjeve?
Protesta kundër Merkelit në Greqi Protesta kundër Merkelit në Greqi
Shefi i think tankut "Open Europe" në Londër, lordi Leach of Fairford, mbështet një reduktim radikal të BE-së si rezultat i krizës financare dhe të borxheve. Sondazhet tregojnë se besimi i njerëzve tek institucionet e BE-së pikërisht edhe në Gjermani, është në rënie. Kancelarja gjermane duhet të reagojë. Çdo kryetar qeverie gjerman duhet të reagonte, tha lordi Leach of Fairford. "Logjika sugjeron që Berlini do të mbështesë reformat radikale sepse kjo mbështetet nga zgjedhësit. Këtë qendrim kanë shumë zgjedhës në Evropë. Është në përputhje me instinktin evropianoverior."
Europarlamentari socialdemokrat gjerman Udo Bullmann, ka megjithatë dyshime nëse Angela Merkel ka fuqi për reforma, pavarësisht se në çfarë drejtimi. Vitet e fundit "ajo e ka përcjellë në gjithë Evropën artin e pritjes pa vepruar", kritikon Bullman në bisedë me DW. "Kjo e çon Eurozonën çdo muaj më afër pragut të dështimit. Këtu diçka duhet të ndryshojë."
Nuk pritet ndryshim rrënjësor kursi
Sipas një analize të think tankut "Open Europe", politika evropiane e Gjermanisë nuk do të ndryshonte në mënyrë drastike pas zgjedhjeve të 22 shtatorit edhe nëse Angela Merkel nuk do të rizgjidhej. Pra nuk është i saktë ekuacioni "Nëse dështon Merkel, dështon euro, dështon Evropa". Një qeveri e majtë në Gjermani do të kishte ndoshta qendrim më miqësor ndaj shteteve në krizë, por do të bënte kujdes me paratë e taksapaguesve gjermanë. Edhe socialdemokratët ndjekin refleksin gjerman të buxheteve kursimtare, thotë Nina Schick, analiste pranë "Open Europe". Parimet bazë të shpëtimit të euros deri tani janë mbështetur nga të gjitha partitë në Parlamentin federal (Bundestag), me përjashtim të partisë E Majta.

No comments: