Sunday, September 29, 2013

Bashkim Shehu, midis lojës dhe dëshmisë

Luljeta Lleshanaku
Mbi romanin “Loja, shembja e qiellit”, Botimet “Toena”, 2013.
Për shkak të punës që bëj aktualisht si studiuese në Institutin e Krimeve të Komunizmit, duke u ndeshur vazhdimisht me dëshmi tronditëse të panumërta, një nga pyetjet që i bëj vetes, është se kundrejt gjithë këtyre vuajtjeve, si është e mundur që kemi kaq pak letërsi të mirëfilltë, thënë ndryshe “fiksion”, mbi këtë temë? Çfarë i duhet një historie, e cila do të konsiderohej një “minierë ari” nga çdo shkrimtar perëndimor, për t’u kthyer në letërsi? Një shembull interesant por edhe i freskët (libri sapo ka dalë nga shtypi), është romani i fundit i Bashkim Shehut “Loja, shembja e qiellit”.
Fabula e romanit

Gjithçka fillon mirë për personazhin rreth të cilit vërtitet ngjarja, Aleks Krastën. Ai bën një jetë normale, madje të privilegjuar, deri në momentin që pozita e atë atit, funksionar i lartë në nomenklaturën komuniste, përmbyset. Prej këtij momenti, Aleksi i nënshtrohet një serie ngjarjesh diskriminuese, degradimi, persekutimi, në rrethana dhe shkaqe nga më absurdet, duke filluar nga përjashtimi nga universiteti, përfshirja në akte ordinere vjedhjeje, internimi dhe në fund burgu, që përbën edhe kthesën më radikale në jetën e tij. Gjatë periudhës së burgimit, për fatin e mirë dhe të keq të tij, ai afrohet me priftërinjtë katolikë tek të cilët ai gjen modele referimi edhe komunikim, por nga ana tjetër, kjo marrëdhënie do të zgjerojë konfuzionin e tij lidhur me besimin fetar dhe perceptimin ndaj botës në përgjithësi. Dhe është pikërisht kjo marrëdhënie, e cila ushqen edhe idenë e romanit.
“I ndrojturi” apo personazhi ekzistencialist?
Aleksi, ashtu siç e përshkruante veten, që i vogël, në mënyrë të pashpjegueshme, ishte përndjekur nga një ndjesi e pashpjegueshme faji ndaj të atit (shumë prej nesh e njohin këtë lloj ndjesie para babait autoritar, të cilin, në rastin e Aleksit  e bënte dy herë të tillë uniforma e tij ushtarake.) Si rezultat i zbulimit (shpikjes) të një “grupi armiqësor” në ushtri, vala padyshim që do të merrte edhe vetë të atin e Aleksit, i cili i “parapriu” dënimit, me vdekjen e tij natyrale të parakohshme nga leukemia, ngjarje që do të zgjaste ciklin e vetëfajësimit tek Aleksi. Dhe vetëfajësimi i tretë, (këtë herë jo krejt pa shkak), ka të bëjë me vjedhjet. Dhe më pas ndjesia e fajit vinte për gjëra gati të papërfillshme, si fjala vjen një seks i rastësishëm. Kjo ndjenjë faji e shoqëron edhe në burg, dhe kur del nga burgu, (kohë kur presioni social ishte zbutur disi), ai vazhdimisht duket se do të shpikte diçka për t’u ndjerë sërish në faj. Në të vërtetë, e gjithë kjo ndjesi e përhershme faji, sipas vetëpërshkrimit të Aleksit, nuk është tamam “faj” (autori përpiqet t’i mbetet besnik këtij vetëpërshkrimi), Pra, ajo ndjenjë “faji” është më tepër një ankth i vazhdueshëm, që shfaqet në përgjegjësinë e tepruar  mbi pasojat e veprimeve dhe në paaftësinë e tij për t’u adaptuar në shoqëri. Po kështu, Aleks Krasta është vazhdimisht i palumtur me identitetin e tij. Pra ky ankth, mund quhet ankth ekzistencial, dhe karakteri një karakter ekzistencialist. Dhe kryesorja: e gjithë jeta e Aleks Krastës, nuk është gjë tjetër veçse një tregues i dominimit të rrethanave mbi individin. Ai nuk zgjodhi asnjërën nga rrugët që mori në jetë; e vetmja gjë që zgjodhi, ishte të studionte për aktor, por edhe kjo u ndërpre për shkak të rrethanave politike.
Në kontekstin e një personazhi ekzistencialist, ne si lexues arrijmë të justifikojmë edhe një lloj vagullie në përshkrimin e Aleks Krastës. P.sh, ne dimë rrethanat absurde në të cilat Aleksi krijoi një lidhje me Evelinën, e cila ishte më shumë se njëzet vjet më e re në moshë, por nuk arrijmë të kuptojmë se ku qëndronte sharmi i tij (Aleksi nuk është se dallohej për ndonjë gjë), pasi portretizimi i tij është dhënë qëllimisht i pjesshëm, në profil ose si siluetë. I vetmi moment kur ai zgjedh (nëse mund ta quajmë kështu), pra i vetmi moment kur Aleksi ngrihet mbi rrethanat, ose ku imponon, është akti final, ai i “mashtrimit shpagues”, akt që motivon edhe krijimin e këtij romani. Megjithatë “vetëfajësimi”, vazhdon, edhe pas arritjes së këtij kulmi, që e bën edhe më të besueshëm në sytë tanë.
Mashtrimi shpagues
Përsëritja e herëpashershme paralajmëruese e shkrimtarit për këtë skenë, pra, për “lojën shpaguese” akumulon pritshmëri të madhe tek lexuesi. Pra, a e justifikon ajo këtë pritshmëri? Atëherë, në skenën për të cilën bëhet fjalë, Luigj C, një nga karakteret më të spikatur në këtë libër për dinakërinë dhe brutalitetin e tij si punonjës i sigurimit të shtetit, në prag të vdekjes, tashmë i verbuar, kërkon pater Shtjefnin (me të cilin Aleks Krasta është njohur dhe miqësuar vite më parë në burg), për një rrëfim dhe për falje. (Asgjë nuk është stisur; unë personalisht njoh një rast të tillë, kur një sekretare Partie, e cila kishte qenë një nga protagonistet më agresive në aksionet kundër fesë, kur i shoqi ra në burg, dërgonte fshehtas njërën, për të ndezur qirinj për të, në rrënojat e një teqeje.) Aleksi, i prekur nga gjithë ato që dinte mbi krimet e Luigjit, sidomos kundër priftërinjve (për ironi, Luigji vetë kishte studiuar në kolegj fretërish dikur, ku edhe ishte njohur me pater Shtjefnin)), nuk lejoi që t’i shpëtonte nga duart ky rast. I maskuar si prift dhe duke përdorur identitetin e rremë të një prifti, me një aparat incizimi të fshehur nën veladon, më në fund vihet përballë Luigj C. Kjo ishte hera e parë që Aleksi, ish-student i shkollës së aktrimit, do të luante një rol. Megjithëse gjatë kapitujve të mëparshëm të këtij libri, jemi njohur me krime e tortura nga më çnjerëzoret, rrëfimi i Luigj C, i kapërcen të gjitha hamendësimet tona, hamendësime njerëzish prej mishi dhe gjaku (nuk mund ta zbuloj në këtë shkrim këtë rrëfim, pasi qëllimi i këtij shkrimi është që libri të blihet e të lexohet.) Dhe ajo që ndodh pas kësaj, kapërcen jo vetëm pritshmëritë tona, por edhe të vetë Aleks Krastës, pra, vetë protagonistit kur, duke përdorur autoritetin e klerikut, të cilin ai e kishte huazuar ose më mirë marrë pa leje, e mallkon Luigjin “u djegsh në ferr!”, një mallkim i cili është madhështor në rrethanat që ai ndodh. Por mallkimi,duket se nuk ka të bëjë shumë as me blasfeminë dhe as me besimin; është thjesht një gjest hakmarrjeje që shpjegohet psikologjikisht, për ta lënë Luigj C, të pashpresë në llumin e tij të ndërgjegjes. Kaq kishte në dorë.
Në mënyrë absolute, kjo skenë krijon një tension dhe një ankth të jashtëzakonshëm tek lexuesi, duke përligjur gjithë kureshtjen e provokuar që në fillim të romanit. Dhe është pikërisht ky moment, ai që qartëson edhe idenë, thelbin e romanit: ndeshjen e moralit njerëzor me moralin fetar. Nëse hamendësojmë për një moment se Aleks Krasta do të merrte thjesht një dëshmi të regjistruar gjatë rrëfimit (që ishte edhe qëllimi i lojës së tij në fillim), apo për më tepër, të kryente një falje (të cilën me siguri do ta kishte bërë pater Shtjefni në vend të tij), skena, me siguri, nuk do të krijonte të njëjtin dramacitet tek lexuesi, i cili, ashtu si edhe Aleksi, është i programuar me sensin e drejtësisë në formën e vet tokësore: njeriu kërkon shpagim, dhe mundësisht aty për aty. Morali hyjnor dhe morali njerëzor, janë dy gjëra të ndryshme, dhe dallojnë mes tyre për nga toleranca. Formula e Borëbardhës që më në fund martohet me princin dhe e njerkës që përfundon në humnerë, megjithëse e modifikuar, është sot e kësaj dite klisheja, skema klasike që kënaq pritshmëritë tona. Kurse mesazhi i këtij romani është një lloj përgjigjeje mbi çfarë i duhet dëshmive, për t’u kthyer në vepra letrare, e që janë idetë.
Kur etika dikton estetikën
Përveç kujtimeve të At Zef Pëllumbit mbi persekutimin e klerit (që përbëjnë fakte reale këtu), në kapitullin e parë, shkrimtari na bën të ditur, se për të shkruar këtë roman, ai është bazuar mbi jetëshkrimin e një bashkëvuajtësi dhe mikut të tij, pra, ai që në vepër mban emrin Aleks Krasta. Megjithë disa data dhe koordinata të sakta, ne e kemi të vështirë të kuptojmë (dhe ndoshta nuk do ta kuptojmë kurrë), nëse ky personazh, është një trill letrar i autorit, apo bëhet fjalë vërtetë për një person dhe dorëshkrim real. Por, një pikënisje e tillë, pra, rrëfimi përmes historisë së një tjetri, dikton edhe zgjedhjet stilistike, duke filluar nga rrëfimi linear (që i shkon mjaft një historie vertikale dhe në një distance të konsiderueshme kohore nga ngjarjet), rrëfimi në ligjëratën e drejtë, e sidomos mungesa e dialogëve. Narratori, ndjek Aleksin, personazhin e tij, dhe bëhet i gjallë, vetëm si voiceover, për t’i paraprirë episodeve pasardhës, kur kjo është e nevojshme. Ky narrator mban një distancë konstante emocionale nga ngjarja. Gjuha është e shtruar, me fjali të gjata dhe pa thyerje drastike të tonit. Ironia, deri në sarkazëm (që është kthyer në një tipar pothuajse dominues të prozës, madje edhe poezisë në letërsinë moderne), këtu vjen më tepër përmes pranëvënies së fakteve; paradokset, brutaliteti dhe grotesku në anën tjetër, që ajo epokë i ofronte me shumicë. Personazhet, përgjithësisht nuk pësojnë ndryshime gjatë rrugës, duke u vënë theksin më shumë tek faktet. Pra një kompleks elementësh stilistikorë, të cilët forcojnë objektivizmin. Por, nëse vërtet Aleks Krasta është thjesht një trillim dhe historia e dorëshkrimit të tij, është po kaq një trillim, atëherë pse autori zgjedh t’i shikojë gjërat përmes tij? Një nga arsyet, për mendimin tim, është e dukshme etike: përgjegjësia për të dhënë një dëshmi historike, siç qe ajo e krimeve komuniste, nga një pozicion i paanshëm, i zhveshur emocionalisht, gjë që bëhet disi e vështirë kur autori ka qenë vetë dëshmitar dhe vuajtës. Dhe nga ana tjetër, identifikimi me këtë histori (rrëfimi në vetën e parë), ngushton lirinë e shkrimtarit, ngushton hapësirën e tij imagjinare, trillin, lojën. Sepse letërsia është një lojë, një lojë që me sa duket, Bashkim Shehu, e ka të fituar me këtë roman.
Dhe një gjë të fundit: duhet përshëndetur sqima e autorit, nganjëherë deri në mani, për pastrimin dhe pasurimin e shqipes, përveçse disa rasteve, kur fjalët e reja, me të cilat lexuesi nuk është familjarizuar akoma, kthehen në objekte vëmendjeje në vetvete, në dëm të atmosferës unike të leximit.

No comments: