Wednesday, September 18, 2013

Arkivi i “New York Times” i vitit ‘84 / Planet e SHBA-së dhe Anglisë për t’u lidhur me Shqipërinë komuniste

Hapat e parë të rinisjes së marrëdhënieve të Shqipërisë diktatoriale me vendet perëndimore, negocitatat me Gjermaninë, Italinë dhe Greqinë. Cilat ishin pistat që kishim menduar amerikanët për të lidhur marrëdhëniet me vendin tonë? Pse thesari shqiptar cilësohej si një faktor kyç në këtë aspekt?
Rivendosja e marrëdhënieve me Perëndimin, pse vizitoi privatisht ish-kryeministri gjerman Tiranën në ‘84?“
Shqipëria hap dyert për Bonin”. Ky është titulli i artikullit të së përditshmes prestigjioze amerikane “New York Times” i datës 25 nëntor të vitit 1984. Në një analizë të marrëdhënieve të reja që po krijonte Shqipëria komuniste me vendet perëndimore, gazeta amerikane bën të ditura arsyet e këtij qëndrimi të ri të regjimit të Tiranës zyrtare. Në artikull paraqiten negociatat e palës shqiptare me Bonin zyrtar, kryeqytetin e Gjermanisë Perëndimore. Ndërkohë, “New York Times” rrëfen edhe lidhur me vizitën private të Kryeministrit të Bavarisë, Strauus, i cili zhvilloi takime jopublike në atë kohë me zyrtarë të lartë të qeverisë së Hoxhës, vizitë e cila shënoi një ndër aktet e para të hapjes së Shqipërisë me gjermanët. Po ashtu, gazeta, nëpërmjet burimeve pranë qeverisë së Reagan-it, Presidentit amerikan të kohës, bën publike planet e SHBA-së dhe anglezëve për t’u afruar me Shqipërinë. Cilat ishin pistat që kishin menduar amerikanët për të lidhur marrëdhëniet me vendin tonë? Pse thesari shqiptar cilësohej si një faktor kyç në këtë aspekt?

“New York Times”
Shqipëria hap dyert për Bonin
DAVID BINDER, 25 nëntor 1984
Në një vit është parë që Shqipëria të shkojë gradualisht drejt zgjerimit të marrëdhënieve me vendet e tjera evropiane. Sipas diplomatëve perëndimorë, qeveria shqiptare është duke bërë përparim të ngadalshëm në përmirësimin e marrëdhënieve me Gjermaninë Perëndimore. Diplomatët thanë se negociatat janë kryer që nga vera e kaluar në Vjenë dhe më shumë kohët e fundit në Bon mes të një zyrtari të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë Perëndimore dhe përfaqësuesve shqiptarëve të përshkruar si punonjës pranë Ministrisë së Jashtme në Tiranë.
Për një sërë vitesh, udhëheqja komuniste e Enver Hoxhës ka deklaruar se Gjermania Perëndimore, si shteti pasues i Rajhut të Tretë, i detyrohet dëmshpërblime të mëdha Shqipërisë. Kjo çështje ka qenë pengesa kryesore për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike midis Bonit dhe Tiranës.
Në vitin 1976, pretendimet e Shqipërisë ishin 4500000000 $ për dëmet që rrjedhin nga pushtimi i Shqipërisë nga ushtria gjermane pas dorëzimit të Italisë në 1943, e cila më parë kishte qenë fuqia pushtuese. Gjermania Perëndimore thotë se pretendime të tilla kanë skaduar, si rezultat i marrëveshjes së 1953-shit në Londër mbi reparacionet e luftës.
Një qasje më fleksibile
Kohët e fundit, shqiptarët e kanë ulur këtë kërkesë në 2 miliard $, por si atëherë dhe tani, gjermanët perëndimorë kanë hedhur poshtë çdo gjë që lidhet me dëmshpërblimet. Në vend të kësaj, negociatorët e Bonit kanë ofruar kredi ose kredite dhe kanë biseduar për ndërtimin e një centrali të madh industrial në Shqipëri. Sipas diplomatëve, pala shqiptare ka miratuar kohët e fundit një qasje disi më fleksibile në diskutime, duke përfshirë mundësinë e braktisjes së konceptit të dëmshpërblimit.
Një nga mënyrat për të treguar interesin e tyre në vendosjen e marrëdhënieve me Bon, ishte edhe mikpritja e autoriteteve të Tiranës për Franz-Josef Strauss, Kryeministrin e Bavarisë, në një vizitë gushtin e kaluar. Ndonëse vizita ishte private, shqiptarët morën hapin e jashtëzakonshëm, ku zëvendëskryeministri Manush Myftiu priti zotin Strauss në kryeqytet. Pastaj zoti Strauss u largua nga vendi nëpërmjet një kufiri të mbyllur që kalon normalisht në Greqi, ku madje u riasfaltua një pjesë e rrugës që të shpinte në kufi.

Duke refuzuar të gjitha ndihmat e jashtme
Ende nuk ka shuma që janë përmendur mbi projektet e investimeve eventuale gjermanoperëndimore. Për më shumë se tetë vjet qeveria e Tiranës ka refuzuar të gjitha format e ndihmës së huaj, madje edhe refuzimin e ndihmave të Kombeve të Bashkuara për të dhënë fonde speciale për tërmetin e rëndë në vitin 1979.
Pasi Tirana ka përmirësuar marrëdhëniet e saj me Romën pranverën e kaluar, autoritetet italiane diskutuan disa projekte me shqiptarët, duke përfshirë edhe instalime moderne të telekomunikacionit. Italianët ishin të frustruar nga insistimi i Shqipërisë për ta mbyllur ndërtimin brenda një afati njëvjeçar si edhe me kushtet për huatë ose kreditë. Diplomatët perëndimorë thanë se vendet e Evropës Perëndimore kishin koordinuar lirshëm përpjekjet e tyre për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë, e cila kishte ndjekur prej kohësh një politikë të izolimit relativ, sidomos në drejtim të Evropës Perëndimore.
Franca, për shembull, ka zhvilluar bisedime me shqiptarët për kthimin e 36.000.000 $ në ar për Shqipërinë në këmbim të zgjidhjes së kërkesave pronësore me Francën, Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara. As Uashingtoni dhe as Londra nuk kanë lidhje diplomatike me Tiranën, por Parisi është duke negociuar në emër të të tre popujve.
Thesari i Shqipërisë
Ari, thesari kombëtar shqiptar, u dërgua në Romë në Luftën e Dytë Botërore nga autoritetet pushtuese italiane, duke u plaçkitur më pas nga trupat gjermane në vitin 1943 dhe duke u fshehur përfundimisht në një minierë kripe në Gjermani. Ai është tani në Bankën e Anglisë.
Në qershor, një përfaqësi diplomatike e Francës u kthye nga Shqipëria, kur rojet kufitare shqiptare qëlluan dhe vranë një pushues francez në ngushticën e Korfuzit, afër në ujërat shqiptare. Ambasadori francez, Marcel Martin, u tërhoq.
Sipas zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, administrata “Reagan” sheh në zgjidhjen e çështjes arit një hap drejt diskutimit me Shqipërinë për rifillimin e marrëdhënieve, të cilat kanë përfunduar që në vitin 1946. Qeveria britanike mban të njëjtin mendim.
Zyrtarët amerikanë thanë se për këtë qëllim Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë qenë duke u përpjekur për të shtyrë Francën dhe Gjermaninë Perëndimore të hapin një shteg për ta me Tiranën. Ata shtuan se politika kërkon të parandalojë Shqipërinë nga një rrëshqitje prapa në grigjën sovjetike, ku ajo ishte nga 1948-a deri në 1961-shin.
Shqetësim i zakonshëm në kryeqytetet perëndimore aleate, me sa duket, është se Shqipëria aktualisht është në një periudhë tranzicioni të pasigurt me një udhëheqës të moshuar dhe të sëmurë, zoti Hoxha, i cili u kthye 76 muaj më parë dhe që është parë në publik vetëm disa herë në 12 muajt e fundit. Z. Hoxha u zgjodh kryetar i Partisë Komuniste Shqiptare 43 vjet më parë. Partizanët komunistë morën pushtetin në Tiranë në nëntor 1944.
Greqia ka kërkuar gjithashtu për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë. Një marrëveshje për trafikun kufitar të përmirësuar dhe mësimdhënie të minoritetit grek të Shqipërisë në greqishte u arrit pranverën e kaluar.
Zëvendësministri i Jashtëm grek, Karolos Papulias, është gati të bëjë një vizitë zyrtare në Tiranë më 3 dhjetor dhe radio “Athina” e quan këtë vizitën e parë të nivelit të lartë grek në Shqipëri që nga viti 1930. Z. Papulias pritet të deklarojë se gjendja e luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë që ka ekzistuar që nga viti 1940, ka përfunduar. Shqipëria ka rënë dakord gjithashtu të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kanadanë dhe Australinë.

Vizitori i rrallë i Shqipërisë në ‘84
Ish-kryeministri i Bavarisë: Shqiptarët më ftuan për të festuar me ta fundin e përpjekjeve të mia
Intervista që Franz-Josef Strauss dha për median gjermane në vitin 1987 lidhur me vizitën private që zhvilloi në Shqipëri
Roli i Kryeministrit të famshëm të Bavarisë, Franz-Josef Strauss, për vendosjen e marrëdhënieve midis RFGJ-së dhe Shqipërisë është një nga temat e trajtuara disa herë nga mediat shqiptare. Vizita e Strauss-it në Shqipëri ishte një nga kontaktet shumë të rralla me personalitete të rëndësishme perëndimore në Shqipërinë në mes të viteve ‘80. Etja e shqiptarëve për kontakte me botën dhe dëshira për hapjen e vendit, si dhe fakti që media e Shqipërisë në vitet ‘80 ishte plotësisht e kontrolluar dhe e censuruar, bëri që kontaktet e Strauss-it me Shqipërinë të visheshin shpejt me vellon e një legjende. Këtë sikur e tërhiqte personaliteti i pazakontë i Franz-Josef Strauss-it: si një nga aktorët kryesorë në politikën gjermane të pas-Luftës së Dytë Botërore, i pranishëm personalisht ose me partinë e tij, CSU, në shumë qeveri federale, Kryeministër shumëvjeçar, shumë popullor dhe i padiskutueshëm i landit të fuqishëm ekonomikisht të Bavarisë; iniciator i zhvillimit të marrëdhënieve të Gjermanisë me një sërë vendesh të Lindjes komuniste; një personalitet me ambicie personale për sa i përket politikës së jashtme të Gjermanisë.
Vizita turistike merr karakterin e bisedimeve
Në intervista me mediat, i biri i Kryeministrit të Bavarisë, Max Strauss, ka treguar se udhëtimi në Shqipëri i familjes së tij ishte një vendim që familja e tij e mori, sepse u voliste nga ana logjistike në itinerarin e pushimeve të verës 1984.
Në këtë intervistë të rrallë të kohës (1987), të gjetur në arkiv është vetë Franz-Josef Strauss-i, që flet për kontaktin me Shqipërinë. Ai thotë se ishte nisur si turist për të kaluar në Shqipëri, kur e pa veten të përfshirë në bisedime politike. Shqiptarët i shprehën Strauss-it interesin e tyre për marrëdhënie ekonomike. Interesi i tij ishte që Gjermania të ishte një nga vendet e para të pranishme në këtë vend të pasur me lëndë të para, që po hapej. Strauss-i është pragmatik në marrëdhëniet me Shqipërinë: ai është i ftohtë ndaj ideologjisë së Shqipërisë. Megjithatë, Kryeministri bavarez u thotë partnerëve shqiptarë që i bie në sy që ata nuk përdorin fjalën ‘reforma’, por vetëm ‘përmirësime’ të sistemit. Në 1987, ai konstaton që hapja e Shqipërisë ka nisur, por nuk ka iluzione që hapat do të jenë nën sistemin ekzistues mikroskopik.

Pyetje: Zoti Kryeministër, Republika Federale Gjermane dhe Shqipëria vendosën tani marrëdhënie diplomatike. Ju jeni njëri nga politikanët që përpiqen prej një kohe të gjatë për përmirësimin e marrëdhënieve. Pse e keni bërë këtë? Pse pikërisht me Shqipërinë, e cila është krenare të konsiderohet trashëgimtare e vetme e vërtetë e kursit leninist-stalinist?
Franz-Josef Strauss: Për çështje ideologjike… duhet të kujdesemi këtu më pak. Sepse, pastaj shtrohet pyetja se kush e ka kursin e drejtë marksist-leninist: BS, RDGJ apo Hungaria. Shqipëria ka përfytyrimet e saj, domethënë udhëheqja shqiptare. Por që prej fundit të Luftës II Botërore nuk ka marrëdhënie diplomatike midis RFGJ-së dhe Shqipërisë. Kur në vitin ‘84 unë erdha në Shqipëri, si turist kujtoja, unë u përfshiva edhe në biseda politike. Unë munda t’i bindja partnerët shqiptarë të bisedimeve se marrëdhëniet diplomatike, pavarësisht si janë sistemet, janë patjetër të mira. Ato nuk varen nga sistemet shoqërore. Doli në pah se ishte interesi i Shqipërisë të lidhte marrëdhënie ekonomike me RFGJ-në. Kjo punë u zgjat një copë të mirë kohe. Në vitin 1986 u arrit hapi i suksesit. Shqiptarët hoqën dorë nga disa kërkesa, të cilat ishin të papranueshme për ne. Dhe pastaj erdhi akti përfundimtar këtë vit. Mua këtë herë më ftuan, në mënyrë që, si të thuash, në një mënyrë festive dhe ceremoniale, për të festuar me ta fundin e përpjekjeve të mia.
Pyetje: Ju njohët Shqipërinë nën Enver Hoxhën, i cili vdiq në prill 1985. Tani zhvilluat biseda edhe me Ramiz Alinë, me pasardhësin. A mund të thoni në kuadër të këtij udhëtimi të shkurtër se ç’ka të vërtetë në këto përpjekje për reforma politike dhe ekonomike?
Franz-Josef Strauss: Partnerët tanë të bisedimeve nuk e përmendën fjalën reformë, gjë të cilën unë e vërejta, por ata folën për përmirësime: përmirësime të sistemit të tyre, përmirësime të efikasitetit të këtij sistemi. Si i huaj, këtu bën mirë që të qëndrosh sa të jetë e mundur i rezervuar, që të mos u japësh atyre këshilla. Unë besoj se hapja e Shqipërisë tani ka filluar, porse ajo do të kryhet në hapa të vegjël, mikroskopikë. Është më mirë të jesh i pranishëm që në orën e parë sesa të humbasësh rastin.
Pyetje: T’u kthehemi marrëdhënieve ekonomike gjermano-shqiptare. Vëllimi i shkëmbimeve tregtare është shumë i vogël, edhe nëse është dyfishuar, nëse jam i saktë që prej 1975-ës. RFGJ është partneri i dytë për nga rëndësia për Shqipërinë. Ku konsistojnë problemet në rrugën e një përmirësimi të mëtejshëm?
Franz-Josef Strauss: Shqipëria e ka mbyllur veten në një masë të madhe ndaj mjedisit përreth. Shqipëria nuk është në gjendje, për shkak të kushtetutës së saj, as të pranojë kredi eksporti. Tregu është natyrisht i vogël, tani kemi të bëjmë vetëm me tre milionë vetë. Megjithatë, para 40 vjetëve kemi pasur vetëm 1 milion njerëz. Ne nuk ka pse të presim këtu tregun e madh, me përfundim marrëveshjesh të mëdha. Por ne jemi që prej orës së parë të pranishëm. Shqipëria ka rezerva të konsiderueshme lëndësh të para, lëndë të para që për ne janë të domosdoshme, si për shembull krom. Shqipëria nga ana tjetër ka nevojë për mallra industrialë, ka nevojë për modernizimin e bujqësisë, për modernizimin e transportit. Ka nevojë edhe konsulencë teknike për shfrytëzimin e lëndëve të para. Është më mirë që të jesh i pranishëm që në orën e parë, sesa të thuash më vonë që e ke humbur rastin. Edhe nëse tregu është i vogël – që të thuash se ne qëndrojmë të rezervuar për madhësi të vogla, sa nuk preokupohemi për to – kjo do të ishte mënyrë e gabuar të menduari.
Pyetje: Ju thatë që kushtetuta e Shqipërisë e ndalon pranimin e kredive të huaja. Si mund të funksionojë në këtë kuadër një ndihmë nga bota e jashtme, ajo që mbetet është vetëm tregtia reciproke.
Franz-Josef Strauss: Biznes reciprok ose në vend të kredive pagimi si të thuash mund të përfshihet në çmim. Në një rast të tillë, financimi i kredisë vetëm zhvendoset.
Pyetje: Shqipëria vazhdon të kundërshtojë bashkëpunimin me dy fuqitë e mëdha, me SHBA-në dhe me BS-në. Nga pikëpamja pragmatike, gjermane, a nuk duhet të përshëndetet madje ky refuzim bashkëpunimi, sepse si gjerman arrin të bësh kështu biznese më të mira?
Franz-Josef Strauss: Besoj se po ta shikosh kështu, kaq i madh nuk është biznesi me Shqipërinë, sa të gëzohesh që ata nuk kanë marrëdhënie me SHBA-në dhe me BS-në. Me BS-në ata vazhdojnë t’i refuzojnë në mënyrë radikale marrëdhëniet diplomatike, për shkak të përvojave të këqija që thonë se kanë pasur. Por nëse ata e refuzojnë apo e pranojnë bashkëpunimin me ta, për këtë mund të jemi indiferentë, kjo është punë e tyre, jo e jona.
Marrë nga “Deutsche Welle”

No comments: