Monday, July 1, 2013

Lufta Turko - Veneziane (1645-1669) dhe terrorizmat Turke në trojet shqiptare

Nga Ilia S. Karanxha*
Mezi i shekullit të XVII për Perandorinë Otomane përkon me angazhimin e saj në luftën për marrjen e ishullit të Kretës e njohur ndryshe edhe me emrin Lufta e Kandias (1645-1669).
Veprimet luftarake kryesore u zhvilluan në detin Egje e në ishulli i Kretës mirëpo një front i dytë, jo më pak i rëndësishëm, u zhvillua edhe në Dalmaci. Pra ishte një luftë që kishte si qëllim kryesor zgjerimin apo ruajtjen e zonave të influencës e cila mori edhe karakterin e një lufte fetare mes shteteve ndërluftuese.
Gjendja dhe zhvillimi i veprimeve luftarake drejtpërsëdrejti ose tërthorazi do të preknin edhe trojet e banuara nga shqiptarët. Fillimi i kësaj Lufte u parapri nga ngjarje të tjera që ritën së tepërmi tensionin mes dy shteteve ndërluftuese. Kështu më 1638 flota veneciane sulmoi e shkatërroi flotën e piratëve barbareski, që ishte e strehuar në gjirin e Vlorës duke bombarduar edhe qytetin. Ndërsa turqit nga ana e tyre një vit më vonë me qëllim që të vendosnin rregullin e kontrollin në zonën e Kelmendit dërguan një ushtri prej 15 mijë ushtarësh e cila edhe pse dogji e shkatërroi shumë shtëpi nuk ja arritën dot qëllimit mbasi kelmendasit sipas dëshmitarëve të kohës: "u tërhoqën në malet e ashpra, me fëmijët e tyre, e meqenëse zbrisnin natën , e luftonin, kështu që turqit u rraskapitën që të arrinin t'i mposhtnin e u larguan me humbje të rënda e me turp."
Mirëpo në lidhje me këtë Luftë, ashtu si për gjithë periudhën e sundimit otoman, del nevoja së pari të gjurmohen e të nxirren në dritë hap pas hapi gjithçka që ndodhte në Shqipëri e së dyti t'u jepet mundësia të gjithëve që në bazë të fakteve të ndodhura realisht në mënyrë të pavarur të mund të gjykojnë mbi karakterin e regjimit turk në Shqipëri e pasojat shkatërrimtare të tij.
Vetë karakteri grabitqar i Luftës rëndonte pa më të voglin dyshim mbi gjithë popullsinë shqiptare, ndërsa për sa i përket ngjyrave fetare në konflikt ky ishte një element më shumë që shtynte autoritetet lokale turke të konsideronin automatikisht popullsinë e besimit katolik e në mënyrë të veçantë klerin shqiptar si armike të Perandorisë. Nuk kishte shumë rëndësi fakti në se ishin apo nuk ishin fajtorë, ata mbeteshin vazhdimisht objekt i domosdoshëm për tu luftuar.
Mbas ngjarjeve që kishin ndodhur në Vlorë(1638) e në Kelmend(1639) që folëm më lart aty nga korriku i vitit 1645 mësohet se në Shkodër kishte mbërritur një lajm: "me urdhrin nga Porta (e Lartë) që çdo shtëpi si Turke(myslimane) ashtu edhe e Krishterë duhet të japë pesë realë për kokë, për mbajtjen e luftës. Veç kësaj çdo shtëpi duhet të japë një skudo për mbrojtjen e ushtarëve marinarë dhe tokësorë, (e) që çdo shtëpi e Krishterë ku janë tre vetë në familje, njëri duhet të shkojë si remtar.."
Më 18 shkurt të vitit 1646 famulltari i Budës don Giovanni Vestio referonte se: "Që të gjithë kemi mbetur të befasuar nga tmerri i padëgjuar dhe terrori për lëvizjet e tanishme ku për të gjithë Turqinë janë grumbulluar ushtri shumë të armatosura..."
E domosdoshme është të bëhet pyetja me këtë rast: A pati ndonjë përfitim apo rikthim të mirash materiale Shqipëria nga administrata taksambledhëse otomane me rastin e kësaj lufte? Sigurisht që jo. Periudha 1645-1669 u shoqërua me shpërngulje masive popullsish (shqiptarë, morlakë, malëzezë) drejt veriut dalmatin (Grykat e Kotorit, Istria) apo në Bullgari ku shqiptarët pësuan asimilimin e tyre të plotë.
Jemi akoma në gjendjen e luftës e një dokument që mban datën 30.III.1661 i shkruar nga Himara prej arqipeshkvit të Durrësit Lascari bën të ditur se në Vlorë ishin dërguar tre çaushë me qëllim që të bllokonin e të sekuestronin të gjitha drithërat, e në të njëjtën kohë ishte hapur lajmi se turqit po përgatiteshin për të sulmuar me ushtri atë Provincë. Kuptohet interesat imperiale nuk pyesnin shumë në se një krahinë malore si Himara kishte apo nuk kishte drithë për t'u ushqyer. Por me që himariotët e ndjenin veten jo të varur nga Porta e Lartë po atë vit u sulmuan nga Bejlerbeu Osman në krye të një ushtrie turke prej 15 mijë vetësh. Ushtritë turke në verën e vitit 1661 vërshuan në fshatrat e Himarës duke grabitur ç'mund të gjenin por në fund u detyruan të tërhiqen të mundur. Gjendja aty u keqësua së tepërmi në maj -qershor të vitit 1664, kur një tjetër ushtri e madhe turke e udhëhequr nga Mehmet pashë Vërlaci u dynd duke bërë dëme të mëdha dhe zuri rob patriarkun e Ohrit Atanasio dhe sipas dëshmisë të ipeshkvit të Myzeqesë Arkadio deshën ta rripnin të gjallë por mundën ta shpëtonin duke paguar 1500 reali .
Pra principi i grabitjes, shkatërrimit e vrasjeve e bënte të nderuar pashanë shqiptar edhe para Portës së Lartë dhe nuk ishte aspak në kontradiktë me formën e administrimit otoman. Pastaj himariotët ishin edhe "fajtorë" se deshën të jetonin të lirë e të pavarur nga Porta e Lartë. Mos duhet t'i interpretojmë e të mendojmë ndryshe për këto fakte?
Klerikë dhe parësia e Himarës të katandisur në një gjendje të mjerueshme që nuk dinin se ku të përplasnin kokën me që shteti Imperial i luftonte vazhdimisht dhe nuk i ndihmonte aspak dërguan letra ankese dhe i kërkuan ndihma Selisë së Shenjtë. Një farë ndihme ju dërgua por sot nuk diskutohet më për histori e fakte historike por për historiografi e për interpretime all-turka.
Përsa i përket angazhimit zyrtar të Shkodrës në luftën turko-venete qysh nga fillimi i saj del nga një relacion që fra Gregorio Romano i dërgon Propagandës Fide më 22 korrik 1646, ku e njofton për veprimet luftarake të Jusuf Beut të Shkodrës që kishte mbërritur në kufijtë e Kotorit tre ditë më parë me një mijë këmbësorë e prej andej kishte shkuar në Pastroviq ku kishin ndodhur disa përpjekje të vogla. Të tilla inkursione nga ana e sanxhakbeut do të përsëriteshin gati vit për vit bile më 1648 indirekt mësohet se ai kishte shkuar të luftonte edhe në Kretë.
Situata akoma më e rëndë dukej në Shqipërinë e mesme ku kishte mbërritur Murat Pasha që ishte si "një zjarr i ndezur, gjakatar dhe i pa mëshirshëm" (un vivo fuoco, huomo spietato e senza misericordia) me 10 mijë ushtarë e kishte burgosur gjashtë të moshuar nga Kurbini me kërcënimin se do t'i vdiste në tortura në se nuk do ta ndihmonin të kapte ipeshkvin e Durrësit. Ipeshkvi Marko Skurra i nxitur edhe nga vala e luftës që kishte shpërthyer kundra Turqisë në bashkëpunim me Mirditasit kishte organizuar një kryengritjen në zonën e Krujës dhe të Lezhës.
Se çfarë ndodhi me pleqtë e Kurbinit, dokumentet që patëm mundësi të konsultonim nuk e thonë por ndërkohë mësohet se gati të gjithë klerikët aty ishin larguar në Dalmaci nga frika e persekucioneve. Kishte mbetur ipeshkvi i Lezhës që ishte torturuar gjatë dy muajve që e mbajtën në burg.
Keqësimi i situatës në frontin turk dhe jehona e fitoreve të ushtrive veneciane në Dalmaci në vitin 1448 ngjallën shpresat për një çlirim të mundshëm në trojet shqiptare. Epiqendra e kryengritjes u bë Shqipëria e Mesme gjë që tregonte se vala e persekucionve e dhunës së egër nuk i kishte fashitur dëshirën për liri. Në ballë të kryengritjes popullore vazhdonin të ishin klerikët më të shquar të vendit të udhëhequr nga ipeshkvi i Durrësit Marko Skurra me të cilin u bashkuan Benedetto Orsini ipeshkvi i Lezhës, Gjergj Bardhi ish-arqipeshkv i Tivarit e më pas ipeshkv i Zadrimës e Shurdhahut, ipeshkvi i Shkodrës Gjergj Fashina e një sërë krerësh të krahinave.
Për të siguruar mbështetjen e jashtme u dërgua në Venedik prifti Dhimitër Skurra, i cili i paraqiti kërkesën që gjithë Shqipëria të mund të vihej nën mbrojtjen e Venetikut duke ofruar rreth 30.000 luftëtarë me të cilët do të çlironin të gjitha lokalitetet në vendin e tyre të okupuara nga turqit.
Senati venezian i dorëzoi Dhimitër Skurrës një diplomë që t'ja u tregonte të gjithë ipeshkve e krerëve krahinorë se propozimi i tyre kishte qenë pëlqyer publikisht. Më tej ngarkoi gjeneralin e përgjithshëm Leonardo Foscolo, që të ndiqte nga afër ngjarjet e Shqipërisë ku po për këtë qëllim u dërgua gjithashtu Aleksandro Mikeli ndryshe Sulltan Jakia me titullin kont i Montenegros.
Fjalët premtuese të Venedikut nuk u shoqëruan me veprime konkrete edhe pse shqiptarët morën pjesë aktivisht në anën e Venedikut gjatë luftimeve në Dalmaci ku u shquan për trimëri të rrallë.
Mbas fitores mbi Risano, në kohët antike qendër e lulëzuar e mbretërve ilirë, Foscolo në vend që të vazhdonte luftën në drejtim të Shqipërisë në prill të vitit 1649 u kthye në Zarë që sipas raporteve të misionarëve françeskanë: "me një neveri shumë të madhe nga Malazeztë e të tjerët prej atyre popujve drejt Shqipërisë, të cilët me përkushtim kohët e fundit i ishin dhënë Republikës, meqenëse kishin shpresuar të gëzonin mbështetjen e saj ushtarake, të paktën aq, sa të fillonin me marrjen e ndonjë Qyteti për të qenë, e u gjendën tashmë papritur pa asnjë (qytet të çliruar-IK)"
Mungesa e kësaj mbështetje por edhe plogështia e moskordinimi i forcave kryengritëse shqiptare apo ideja e luftës krahinore e jo mbarë kombëtare i dha mundësi turqve të fillonin ndjekjet dhe terrorin kundra popullsisë civile, klerikëve të huaj apo shqiptarëve.
Në Shkodër turma turqish arrestuan dy misionarët françeskanë At Ferdinando d'Albizola nga Genova dhe At Giacomo (Xhiakomo) nga Roma, të cilët me akuza fallso si autorët e lëvizjes kristiane i shpunë para kadiut të qytetit, i cili vendosi aty për aty me 28 shkurt 1648 dënimin me vdekje duke i kryqëzuar në publik. Ndërhyrjet e disa autoriteteve shkodrane, si dëshmitarë për pafajësinë e këtyre klerikëve apo ofertat në para për mos dënimin e tyre nuk patën asnjë efekt mbi kadiun. Në të njëjtën mënyrë, po ato ditë, u vranë me tortura topçiu Lançia dhe prifti katolik shqiptar Gjergj Jubani, i cili i kryqëzuar rrojti gjashtë orë dhe vdiq "i ndihmuar nga dy të shtëna pushke" (aiutato da due moschettate).
Një tjetër prift po nga Shkodra Padre Cherubino së bashku me persona të tjerë po për këtë qëllim u burgos por u lirua me ndërhyrjen e të shoqes të Sanxhakbeut, i cili në atë moment ishte i angazhuar në luftën e Kretës. Ipeshkvi i Lezhës Bendetto Orsini u burgos përsëri e për të fituar lirinë u detyrua të paguante treqind Realë ndërsa topçiu i po këtij qyteti u var.
Lëvizja e armatës venedikase e përbërë nga 70 anije që u nis nga Zara drejt Tivarit më 13 dhjetor 1648 alarmoi turqit të cilët filluan menjëherë reprezaljet dhe vrasjet kundra popullsisë civile brenda qytetit të Tivarit. Shifrat e vrasjeve nga një dokument tek tjetri luhaten por më i saktë duket informacioni i misionarit françeskan Donat Jelich, i cili thotë se turqit "në Tivar kanë therur 73 të krishterë të zgjedhur ndër kullat, dhe të krishterët e Tivarit të gjithë kanë mohuar fenë". Tridhjetë familje të tjera që mundën të largoheshin në zonën venedikase duke mos i bërë dot ballë urisë u detyruan të ktheheshin në Tivar. Akoma një herë tjetër turqit ju prenë kokat 49 të krishterëve po në Tivar ndërsa në vende të tjera shumë u varën mbi hunj, ju prenë kokat e u therën.
Pasojat e këtij persekucioni ishin të tilla që më 1659 misionari Domenicho Bubich dëshmonte se në qytetin e Tivarit nuk gjendet asnjë i krishterë me që i kanë myslimanizuar të gjithë.
Le të kujtojmë këtu që Tivari si qendër arqipeshkvie qysh nga viti 1089 me kishat sufragane të Ulqinit, Shasit, Shkodrës, Drishtit Barlecit, Pultit, Kotorit, Sëbisë dhe Bosnjës ruante në katedralen e saj një pasuri të pallogaritshme dokumentesh të grumbulluara prej gati pesë shekujsh të cilat u dogjën dhe u shkatërruan nga turqit kur ai ra në dorë të tyre(1571)
Për shkak të situatës së rëndë që ishte krijuar në të gjitha frontet e luftës jeniçerët në Stamboll më 18 gusht 1648 vrasin sulltan Ibrahimin me akuzën se kishte nisur luftën me republikën Venedike e kishte futur vendin në një mjerim e shkatërrim të madh. Po në të njëjtën ditë, u vra edhe veziri i madh. Më 6 shtator hipi në fron djali i parë i sulltan Ibrahimit në moshën 6-vjeçare me emrin Mehmet IV ndërsa detyra e vezirit të parë ju besua 80-vjeçarit Mehmed -pashë Akrep-it.
Intrigat e pallatit nuk sollën asnjë ndryshim. Lufta vazhdoi me të njëjtën ashpërsi, si në frontin e Kretës po ashtu edhe atë Dalmacisë duke mbjellë varfëri dhe mjerim në trojet shqiptare.
Gjendjen e rëndë që ishte krijuar në Shkodër e gjejmë edhe në relacionin e P. Bogdanit të 23 shkurtit 1663, e cila reflekton pasojat e luftës që u zhvilluan për marrjen e Kotorit. Në të ai shkruan:
...Meqenëse këtë vit (Shkodra - I.K.) u bë shesh i ushtrive, për sulmin e Kotorit , të gjitha shtëpitë katolike u caktuan për bujtjen e ushtarëve. Kështu që të krishterët e varfër për të pasur më shumë liri në praktikimin e fesë ose mblidhen gjashtë, shtatë familje një shtëpi ose në kulmin e dimrit për ti lënë rehat ushtritë, shkojnë nëpër malet ku mbahen me një qull misri të thjeshtë, ose grurë të zierë me që mullinjtë janë të gjitha të bllokuara me nozullimet e ushtrisë.
Ushtria për të cilën na flet Bogdani ishte po ajo e Mehmet Pashës Vërlacit, i cili sipas premtimeve të sulltanit në se do kishte mundur të merrte Kotorin do t'i njihej qeverisja e sanxhakut të Shkodrës gjë e cila vinte në konflikt me vetë sanxhakbeun e atyshëm. Ushtria e Mehmet pashës u pasua nga ajo e Bejlerbeut të Sofjes e mëkëmbës i gjithë Greqisë me 1000 ushtarë, të cilët nuk i kursyen persekucione kundra popullsisë civile dhe klerit.
Kështu administrimi turk në Shqipëri jo vetëm që i dërgonte shqiptarët të luftonin aty ku deshte ajo, por i vinte të luftonin edhe me njëri-tjetrin. Shkalla e egërsisë me të cilën pashallarët shqiptarë silleshin kundrejt popullit të vet ishte edhe garancia e ngjitjes së tyre në rangjet më të larta të hierarkisë perandorake otomane.

Firenze 24. III.2013

No comments: