Friday, July 12, 2013

Fadroma ngjitet në Llogora, shemb godinën pa leje të kushëririt të Ramës

SHKRUAR NGA KRESHNIK MERSINLLARI
Aksioni i Bashkisë së Vlorës dhe Inspektoratit Ndërtimor për prishjen e ndërtimeve pa leje vijoi edhe dje. Puna e fadromave nisi rreth orës 07:00 në Qafën e Llogorasë, ku u shemb një ndërtesë dykatëshe, e cila ishte ndërtuar pa leje. Siç mësohet, edhe Prokuroria e Vlorës kishte nisur hetimin për këtë ndërtim që ndodhet në vendin e quajtur “Ballkoni i Llogorasë”.


Pronari i saj, Paskal N., është ankuar edhe në Policinë e Vlorës në lidhje me këtë veprim, por gjithsesi, ndërtesa që ishte ende karabina nuk i shpëtoi dot sitës së ndërtimeve që ishin planifikuar ditë më parë për t’u shembur. Madje ai nuk ka mundur të negociojë dhe të evitojë fadromat, ndonëse sipas televizionit “Top Channel”, rezulton të jetë kushëri i Edi Ramës. Më pas aksioni është zhvendosur në zonën e Pyllit të Sodës. Vetëm gjatë aksionit të djeshëm, Inspektorati Ndërtimor shembi 15 ndërtime njëkatëshe me konstruksion të lehtë.
Në aksionin e djeshëm ishte edhe vetë kryebashkiaku Gjika, ndërsa asistuan në ndihmë edhe forca të Policisë së rendit. “Dua të jap një mesazh të qartë për ndërtimet e paligjshme që u prishën. U them atyre banorëve të mos kenë asnjë iniciativë për të rindërtuar, sepse Bashkia e Vlorës është e vendosur për ta vazhduar këtë aksion deri në shtator, ndërsa pas këtij muaji kemi detyrë për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të përmirësuar hapësirat publike. Ne kemi një program të qartë për punën tonë.
Të hënën do të vazhdojmë me një aksion të posaçëm për lirimin nga ndërtimet në Pyllin e Sodës dhe në plazhet publike”, tha Gjika. Ai shtoi më tej se Rama ka ndërmarrë një projekt në lidhje me vijën bregdetare dhe se Bashkia është duke punuar me një grup pune në lidhje me një studim dhe një konkurs të ri për vijën bregdetare, deri në Sarandë. “Sigurisht, nga grupi i punës, nga arkiva dhe specialistët e Urbanistikës së Vlorës janë vënë në dispozicion të gjitha materialet që kemi, duke vlerësuar drejt për të rishikuar më mirë vijën bregdetare të qytetit të Vlorës. Në lidhje me objektet me leje, nëse do të gjykohet nga grupi i ekspertëve që do të merren me menaxhimin dhe rishikimin e vijës bregdetare, që janë gabim, sigurisht që do të ndërhyhet”, tha më tej Gjika.

No comments: