Sunday, July 21, 2013

Blair-in nuk mund ta shoh si kryeministër të kryeministrit të vendit tim

Rama takon Tony Blair, si hap i dytë që pritet të mbyllet me konkretizimin e një kontrate me ish-kryeministrin britanik në rolin e këshilltarit të qeverisë së re. A është ky një lajm i mirë megjithëse, sipas shtypit britanik, z. Blair është paksa i shtrenjtë me “honorare” që shkojnë në 4 milionë stërlina për Brazilin dhe 16 për Kazakistanin?
Ka qenë dhe është akoma zakon i vendeve të botës së tretë të pajtojnë si këshilltarë
figura të njohura të skenës ndërkombëtare në pension. Jo rrallë vendime të tilla janë marrë me një mendim të mbrapshtë për të zbukuruar vitrinën e qeverisjes dhe mbuluar të palarat. Nuk mund të them a është ky rasti i marrëveshjes së përfolur midis qeverisë së re “Rama-Meta” dhe zyrës së ish-kryeministrit britanik, Tony Blair. Di se kjo zyrë, që pranon kërkesa ose ofrohet për asistencë kudo ku sheh leverdinë e vet në radhë të parë, ka patur komunikime të kësaj natyre edhe me qeverinë e zotit Berisha, por pa finalizuar ndonjë gjë konkrete. Që Tony Blair ka qenë një nga skifterët e luftës në Kosovë dhe qëndron përkrah madhështisë së presidentit amerikan Bill Klinton si ndalues i genocidit kundër popullit shqiptar të Kosovës dhe si çlirimtar i Kosovës, kjo nuk diskutohet.
Që ka qenë një kryeministër mjaft i suksesshëm i laburistëve anglezë dhe që na vjen shumë mirë ta shohim sa më shpesh përkrah tij zotin Edi Rama, edhe kjo është si një e një bëjnë dy.
Përtej këtyre, publiku shqiptar ka nevojë të mësojë me transparencë për çfarë marrëveshjeje bëhet fjalë, ku konsiston asistenca e zyrës së zotit Blair për qeverinë e re të së majtës shqiptare, cilat janë tarifat e shërbimit, nëse asistenca nuk jepet falas, e tjerë. Për momentin ka më shumë “agjitacion” sesa transparencë. Ndoshta nuk ka ende diçka konkrete dhe transparenca do të vijë bashkë me marrëveshjen.
Duke thënë këto, mua më duket e çuditshme dhe shoh një anomali në bujën e porositur që shoqëron këtë lloj këshillimi. Qeverisja e çdo vendi demokratik, përfshirë këtë të Shqipërisë, është në thelb një kontratë me zgjedhësit që e kanë votuar. Qeverisja si e tillë nuk është kurrë teknike, por politike dhe kombëtare. A ka dorë Tony Blair në programin elektoral të PS-së dhe LSI-së? Jam i bindur se jo. As Blair dhe askush si Blair nuk mund të posedojë autoritetin e revizionimit të këtij programi të votuar. Askush, as Presidenti Obama, nuk mund të jetë më i madh se Rama në raport me programin e tij të 23 qershorit dhe me obligimet për ta zbatuar. Përtej nderimit për figurën e Tony Blair, unë në asnjë mënyrë nuk mund ta shoh atë si kryeministër të kryeministrit të vendit tim, siç duan ta përcjellin burizanët e shumicës së re. Së fundi, lejohem të paralajmëroj se, nëse Rama një ditë prej ditësh vendos të tërhiqet nga ndonjë premtim elektoral se kështu i ka thënë Blair, nuk duhet të harrojë se llogarinë e ka me publikun shqiptar.
Florian Rauning, aktualisht ambasador i Austrisë në Tiranë, është përzgjedhur si ambasador i ardhshëm i prezencës së OSBE në Shqipëri. A mendoni se Shqipëria ka ende nevojë për një zyrë të tillë?
OSBE në Shqipëri vazhdon të jetë pak a shumë në sindromën e mitit të Sizifit që e ngrinte vazhdimisht gurin deri afër majës së malit dhe aty i shpëtonte nga duart për t’ia nisur gjithnjë nga e para. Demokracia sigurisht që ka bërë hapa të mëdhenj përpara në Shqipëri, por zgjedhjet e fundit treguan e do të tregojnë akoma më qartë në ditët e ardhshme se prezenca e OSBE-së jo vetëm nuk duhet të largohet, por duhet të riprogramojë misionin e saj në Shqipëri, duke hyrë thellë në problematikën e re të zgjedhjeve shqiptare e duke diktuar zgjidhjet adekuate me realitetin. E kam pohuar në këtë rubrikë dhe dua ta përsëris se dukja nuk duhet të na mashtrojë. Këto zgjedhje janë prishur nga brenda dhe janë prishur në mënyrën më të keqe dhe më fatale sepse janë prishur me para. Unë jam një njohës i mirë i historisë së manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri, kam shkuar tre libra vetëm për këtë temë, çështja e zgjedhjeve dhe asgjë tjetër ka përcaktuar lëvizjet e mia politike. Kemi patur manipulime me kërcënime nga punonjësit e rendit apo SHISH- kjo ka qenë e riparueshme dhe është riparuar. Kemi patur futje votash në kuti nga njerëz të policisë- edhe kjo e riparueshme. Kemi patur tjetërsime mandatesh me vendime gjykatash- e riparueshme. Por kjo e zarfeve me para për të blerë votues, komisionerë dhe numërues, përfaqëson nivelin më kritik të prishjes së zgjedhjeve dhe provën gjenerale të vendosjes së hegjemonisë së parasë në zgjedhje. Nuk kam asnjë dyshim se shumica e re do të tentojë t’i blejë e manipulojë akoma më keq zgjedhjet. Unë nuk njoh liderë në kampin e majtë që të kenë kultin e votës së lirë. Kur guxuan kësaj radhe që me demek ishin në opozitë, imagjinoni se ç’do të bëjnë kur të kenë vetë arrën dhe gurin në dorë. Shpëtimi është opozita e re, opinioni publik, OSBE, SHBA, një transparencë e madhe dhe një hetim profesional nga erdhën këto miliona para, çfarë Shqipërie është kjo ku koordinatorët e një force modeste politike, si LSI, apo trezorierë të PS-së kryqëzohen lart e poshtë dhe bien ngado në pritat e policisë me zarfet e parave në çanta dhe në gji. Nuk them se qeveria nuk do t’i humbte zgjedhjet. E kam pohuar e argumentuar disa herë këtë. Por blerja dhe vjedhja e votës nga ish-opozita na lë pa shpresë. Prandaj bashkë me transparencën lipset edhe një infrastrukturë krejt e re, infrastruktura e votimit dhe numërimit elektronik në radhë të parë. Për të gjitha këto kemi sërish nevojë për prezencën e OSBE-së.
Korriku ka qenë një muaj tragjik për gratë në Shqipëri: burra që vrasin gratë dhe nënat e fëmijëve të tyre…
E keni lexuar romanin e Stig Larson “Burrat që urrejnë gratë”? Shumë e kanë lexuar si roman, shumë të tjerë mund ta kenë parë film. Është një subjekt i kundërvënies midis një epërsie banale të natyrës që kanë burrat ndaj grave, që është forca fizike dhe forcës së inteligjencës që duhet të manifestojnë gratë në këtë përplasje. Kjo që po tregoj unë me pak fjalë, ndodh në Suedi, në një vend që konsiderohet parajsa e barazisë gjinore. Të kthehemi tani në Shqipëri, të kthehemi në korrikun tragjik të këtij viti. Më ngrihet mishi kokërr duke parë e dëgjuar për gjithë këto makabritete, kryesisht kundër grave. Nuk them asgjë duke përsëritur se problemi është kompleks, është ekonomik, social, kulturor…Nuk them asgjë po të përsëris se me kanunet e tyre, të parët tanë i kanë pas dhënë një status paprekshmërie gruas. Ajo që mund të them në këtë moment duke kujtuar gratë suedeze të romanit “Burrat që urrejnë gratë” është kjo: e para, gratë duhet të kompensojnë dobësinë e natyrës me forcën e inteligjencës. E dyta, dënimet për burrat që torturojnë e vrasin gratë duhet të jenë shumë më të rrepta.
Takime intensive por dhe ‘pushime pune’ të krerëve të koalicionit të ri: Meta, Rama e Kokëdhima në Qeparo; Meta viziton selinë e PS, një ‘teqe’ ku nuk ish falur prej 8 vitesh dhe pas tij, Rama pret edhe Lefter Kokën. A kanë nisur ecejaket për qeverinë e re dhe, a u duken negociatorët kuptimplotë?
Normale më duken të gjitha këto. Duhet të kompilojnë programin dhe të ndërtojnë qeverinë për t’i patur gati në fillim të shtatorit. Kanë marrë shumë deputetë, por ekuacionin e qeverisë nuk e kanë aq të lehtë sa duket. Prandaj nuk përjashtoj t’i kenë edhe më të shpeshta, por edhe më të sikletshme “pushimet e punës”, vizitat e ndërsjellta në “teqetë” respektive apo në “teqe” asnjanëse.
Presidenti Nishani ka mbledhur krerët e institucioneve të pavarura dhe të rëndësishme dhe u ka kërkuar të mos stepen nga asnjë revansh. Kjo ka ardhur pas një turi të z. Rama në disa prej këtyre institucioneve. Ju, a keni parë revansh?  
Revansh në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës jo, por shenja janë dhënë. Presidenti i Republikës, zoti Nishani, jo vetëm për këtë shkak dhe jo vetëm për të rivendosur gjendjen pas takimeve që zoti Rama zhvilloi si fitimtar i zgjedhjeve me disa prej krerëve të institucioneve të pavarura, i thirri këta për të biseduar dhe konfirmuar ndarjen demokratike të pushteteve dhe statusin e institucioneve të pjesës natyrore të shtetit në raport me institucionet e pushtetit në Republikën e Shqipërisë. I thirri edhe për t’i motivuar, duke qenë se është një zakon në Shqipëri që kur ndryshohet qeveria krijohet një gjendje pritjeje dhe një vakum institucional edhe aty ku nuk ka arsye dhe nuk duhet të krijohet. Ja pse takimi i Presidenti ishte në kohën e duhur dhe përcolli sipas meje mesazhet e duhura. Takimi m’u duk me vlerë edhe për një arsye tjetër: me ndryshimet që ndodhën në zgjedhje, ka shumë mundësi që Presidenti Nishani të marrë rolin që pretendojmë nga Presidenti i Republikës si garant i ligjit në vend. Ai ka shansin të ngrihet në lartësinë e kohës, duke qenë se Meta e ka votuar. Nga ana e tij, Rama kryeministër është thirrur në kauzë të themelojë kulturën e kohabitacionit me Presidentin e zgjedhur nga pala kundërshtare. Në këtë provë është thirrur për reciprocitet edhe Nishani. Tensioni në bashkëpunim mes tyre do t’i bëjë mirë vendit.
U mbushën shtatë vjet qëkurse u nda tragjikisht nga jeta Gramoz Pashko, ish-themelues i PD-së dhe një nga figurat më karizmatike të Lëvizjes së Dhjetorit. Në fushatën për zgjedhjen e kryetarit të PD-së, kandidati Basha është i pari që e ka vendosur figurën e Pashkos përkrah figurave të Azem Hajdarit dhe Sali Berishës. Si e vlerësoni këtë akt, jemi në histori apo në politikë?
Në histori dhe në politikë njëkohësisht. Nga pikëpamja njerëzore jam emocionuar shumë kur kam dëgjuar Bashën të evokojë nga galeria e themeluesve Azem Hajdarin dhe Gramoz Pashkon. Ata ishin miq me njëri-tjetrin në çdo rrethanë, një miqësi e ngritur mbi adhurimin e ndërsjelltë. Të tilla ishin miqësitë tona atëherë. Ata janë larguar të dy nga kjo jetë në moshë të re, në mënyrat më të paimagjinueshme. Ata janë brenga ime dhe e mijëra e mijëra demokratëve të fillimit. Merret me mend pra sa shumë jam prekur kur dëgjova Bashën. Dua të jem i sinqertë. Jam prekur posaçërisht kur përmendi emrin e Gramozit, pasi për Azemin ka patur gjithnjë njohje dhe përkujtimore. Sa herë kthejmë kokën prapa, drejt dhjetorit 1990, e shohim Gramozin krah për krah me Berishën, binom i lidershipit popullor të kohës. Ai ka qenë një vlerë autentike e rrallë e shoqërisë shqiptare, e lëvizjes demokratike dhe e Partisë Demokratike. Liberaldemokrat par excellance, ai ka autorësinë e ideve dhe projekteve të para që i hapën rrugën e gjerë nismës së lirë në Shqipëri. Ma merr mendja se Basha e ka përmendur jo vetëm si pjesë të historisë në kuadrin e vizionit të tij të shpallur për të lidhur historinë e PD-së me një të ardhme të saj të re. E ka përmendur edhe si përfaqësuesin më të shquar të korentit liberaldemokratik në PD dhe kjo mua më duket shumë e drejtë, shumë kuptimplote për programin e tij si pretendent për postin e kryetarit të PD-së. Dëshiroj ta përsëris se, qysh në lindje PD ka qenë një parti liberal-konservatore, ose konservatore-liberale. Sa herë që këto “dy shpirtra” kanë fuzionuar në respekt të ndërsjelltë partia ka patur suksese, si për shembull në vitin 1992, në vitin 2005, e tjerë. Sa herë që “shpirtrat” janë grindur, apo më saktë, sa herë që konservatorët kanë menduar t’i shtyjnë liberalët, partia ka patur disfata. Historia duhet t’u mësojë diçka atyre që vijnë për të marrë përgjegjësi të larta politike. Mendoj se duke evokuar kontributin e Pashkos, Basha ka treguar se e ka bërë të vetin mësimin e fitores. Të dy kandidatët, për mendimin tim, e kanë interpretuar mjaft mirë nevojën për të afirmuar lidershipin e tyre pa mohuar vlerat e paraardhësve.
Instituti i Metrologjisë pas një kontrolli nëpër karburante ka shpallur se shqiptarët paguajnë për një litër naftë dhe marrin treçerekun. A nuk është konsumatori shqiptar i nëpërkëmburi i madh i tranzicionit? Barnat, karburanti, ushqimet dhe shumë produkte e shërbime nën mesataren…
Skandaloze! Turp, turp, njëmijë herë turp! Në reflektimin e thellë të PD-së për tetëvjeçarin e shkuar, reflektim i domosdoshëm për një Fillim të ri, duhet të zërë një vend të veçantë fakti se populli shqiptar është ende një popull i pambrojtur nga mashtruesit dhe delenxhinjtë. Rendin dhe jetën më shumë i mbron zakoni sesa ligji. Kurse për ushqimet, për barnat, faturat e dritave, tarifat e telefonave apo karburantet, individi i shkretë është i pafuqishëm, është viktimë. E lexova me shumë trishtim lajmin e ri për mashtrimin e ri me karburantet. Xhungël. Shfrytëzim cinik i vakumit të kalimit të pushtetit, por edhe shenjë e keqe domethënëse për pushtetin e ri.
Si e keni parë garën për kryetar të PD, a keni patur kontakte me kandidatët, cili është projeksioni juaj për këtë parti pas 22 korrikut; cili do të jetë roli i Berishës (apo cili duhet të jetë) dhe nëse do të bënit një endorsement për kë do ta jepnit: Bashën apo Olldashin?
Një garë reale, e interpretuar mirë nga të dy kandidatët. Si themelues i PD-së dhe si njeri publik që mbështes PD-në dhe opozitën e re, jam kontaktuar e konsultuar edhe nga Basha, edhe nga Olldashi; jam njohur me konturet e projektit të secilit, pastaj i kam ndjekur në media me vëmendje dhe entuziazëm. E kam shkruar dhe po e përsëris që, gara e tyre është shprehje e vitalitetit të PD-së; ata do të mbahen mend si politikanët që i dhanë jetë të parës garë reale për të zëvendësuar Sali Berishën në krye të PD. Do të ketë një fitues në këtë garë, por nuk do të ketë një humbës. Ai që nuk do të dalë i pari do të dalë i dyti, në kuptimin politik të garës. Për mua ka shumë rëndësi që gara të vijojë kështu deri në fund dhe me mbarimin e numërimit të votave i pari t’i zgjasë dorën të dytit, i dyti të parit. Bashkimi është po aq i rëndësishëm sa vetë lideri. Ju ngulmoni për një endorsement nga ana ime. Unë jam liberaldemokrat dhe miratoj me përparësi vizionet liberaldemokrate. Por do t’ua lë anëtarëve të PD-së përzgjedhjen, i bindur se ata do të bëjnë zgjedhjen më të mençur të një kryetari që do të jetë njëherësh shef i opozitës dhe kryeministër hije. Do mjaftohem me një përshkrim. Në këtë fushatë, por edhe më parë kam parë se Olldashi komunikon, kurse Basha komunikon dhe elektrizon; Olldashi duket më i rrahur si punëtor partie, Basha duket i pajisur me dhunti lideri; Olldashi duket më i mbështetur nga drejtues partiakë, Basha më i mbështetur nga anëtarësia e thjeshtë. Në lidhje me rolin e zotit Berisha, unë mendoj se ai do të vazhdojë ta ndihmojë lidershipin e ri të PD-së me gjithë bagazhin e tij si politikan profesionit dhe opozitar i regjur, por ndërkohë nuk do t’i bëhet pengesë këtij lidershipi për reformimin e partisë dhe përballimin e sfidave të reja.

No comments: