Sunday, June 23, 2013

Voto 44, Përpara!

Shqiptarët do t’i drejtohen sot kutive të votimit, për të zgjedhur alternativën më të mirë për jetesën, mirëqenien e tyre. Ata përballen sot me dy alternativa, atë të Partrisë Demokratike, e cila ofron punësim, rritje të rrogave dhe pensioneve, dhënien e tapive dhe legalizimet brenda këtij viti, infrastukturë moderne, taksa të ulëta, heqjen e vizave me SHBA, marrjen e statusit të vendit kandidat, nisjen e negociatave me BE dhe alternativën e Partisë Socialiste,
e cila ofron rritje të taksave, heqje të TVSH-së për ushqimet bazë çka dëmton fermerët shqiptarë dhe që në asnjë çast të fushatës nuk u premtoi shqiptarëve integrimin europian.

Mitingjet
Mesazhi i fitores së Partisë Demokratike është dhënë që gjatë ditëve të fushatave elektorale, shpalosja e programit dhe prezantimi i kandidatëve demokratë është pritur me mjaft entuziazëm nga shqiptarët. Për 30 ditë rresht sheshet e qyteteve janë mbushur plot entuziazëm dhe kulmi arriti ditën e premte në Tiranë ku në Sheshin “Nënë Tereza” u mblodhën mbi gjysëm milion shqiptarë për të përçuar mesazhin e fitores së sotme. Nga ana tjetër, kemi parë një fushatë elektorale të varfër pa program konkret, e bazuar vetëm në fyerje, mohim për çdo gjë të bërë nga qeveria si dhe sharje të shqiptarëve për shkak të përkatësive krahinore apo profesioneve. Në mitingjet e Partisë Socialiste ka patur edhe qytete të tëra, të cilët kanë refuzuar të dëgjojnë kryetarin socialist siç ka qenë rasti i Peqinit, pjesëmarrje e ulët, më e ulëta në histroinë e mitingjeve socialiste në kryeqytet apo rasti i Shkodrës.

Koalicioni i djathtë
Koalicioni “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, i udhëhequr nga Partia Demokratike ka në përbërje të tij 25 parti të djathta të qendrës së djathtë dhe të qendrës, të cilat kanë rënë dakord që të besojnë në sipërmarrjen e lirë, ndërhyrjen e kufizuar të qeverisë, në forcimin e klimës së biznesit, duke ulur taksat, duke e bërë më të lehtë për të hapur, drejtuar dhe zhvilluar një biznes. Nëpërmjet këtij koalicioni do të vijojë tërheqja e investimeve të huaja, në investimet në infrastrukturë, në përmirësimin e arsimit, në zhvillimin e energjisë dhe burimeve natyrore. Duke zhvilluar sektorët që janë motorët e ekonomisë, koalicioni i djathtë ka premtuar krijimin e vendeve të reja të punës nga biznesi i vogël, prodhimi industrial, turizmi dhe bujqësia. Si synim i këtij koalicioni, janë ruajtja e taksës së ulët të sheshtë 10 për qind, shtrimi i 4.500 kilometra rrugë të tjera shtesë, krijimi i Gjykatës Administrative dhe mbështetje në çdo mënyrë të mundshme të projektit për gazsjellësin Trans Adriatik. Partitë e koalicionit të djathtë të udhëhequra nga Kryeministri Sali Berisha gjatë marrëveshjes janë zotuar se qëndrojmë të bashkuar në angazhimin për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor, për garantimin, mbrojtjen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve, për mbrojtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm, për investimin në përmirësimin e arsimit për të rinjtë, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe mbështetjen për artin dhe rritjen e mundësive për investimin në sport. Gjithashtu, në unanimitet është rënë dakord për avancimin e grave në shoqëri, mbrojtjen e fëmijëve, asistencë për invalidët, mbrojtjen e pakicave kombëtare, sigurinë financiare të pensionistëve, nderim për veteranët dhe dinjitet për të papunët dhe shtresat më në nevojë.
N. MERSINLLARI

No comments: