Saturday, June 29, 2013

T’i japim PD-së një fillim të ri të fuqishëm, me një lidership të ri

Nga Sali Berisha*
Zonja dhe zotërinj, Anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike,

Nga kjo mbledhje, dua t’ju përcjell përshëndetjet e mia të përzemërta të anëtarëve të Partisë Demokratike, militantëve të saj, votuesve të Partisë Demokratike. E thirra këtë mbledhje Kryesie me qëllimin që të hapet sot e në vazhdim gara për zgjedhjen e lidershipit të ri të Partisë Demokratike. Partia Demokratike ka pësuar një humbje në garë dhe ajo ka jetike një rikthim
të ri të fuqishëm. Është në detyrën tonë, në detyrimin tonë më madhor ti japim asaj mbështetjen totale për fillimin e saj të ri më të fuqishëm që ka patur ndonjëherë. Dhe pse unë them që ajo mund të ketë fillim të ri më të fuqishëm që ka patur ndonjëherë. Nuk e kam këtë, absolutisht në rrafshin propagandistik, por në bindjen time më të thellë. Së pari, Partia Demokratike vërtetë ka humbur betejën por ka me vete qindra, mijëra, ka forcat më të kualifikuara të këtij vendi të cilët kanë një kontribut, janë pjesë qenësore e të gjitha arritjeve tona në këto 8 vite. Këto forca, këto burime të jashtëzakonshme njerëzore janë të vendosur sot më shumë se kurrë të vazhdojnë mbështetjen e alternativës për “Shqipërinë një vend i zhvilluar”. Ata kanë investimet me kolosale në këtë projekt, kanë krenarinë e tyre në këtë projekt, kanë pasionin e tyre në këtë projekt, dhe unë ju them ju se janë këto shkaqe që i bëjnë ata mbështetësit më të fuqishëm të Partisë Demokratike. Kjo është e vërteta. Partia Demokratike ka një numër shumë të madh anëtarësh, militantësh të saj të cilët janë më të vendosur se kurrë të qëndrojnë dhe të përgatiten me seriozitetin më të madh për betejën e ardhshme e cila është shumë e afërt, 2 vite, për ta fituar atë. Së treti, një fillim i ri i fuqishëm do të bëhet e mundur, në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike. Ky është grupi më i kualifikuar që kjo forcë politike ka patur në historinë e saj opozitare. Ky grup nuk ka numrat më të mëdhenj, por ka njerëzit që njohin më mirë se kushdo tjetër qeverinë dhe qeverisjen, kjo është e vërteta. Këta janë njerëzit të cilët mund të bëjnë avokatinë më të fuqishme të alternativës sonë në Parlament, pasi ata janë njohësit më të thellë të procesit të qeverisjes dhe qeverisë. Është një grup lartësish i kualifikuar për opozitën. Natyrisht, që kjo kërkon që në ditën e parë që ulen në ato karrige harrojnë se janë më qeveritarë, por janë avoketër të atyre të cilët presin të shohin partinë e tyre fitimtare në betejën e parë. Por, një fillim i ri do të ishte i pamundur pa një lidership të ri. Ndaj dhe ne kemi detyrën kryesore, imediate, të hapim procedurën e zgjedhjes së lidershipit të ri. Liderishpi i ri ka fatin të mos ketë historinë në shpinë, por të ketë trashëgiminë e mirë të Partisë Demokratike, të ketë vizionin e saj, të ketë projektin e saj. Në këtë kontekst, për këto shkaqe komplekse ai nuk mund të zgjidhet nga kongresi, nga Kuvendi i partisë, ai duhet të zgjidhet nga një anëtar një votë dhe këtu është apeli im për të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike. Ta konsiderojnë këtë proces si një mision jetike për fillimin e ri të fuqishëm dhe të suksesshëm të Partisë Demokratike. Nuk kam kërkesë më miqësore, më zyrtare, më të fortë ndaj antarëve dhe simpatizantëve tanë që secili prej tyre të kontribuojë me votën e tij në një proces që do të hedhë themelet e fillimit të ri të fuqishëm dhe të suksesshëm të Partisë Demokratike. Ne kemi qenë parti e fillimeve të reja, pavarësisht se Kryetari ka mbetur, por Kryetari gjithnjë ka operuar me konceptin e fillimit të ri. Tani ky është më i vërteti i të gjitha fillimeve të tjera, ndaj edhe unë dua që anëtarët e PD-së të vendosin secili një tullë me votën e vet, në këtë proces që absolutisht do ta çojë këtë forcë politike në kohën më të shkurtër do ta shndërrojë në forcë fitimtare. Ndërkohë, lidershipi i ri do të bëjë të gjitha analizat e kësaj humbjeje e cila është serioze, e cila është shumëplanëshe e cila nuk do të kalojë pa një analizë. Ju e keni konstatuar vetë se unë nuk jam kurrë për gjah, ne nuk jemi parti e filozofisë së gjahut. Pse unë e kam këtë, e para ne kemi filozofi tjetër, e dyta, në rrafshin njerëzor ai që humbet, ai ndjehet njeriu më fatkeq. Ai ka bërë gjithçka për të fituar, me familjen e tij, me kandidatët. Humbi, s’është mirë, por ne nuk bëjmë gjah kurrë. E kemi këtë si popull që duam koka turku por nuk jam unë me këtë filozofi, as kam qenë e as këshilloj kurrë që partia të ketë një filozofi, kjo është trashëgimi staliniste e të shkuarës sonë, bëjmë analizat. Ka një moment, Kryesia mund të jepte dorëheqjen, por unë nuk ja këshilloj dorëheqjen kryesisë. Përse? Lidershipi i ri do të zgjedhë kryesinë e tij. Por ne s’kemi pse krijojmë një situatë të tillë. Lidershipi i ri do të ketë të drejtë të formulojë, hartojë listën e kryesisë, t’jua paraqesë forumeve të partisë dhe ne jemi Parti Demokratike, Forumet kanë të drejtë të shtojnë vetë në listë dhe në këtë mënyrë ecim të sigurt drejt asaj që themi një fillimin i ri i fuqishëm. Dhe ne kemi mundësi ta japim. Kam menduar që nëse kjo nuk është e shkruar në Statut, ne edhe mund ta mbledhim Këshillin Kombëtar dhe të hapim nenin, të hapim në Statut këtë nen. Ka ndodhur një gjë, ky që vjen, ky “New commer”, ky vjen me vizion, ky nuk ka nevojë për histori, trashëgiminë po, trashëgimia është e çdo shqiptari dhe kjo nuk diskutohet. Por ky tani ka nevojë për ca rrënjë më të thella. Rrënjët më të forta janë kur zgjidhet nga anëtarësia. A jemi dakord me këtë? Cila është preferenca të dashur anëtare dhe anëtarë, Unë jam njeri i sinqertë, n.q.s unë do të doja të shënjoja pasardhësin ai do të dilte në shanset më të mëdha. Unë nuk do ta bëj këtë. Pse? Sepse unë do ta lë të jetë një garë e hapur. Cilido nga strukturat e Partisë Demokratike, cilido, le të vijë të hyjë në garë, por me një kusht, të pranojë garën. Ne kemi regjistrin dixhital të anëtarësisë. Një javë do të kenë afat të gjithë ata, ose ato që kanë ambicien pozitive për të nderuar këtë garë, absolutisht pas një jave, të premten tjetër ata fillojnë, strukturat gati, për të dëgjuar programin e tyre, gazeta gati për të shpallur në mënyrë të centrimentuar programin e tyre dhe të barabartë dhe kjo pastaj do të krijojë një komision që do të shoqërojë formalitetet administrative, fletëvotimet, kutitë, rregullin e votimeve në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që në të ecim drejt një fillimi të ri të fuqishëm dhe të suksesshëm. E kam menduar gjithë këto ditë. Partia Demokratike ka forca, ka projekt, ka përkushtim që s’e ka patur kurrë ndonjëherë më të madh. Natyrisht humbja është në tagrin e lidershipit të ri ta analizojë, sepse kjo do analizë. Unë s’i bëj analizat me gjah se nuk shkon ajo punë, nuk është në filozofinë tonë.

*Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit në detyrë të PD, Sali Berisha dje në mbledhjen e Kryesisë.

No comments: