Friday, June 14, 2013

Si është kryer përgjimi në SHBA?

Javën e kaluar, raportet kanë zbuluar programe sekrete të mbikëqyrjes të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të cilat mbledhin, ruajnë dhe analizojnë miliarda regjistrime telefonike dhe të internetit, brenda dhe jashtë SHBA-së. Informacioni është përhapur në media nga Edward Snowden, një amerikan 29-vjeçar, i cili ka punuar si kontraktor për Agjencinë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së dhe CIA-n. Zyrtarët amerikanë thonë se mbledhja e të dhënave në një shkallë kaq të gjerë është e dobishme në luftën kundër terrorizmit. Por, grupet e të drejtave thonë se ajo shkel liritë civile. Raportet e mediave, të cilat bazohen në dokumentet që
kanë rrjedhur nga ish-punonjësi i CIA-s, Edward Snowden, flasin për mbledhjen e dy llojeve të ndryshme të të dhënave - të dhëna telefonike dhe të dhëna të internetit. Si mund të jetë bërë mbledhja e këtyre informacioneve? Në rastin e regjistrimeve telefonike, Agjencia Kombëtare e Sigurisë ka marrë miratimin ligjor nga një gjykatë speciale e Shteteve të Bashkuara, e formuar sipas Ligjit për përgjime të vitit 1978, për t’i kërkuar një kompanie amerikane të telefonisë celulare , që të dorëzojë regjistrimet e thirrjeve telefonike. Regjistrimet përfshijnë numrat e secilës thirrje, vendndodhjen dhe kohëzgjatjen e tyre, jo të dhëna të asaj që është thënë, të cilat do të kërkonin urdhër të gjykatës. Në rastin e regjistrimeve të internetit, Agjencia Kombëtare e Sigurisë ka përgjuar direkt serverët e disa kompanive online, në mesin e tyre: Facebook, Google, Microsoft dhe Yahoo. Drejtori i inteligjencës kombëtare të Shteteve të Bashkuara, James Clapper, ka thënë se mbledhja e të dhënave është e ligjshme në bazë të Ligjit për përgjime. Të gjitha kompanitë mohojnë se kanë lejuar me vetëdije qeverinë që të hyjë në serverët e tyre.
Mbikëqyrja e të dhënave në internet thuhet se është bërë përmes një programi sekret të mbikëqyrjes, i koduar si PRISM. Çfarë është PRISM dhe si funksionon? PRISM besohet se monitoron e-mailet, bisedat me pamje dhe me zë, videot, fotografitë, trasnferimet e dokumenteve dhe detaje të aktiviteteve në mediat sociale. Zyrtarët amerikanë thonë se PRISM i lejon Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe agjencive të tjera të ndjekin komunikimet e shtetasve të huaj, të cilët dyshohen për terrorizëm. PRISM është program i mbledhjes së të dhënave dhe në këtë kuptim ndryshon thelbësisht nga një mjet tjetër i mbikëqyrjes, i cili përdoret nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë dhe quhet “Informuesi i Pakufishëm” (Boundless Informant). Çfarë është Informuesi i Pakufishëm? Teksa PRISM ka të bëjë me mbledhjen e të dhënave, Informuesi i Pakufishëm organizon dhe harton të dhënat e komunikimeve. Vendet më të spinuara bazuar në Informuesin e Pakufishëm janë Irani, Pakistani, Jordania, Egjipti dhe India.
Presidenti Obama ka mbrojtur metodat, duke i përshkruar si mjet thelbësor në kundër-terrorizëm. Obama po ashtu ka thënë se programet janë të ligjshme dhe i nënshtrohen mbikëqyrjes së Kongresit. Ai ka siguruar amerikanët se “askush nuk dëgjon” thirrjet e tyre telefonike. Reagimi ka qenë më i zëshëm jashtë Shteteve të Bashkuara. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se do të ngrejë çështjet e përgjimit të komunikimeve evropiane kur të takohet me Obamën në Berlin.

No comments: