Saturday, June 15, 2013

Më thonë Branko Manojlovski, por unë jam shqiptar

Rrëfimi i Branko Manojlovskit. Shqiptari ortodoks nga Bellçica e Rekës së Epërme, në rajonin ndërmjet Gostivarit, Dibrës dhe Kërçovës.
Është shqiptari ortodoks 71-vjeçar nga zona e Rekës së Epërme, në rrëfimin e të cilit ngërthehet një histori sa e rëndësishme po aq e dhimbshme e një pjese të popullatës shqiptare në Maqedoni, ku jetoi dhe jeton
ende një popullatë ortodokse shqiptare gati plotësisht e asimiluar në popullatë maqedonase.
Branko, i cili gjashtë muaj të vitit i kalon në Çikago të Shteteve të Bashkuara, ku migroi në vitet 70-të, e po aq në kullën e tij në vendlindje, vetëm pak para më shumë se një viti u deklarua publikisht përmes rrjeteve sociale se është shqiptar dhe se nuk është maqedonas. Të tillë si ai ka shumë pak, edhe pse ndër këta shqiptarë ka dhe shumë emra të njohur, që tashmë janë deklaruar e deklarohen si maqedonas ose i takojnë kulturës maqedonase.
Për pak të informuarit për krejt këtë çështje, po theksojmë se Rekës së Epërme i takon edhe Josif Bageri, shqiptari i njohur i periudhës së shekullit XIX dhe XX.Rrëfim i tij shpalos kujtimin për vendlindjen, gjendjen e atjeshme dhe për asimilimin e popullatës shqiptare ortodokse të Rekës së Epërme në popullatë maqedonase(!), por edhe për bashkëpunimin dhe diferencat fetare që kanë ekzistuar ndër vite te popullata shqiptare e krejt asaj ane.
Një debat i madh pati shpërthyer në momentet kur Branko Manojllovski pati dalë haptazi në një dokumentar të realizuar në Maqedoni, ku flet për vendlindjen e tij, për prejardhjen dhe për krejt Rekën si zonë e asaj ane. Debati pati shpërthyer dhe pati goxha shumë reagime, por megjithatë në opinion krejt kjo temë nuk është sqaruar sa duhet. Branko Manojllovski nga shumëkush quhet misionar e promovues i vlerave ortodokse shqiptare në Maqedoni.
Zotëri Manojllovski mirë se erdhët në Kosovë! Atëherë, nëse themi Branko Manojllovski – shqiptar, shumëkush nuk do ta kuptonte një gjë të tillë. Cili është shpjegimi që do të mundë ta japim z. Manojllovski?
Po, unë emnin e kom Branko Manojllovski, po jam shiptar, ortodoks shiptar ma mirë me thanë. Ka ni vend qi thirret Reka Epërme, është Rrethi Dibrës dhe ka nja shtatëmdhetë katunde si folin shyp me mija vjet, mirëpo mas ni kohe e ndrran e u asimillun e u bonë slloven (sllav).
Z. Manojllovski, kjo është e folmja autentike e gjuhës shqipe të popullatës së rajonit të Rekës së Epërme, që gjendet në trekëndëshin mes Dibrës, Kërçovës dhe Gostivarit? Kjo është ajo e folme z. Manojlloski?
Tamam ashtu është, originalli i shypës jonë.
Cili është rrëfimi për emrin, në fakt për mbiemrin tuaj, z. Manojllovski? Ka qenë ky apo…?
Jo, mbiemni im me procesin e asimilimit është ndruajtur shumë herë. Sa di unë, ka qonë Tanashi në 1700 – 1800 mote. Mbrapaj, në vaktit sërbit, e bonë Tanasheviq, se e përdornin religionin të kërshten dhe ata e bojtnin si shkop magjik, mbiemnin e ndrruetin dhe na botin serbë e mas ni vakti e botin Manojllovski.
Kur ndodhi kjo e fundit?
Manojllovski u bo më nimi e nantqind e katërdheteshtatën. Athere unë isha i vogël, Baba m’çoj për të mar ni dokument për motrën e jem, ajo martohej. Nuk e di si thirret shyp aj dokument, për ata t’lejtmet…?
Po, për certifikatën…
Eh, dhe unë shkova që ta mar. Unë e dinja që ne jemi Tanasheviq, mirëpo aj Mixha Dellka, si punonte aty, ma dha e më tha: Qysh tash do jini Manojllovski.
Cila ka qenë gjuha z. Manojllovski që e keni përdorur, që e keni folur në shtëpinë e në fshatin tuaj? Cila ka qenë gjuha që kanë komunikuar fshatarët e atyre 16 a 17 fshatrave të Rekës?
Gjythë kanë folë shyp, originall shyp pose rekance, si thonë të na. Shyp kemi folë. Na nuk dinjim, na culltë nuk dinjim maqedonisht as dy llafe deri kur i bonjim nantë vjet e shkonim në shkollë fillore.
Do të thotë, gjatë gjithë kohës keni komunikuar shqip?
Shyp, shyp, gjithë kohës shyp dhe gjithë toponimet jon shyp.
Po etërit, prindërit tuaj, kanë ditur ta flasin gjuhën maqedonase, ose hajde po e quajmë – sllavishten.
Burrat e kanë ditë, se kanë punu, punonjin me sllavë, me … a grania jo, qe nona jeme nuk dinte dy llafe maqedonisht ja sërbisht. E mba mend kur e conim te mjeku, te doktori, si thonim. E pyete doktori maqedonisht : Shto te bolli? Cysh t’dhem?” e ajo thoshte “Barku mallo”, er unë i diftonja mjekut maqedonisht – “Stomakot ja boli”. Nuk dinte dy llafe maqedonisht, gjithë folte shyp.
Nuk dinte dy llafe maqedonisht. Një gjë tjetër mjaft me rëndësi z. Manojllovski është se ju keni patur kisha, kisha ortodokse nëpër ato 16 a 17 fshatrat që i përmendët edhe ju. Liturgjitë si janë mbajtur, në çfarë gjuhe?
Aty është edhe një problem, se kishat ashtu si vinte asimillimi ene kishat ndrroheshin.Erdh gërku e bonjin grekisht, erdh sërbi e bonjin starosllovenski, si thonë, në sllavishten e vjetër, mirëpo e folmnja ndërmjet nesh te kisha edhe rreth priftit ishte shyp. E mba mend si sot une…
Ju, i mbani mend liturgjitë kur janë zhvilluar në gjuhën shqipe z. Manojllovski?
Jo, nuk e mba mend në gjuhën shype, se liturgjinë e bonte prifti në gjuhën e vjetër, si tha, sllave, se nuk kishin libra, por shyp folnin në kishë kur bonin për shpirtë, për shpirtin e gjalit, për shpirtin e burit, ashtu si e kanë për tradici t’kërshtenët.
Po, është traditë, e po i kthehemi asaj pjese që ndoshta është ndër më të ndërlikuarat, kur mbas Luftës së Dytë Botërore apo më saktësisht në vitet e 60-ta, kur ndodhi asimilimi. A mund pak të na e përshkruani këtë kohë z. Manojllovski, të na jepni detaje se si ndodhi asimilimi, se kryesisht kjo punë ndodhi pas Luftës së Dttë Botërore, apo jo?
Po, e dij. Interesant është. Në nimij e nanqind e xhashdhetën, në vaktit Titos, atëherë u botin shumë favrika, zu industrializacia, sit hemi (industrializimi), edhe shumë të ri, shumë famile shkuatin ka qytetet. Edhe, kur ni grupë e vogël shkon përzietet me ni grupë e madhe, meniher asimillohet.
Thonë se kjo ishte vetëm çështje e industrializimit, apo ka patur një projekt politik për këtë punë, mbase për të asimiluar një pjesë mjaft të rëndësishme të popullatës shqiptare?
Mundet që ka qonë edhe ajo, e unë e shifnja ma shumë si punë industrie, se s’kishin punë gjemt, katundet e jona s’kan me se t’rrojnë. Edhe shkonjin atje dh mas ni vakti, kadale kadale thonin mo fol shyp, se mbarre osht. Asimillimi oasht shumë fuqi e madhe.
Kush ka thënë mos folni shqip?
Kta, rekast.
Rekasit, kanë thënë vetë banorët e Rekës?
Po, kta thoshin mo fol se do na qeshën, mendojnë se jemi shyptar.Dysa prej atyreve.
Pse, ata nuk e dinin se ishin shqiptarë.
E dinjin ata, ma rahat ju vinte t’jen maqedon. Ma rahat rronjin aty ndërmnjet ata ihsan. Asimillimi t’thash, osht fuqi e madhe dhe nuk ka zemër asimillimi. Nuk ka, si thuhet “oseqaj” – nuk ka ndjenjë. Shkon, t’mer ndërkomb edhe t’mbytën.
Por, Ju nuk e përjashtoni mundësinë që ka ekzistuar një projekt politik?
Mundet ka ekzistu, po unë ne ato mote nuk e shihnja, se ishe i ri.
Ishe i ri, po çfarë thonin të tjerët, më të vjetrit …
Më të vjetrit shkonjin mas interesit, se recast t’epërm ishin shumë bura t’mencëm, t’fortë ene gjithë hynë n’politikë. Se, kushërni im i pari, Vidoe Smilevski – Bato ishte Pretsedniku -Presidenti i Maqedonisë për nizet vjet.
Kryetar i Maqedonisë?
Po, Kryetar i Maqedonisë nizet vjet ene shumë pak e dinjin se shyprai osht President.
(vazhdon në numrin e nesërm të gazetës)
* Intervista me Branko Manojlovskin u realizua në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, nga gazetari Kushtrim Sadiku. Përgjegjjet e Manjolovskit janë transkriptuar dhe botuar në gazetë në mënyrën e njëjtë siç ai vetë i ka thënë.

No comments: