Saturday, June 29, 2013

Kryetari i PD, 4 kandidatë në garë, pritet kandidimi i Bashës, Selamit, Olldashit dhe Imamit

Nisin procedurat për zgjedhjet në PD pas dorëheqjes së Berishës.

Berisha: Analizën e humbjes do ta bëjë lidershipi i ri.


Pa u bërë 48 orë nga dorëheqja e kryetarit të PD-së Sali Berisha, në selinë blu nisin zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e lidershipit të ri.  Kryesia e demokratëve e mbledhur dje në mesditë ka vendosur që t’u lërë shtatë ditë kohë të gjithë anëtarëve të saj që duan të kandidojnë për postin e kryetarit të PD-së. Kushti për ata që do të hyjnë në garë është të pranojnë rezultatin. Në fjalën e tij, kreu në detyrë i PD-së, Sali Berisha, foli për një fillim të ri të fuqishëm të kësaj partie, duke u bazuar në Grupin e saj Parlamentar, të cilin e konsideroi si grupin më të kualifikuar që kjo forcë ka pasur ndonjëherë. “Liderishpi i ri ka fatin të mos ketë historinë në shpinë, por të ketë trashëgiminë e mirë të Partisë Demokratike, të ketë vizionin e saj, të ketë projektin e saj. Në këtë kontekst, për këto shkaqe komplekse ai nuk mund të zgjidhet nga Kongresi, nga Kuvendi i partisë. Ai duhet të zgjidhet nga një anëtar, një votë, dhe këtu është apeli im për të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike. Ta konsiderojnë këtë proces si një mision jetik për fillimin e ri të fuqishëm dhe të suksesshëm të Partisë Demokratike”, u shpreh kreu i demokratëve, tani në opozitë. Më tej ai bëri të ditur se lidershipi i ri i PD-së, i cili do të zgjidhet sipas parimit “një anëtar, një votë”, do të bëjë analizën e humbjes së 23 qershorit. “Lidershipi i ri do të bëjë të gjitha analizat e kësaj humbjeje, e cila është serioze, është shumëplanëshe, e cila nuk do të kalojë pa një analizë. Ju e keni konstatuar vetë se unë nuk jam kurrë për gjah. Ne nuk jemi parti e filozofisë së gjahut. Pse e kam unë këtë? E para, ne kemi filozofi tjetër; e dyta, në rrafshin njerëzor ai që humbet, ai ndihet njeriu më fatkeq. Ai ka bërë gjithçka për të fituar, me familjen e tij, me kandidatët. Humbi, s’është mirë, por ne nuk bëjmë gjah kurrë”, theksoi Berisha. Sipas tij: “Ka një moment, Kryesia mund të jepte dorëheqjen, por unë nuk ia këshilloj dorëheqjen Kryesisë. Përse? Lidershipi i ri do të zgjedhë Kryesinë e tij. Por ne s’kemi pse krijojmë një situatë të tillë. Lidershipi i ri do të ketë të drejtë të formulojë e hartojë listën e Kryesisë, t’ua paraqesë forumeve të partisë, dhe ne jemi Parti Demokratike, forumet kanë të drejtë të shtojnë vetë në listë, dhe në këtë mënyrë ecim të sigurt drejt asaj që themi një fillim i ri i fuqishëm”.


“Nuk do ndërhyj në garë”
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Sali Berisha, premtoi dje se do ta lërë të hapur garën për pasardhësin e tij. “Unë jam njeri i sinqertë. Nëse unë do të doja të shënjoja pasardhësin, ai do të dilte në shanset më të mëdha. Unë nuk do ta bëj këtë. Pse? Sepse unë do ta lë të jetë një garë e hapur. Cilido nga strukturat e Partisë Demokratike, cilido, le të vijë të hyjë në garë, por me një kusht: të pranojë garën”, tha Berisha.

Kryetari i PD, 4 kandidatë në garë
Dalin emrat e parë pretendentë për të garuar për pasardhësin e Berishës
Pritet kandidimi i Bashës, Selamit, Imamit e Olldashit
Pas largimit të Sali Berishës nga Partia Demokratike, dalin në skenë emrat e mundshëm që do ta pasojnë atë në krye të opozitës. Deri tani dihet me siguri që Jozefina Topalli dhe Ridvan Bode nuk do të jenë në këtë garë. Ndërkohë që janë të paktën katër kandidatë të mundshëm, të cilët po përfliten se do të jenë pjesë e garës që do të hapet javën e ardhshme, ku këtë herë do të jenë anëtarët dhe jo Kuvendi Kombëtar që do të zgjedhë lidershipin e ri. Emri i parë i përfolur është ai i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Në çdo debat publik, por edhe në daljet me Kryeministrin, ai është konsideruar si kryetari i ri i PD. I njëjti koment u bë edhe pak ditë më parë, kur ai u takua me Presidentin Bujar Nishani menjëherë pas takimit që kreu i shtetit pati me kreun e qeverisë, Berisha. Vetë Basha nuk ka folur asnjëherë për këtë temë, por dje, i pyetur pas mbledhjes së Kryesisë, nuk e mohoi kandidimin. “Jeni informuar që nuk është momenti për të diskutuar një temë të tillë. Pas mbledhjes së Kryesisë të gjithë kandidatët potencialë do të kenë mundësi të shprehen. Sot nuk është dita për t’u shprehur për këtë”, tha kryebashkiaku. Emri i dytë i përfolur është ai i ministrit të Punëve Publike dhe kreut të listës në qarkun e Fierit, Sokol Olldashi. Edhe ai, në të njëjtën linjë me Bashën, nuk e mohoi kandidimin për në krye të PD-së. “Është një çështje procedure se si do të bëhen gjërat. Është shumë herët për të folur për kandidatët”, tha ish-kreu i Degës së Tiranës. Në mjediset rreth PD është përfolur gjithashtu emri i ish-kryetarit të kësaj partie në periudhën 1992-1995, Eduard Selami. Publikisht ai nuk është shprehur asnjëherë për këtë çështje, ndërsa në rrethet e ngushta ka deklaruar se nuk ka vendosur nëse do ta ndërmarrë këtë hap. Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti se ditët e fundit Eduard Selami është parë pranë Kryeministrit Berisha. Ditën e dorëheqjes, Selami ishte një ndër funksionarët e lartë demokratë që u thirr nga Berisha në zyrën e tij në PD. Kandidati i katërt i mundshëm është gjithashtu një prej themeluesve të kësaj partie, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Arben Imami. Kryesuesi i qarkut të Elbasanit e ka shprehur që herët ambicien e tij për të kandiduar për një nga postet drejtuese të PD-së, por kjo ambicie mbeti në sirtar për shkak se që prej vitit 2005 kjo parti nuk ka zhvilluar zgjedhje të posteve drejtuese, me përjashtim të kryetarit.

Lulzim Basha
Aktualisht mban postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ndërsa gjatë tetë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike ka mbajtur postet e ministrit të Punëve Publike, ministrit të Jashtëm gjatë anëtarësimit në NATO dhe ministrit të Brendshëm gjatë kohës së liberalizimit të vizave me BE-në. Në muajt e parë të vitit 2005, përpara se Partia Demokratike të merrte pushtetin, spikati si koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave, një strukturë e ngritur vetëm për të përgatitur programin qeverisës të demokratëve. Në vitin 2005 fitoi një nga zonat bastion të PS-së në Tiranë, ndërsa në vitin 2009 kryesoi listën e Elbasanit.

Eduard Selami
Ka qenë një nga themeluesit e Partisë Demokratike në dhjetor 1990 dhe dy vjet më pas, kur Sali Berisha mori postin e Presidentit, zuri vendin e tij në krye të selisë blu. E drejtoi partinë në humbjen e zgjedhjeve lokale të vitit 1992 dhe humbjen e referendumit të vitit 1994, ndërsa një vit më vonë u detyrua të largohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas përplasjeve me Berishën. U rikthye në Tiranë pak muaj më parë, kur iu përgjigj pozitivisht ftesës së kreut të demokratëve për t’u përfshirë në fushatën elektorale. Në zgjedhjet e 23 qershorit ishte kandidat në zonën e Librazhdit, pjesë e qarkut të Elbasanit.

Sokol Olldashi
Fillimet e ish-gazetarit në strukturat e selisë blu janë me Forumin Rinor, ndërsa në vitin 2001 u bë deputet i Partisë Demokratike. Ka mbajtur gjithashtu edhe postin e kryetarit të Degës së Tiranës, ndërsa në vitin 2007 kandidoi dhe humbi në garën për kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit përballë Edi Ramës. Me ardhjen e PD-së në pushtet në vitin 2005 mori postin e ministrit të Brendshëm, të cilin e mbajti për një vit e gjysmë dhe më pas, nga mesi i 2007-s deri në 2013-n, mbajti postin e ministrit të Punëve Publike. Në dy legjislatura, 2009 dhe 2013, kryesoi listën e PD-së së qarkut të Fierit.

Arben Imami
Themelues i PD dhe njëri prej drejtuesve të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ‘90. Në të njëjtën kohë ka mbajtur postin e nënkryetarit të partisë dhe kreut të Grupit Parlamentar. Në vitin 1992 u largua për të themeluar partinë e “Aleanca Demokratike”, ndërsa në vitin 1998 ishte në grupin e hartuesve të Kushtetutës. Pasi mbajti disa poste ministrore në qeverinë socialiste, në vitin 2005 iu bashkua PD-së, ku mori postin e shefit të kabinetit të Kryeministrit Berisha. Në vitin 2009 u bë deputet në qarkun e Tiranës dhe ministër i Mbrojtjes, ndërsa në zgjedhjet e 23 qershorit kryesoi listën e deputetëve të qarkut të Elbasanit.

Aleksandër Biberaj: “Mund të kandidoj për kreun e PD”
Ish-themeluesi dhe deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj mund të kandidojë për kreun e kësaj partie pas dorëheqjes së Sali Berishës. I kontaktuar nga gazeta “Panorama” ai tha se ka marrë shumë mesazhe mbështetëse të cilat po i vlerëson dhe brenda pak ditësh do të vendosë nëse do të hyjë në këtë garë. “Përshëndes lidershipin e Partisë Demokratike që pranoi propozimin tim të vitit 2009 për vendosjen e parimit ‘një anëtar një votë’. Ky parim i hap rrugë kandidimit të intelektualëve përfaqësues për kreun e PD-së. Eshtë një zhvillim i rëndësishëm. Kam pasur shumë telefonata, mesazhe përkrahjeje dhe po e shqyrtoj me seriozitet kërkesën për të dhënë kontributin tim dhe për të marrë përgjegjësitë e mia në këto momente të vështira të PD-së”, tha Biberaj.

ADI SHKEMBI

No comments: