Tuesday, April 9, 2013

Flet studiuesi Filip Rrumbullaku: Pasaportat e shqiptarëve jashtë kufijve, si vepronte Zogu

Flet studiuesi Filip Rrumbullaku, autor i librit për shtetësinë.
Si procedonte Zogu për shtetësinë e shqiptarëve që jetonin jashtë kufijve.
Dokumentet për dhënien e pasaportës shqiptare Princ Vidit, Asdrenit dhe Aleksandër Moisiut.
Arsyet: Qëndrimi me çdo kusht në vatrat e tyre etnike.
“Zogu nuk u dha shtetësinë atyre që jetonin në Kosovë”
Lajmi për t’u dhënë shtetësi shqiptare bashkëkombësve që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë, artikuluar me bujë në kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, bëri jehonë të pazakontë, por shkaktoi jo pak debat. I mirëpritur nga përfituesit dhe i diskutuar nga skeptikët, ai vazhdon të konsumojë argumente pro dhe kundër, duke u kryqëzuar te dilema tunduese nëse kemi të bëjmë me një shpërthim emocional, apo një realitet të mundshëm. Ideja e pasaportës së shumëpritur ka ndezur  më së shumti shpresën e atyre që për arsye të ndryshme ndodhen e jetojnë jashtë
Shqipërisë. Sidoqoftë, përmbushja e kësaj ëndrre të kahershme nuk është një ngjarje pa precedent. Historia e shtetësisë shqiptare ka përshkuar të njëjtën trajektore me atë të vet shtetit shqiptar dhe ka kaluar në të njëjtat peripeci. Mbi këtë subjekt fokusohet tema e punimit që po përgatit për botim studiuesi Filip Rrumbullaku, i cili, duke u kufizuar në harkun kohor të periudhës së monarkisë shqiptare, ndriçon një mori çështjesh që lidhen me mënyrën e procedimit të shtetit shqiptar për dhënien e shtetësisë.  Dokumentet e para arkivore me procedurat e shtetësisë shqiptare pas shpalljes së pavarësisë (ndërkohë që tetë vite pas Kongresit të Lushnjës u la në fuqi ligji i shtetësisë otomane); interesimi i atasheut anglez dhe i përfaqësuesit amerikan në fillim të viteve ‘20 për qëndrimin e qeverisë shqiptare mbi shtetësinë dhe historia e negociatave për lidhjen e disa marrëveshjeve për shtetësinë me SHBA e disa vende fqinje; përpjekjet për regjistrimin e popullsisë e të shqiptarëve jashtë vendit; paisja me pasaportë shqiptare e kosovarëve të larguar nga trojet etnike dhe arsyet e frenimit për dhënien e shtetësisë shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi; konfirmimi i shtetësisë për Princ Vidin dhe Zonjën e tij pas Luftës së Parë Botërore; kërkesat e të huajve për  shtetësinë shqiptare dhe heshtja e qeverisë dhe e Mbretit Zog ndaj kërkesave të disa figurave dhe qytetarëve me kombësi hebreje për të marrë shtetësi shqiptare – të gjitha këto zbardhen për herë të parë në punimin e studiuesit Rrumbullaku, mbështetur në burime arkivore dhe dokumente të kohës…
Zoti Filip, pas botimit të librit “Mbi dekorimet – nga Princ Vidi deri sot”, jeni në përfundim të një punimi mbi shtetësinë shqiptare gjatë periudhës së monarkisë. A ka lidhje kjo me debatin e fundit për shtetësinë, apo është një përkim i rastit?
Qysh në fillim, dua të them se angazhimi me këtë studim nuk ka lidhje me debatin e kohëve të fundit për dhënien e shtetësisë bashkëkombësve që jetojnë jashtë kufirit shtetëror. Punimi paraqet aspekte nga funksionimi i shtetit shqiptar nga një këndvështrim pak i njohur, që lidhet me interesimin e shtetit të sapokrijuar për të “hyrë në lidhje” me qytetarët e vet, për përcaktimin e identitetit të tyre shtetëror dhe mbrojtjen e tij, për sigurimin e lirive dhe të drejtave, si dhe të detyrimeve të shtetasve ndaj rreziqeve që mund të kërcënojnë shtetin e tyre. Sepse ka një lidhje juridike midis shtetit dhe shtetasit, me të drejta e detyrime nga secila palë. Pa këtë kontratë juridike nuk mund të ketë shtet, nuk mund të ketë as shtetas në kuptimin ligjor e praktik. Kjo është shtetësia. Ajo ka një histori, e cila përmban përpjekje politike e diplomatike, beteja e negocime të forta, por edhe dështime, për të mos i humbur shtetasit shqiptarë, për të garantuar të drejtat e tyre, pronën, trashëgiminë e dinjitetin kombëtar nga synimet “përvetësuese” të shteteve fqinje. Për këto arsye, njohja me historinë e shtetësisë gjatë periudhës së monarkisë do të shërbente për të mësuar problematikën dhe raportet e shtetit të ri me shtetasit e vet, ndeshjen me vështirësitë e krijuara nga copëtimi i trojeve shqiptare, përpjekjet për zgjidhjen e tyre në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, kujdesin për të vendosur stabilitet në marrëdhëniet me fqinjët, ku kishte popullsi të mëdha shqiptare, si dhe për të nxjerrë mësime mbi sjelljen e sotme të lidershipit politik, në raport me përdorimin dhe administrimin e shtetësinë shqiptare.

Ahmet Zogu
 Ku e ka gjenezën e vet shtetësia shqiptare kur deri para shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, ne ishim shtetas otomanë dhe të nesërmen, menjëherë u “gdhimë” shqiptarë?
Jo vetëm ne, por edhe grekët para shpalljes së pavarësisë   ishin otomanë, edhe bullgarët, edhe serbët gjithashtu. Me shkëputjen nga Perandoria Osmane, ata u bënë shtetas grekë, shtetas bullgarë e shtetas serbë. E njëjta gjë ndodhi edhe me ne. Nga shtetas otomanë, automatikisht kaluam në shtetas shqiptarë. Shtetësia shqiptare u përfitua nga popullsia etnike shqiptare që jetonte brenda kufijve të caktuar nga Fuqitë e Mëdha, por edhe nga pjesëtarët e atyre pak komuniteteve etnike që banonin brenda tyre.
 Si u realizua kalimi nga shtetësia otomane në atë shqiptare?
Ka qënë një proces sa i vështirë, aq edhe kompleks. Nga shpallja e pavarësisë deri në fund të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit të kaluar, Shqipëria ishte një teatër lufte. Në këtë fazë të trazuar shtatë-tetë vjeçare, nuk ishte përcaktuar përfundimisht territori i shtetit të ri; as që mund të flitej për regjistrim të përgjithshëm të popullsisë; pati zhvendosje masive të popullsisë shqiptare që banonte në Jug të vendit si rrjedhojë e masakrave të ushtrisë greke dhe merret me mend se çfarë ndodhi me popullsinë shqiptare të mbetur në viset që iu shkëputën truallit shqiptar dhe iu aneksuan vendeve fqinje. Për më tepër, mungonte një autoritet qendror efektiv, i cili zakonisht ka edhe tagrin e regjistrimit të popullsisë dhe akordimin e shtetësisë etj., ndonëse vepronin deri diku autoritetet lokale.
Çfarë rezulton nga burimet arkivore të asaj periudhe?
Burimet arkivore lidhur me shtetësinë në këto vite janë të pakta. Në disa syresh përmbahen dëshmi, sipas të cilave ushtria greke që kishte pushtuar Jugun e vendit bënte edhe regjistrimin e popullsisë shqiptare, duke e cilësuar atë si greke; këto regjistrime u shfrytëzuan më vonë, në fillim të viteve ’20, për t’u përdorur si prova me anën e të cilave shumë shqiptarëve në viset e Jugut të Shqipërisë që ishin zhvendosur nga vendbanimet e tyre u mohohej jo vetëm shtetësia, por edhe kombësia shqiptare. Por, duhet thënë se ndryshe vepronte Konsullata Austro-Hungareze në Shkodër, e cila lëshonte certifikata identiteti, siç del edhe nga një burim i arkivit të shtetit për Kel Marubin, në të cilin ai cilësohet si shtetas shqiptar. (Skutari, 6 Juni 1914  Seitens des hiesigen Generalkonsulates ëird bestatigt, dass Vorzeiger  dieses der hieramts personlich bakannte albanische Staatsangehorige Michel Codelli (Marubbi) ist.)
 Diçka më konkrete për periudhën e Princ Vidit?
Në një dokument tjetër arkivor, që paraqitet më poshtë,  del qartë se me gjithë kushtet e vështira në të cilat vepronte qeveria e Princ Vidit – ishte fundi i muajit korrik 1914 – strukturat shtetërore lëshonin vërtetime apo certifikata për nënurdhësit shqiptarë, siç cilësohet Aleksandër Stavre Drenova në këtë dokument, me anën të cilit u kërkohej autoriteteve mbretërore brenda vendit e atyre të vendeve të tjera ku do të udhëtonte, që ai të lejohej të kalonte lirisht, madje, të ndihmohej prej tyre në rast nevoje. Në njëfarë mënyre, këtë certifikatë identiteti mund ta quajmë si paraardhësen e një pasaporte për udhëtime jashtë shtetit në vitin e vështirë 1914.
Në emën të Madhëniës së Tij
VILHELMIT  I
Drejtoria e Siguriës së Përgjithëshme të Shtetit Shqipëtar u lutet autoriteteve civile dhe ushtërore të shteteve miq edhe urdhënon autoritetet mbretnore të lëshojnë me shkue lirisht nënurdhësin shqiptar
z. Aleks St. Drenova
që vete në Romanië, bashkë me
____________________________
E t’i apën ndihmë dhe mprojtje kur të ketë nevojë.
SHEJAT:
Mosha – 48
………
U bë në Durrës, më 22 të muajit korrikut të vitit 1914
DREJTORIA E SIGURIËS SË PËRGJITHËSHME
Gjatë kësaj faze, sipas burimeve arkivore të shoqërisë së kolonisë shqiptare në Bukuresht, rezulton se kësaj shoqërie i ishte njohur e drejta nga autoritetet rumune për të lëshuar certifikata shtetësie. Në Arkivin e Shtetit gjenden, midis të tjerash, certifikata dhe pasaporta personale e Mit’hat Frashërit, lëshuar nga kolonia shqiptare në Bukuresht në vitin 1918, për të udhëtuar jashtë shtetit, certifikata e shtetësisë shqiptare për Aleksandër Stavre Drenovën në vitin 1917, 1919 etj.
 Si operoi shteti shqiptar me fluksin e kërkesave për pasaportë shqiptare pas Kongresit të Lushnjës?
Me fillimin e viteve ’20 fillon një fazë tjetër, e cila karakterizohet nga disa veçori, ndër të cilat mund të përmenden: E para, fluksi i madh i kërkesave për marrjen e shtetësisë nga shqiptarë të larguar përkohësisht nga vendi; nga ata që kishin mbetur jashtë kufirit në territore shqiptare të aneksuara nga vendet fqinje; nga një pjesë tjetër që jetonte në Greqi dhe kishte qenë e detyruar të regjistrohej si greke e të mbante pasaportë greke; nga një kategori tjetër që banonte në viset e mbetura jashtë kufirit – Kosovë e Maqedoni, e që shtrëngohej për të emigruar në Turqi; nga shqiptarët “myslimanë” që autoritetet greke i konsideronin si turq dhe i planifikonin për shkëmbim me banorë grekë në Turqi etj. Strukturat e shtetit të ri shqiptar, MPJ, MPBr, prefekturat e deri te pleqësitë e fshatrave, misionet diplomatike e konsullore jashtë vendit përballonin një punë voluminoze, duke vlerësuar çdo aplikim, duke respektuar me rigorozitet kërkesat e ligjit, procedurat dhe afatet. E dyta, qeveria shqiptare në kohën e monarkisë nuk aplikoi ndonjëherë dhënien masive të shtetësisë për shqiptarët e trevave jashtë kufirit. Burimet arkivore dëshmojnë se ajo nuk e inkurajoi largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë, Maqedoni e Greqi, sidomos për ata që kishin pasuri, kullota e çifligje. E treta, qeveria shqiptare i detyroi nëpunësit e administratës pa përjashtim, vendës e të huaj, të merrnin shtetësinë shqiptare, që, ligjërisht, nëpunësi i shtetit të kishte shtetësinë e këtij shteti. Kjo duhet kuptuar drejt, pasi shumë nga nëpunësit e shtetit të ri shqiptar ishin zyrtarë me kombësi shqiptare të ardhur nga vende të tjera e kishin shtetësinë e këtyre vendeve, sikurse ishin edhe mjaft shtetas të tjerë të huaj. Shtetësia shqiptare iu dha shumë mjekëve, dentistëve e tregtarëve armenë, hebrenj, specialistëve të duhanit, të rritjes së krimbit të mëndafshit etj. Nuk mund të mos përmendet dhënia e shtetësisë shqiptare artistit me famë botërore Aleksandër Moisiu, konfirmimi i shtetësisë shqiptare për Princ Vidin në një periudhë të vështirë kur ai qëndronte në Rumani pas mbarimit të luftës dhe rrezikohej nga sekuestrimi i pasurisë, etj., sikurse nuk mund të mos vihet në dukje heshtja dhe zvarritja e qeverisë ndaj kërkesave për shtetësi nga dhjetëra qytetarë europianë me origjinë hebre apo personalitete te albanologjise si prof. Jokli. E katërta, për të zgjidhur konfliktet e shtetësisë dhe në harmoni me konventat ndërkombëtare, qeveria shqiptare lidhi marrëveshje shtetësie me qeverinë e SHBA, Greqisë e Turqisë dhe negocioi me disa qeveri të tjera për të mbrojtur më mirë interesat e çdo shtetasi, duke i vlerësuar ato jo vetëm si një detyrim shtetëror ndaj shtetasve të vet, por edhe si çështje prestigji.
  Njihet cilësimi i Mbretit Zog si “Mbreti i shqiptarëve”. Sa u përdor dhënia e shtetësisë për shqiptarët që banonin jashtë kufirit, për të justifikuar përcaktimin e mësipërm?
Një cilësim i tillë mund të komentohet nga këndvështrime të ndryshme, brenda një konteksti të caktuar historik. Ndoshta ishte normale që mbreti, si kryetar i shtetit, të kishte një synim pretencios, me qëllim që shqiptarët t’i mbanin sytë nga vendi amë, sa kohë që ky synim nuk bëhet burim për konflikte politike në marrëdhënie me fqinjët. Mund të thuhet se në kohën e monarkisë shteti kishte një rrjet të gjerë konsullor, interesohej të dinte se sa ishin shtetasit e tij nëpër botë, sa ishin të regjistruar e të pajisur me dokumente shtetësie; ai madje përpiqej edhe për riatdhesimin e shqiptarëve të mbetur pa punë e mjete jetese në vendet e huaja etj. Natyrisht, kjo në ato kushtet specifike, pasi kur je një shtet i varfër, shtet që jeton me borxhe, synimet sado të mira të ishin, kishin pak gjasa për të qenë të realizueshme. Megjithatë, nuk mund të mohohet se akordimi i shtetësisë për mjaft shqiptarë që jetonin në Turqi, Jugosllavi e Greqi ka qenë një shqetësim për qeverinë shqiptare në vitet ’20, ndërkohë që shtetësia e tyre pretendohej edhe nga qeveritë e këtyre vendeve. Diplomatët dhe zyrtarët konsullorë të mbretërisë në këto vende janë marrë rast pas rasti dhe kanë bërë maksimumin e mundshëm deri në arritjen e marrëveshjeve dypalëshe me kritere të pranuara nga të dy palët, për të eliminuar barrierat që u ngriheshin bashkatdhetarëve të tyre që jetonin në këto vende e që u takonte shtetësia shqiptare.
 Pra, a mund të thuhet se Zogu ka qenë dorëlëshuar në dhënien e shtetësisë për shqiptarët e Kosovës?
Dokumentet konfirmojnë të kundërtën. Në periudhën e monarkisë, shqiptarët në Kosovë e Maqedoni kishin marrë automatikisht shtetësinë jugosllave, si ish-shtetas otomanë në ato vise, që vërtet ishin vise shqiptare, por që iu aneksuan mbretërisë serbokroate. Një qëndrim i kundërt do ta kthente një konflikt shtetësie në burim destabiliteti dhe konflikt politik. Në dosjet e arkivit të shtetit gjenden me qindra vendime qeverie, sidomos në vitet ‘30, me anën e të cilave shtetësia shqiptare u akordohej vetëm shqiptarëve ish-shtetas jugosllavë, që kishin disa vite që jetonin familjarisht në Shqipëri dhe kishin hequr dorë nga shtetësia jugosllave. Madje, për njëfarë kohe, siç del nga një raport sekret i MPJ në vitin 1934, mund të thuhet se me qëllim që të sigurohej qëndrimi me çdo kusht i kosovarëve në vatrat e tyre, qeveria shqiptare thuajse e ndaloi emigrimin e kosovarëve në Shqipëri. “Kosovarët, vazhdon raporti sekret i MPJ, duke parë se portat e Shqipërisë ishin të mbyllura, duke u kapur si në ndonjë dërrasë shpëtimi, filluan të emigrojnë për në Turqi… përpara këtij rreziku, nuk mbetet mjet tjetër, veç se të pranojmë kosovarët në Shqipëri, ku qeveria mbretërore do t’u bëjë çdo lehtësi për t’u vendosur në mënyrë racionale”. Gjithsesi, burimet arkivore dëshmojnë se përveç akordimit të shtetësisë atyre shqiptarëve që për shumë arsye ishin larguar nga trojet e tyre në Kosovë e Maqedoni dhe ishin vendosur prej kohësh në Shqipëri, Ahmet Zogu, megjithëse quhej Mbret i shqiptarëve, nuk ndërmori ndonjë hap për dhënien e shtetësisë shqiptareve që banonin jashtë kufijve zyrtarë të shtetit shqiptar.
 Tani të vijmë te një pyetje jashtë temës së studimit. Ju keni  kryer detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës gjatë mandatit të zotit Moisiu dhe besoj se jeni njohur me problemet e shtetësisë shqiptare edhe pas periudhës së monarkisë. Si është proceduar në kohën e regjimit komunist dhe në vitet e post-diktaturës për dhënien e shtetësisë? Cilët nga personalitetet e njohura kanë marrë pasaportën shqiptare në këto periudha?
Për tetë vjet, deri sa erdhi në krye të monarkisë Ahmet Zogu, ne kemi pasur në fuqi ligjin otoman të shtetësisë. Pas kësaj, baza ligjore mbi shtetësinë shqiptare u inkorporua në Kodin Civil, miratuar në vitin 1929. Në dhjetor të vitit 1946 u miratua një ligj i ri mbi shtetësinë shqiptare, ai u pasua në vitin 1954 me një tjetër ligj, i cili ishte më jetëgjati pasi qëndroi në fuqi deri në vitin 1998. Këtij të fundit iu bë një plotësim në vitin 1992. Ligji i shtetësisë i vitit 1998 iu përgjigj më mirë rrethanave të reja të krijuara me ndryshimet politiko-ekonomike dhe kërkesave të Konventës Europiane të Shtetësisë.     Nga tërë këto ndryshime ligjore, mund të veçohen: e para, ligji i vitit 1946, veç të tjerash ligjëroi me një nen të veçantë, dhënien e shtetësisë shqiptare të gjithë personave me kombësi shqiptare që kishin marrë pjesë në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Që nga ajo ditë ata u konsideruan shtetas shqiptarë, pa pasur të drejtë të pretendojnë shtetësinë e huaj që kishin pasur më parë. E dyta, ndryshimi i ligjit të vitit 1954 u bë me vonesë dhe jo në kohën e duhur, për t’iu përgjigjur më mirë rrethanave të krijuara me ndryshimin e sistemit politik pas vitit 1991. E treta, mund të thuhet se plotësimet që iu bënë në vitin 1992 këtij ligji nuk justifikuan pritshmërinë e artikuluar në relacionin e qeverisë së asaj kohe, “për një mbështetje të fuqishme të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në ish-Jugosllavi, nxitjen e interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen, për të ndihmuar e investuar në Shqipëri tashmë jo si të huaj, por si shtetas të këtij shteti”.  Sipas statistikave të nxjerra nga dekretet, mund të thuhet se gjatë pesëmbëdhjetë viteve, 1991-2005, shtetësia shqiptare iu akordua rreth 4000 personave, vitet e para me shifra disi të larta e më pas, me një ritëm në ulje nga viti në vit. Ndërsa lënia e shtetësisë iu lejua rreth 7500 personave. Me përjashtim të vitit 1991, në të cilin u dekretua lënia e shtetësisë për rreth 2500 persona, që përbën edhe numrin më të madh të lënies së shtetësisë vetëm gjatë një viti, ritmi i lënies së shtetësisë shqiptare në 15-20 vitet e fundit në favor të marrjes së shtetësisë së huaj ka qenë në rritje nga viti në vit. Ndër personalitetet e njohura të cilëve iu është akorduar shtetësia shqiptare pas viteve ’90 mund të përmenden Nënë Tereza, Adem Demaçi, Nermin Vlora Falaschi, Adem Jashari, figura të njohura nga bota e artit dhe shkencës, si Enver Petrovci, Robert Elsie apo nga bota e sportit si Lorik Cana etj.
Shkresë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, e noterizuar nga Ministria e Drejtësisë, që vërteton se Aleksandër Moisiu “asht prej gjaku e fisi shqiptar dhe i krishter”
Dokument identiteti për A. S. Drenovën, i lëshuar në korrik të vitit 1914
AFRIM IMAJ

No comments: