Sunday, April 7, 2013

Dhjetë gjëra që nuk i dinit për Kim Jong Un

Diktatori i Koresë së Veriut është i rrethuar nga misteri. Disa ditë mbas kërcënimeve për të bombarduar me raketa bërthamore Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut, revista amerikane “Politico” ka mbledhur disa fakte interesante mbi diktatorin më kontroversal të mijëvjeçarit të tretë


Fan i Erik Klepton. Është adhurues i muzikës së Erik Klepton dhe sipas  “New York Times” edhe i aktorit amerikan Keanu Reeves
Ylli i Mëngjesit. Mamaja e tij e kishte mbiquajtur “Mbreti Ylli i Mëngjesit” kur ishte ende fëmijë, por arsyeja e zgjedhjes së këtij emërtimi nuk është shpjeguar kurrë.
 Ka bërë operacion plastik? Prerja e tij e flokëve është kthyer në një modë në të gjithë Korenë e Veriut. Por nga ana tjetër e kufirit, koreanojugorët spekulojnë se i është nënshtruar një ndërhyrjeje estetike për t’i ngjarë të atit.
Prindërit. Është djali i diktatorit Kim Jong-li, liderit suprem të Koresë së Veriut nga viti 1994 deri më 2011-n kur vdiq.
Të afërmit. Këshilltarët e tij më të besuar janë tezja e tij Kim Kyong-hui dhe bashkëshorti i saj Jang Sung-Taek, të cilët janë të dy nga 66 vjeç. Sipas disa burimeve, pikërisht këta e këshillojnë liderin e ri mbi çështjet e politikës së jashtme.
I mbajtur i fshehtë. Ekzistenca e tij është mbajtur sekrete deri pak vite më parë, kur i ati e prezantoi me popullin si një pasardhës të mundshëm të tij.
Fëmijëri misterioze. Dihet shumë pak mbi fëmijërinë e tij, madje nuk i dihet as data e saktë e lindjes. Në Korenë e Veriut ditëlindja e tij festohet më 8 janar si festë kombëtare por nuk është e qartë nëse Kim ka lindur në vitin 1983 apo më 1984-n.
Më i keq se i ati. Në fillim kritikët ishin shumë të frenuar në opinionet se Kim do të ishte një diktator më i keq se babai i tij. Por ndryshuan mendim kur dhjetorin e kaluar me urdhër të tij filluan testet e para të raketave me rreze të gjatë. Gjithashtu nuk përjashtohen edhe akuzat se shteti komunist është zhytur në një skamje të pamenduar më parë, ku për shkak të urisë njerëzit po kthehen në kanibalë.
Fan i NBA-së. Është një adhuruesi zjarrtë i basketbollistëve Majkëll Xhordan dhe Denis Rodman, ish-yje të NBA-së. Këtë të fundit e ka takuar personalisht disa muaj më parë. Edhe në pasionin për këtë lloj sporti i ka ngjarë të atit. Madje disa vite më parë Xhordan ishte ftuar në Korenë e Veriut, por ylli i basketbollit e refuzoi ftesën.
Ka shkuar në një kolegj të Zvicrës. Ka studiuar në Shkollën Ndërkombëtare të Bernës, në Zvicër. Nuk ishte një nxënës i mirë, madje ka ngelur disa herë në matematikë dhe në degët shkencore. Lëndët në të cilat shkonte më mirë ishin muzika dhe teknologjia. Përgatiti: Dorina Gjuzi

No comments: