Monday, April 15, 2013

Champions League, Low vë bast për Dortmundin

Joachim Low, trajneri i përfaqësueses së Gjermanisë, mendon se Borussia Dortmund do të jetë një skuadër edhe më e fortë tani që nisin gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Në një intervistë për ‘Die Weld’, tekniku i kombëtares theksoi se kualifikimi i vuajtur i verdhezinjve në çerekfinalet ndaj Malaga do e bëjë skuadrën e Jurgen Klopp edhe më solide.

“Tani nis Liga e Kampioneve. Kemi 4 skuadra elitare, me shumë cilësi. Asnjë prej tyre nuk mund të konsiderohet më e dobët se të tjerat. Shumë specialistë shohin Borussian në një nivel më të ulët se Reali, Barcelona dhe Bayerni, por unë mendoj se Borussia është edhe më e fortë pas atij kualifikimi të vuajtur”, theksoi Low, i cili nuk mendon se gjysmëfinalet gjermano-spanjolle (Bayern Munchen-Barcelona dhe Borussia Dortmund-Real Madrid) tregojnë nivelin real të futbollit botëror.
“Champions League po tregon nivelin aktual dhe nuk mund të thuhet se Spanja dhe Gjermania po dominojnë futbollin. Mund të flitet për dominim kur ruhet rendimenti prej vitesh, siç ka bërë Barcelona dhe Bayern. Unë jam i sigurtë se Anglia është e përfaqësuar shumë mirë me skuadra si Manchester United dhe Chelsea, PSG po mban lart emrin e Francës, ndërsa skuadrat italiane po përmirësohen”, theksoi trajneri i Gjermanisë.

No comments: