Saturday, January 19, 2013

Rrëfimi i ish-aktivistit të Partisë Demokratike në Shkodër, Arben Çokaj

Erion Habilaj
Arben Çokaj është ish-aktivist i njohur i Partisë Demokratike në Shkodër dhe në këtë intervistë për gazetën DITA rrëfen se çfarë të ndodh në qytetin e madh verior nëse i del kundër klanit Topalli. Kanë tentuar ti shkatërrojnë edhe jetën private me skenarë që të kujtojnë një tjetër kohë… “Zina” e quan Çokaj, me përbuzje Topallin dhe thotë se ajo po u kujton njerëzve në Shkodër përditë e më shumë, Lenka Çukon e dikurshme.

Arben, ju jeni ndër personat, që u morët intensivisht me fushatën e PD-së në Shkodër, pse jeni larg kësaj partie tashmë?
Në Shkodër, unë bashkë me disa të tjerë, ish-pjesëmarrës të lëvizjes së Dhjetorit ’90-të, ndihmuam me sukses në 2005-n kandidatin e PD-së,
Ramiz Çobaj. Fushata shkoi mirë, kandidati kundërshtar i PS-së (i ndjeri Lekë Çukaj), shquhej për veprime në 3 ditët e fundit, dhe ishte mësuar të fitonte. Ne e dinim se as Jozefina nuk guxonte të kandidonte kundër tij, nga frika e humbjes dhe menduam se Ramizin e kishin vënë kundër Lekës, me qëllim për ta djegur. Por fushata jonë cilësore, nga njëra anë, dhe njohja e Ramizit me metodat e policisë dhe të kontrollit, nga ana tjetër (pasi ishte një ish-punonjës i Ministrisë së Brendshme), bëri që ne ta ruanim kontrollin mbi situatën dhe të fitonim.
Gëzimi i fitores duket se nuk i dha një shije të mirë Jozefinës, e cila shikonte aty një grup të ri, të vogël, që pati sukses. Lufta brenda llojit, filloi shumë shpejt pas fitores. Ajo u fokusua në përpjekjet e saj rrënuese, me ndihmën e organeve përkatëse të sigurisë, që t’i priste krahët Ramizit, gjithmonë duke na sulmuar neve, që e ndihmuam atë në fushatë. Dhe Ramizi në padijen dhe nënshtrimin e tij, jo vetëm që nuk shikoi të na mbronte, por u bë pjesë e këtij plani djallëzor. Filloi kështu një lloj gjuetie shtrigash i pakuptimtë, që nuk po e merrja vesh nga se vinte, por që tani është bërë gjithëpërfshirës, pasi është aplikuar gjithandej në format e saj agresive e primitive. Përgjime telefoni, provokime, bllokime, prishje punësh, etj.
Si funksionon PD në Shkodër?
PD në Shkodër dhe më gjerë nuk është një strukturë politike demokratike, që funksionon në bazë të pjesëmarrjes vullnetare të anëtarëve të saj dhe diskutimeve të hapura për problemet që shqetësojnë shoqërinë apo qeverisjen. PD në Shkodër është një grup njerëzish, të punësuar në administratën lokale, që presin për gjithçka orientimet e znj. Topalli. Ashtu si në kohën e komunizmit, të gjithë i servilosen dhe duan ta kenë mirë me Zinën, Lenkën e dikurshme. Secili synon, që përveç rrogës, të kapë edhe ndonjë pjesë tenderi diku. Kaq e thjeshtë e primitive është politika e ushtruar në këto anë të globit.
Jo rrallëherë thuhet se “nuk të ecën në Shkodër, po nuk e pate mirë me Jozefinën”. Ç’mendim keni ju për këtë?
Zonja Topalli është pikërisht ajo që thotë Bamir Topi: një klon i Berishës. Por do të shtoja se Jozefina është një klon femër i Berishës. Është si të thuash, kapaku mbi tenxhere. Zotësia e Jozefinës është se rastësia e futi në politikë, jo se ajo ishte e zonja, apo e zgjuar, por se ishte femër. Dhe instinktet e femrës e bëjnë atë të ruhet më shumë se Berisha, por kjo nuk e bën atë më të mirë se Berishën. Përkundrazi. Jozefina është në gjendje ta përcëllojë këdo, nëse mundet, qoftë edhe PD-në vetë, vetëm për një çikë pushtet personal.
Në pak vite pushtet në PD, Jozefina ka krijuar legjendën urbane në Shkodër se është e paprekshme. Pushteti i saj është një pushtet hajnash nga koka deri në bazë. Ajo ia ka zënë dorën të bërit politikë, siç bëhet këtej, ka arritur të marrë fonde për Shkodrën në këto 8 vjet, më shumë se çdokush tjetër më parë. Kuptohet, kjo bëhet pasi ajo ka pjesën e saj të fitimit, në çdo investim që bëhet në Shkodër. Kanë gjetur diku një firmë prodhimi gurësh (duhet parë më nga afër kjo aferë), dhe po e shtrojnë një pjesë të mirë të qendrës së Shkodrës me rrasa guri – e kanë kthyer në këmbësore (pedonale).
Investime luksoze në fakt, por përveç se janë pompoze e të shtrenjta, nuk kanë menduar aspak, se si ta zgjidhin çështjen e lëvizjes së makinave, apo parkimit në Shkodër. Ato pará, që janë hedhur në rrasa guri (të cilat kanë filluar edhe të lëvizin nga cilësia e dobët e punimeve), apo një pjesë e atyre parave, mund të ishin përdorur më mirë, mendoj unë, që të zbusin varfërinë në Shkodër, të ulin papunësinë, të rrisin nivelin e shërbimit, etj.
Në Shkodër na thanë se keni një histori personale të përplasjes me kryetaren e Kuvendit. Deri ku ka shkuar kjo përplasje?
Në këtë kontekst dua të pranoj se znj. Topalli konsiderohet si një grua e ligë këtu në Shkodër, urrejtëse dhe hakmarrëse e skajshme. Një grua vërtet e rrezikshme. Unë pata shkruar në tetor 2006 shkrimin e guximshëm me titull: Taksa “Loli” – “Jam krahu i Jozit”, ku sqaroja se nëse do të bëhesh dikush në Shkodër, dmth. nëse do të bësh karrierë në administratë, duhet të jesh patjetër me krahun e Jozefinës. Aty sqarova gjithashtu, se fatkeqësisht, krahu i Jozefinës është një krah i thyer nga korrupsioni dhe paaftësia. Ishte ndër shkrimet e para kritike ndaj saj, dhe natyrisht kjo nuk i pëlqeu Jozefinës. Për të ilustruar metodat që përdor Jozefina me krahun e saj, kundër kundërshtarëve, konkurrentëve apo kritikëve të saj, mund të përmend disa raste, që fillojnë me gjueti shtrigash e ngacmime, deri në eliminim fizik.
Së pari vrasja e Aleks Kekës në fillim-fushatën e qershorit 2009, një drejtues lokal i PDK-së në Malësinë e Madhe, iu faturua në atë kohë Jozefinës nga krerët e PDK-së. Jozefina nuk diti të mbrohej në intervistat që dha më pas në TV. Por u ndoq taktika e baltosjes së viktimës, duke e akuzuar atë për implikime në biznese kriminale. Ishte kohë zgjedhjesh, dhe Jozefina kishte frikë nga votat, që mund të merrte PDK.
Ju mendoni se këto ngjarje kanë patur prapavijë politike?
Ju keni edhe rastin e sulmit brenda organeve të sigurisë ndaj Kryetarit të Komunës Rrethina në Shkodër, Kleves Muja (PS),  ç’ka më bëri të parandiej se kjo ngjarje po instrumentalizohej nga Zina. Familja e viktimës dyshon hapur se rasti në fjalë ishte politikisht i motivuar. Prokurori i çështjes, Ermir Lelçi, vëllai i drejtorit juridik të Kuvendit, Lulzim Lelçi, ngriti akuza kundër Kleves Mujës, me pretendimin se ai kërkohej nga drejtësia italiane. Në një rast të tillë, duhej që Klevesi të mbahej në dhomat e paraburgimit, për llogari të drejtësisë italiane deri në ekstradim se ai nuk ishte i dënuar, por i akuzuar. Por në fakt, ai u fut në burg me të burgosur për vrasje, ku edhe u sulmua.
Ishte koha kur Jozefina pretendonte të bëhej Presidente e Republikës. Pasi Kleves Muja u fut në burg, ai u godit me mjete të forta në kokë nga një i burgosur, dhe u dëmtua mjaft rëndë. Pasi e dëmtuan Klevesin dhe kryeministri e shkarkoi nga posti i kryetarit të komunës, ai doli i pafajshëm. Çuditërisht i pafajshëm! Po tani, përderisa ky njeri është i pafajshëm, atëherë pse e arrestuan dhe e burgosën? Dhe pse e gjymtuan? Më kujtohet një thënie e ish-të përndjekurve politikë, me rastin e grevës së tyre të urisë: Këta vuajnë nga sindromi i hijenave, duan gjak, sa herë që synojnë të marrin pushtet.
Rasti i tretë ka të bëjë me mua dhe vëllain tim. Ngaqë unë shkruaja shkrime kritike, që cenonin edhe milionat e Jozefinës dhe të krahut të saj, të thyer nga korrupsioni dhe paaftësia, për ndonjë rrugë që nuk bëhej, edhe pse fondi jepej për të tretën herë, etj. ajo futi në lojë pjesë të caktuara nga organet e policisë së Shkodrës dhe të prokurorisë, dhe më gjerë. Filluan të hapnin fjalë, me makinën e tyre të baltosjes, se gjoja ne jemi trafikantë e vagabondë. Kjo që të justifikonin veprimet e tyre në të ardhmen, pavarësisht se çfarë do të bënin. Denigrimi i viktimës ose objektit të gjuetisë, me qëllim justifikimin e veprimeve kriminale kundrejt tij, është një nga metodat më të parapëlqyera të Zinës. Por ngaqë ata nuk ishin në gjendje të vërtetonin asgjë kundër nesh, ata pikasën interesimin e vëllait tim për një vajzë në Shkodër, me të cilën ai deshi të fejohej. Ajo ishte vajza e një inxhinieri, të punësuar në Drejtorinë Rajonale të Rrugëve dhe e ëma e saj punonte në administratën e Bashkisë së Shkodrës.
Njerëzit e futur në lojë nga Jozefina, Lorenc Luka (Loli) dhe Ramiz Çobaj, donin të krijonin një precedent për të bërë të mundur arrestimin e vëllait tim, që duke goditur kështu vëllain, përmes tij, të goditnin edhe mua. Në këtë përpjekje të tyre të ulët e perverse, duke përdorur familjen e vajzës, e pastaj, pasi thyen edhe vajzën, filluan ta përdorin edhe atë, ata ia arritën të prishin fejesën e vëllait tim me vajzën në fjalë. Duke parë shkallën e ultësisë dhe bindjen më pas se ky perversitet urdhërohej nga Jozefina, unë fillova ta quaja atë me termin derdimene, se nuk dija t’i vë fjalë tjetër – një grua e ligë, që bën keq për hobi, pa asnjë përfitim.
Por nuk ishte prishja e fejesës akti më i rëndë i tyre. Ata filluan të hapnin fjalë me anë të policisë, se vajzën e kishte çnderuar një person tjetër, i futur në lojë edhe ky nga zonja e hekurt e Shkodrës. Pra filluan të cenonin nderin e asaj që po përdornin për karrem, e kjo si duket nga fakti se vajza kishte treguar interes për vëllanë. Në bisedë me familjarët e atij djalit, që policia pretendonte se kishte shkuar me vajzën, ata e mohuan këtë, por pranuan se kjo ishte lojë e policisë, dhe se djali nuk kishte gjë me vajzën. Ata premtuan se nuk do përziheshin më në këtë punë.
Por, këtu del në pah edhe virtyti i pabesisë, me të cilin operon policia, nën urdhërat e zonjës së hekurt. Disa ditë më vonë, vëllai im e sheh atë djalin përsëri, duke ndenjur në kafene me vajzën në fjalë. Shkon të merret vesh me ta. Dhe e pyet atë djalin, kush të ka futur në lojë. Vëllai vendos të mos merret më me këtë vajzë. Disa ditë më vonë, duke u ulur nga një kaféne, në mbrëmje, dy persona me kapele, na sulmojnë fizikisht, më shumë vëllain se mua. Dhe ne i denoncuam në polici, pasi i njohëm kush ishin. Më pas prokuroria e mbylli çështjen. Prokuror i çështjes ishte Ermir Lelçi, dora vetë – prokurori që mori në qafë kryetarin e Komunës rrethina në Shkodër, vëllai i drejtorit juridik të Kuvendit të Jozefinës.
E keni paditur?
E çuam çështjen në gjykatë, për sulm fizik e dëmtime të tjera me dashje. Prokuroria duhej të ishte në anën e palës së dëmtuar, por ne shkonim në gjykatë dhe si palë nuk kishim të akuzuarit, që na kishin sulmuar, por prokurorinë, dhe pikërisht, prokurorin Ermir Lelçin, i cili në fakt nuk duhej të ishte aty, pasi ai e kishte hedhur poshtë akuzën e policisë për çështjen në fjalë dhe kishte konflikt interesi në mbrojtjen e akuzës sonë. Në bisedë me drejtuesin e Prokurorisë Shkodër, Përparim Kulluri, ai na tha se cilindo prokuror të çonte në çështje, ai do të sillej si Ermir Lelçi. Pra, prokuroria në lojë, mbronte kriminelët. Pse? Pasi ne e pamë se Ermir Lelçi po shpërdoronte detyrën, duke u përpjekur të mbyllte këtë çështje, ne ngritëm akuzë kundër Ermir Lelçit, për shpërdorim detyre. Por megjithatë, ai përsëri, disa muaj më vonë, u paraqit në gjykatë si përfaqësues i Prokurorisë së Shkodrës, në një çështje ku ne ishim palë, kur vetëm akuza jonë kundër tij (që nuk u shqyrtua kurrë), ishte e mjaftueshme për ta paraqitur atë si person me konflikt interesi në çështjen tonë, dhe e përjashtonte atë automatikisht nga përfaqësimi në këtë çështje.
Na sorollatën disa muaj me radhë kot së koti në dyert e gjykatës së Shkodrës dhe të prokurorisë, ne e pamë se çështja kishte hyrë në rrugën e të pazgjidhshmes dhe se Gjykata e Prokuroria nuk ishin në gjendje të gjykonin në bazë të ligjit, e të së drejtës, por në bazë të urdhrave politikë të zonjës së hekurt Jozefinë. Aty e kuptuam se Ramiz Çobaj kishte bërë pjesën e tij, por ai nuk do mundej të ndikonte mbi sistemin e drejtësisë në Shkodër, po të mos ishte e implikuar vetë Jozefina.
Pasi dështuan në përpjekjen e tyre për të na kapur e për të na shantazhuar me këtë rast, dështuan pra të krijonin precedent për të na penalizuar, apo për të na marrë pará me zor, duke na detyruar të thyheshim kështu, ata synuan para zgjedhjeve të qershorit 2009, të provonin diçka tjetër. Na e dëmtuan një herë në parkim makinën tonë BMV (se si duket i bënte rëndë fuksave të Zinës), që sapo e kishim blerë, duke na e gërvishtur me mjete të forta – shprehje e urrejtjes pa-logjikë, a’la Jozefinë. Pastaj Jozefina dha urdhër, që makina ime të merrej në polici. Agron Guri, një kumbar i saj në policinë rrugore të Shkodrës, rrëmbeu makinën time në parkim, gjoja për parkim të gabuar. Një tentativë kjo që më pas rezultoi e paligjshme dhe çështja u fitua nga ne me gjyq.
Çfarë ndodhi me automjetin tuaj? 
Zina kishte dhënë urdhër me siguri, të merrej makina ime, për qëllime të tjera. Kisha dëgjuar për raste, kur makina i merrej dikujt nga policia dhe i futej drogë në kupat e rrotave, etj. dhe ngaqë makinën time e kishin marrë pa asnjë shkak ligjor, mendja më shkoi menjëherë te shkaqet ekstra-ligjore, tek taktikat e liga e perverse, që përdoren nga krahu i Jozit, për të inkriminuar kundërshtarët e saj. Drejtorit të policisë së Shkodrës i kërkova lirimin menjëherë të makinës sime, pasi rrëmbimi i saj ishte i paligjshëm. Makina ime u mbajt disa javë në ambjentet e Komisariatit në Shkodër, dhe ndërsa makina ime mbahej aty, shpërthen papritur makina e Aleks Kekës, në rrugën mes Koplikut e Shkodrës. Duket se i ndjeri Keka ishte treguar i pakujdesshëm. I dërgova informacionin e duhur më pas ambasadës Gjermane, sepse banoj në Frankfurt, ambasadës Daneze, pasi jam shtetas Danez dhe ambasadës Amerikane, si Ambasada e një shteti aleat, që interesohet më shumë për Shqipërinë.
Ambasada daneze ndërhyri pranë policisë së Shkodrës për të marrë vesh arsyen e marrjes së makinës sime dhe konsulli danez më tha që të shkoja e ta merrja makinën dhe ashtu bëra. Konsulli danez më tha tekstualisht: “ata e dinë tashmë se ne e dimë, që makina jote është marrë. Nuk besoj se do i bëjnë gjë asaj.” Të njëjtën dorë kriminale, si çështjen e ngacmimeve dhe të ndërhyrjes së politikës në çështjet tona familjare, duke u përpjekur të dëmtojë marrëdhëniet tona me familjarët tanë dhe me njerëzit e tjerë, e shoh të lidhur edhe me dy rastet e mësipërme. Të Aleks Kekës, ku makina e tij u hodh në erë, në kohën kur mund të ishte planifikuar edhe makina ime të kishte të njëjtin fat. Besoj se edhe arrestimi i Kleves Mujës kishte sfond politik, sepse u bë nga i njëjti prokuror, Ermir Lelçi, vëllai i drejtorit juridik të Jozefinës, i cili u përdor edhe për të mbyllur çështjen tonë.
Meqë jeni marrë me fushatat, ç’mendim keni për Shkodrën në zgjedhjet e 23 qershorit?
Mendoj se fushata elektorale në 2005-n, dhe fillimi ishin mirë, premtuese, por kjo nuk zgjati. Shumë shpejt na zhgënjeu të gjithëve mënyra e drejtimit. Dolën në pah forma arrogante dhe agresive të vendimmarrjes, sa të krijohej përshtypja se këta kanë ardhur në pushtet me idenë për të bërë pará e për të mos rënë kurrë. Berisha dështoi në premtimet e tij për zero tolerancë krimit e korrupsionit, apo betonizimit. Ajo që i vuri kapak gjërave, dhe që zbuloi një korrupsionin agresiv qeveritar, dhe që na tronditi të gjithëve, ishte ngjarja e Gërdecit.
Çdo kryeministër me dinjitet, që merr një post politik të atij niveli, për t’i shërbyer vendit dhe popullit që ai përfaqëson, do duhej të kishte moralin të dorëhiqej menjëherë. Por çfarë bëri kryeministri ynë? Ai bëri të paditurin… “Ku bie Gërdeci?!” – tha. Nuk kishte dëgjuar kurrë për të, sipas tij, ndonëse më pas e kuptuam, se ai ishte i implikuar familjarisht në atë projekt korruptiv e të dyshimtë, sidomos i biri.
Që pas Gërdecit, unë jam shprehur, se PD e ka humbur të drejtën legjitime e morale për të qeverisur. Një qeverisje e ndjeshme ndaj punëve që bën, duhet të jetë e ndjeshme edhe në dorëheqje, kur vëren se gjërat shkojnë keq. Por PD e sotme drejtohet nga një person i implikuar në parregullsi, shkelje të ligjit e krime. PD drejtohet nga një person i çekuilibruar mendërisht, që e mban veten me ilaçe anti-depresive, dhe ne akoma besojmë se truri i tij duhet të jetë racional, gjë që nuk është.
Nëse faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë nuk mblidhen bashkë, në një koalicion mendimi e veprimi kundër Berishës, për t’ia prerë atij duart e manipulimit, atëherë ai do të përdorë të gjitha mjetet për të dalë përsëri në krye, i fituar, siç bëri edhe me Tiranën. Të mos ushqejmë asnjë iluzion. Berisha është një njeri i verbër për pushtet, tepër i rrezikshëm, i zhytur në krim e poshtërsi, i cili e pa me festimin e 100 vjetorit, se populli nuk e dëgjon më, nuk e do më, dhe ai nuk do të lërë asnjë mjet pa përdorur, për ta marrë me forcë pushtetin përsëri, pasi me votë nuk e merr dot. Opozita nga ana tjetër, të kujdeset që të konkurrojë në fushatë me njerëz të vlefshëm e të vetëdijshëm, edhe në Shkodër, në mënyrë që të ofrojë një qeverisje tjetër, me koncepte evropiane, e jo orientale, apo mafioze.

No comments: