Saturday, January 19, 2013

Inati dhe poshtërsia na mbajnë gjallë

Nga Minella ALEKSI Me arsyetim të qetë zoti Vehbiu duhet ta kuptojë mirë se një shkrimtar që shkruan të tilla gjëra nuk mund të jetë komunist, nuk mund të jetë në shërbim të diktaturës. Këto zvarritje të përshkruara me fantazinë e talentit përpara 30 vjetësh shkrimtari Kadare identike i pa realisht kur turmat tërhiqnin zvarrë statujën e diktatorit me “Saurel”përgjatë bulevardit.
Me që po peshojmë mëkatet, sipas A. Vehbiut “mëkati” i shkrimtarit serbo-boshnjak, Andriçit, i cili inspiron në një tekst shpërbërjen e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, qenka ku e ku shumë më i vogël, i pakonsiderueshëm krahasuar me “mëkatin” e Kadaresë, “marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën dhe shtetin totalitar”.

Edhe poshtërsia kërkon kurajo të madhe.
Çfarë e bën njeriun kurajoz në poshtërsi?
Arsyeja e parë, të jesh budalla, gjë që në këtë rast nuk duket se qëndron si mundësi. Në rrethanat që diskutojmë, duhet të kesh një frymëzim, një motiv. Motiv që të bën të jesh moralisht përgjegjës për poshtërsinë e ta mbyllësh atë brenda vetes, e cila ndaj figurave të mëdha shoqërore ka edhe shpërblimin e madh. Historia jonë në këto 100 vitet e fundit ka treguar se manipulatorët më të zhdërvjellët me ide antishqiptare kanë qenë shqiptarë të nxitur e të mbështetur nga fqinjët.
Duke marrë si shembull shkrimtarin Andriç instiktivisht Vehbiu pa dashur nxjerr edhe burimin se nga ku i vjen shpërblimi. Nën kësulë i vërtitet miza e shkrimtarit serb, sillet nga sillet te ata e ka mendjen. Artikullin “Inati na mban gjallё” zoti A. Vehbiu e publikoi te njё blog i quajtur mbarëshqiptar. Interesant ёshtё fakti se, megjithёse ka mundёsira tё shumta qё t’a paraqes artikullin nё gazetat kryesore nё Tiranё, siç ka bёrё shumё herё tё tjera, mjaftohet nё kёtё rast me bёrjen publike tё opinioneve tё tij te njё blog. Mirëpo pesha e kёtyre opinioneve ёshtё shumё mё e rёndё sesa e hapsirёs ku publikohen. Pёrse heziton qё t’i shprehi me tёrё forcёn qё kёrkon njё deklarim i kёsaj rёndёsie? Tё lё pёrshtypjen qё do tё thotё: ja unё e bёra tё timen, e bёra atё qё duhej.
Përse egziston një grup i vogël njerëzish të letrave në Tiranë, si frymë antikadare? Kush e furnizon me oksigjen, në një kohë kur nga kulturat e vendeve të tjera vjen frymë pro Kadare! Përndryshe mund të na sillte shembuj me shkrimtarët e tjerë nobelistë brenda Ballkanit, të cilët nuk kanë qenë hartues draftesh antishqiptare.
Genocidi i serbëve ndaj shqiptarëve, në mbështetje të të cilit ishte Andriç, ka një paralele me kahje krejt të kundërt në rastin e genocidit turk ndaj armenëve dhe kurdëve. Kundërshtia dhe qëndrimi dënues deri në gjyq i këtij genocidi nga nobelisti turk Omar Pamuk. Imagjinoni t'ju thuash intelektualëve armen e kurd se ne na intereson vepra e autorit Pamuk dhe jo idetë e tij. Siç ndodh te ne me A. Vehbiun. Liritë dhe të drejtat e njeriut janë koncept themelor i kulturës perëndimore me shtrirje universale. Sipas Vehbiut s'ka gjë, nuk prish punë se Andriç është antishqiptar i betuar, vlera qëndron te vepra e tij, atë duhet të shikojmë.
A mund të quhen marrëdhënie të veçanta ato Kadare - Enver Hoxha kur dihet se ka patur vetëm një takim mes tyre. Mësojmë nga shtypi i Tiranës se kundër Kadaresë qenka përgatitur një dokument inkuizicioni në vitin 1982, një dosje ku përfshihet një proces-verbal i hetuesisë së sigurimit famëkeq ku shkrimtari akuzohet si pjesëmarrës në komplotin e ish kryeministrit M. Shehu kundër Enver Hoxhës. (Proçes – verbali i marrjes në pyetje të Dr. Llambi Ziçishtit, prej hetuesit Ferit Sula, botuar në vitin 2011).
A. Vehbiu i ka parë këto dokumente, i ka studiuar mirëpo nuk i përmend pavarësisht se ato janë plotësisht të mjaftueshme për të matur klimën e raporteve Kadare-Shtet totalitar.
Dua tё sqaroj njё problem qё shpesh ngatërrohet, konceptin e disidentit. Koncepti i “disidentit” nё shoqёrinё sovjetike ёshtё njohur kur shteti sovjetik filloi tё ishte disi mё tolerant me shkrimtarёt e artistёt. Shteti po tregonte njё zbutje reale, kjo sidomos nga Krushovi. Kёta shkrimtarё me ide qё nuk pajtoheshin me politikёn e shtetit sovjetik u quajtёn disident, nuk u futёn nё burg dhe nuk u pushkatuan. Ishte realisht një pluralizëm mendimi. Perёndimi kёtё e trajtoi si njё zbutje tё regjimit ndaj artistёve.
Nё Shqipёrinё e E. Hoxhёs nuk kishte dhe nuk mund tё kishte disidencё. Nё diktaturёn e E. Hoxhёs quheshe armik. Zyrtarёt e Ministrisё sё Brendёshme e quanin armik Kadarenё. Nuk kishte zbutje të diktaturës gjё qё hiqte automatikisht çdo mundёsi pёr disidencё. Mungesa e zbutjes reale tё diktaturёs eleminoi totalisht edhe mundёsinё e disidencёs si njё statuskuo ndёrmjetёse, si një pluralizëm mendimi. Kjo tregon se ёshtё marrёzi qё tё kёrkosh disident tё mirёfilltё te ne, sikurse ka ndodhur nё regjimet e tjera tё lindjes.
Më tej A. Vehbiu shkruan: “Ne Kadaresë ia vlerësojmë “Kronikë në gur” dhe “Pallatin e Ëndrrave” shumë më tepër sesa dedikimin që mund t'i ketë bërë shoqes Nexhmije Hoxha në një libër të vetin të dhuruar për ditëlindje”. Kjo s'është gjë tjetër veç një dredhi e poshtër për naivët. Si mund të bëhet një krahasim i tillë? Dy kryevepra të letërsisë shqipe vihen në një peshore me një dedikim mbi një libër që, edhe po të ishte e vërtetë, nuk tregon asgjë. Lind pyetja: Nga është gjetur një fakt i tillë? Ndoshta nga bagazhi i trillimeve të vet Nexhmije Hoxhës, gjatë procesit gjyqësor kundër Kadaresë, që ajo e humbi si një mashtruese! Vijmë këtu te esenca e dredhisë: merret si i mirëqenë një trillim, si trillimi i Sigurimit për frazën “jashtëqitje e kombit” e cila përsëritet pa pushim. Në mënyrë bizare A. Vehbiu bën sikur e mbron Kadarenë, por kujdesin e madh e ka që të përmendi dedikimin mbi libër. Qëllimi dashakeqës i A. Vehbiut dhe i atyre që e shpërblejnë për shërbimin del haptas më poshtë kur ai thotë: Sikurse i vlerësojmë “Ura me tre harqe” dhe “Pashallëqet e mëdha” shumë më tepër se paranojën etnocentrike të eseve të tij të viteve të fundit me temë identitare dhe “historike”. Qartësisht e ka fjalën për “Mosmarrëveshjen” si dhe për “ Mbi krimin në Ballkan”, dy esetë e fundit të Kadaresë.
I pabesueshëm ky zell i tij për të quajtur “paranojë” këto dy libra. Libri i parë, pas tre ribotimeve njihet tashmë nga publiku shqiptar si pasqyra ku shqiptarët shikojnë dhe ndiejnë pluskimin e botëkuptimit të tyre në shekuj. Libri i dytë flet për krimet e fundit në Ballkan, duke ndalur sidomos te një nga faqet më të errëta të kohës: përdhunimin e mijëra grave e vajzave shqiptare në Kosovë.
A. Vehbiu, ky pasionant i vlerave të veprës së Andriçit, për të keqen e tij, nuk ka thënë asnjë gjysëm fjale për një krim të tillë. Por që ai të guxojë të quaj “paranojë” dënimin që i bën I. Kadare, si askush tjetër i ka bërë krimit, kjo nuk është më punë e tij, por edhe e jona. Të quash “paranojë” dënimin e një krimi, do të thotë që haptas të marrësh në mbrojtje kriminelët, të rreshtohesh me autorët e krimit. Dhe A. Vehbiu ka bërë pikërisht këtë gjë.
Për të kuptuar akoma më qartë qëndrimin e A. Vehbiut ndaj shkrimtarit I. Kadare po citoj paragrafin përmbyllës që flet për shkrimtarin: “Dhe veçanërisht, sa i përket kontekstit të këtij shkrimi, ne vlerësojmë shumë më tepër një Kadare, që i jep lexuesit të vet letërsi të mirë në vitet më të errëta totalitare, sesa një bufon bombastik dhe kokëbosh nga këta të sotmit, që kërkon t'i kalojë artistët dhe gjithë njerëzit në filtrat absurdë të patriotizmit”.
Pozitë shumë e fryrë kjo për këllqet e A. Vehbiut. Së pari do bëja pyetjen: kush na qenka ky bufon bombastik kokëbosh? Nuk kuptohet se për kë bëhet fjalë. Me këtë rast do t'i thoja zotit Vehbiu se sheqerosjet dinakërore që përdor jo rrallë, kësaj here nuk e kanë ndihmuar dot. Obsesioni i tij dashakeqës ndaj shkrimtarit të njohur është e vështirë të mbulohet.
Në mbyllje të këtyre shënimeve, do t'i kujtoja A. Vehbiut se me shkrimin e tij”Inati na mban gjallë”, ai e ka vënë veten në pozitë të vështirë diskredituese. Ka publikuar disa shkrime që e kanë bërë të quhet studiues, si rёndom quhen nё Tiranё ata qё shkruajnё shpesh pavarësisht nga kualitetet, por përveç studiuesit është edhe shkrimtar si rёndom gjen nё Tiranё. Më duhet të saktësoj se libri i tij i parë, i botuar pas moshës 50 vjeçare, jo vetëm që është një libër fare modest që kaloi pa lënë gjurmë në botimet shqiptare, por më sjell kujtimin e librit “Shteg më shteg me partizanët”. Kjo besoj se do mjaftonte që autori të ishte më i kujdesshëm e të tregonte më shumë respekt për një shkrimtar me përmasa si I. Kadare. Përndryshe ne do kishim të drejtën që titullin “inati na mban gjallë” ta lexojmë ndryshe “Inati dhe poshtërsia, inati dhe smira, zilia me mjaltë e helm na mbajnë gjallë”.

No comments: