Tuesday, December 18, 2012

Fundi i botës më 21 dhjetor: prova gjenerale e Apokalipsit?

Sergei Duz

Në Moskë, pranë derës së një prej hyrjeve të një pallati shumëkatësh, ishte ngjitur shpallja si vijon: "Në lidhje me afrimin e fundit të botës ju lutemi të paguani borxhet e pashlyera të qirasë së shtëpisë deri me datë 21.12.2012".

Afërsisht kështu, duke maskuar frikën me të qeshur, e percepton shumica e rusëve zhurmën e bujën që ka plasur rreth Apokalipsit, i cili gjoja është parashikuar në Kalendarin Mayan (Kalendarin e civilizimit Maya) më 21 dhjetor të këtij viti.
Shakaja shaka, por njerëzit janë duke blerë megjithatë shkrepëse, kripë dhe sende të tjera të nevojës së parë me shumicë. Edhe pse pas fundit të botës thjesht nuk do të ketë më se kush ta kripë ushqimin.
Duhet thënë se amerikanët i kanë lënë shumë pas rusët në përgatitjet e pritjes së 21 dhjetorit. Ata janë duke blerë masivisht armë dhe municione duke u përgatitur për tu përballuar me të ashtuquajturin zombies-apokalipsis: dhe të gjitha këto falë filmave të Hollywood-it për "të vdekurit e gjallë", të cilët do të invadojnë në mënyrë masive Tokën (pasi "në ferr nuk ka më vend"), dhe do të gllabërojnë banorët paqësorë tokësorë. Ndërkohë priftërinjtë këshillojnë studimin e Shkrimit të Shenjtë, sepse vetëm në të mund të gjendet rruga për shpëtimin e vetvetes.
Këshillën për të rritur nivelin e arsimimit dhe zgjerimin e horizontit ia japin gjindjes edhe dijetarët. Kurse Drejtorja e Qendrës ruse për Studimin e historisë dhe kulturës së civilizimit Maya, Galina Jershova, vë në dukje se në Kalendarin Mayan nuk ka kurrfarë tekstesh: ai përfaqëson në vetvete një pllakë guri me datat kalendarike të gdhendura në të që lidhen, me propabilitet të madh, me lëvizjen e Hënës. Por në këtë pllakë nuk ka as edhe një "parashikim" mbi fundin e botës.
Shpëtuesit kanë një qasje më utilitare ndaj problemit. Ministri rus i situatave emergjente Vladimir Puçkov tha në një intervistë për botimin "Rossijskaja gazeta" (russ. «Российская газета») si vijon: "Dihet tashmë se katastrofat globale në Tokë ndodhin afërsisht një herë në rreth 10-15 milionë vjet. Kërcënime të karakterit natyror në të ardhmen e afërt mund të priten, por ato nuk do të jenë globale megjithatë".
Drejtori i Qendrës Hidrometeorologjike Kombëtare, Roman Vilfand, vë në dukje me ironi, se në disa rajone ruse fundi i botës tashmë ka ardhur. Për shembull, në Murmansk, në Norilsk koha e ditës me dritë është barazuar me zero orë dhe zero minuta. Dhe ky fund bote do të përfundojë relativisht shpejt, të themi, në Norilsk dita me drite do të vijë më 11 janar.
Ne jetojmë duke mos ditur se çfarë mund të na presë madje në pesë minutat e ardhshme (për të mos thënë pas disa ditësh, e aq më tepër pas disa vitesh dhe dekadash). Mos do të thotë vallë kjo se për ardhjen e Apokalipsit (thjesht vdekjes, pra) duhet të jemi gjithë kohës në pritje? Të krishterët (po ashtu si dhe myslimanët, budistët e besimtarë të tjerë) i përgjigjen kësaj pyetje në mënyrë afirmative. E përse të mos pajtohemi atëhere me ta, në qoftë se ne të gjithë në thellësi të shpirtit e kuptojmë për mrekulli se ekzistenca jonë është e fundme.

No comments: