Friday, December 7, 2012

A duhet rishikuar figura e Enver Hoxhës?

Nga Luan MYFTIU
Ligësia njerëzore duhet të ketë vetëm emrin e këtij përbindëshi. Ky satrap frikacak, që mori pozat e një trimi, mbeti në histori simbol i gogolit, me të cilin gjyshërit do të trembin nipërit e tyre të prapë. Enver Hoxha i punoi popullit të vet poshtërsi që nuk do të guxonte t’ia bënte as pushtuesi më zemërzi, cinik e i pafytyrë. Po ai është edhe hipokriti klasik, i pabesi ideal, tirani ordiner dhe tradhtari më i neveritshëm që kanë njohur popujt e sunduar nga mizoria komuniste. Ky stalinist i devotshëm kishte aq urrejtje për trimat dhe fisnikët, aq shumë e urrente ndershmërinë dhe virtytet e kombit të vet, sa nuk la intrigë, shpifje, kurthe dhe pabesi pa përdorur për t’ua përdhosur virtytet, që të mbetej vetë i pranueshëm mes njerëzish të degraduar. Është madhështi e papërsëritshme morale që fisnikëria jonë doli me dinjitet edhe nga mizoria degraduese e këtij
përbindëshi, i cili më shumë se pronat, se vilat dhe pasuritë, më shumë se kulturën, shpirtin heroik dhe atdhetarizmin i lakmoi asaj nderin dhe burrërinë. Po ky përbindësh i sulmoi Shqipërisë edhe vëllazërimin, duke i mbjellë vëllavrasjen me luftën e klasave. Ky intrigant i detyroi shqiptarët e pafajshëm të pranonin fajësi të paqena. Ky frikacak i neveritshëm i la të pushkatuarit e pafajshëm pa varr. Ishte ky “trim” që kish frikë edhe nga emri, nga reputacioni, nga pafajësia e viktimave të tij, ndaj u zhduku atyre çdo gjurmë dhe i detyroi të akuzonin veten për vepra kriminale që as i kishin imagjinuar. Si “idealist”, ky antishqiptar zhduku patriotët; si “humanist”, përçmoi dhe shenjtorët; si “revolucionar i devotshëm”, i qëndroi besnik vetëm Stalinit të vdekur. Ky “marksist” ishte i aftë të varte në litar Marksin 7 herë në ditë, po t’i kërcënohej posti a t’i zbuloheshin gjëmat që i kish bërë në kohë paqeje popullit të vet. Ky monstër “humanist” nuk e njihte mëshirën, të cilën e quante hipokrizi. Se si udhëheqës “besnik” ai vrau dhe shokët e vet. Si shqiptar, zhduku gjithë patriotët, duke fshirë nga historia heronjtë kombëtarë dhe ngriti në piedestal gjithë haxhiqamilët. Ndërsa si hipokrit, Enver Hoxha kishte shok vetëm veten. Ai të vriste natën e të qante ditën. Historia po ndihet e varfër në fjalë e përcaktime për të dhënë portretin e këtij Kaini, të këtij Neroni apo Xhinxhiskani. Se Enver Hoxha ishte i zoti të qante nga marazi kur shihte fëmijë të qeshur, të cilët do të jetonin përtej jetës së tij. Dhe ai ua ngarkonte shokëve mëkatet e veta. Ndërsa kryeligësia e tij, ajo më e pafalshmja, ishte bashkautorësia që ky i bëri popullit në veprën e vet gjakatare. Asnjë gjëmë nuk mund të krahasohet me përçarjen dhe degradimin që ky antishqiptar u përpoq të mbillte në shpirtrat e bashkatdhetarëve të tij. Ndoshta prandaj nuk po gjenden dot mjete që ta karakterizojnë ligësinë e këtij depersonalizuesi të kombit të vet. Ai tentoi ta bënte vesin virtyt dhe virtytin ves, sepse ai tmerrohej nga ndershmëria, nga patriotizmi i vërtetë, nga ndjenja e lirisë, nga personaliteti i njeriut. Enver Hoxha do të mbetet simbol i ligësisë, i tradhtarit, i burracakut që shtiret trim, i mburravecit të pashoq, i të pabesit klasik dhe i djallit, që kërkoi të shkatërronte ç’kishte të mirë vendi i vet. Ndoshta prandaj historia ka mbetur e hutuar. Asnjë historian nuk po mundet të gjejë një të mirë të tij. Se dhe ato që duken si vepra me vlerë, fshehin një ligësi edhe më të madhe. Ndaj, kush tenton të thotë një fjalë të mirë për këtë përbindësh, jo vetëm fyen veten, por lëndon mijëra plagë të hapura pa shkak prej këtij përbindëshi, të cilit në çaste të caktuara duhet t’i jetë neveritur edhe vetja. Ndaj askush nuk ka guxim sot të thotë një fjalë të mirë për të, të justifikojë bëmat dhe gjëmat e tij, sepse do të tentonte më kot të “vërtetonte” se poshtërsia në botë nuk ekziston. Sepse Enver Hoxha ka mbetur dhe do të vazhdojë të jetë në shekuj etaloni me të cilin do të matet shkalla e ligësisë së çdo tirani, tmerri i brezave që do të vijnë, turpi i Shqipërisë. Ai do të mbetet despoti i spikatur për ligësi ordinere, për kurthet e pabesitë që i ngriti kombit të vet, për një mijë e një të zeza që i punoi pa shkak një Shqipërie të varfër, të sinqertë, humane, të dhembshur, por dhe shumë krenare. Përbindëshi Enver Hoxha do të mbetet, pra, legjenda e poshtërsisë njerëzore, “drejtuesi” që do t’u ngjallë krupë gjithë udhëheqësve të botës kur të kujtohen se ka pasur edhe një “drejtues” kaq zemërlig e cinik, kaq të pabesë e tradhtar, kaq të etur për të degraduar vëllezërit e tij të një gjaku. Enver Hoxha kishte kënaqësi që shqiptari të mos nginjej me bukë, që fisnikëria shqiptare të katandisej rrugëve, që trimëria të detyrohej t’i bënte kërkesë për falje satanait, kur qe krejt e pafajshme. Ai qe i kënaqur që ndershmëria shqiptare u torturua deri në atë shkallë sa të shpifte edhe kundër vetes duke pranuar se kishte tradhtuar atdheun, kishte dashur të helmonte njerëzit me ujin e qyteteve, të digjte kombinatet prej betoni me capa gazetash të ndezura, të fshehte ikona, të denonconte edhe veten se gjoja kishte vjedhur etj. Enver gangsteri gajasej e mburrej te shihte Shqipërinë e katandisur ta duartrokiste, pse ky po e linte të uritur, të përçarë, të internuar e të burgosur, të pushkatuar e të varur pa faj në litar. Atëherë? Ç’të bëjë atëherë me këtë kuçedër historia? Nga ta fillojë mallkimin e saj kundër tij? Si ta portretizojë ligësinë e përmasave që nuk po e besojnë as brezat që e jetuan një pjesë të poshtërsive të saj? Jo, për Enver Hoxhën duhet të mblidhen gjithë historianët e botës, gjithë psikanalistët dhe shkencëtarët, gjithë antikomunistët, por dhe komunistët e penduar dhe ata që e njohën poshtërsinë e tij qysh kur ai ishte gjallë. Të mblidhen këta dhe të dëgjojnë me vëmendje rënkimet që vijnë nga kjo tokë, e cila gjëmon nga mijëra mallkime të llahtarshme viktimash të poshtëruara dhe të mendohen si ta rishkruajnë historinë tragjike të një populli, i cili jo vetëm u bë astmatik, por fitoi dhe një fisnikëri të lartë nga një dhimbje mbinjerëzore poshtëruese, si ajo që u shkaktoi përbindëshi Enver Hoxha.

No comments: