Friday, November 16, 2012

Pse historiografia shqiptare dhe vendet e koalicionit anti-fashist njohën 29 nëntorin e 1944 si datën e çlirimit

Nga Doc. Kadri DINGU*
 Po në muajin tetor 2002 doli në qarkullim libri i titulluar “208 nëntori i tretë” me autor Vafsi Baruti, ku përveç zbulimeve të mëdha që paska nxjerrë autori se shqiptarët na paskan ngritur tri herë flamurin kombëtar në vitet 1443, 1912, 1944. Duke u marrë më gjerë autori arriti në përfundimin “shkencor” se dita e çlirimit paska qenë 28 nëntori 1944. Ai përpiqet të na paraqitet si historian i vërtetësisë historike e shkencore e tregohet i kujdesshëm të mos bjerë në gabimet e historianit Biçoku të cilin dhe e kritikon,
por në fund na vërteton të njëjtën datë të çlirimit të vendit. Por historiografia shqiptare e në radhë të parë historianët partizanë që kanë marrë pjesë në luftën e çlirimit të Shkodrës si edhe partizanë që kanë hyrë në Shkodër në orë të mëngjesit të 29 nëntorit 1944 mbrojtën të vërtetën historike dhe kjo bëri që kuvendi i Republikës së Shqipërisë më 30 tetor 2007 rivendosi juridikisht dhe politikisht 29 nëntor 1944 si ditën e çlirimit dhe si festë kombëtare. Por megjithëse çështja e 29 nëntorit ka dalë nga axhenda e politikës zyrtare, forcat politike të djathta me në krye Partinë Demokratike si edhe qeveria e tyre e sotme me z. Sali Berisha kanë mbetur dhe vazhdojnë në pozitat e vjetra të mospranimit të 29 nëntorit 1944 si ditë e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazisto-gjermanë duke e zëvendësuar me 28 nëntorin. Kështu ata që nga viti 1997 vazhdojnë të festojnë si ditë çlirimi 28 nëntorin të vitit 1944. Kështu në këtë datë venë kurora në varrezat e dëshmorëve dhe bëjnë vizita në disa nga familjet e dëshmorëve. Por e vërteta historike është e pamohueshme dhe nuk ka forcë që ta ndryshojnë. Sot në vendin tonë zhvillohet polemikë jo vetëm në mes të forcave politike dhe mes historianëve, gazetarëve, studiuesve të fushave të ndryshme, por dhe mes veteranëve të LANÇ-it, për datën e çlirimit të Shqipërisë nga forcat pushtuese ushtarake nazisto-gjermane më 28 apo 29 nëntor 1944, e lidhur kjo me çlirimin e Shkodrës. Në njoftimin e Ministrisë së Republikës Gjermane në muajin shkurt të vitit 2002, ku shkruhet se forcat gjermane janë larguar nga Shqipëria më 29 Nëntor 1944, gjithashtu thuhet se në dokumentat zyrtare të Arkivës ushtarake të Bundesverit për tërheqjen e trupave të ushtrisë pushtuese gjermane nga Shqipëria që: Urdhëri për tërheqjen u dha në 3 tetor 1944, Korpusit XXI Alpin, nën drejtimin e gjeneralit të Kounerisë Vonheqser (pjesë e grupit “E” të F.T. i dislokuar në frontin e Adriatikut) të lëshojë më 29/11/1944 në qytetin e fundit të Shqipërisë “Shkodrën”. Tërheqja e forcave të fundit të gjermanëve nga Shkodra më datë 29 nëntor 1944 dhe çlirimin e qytetit po atë ditë, përbën një fakt historik të vulosur nga lufta heroike të Forcave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Kjo datë çlirimi është njohur jo vetëm nga historiografia shqiptare, por dhe nga të gjithë vendet e koalicionit të madh anti-fashist. Por në fund të muajit Prill 2012 doli në qarkullim monografia e historianit të SHBA, zotit Bernard Fischer “Shqipëria e 1943-1945” ku aty shkruhet se të mbështetur në dokumentat perëndimore, aty shkruhet se forcat e ushtrisë naziste gjermane janë larguar nga Shqipëria me datë 4 Dhjetor 1944. “Sipas vlerësimit tonë, shkruan zoti Fischer, dokumentat e huaja për periudhën 1943-1944 për Shqipërinë, ndoshta ato janë më të dobishme, se përfshijnë materialet Britanike, Gjermane e më të pakta Amerikane. Dokumenti i paraqitur në këtë vëllim, - vazhdon zoti Fischer, - që do të referohemi si raport Final i Vermaktit Gjerman për Shqipërinë… është final e unik në shumë drejtime dhe jo i pakët nga fakti që është shkruar nga një oficer gjerman pa emër”. Nga fundi i muajit Mars e vazhdoi në Prill 2012 në artikullin e botuar në gazetën “Shekulli” dhe “Sot”, dolën artikujt e parë që fillojnë polemikën se cila është data e largimit apo tërheqjes së ushtrisë naziste gjermane nga Shqipëria më 29 nëntor 1944, siç vërtetohet nga njoftimi i dërguar nga Ministria e Mbrojtjes Gjermane në muajin Shkurt 2002, apo datë 4 dhjetor 1944, që shkruhet nga zoti Fischer në librin “Shqipëria e 1943-1945”. Në artikullin e botuar në gazetën “Shekulli” me datë 30 Mars 2012, të titulluar “Dy vjet Shqipëri me dokumenta sekrete”, ku është shkruar se në raportin final të Vermahtit gjerman në Shqipëri, nga oficeri pa emër dhe i pa njohur që ishte pjestar i grupit të drejtimit në selinë e Vermahtit në Berlin. Ai është kritik ndaj dëmeve që kanë shkaktuar forcat gjermane, duke u tërhequr nga Shqipëria më 4 dhjetor 1944, dhe jo më 28 apo 29 nëntor 1944. Këto data, - vazhdon autorja, - të ngjallin debate”.
Ndërsa në artikullin e botuar më 3 prill 2012 në gazetën “Sot” me titullin “Faleminderit zoti Fischer që na kujtuat Shqipërinë etnonatyrore”, në librin e zotit Fischer “Shqipëria 1943-1945” del data e 4 dhjetorit 1944 si datë e largimit apo tërheqjes të Vermaktit gjerman nga Shqipëria. Ai dëshiron të rikthejë dhe një herë kujtesën me anën e raportit të një oficeri (pa emër KD) të Vermahtit të shkruar në shkurt 1945, përpara se Gjermania të kapitullojë, kërkon të sqarojë dhe të thotë, nëpërmjet dokumentave për datën e 4 dhjetorit, e cila është tashmë data e re e çlirimit të Shqipërisë. Kjo natyrisht do të rihapë polemika të reja kryesisht tek njerëzit që akoma nuk e kanë mbyllur problemin politik të vitit 1944 në Shqipëri”.
Le të analizojmë se cila është data e çlirimit të Shqipërisë nga forcat pushtuese naziste gjermane më 28 e 29 nëntor apo 4 dhjetor 1944. Më 17 nëntor 1944 pas një beteje 19 ditore të ashpër nga forcat e ushtrisë Nacionalçlirimtare (Partizane) Shqiptare, me forcat pushtuese naziste gjermane, u çlirua Tirana i vetmi kryeqytet në Evropë që çlirohet me forcat e popullit të tij. Kjo datë nuk mund të njihet si datë e çlirimit të Shqipërisë, siç është bërë dhe nga disa vende të Evropës, të cilat janë çliruar nga forcat e ushtrisë Anglo-Sovjeto-Amerikane, se akoma nuk ishte çliruar zona e Veriut të Shqipërisë. Më 18 nëntor 1944, një ditë pas çlirimit të Tiranës, Komandanti i Përgjithshëm, Gjeneral, Kolonel Enver Hoxha i dha urdhërin Ushtrisë Nacionalçlirimtare: “Partizanë e partizane, Komandantë e Komisarë, detyra juaj nuk ka mbaruar, duhet të çlirojmë të gjithë Shqipërinë dhe të ndjekim këmba këmbës armikun gjerman të egër e të dërmuar që përpiqet të tërhiqet drejt Shkodrës e Podgoricës. Detyra jonë është të mos e lemë të dalë i gjallë asnjë ushtarak gjerman nga tokat tona. Ato duhet që t’i asgjësojmë. Të gjithë repartet e ushtrisë sonë që veprojnë në Shqipërinë e Veriut kanë marrë urdhër t’i japin grushtin e fundit të vdekjes gjakatarëve dhe katilëve të vendit tonë dhe mbarë njerëzimit”. Që në kohën kur formacionet e U.N.Ç.SH. ishin në zhvillimin e plotë të fitores të çlirimit të Tiranës, u ndërmorën disa aksione luftarake për çlirimin e plotë të Shqipërisë të zonave veri-lindore dhe kaluan në Kosovë në Rrafshin e Dukagjinit. Kështu gjatë 15 ditëshit të parë të muajit nëntor 1944 e deri më 26 nëntor, forcat partizane të Brigadave XXII, XVII, XVIII e të V-të sulmuese goditën autokolonat gjermane, automobilistike Fushë-Arrëz-Pukë, Prizren-Kukës-Shkodër, Morinë-Kukës-Pukë duke çliruar Pukën dhe shumë fshatra dhe goditën forcat kolaboracioniste të komanduara nga Muharrem Bajraktari. Në këto aksione forcat gjermane dhe kolaboracioniste pësuan humbje në ushtarë e materiale luftarake. Formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të Shqipërisë të kuadruar në Divizionin e II-të sulmues, ndërmorën veprime luftarake në pjesën tjetër të Qarkut Shkodër dhe në trevën Alpine të Shqipërisë së Veriut, ku kalonin kolona të gjata pa mbarim nëpër rrugët automobilistike, në zbatim të planit të Vermahtit të evakuimit të forcave ushtarake nga Jug-Lindja Evropina. Brigade e VI-të e XXV-të të kuadruar në Divizionin e II-të shpartalluan forcat e Xhandarmërisë Kuislinge në rrethin e Tropojës, si dhe forcat e bandave reaksionare Kolaboracioniste, të komanduara nga Bajraktari i lidhur me Legalitetin, Nik Sokoli që bashkëvepronte me agjentët e Gestapos dhe nëpërmjet oficerit britanik pranë shtabit të tyre, që furnizoheshin me armatime që i përdornin kundër forcave partizane, që të ndalonin kalimin e forcave partizane në drejtim të Shkodrës dhe çlirimin e Koplikut, Hani-Hotit e Podgoricës dhe në tokat e Malit të Zi, ku goditën dhe forcat gjermane. Dy Brigada e VI-të dhe e XXV-të plotësuan detyrën dhe e çliruan trevën e Veriut të Shqipërisë. Çlirimi i plotë i Qarkut Shkodër forcat e Brigadës VI-të, VII-të, XXII të kuadruar në Divizionin e I-rë, goditën forcat gjermane që kishin mundur të shpëtonin nga rrethimi i Tiranës, në rrugën Tiranë-Shkodër. Gjithashtu asgjësuan dhe garnizone të Matit, Lezhës, Krujës dhe forcave Kolaboracioniste të komanduar nga Kole Bib Markaj dhe Uk Ismaili, goditën dhe forcat gjermane në Gur të Zi, në Bërdicë, në Baçallëk, në Grykën e Matit, në Baltic, te Ura e Kilit e të tjera zona. Më 28-29 nëntor 1944 forcat partizane kaluan në sulm për çlirimin e qytetit të Shkodrës. Kështu më 28 nëntor forcat guerile dhe të grupit të Shkodrës, vunë nën kontroll depot e municioneve në lagjen Pirash, centralit Elektrik, ndërsa Brigada e XXII-të dhe VI-të goditën forcat gjermane, që duke shfrytëzuar errësirën nga mesi i natës dolën nga hallkat e rrethimit, por në rrugën Shkodër-Koplik u goditën nga forcat e Brigadës XXII-të dhe VI-të partizane, dhe nga orët e mëngjesit të 29 nëntorit 1944 forcat partizane hynë në qytetin e Shkodrës, ku rreth 3000 forca gjermane e kolaboracioniste u kapën nga forcat partizane. Në datën 29 nëntor 1944 u formua Brigada e XXIII-të e përbërë nga forcat e grupit partizan të Shkodrës dhe të njësiteve guerile. Forcat e Divizionit të I-rë e të II-të Sulmues të U.N.Ç.Sh. të përbërë nga 12 Brigada me mbi 1000 partizanë bënë mbi 160 aksione së bashku me forcat e grupit dhe të gueriljeve si dhe nga populli i Shkodrës festuan çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944 me një miting e paradë ushtarake që shënonte dhe çlirimin e Shqipërisë.
Historiografia Shqiptare dhe e vendeve të Evropës e kanë njohur këtë ditë (29 nëntorin 1944) si ditë e tërheqjes së forcave pushtuese gjermane nga Shqipëria dhe si ditë e çlirimit të atdheut tonë. Përveç dokumentit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë Gjermane, largimi i forcave të tyre nga Shkodra e Shqipëria (data e 29 nëntorit) njihet dhe në dokumentet ditar lufte të forcave të tjera ku shkruhet: “Më 29 Nëntor urat që kalojnë në Bunë dhe në Drin të Shkodrës u shkatërruan. Pararoja jonë gjendej në Koplik”. Edhe në ditarin e një komandanti gjerman që vepronte në Mal të Zi shkruhet: “Më 29 nëntor 1944 erdhi në Podgoricë komandanti i Përgjithshëm i Frontit Juglindor dhe përcaktoi rrugën e tërheqjes. Më 28 Nëntor 1944 Divizioni 181 lëshoi Kotorrin. Më 29 nëntor u lëshua Shkodra dhe trupat e fundit që u tërhoqën nga Shqipëria kanë qenë trupat (Alpine) të Korpusit 21. Kjo ka ndodhur më 29 nëntor 1944”.
Siç shihet dhe në dokumentet e Komandove të formacioneve ushtarake gjermane shënohet data 29 nëntorit 1944 si datë e çlirimit, të njëjta me atë që jep Shtabi i Përgjithshëm Gjerman dhe UNÇ Shqiptare.
Në historikun e Brigadës së XXII-të Sulmuese të UNÇSH jepet informacion se një Batalion i saj në orën 2:30 të datës 29 nëntor 1944 ka goditur praparojat e forcave tek Ura e Mexhorit në Koplik. Meqë pushka e forcave gjermane qenka shkrepur dhe ditët e para të dhjetorit 1944 në qytetin e Prizrenit të Kosovës, sipas kësaj teorie zoti Fischer shfaq dëshirën e rikthimit të debatit për të riparë datën e Çlirimit të Shqipërisë, të mbështetur me një të dhënë (të shkruar) nga një oficer gjerman (pa emër e gradë) në shkurt 1945, para se Gjermania të kapitullonte ku jepet një datë e re e çlirimit të Shqipërisë më 4 dhjetor 1944 meqë pushka e forcave gjermane qenka shkrepur dhe në ditët e para të dhjetorit 1944, në qytetin e Prizrenit të Kosovës. Sipas kësaj teorie merret si bazë kufiri i Shqipërisë së Madhe Etnike që u bë pas pushtimit të Serbisë që nga Qershori 1943, nga forcat naziste gjermane. Por zoti Fischer dhe pasuesit e tij në Shqipëri, duhet të kenë dijeni, se në Konferencën e Jaltës të mbledhjes së të tre fuqive të mëdha Anglo-Sovjeto-Amerikane, është vendosur që të mos njihet asnjë ndryshim i bërë në kufijtë Evropiane nga pushtuesit nazifashistë. (Siç duket autori është mbështetur në teorinë e studiuesit shqiptar zotit fantastik Robert Elsie).
E vërteta historike e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazistë gjermanë më 29 nëntor 1944 nga Ushtria Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit të armatosur të popullit shqiptar me në krye të organizatorit, të udhëheqësit të saj Gjeneral Kolonel shoku Enver Hoxha është e përjetshme.
LANÇ dhe legjenda e luftës civile
Ka disa vjet që partitë Kolaboracioniste të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit si dhe partitë e djathta me në krye atë Demokratike si dhe disa organe të shtypit dhe të radio-televizionit propagandojnë legjendën se lëvizja antifashiste Nacionalçlirimtare që u udhëhoq nga partia Komuniste nuk paska synuar për çlirimin e vendit por për vendosjen e komunizmit në Shqipëri, dhe si rrjedhojë e kohës lufta e bërë na qenka shndërruar në luftë civile. E tërë kjo propagandë synon të mohojë meritat e padiskutueshme të luftës Nacionalçlirimtare që bëri populli shqiptar nën drejtimin e PKSH-së edhe për të shfajësuar partitë kolaboracioniste nga tradhëtia e tyre e bashkëpunimit me forcat pushtuese fashiste.
Një propagandë e tillë është bërë që në vitet e luftës jo vetëm nga pushtuesit fashistë dhe forcat kolaboracioniste shqiptare por edhe nga disa misionarë ushtarakë të SOE-së Britanike në Shqipëri si Maklin, Kemp, Ameri etj. Kështu pushtuesit nazi-fashistë italianë e gjermanë, në bashkëpunim me forcat politike kuislinge e kolaboracioniste shqiptare me qëllim për të penguar bashkimin e popullit shqiptar në luftën për çlirimin e vendit thurnin legjendën që kjo luftë nuk bëhej për interesat e kombit shqiptar, por në interesin e Rusëve, Serbëve dhe Grekëve për të shndërruar Shqipërinë në një koloni të tyre. Në të njëjtën mënyrë vepruan edhe organizmat politike të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit si edhe bajraktarët të lidhur me pushtuesit.
Në tërë vitet e pushtimit problem themelor ka qenë zhvillimi i luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Në trajtimin e saj është mbajtur koncepti i luftës civile, e cila nuk është luftë e popullit kundër pushtuesit të huaj, por luftë mes forcave politike të një vendi. Shqipëria ishte një vend i pushtuar dhe armiku kryesor ishin pushtuesit nazi-fashistë kështu që Balli Kombëtar dhe Legaliteti sipas strategjisë së tyre u bashkuan me pushtuesit kundër luftës që zhvillonte populli shqiptar, dhe si rrjedhojë ato u luftuan si aleatë të forcave pushtuese nazi-fashiste.
Kjo ishte një nga detyrat e para që e përcaktoi në programin e saj partia Komuniste të cilin e bëri realitet me thirrjen e Konferencës së Pezës ku u krijua fronti Nacionalçlirimtar që doli me thirrjen: “Shqiptarë rrëmbeni pushkën dhe bashkohuni me luftëtarë të lirisë në çeta partizane për çlirimin e Shqipërisë”. Gjithashtu në tetor të 1944 kur Shqipëria ishte në prag të çlirimit, këshilli i lartë antifashist vendosi çlirimin e plotë të vendit dhe mbrojtjen e indipendencës.
Në Shqipëri LANÇ-i u gërshetua dhe me revolucionin popullor, ku lufta e armatosur kishte për qëllim arritjen e pavarësisë të plotë të vendit, që nënkuptonte pavarësinë e shtetit shqiptar nëpërmjet një revolucioni të tillë politik.
Në procesin e zhvillimit të revolucionit popullor demokratik në Shqipëri ai pati një shtrirje të gjithanshme duke përfshirë edhe në fushën ekonomike, që u kurorëzua me prishjen e të gjitha marrëveshjeve të bëra me shtetet e huaja me karaktere politike dhe ekonomie të bërë nga qeveria e Zogut në dëm të popullit shqiptar dhe këto të zëvendësoheshin me marrëveshje të reja. Siç shihej këto masa të revolucionit popullor demokratik nuk prekën marrëdhëniet midis klasave të shoqërisë shqiptare.
Revolucioni popullor demokratik shtroi edhe detyra me karakter demokratik të cilat ishin në funksion të çlirimit të vendit. Kështu revolucioni gjeti pasqyrim edhe në fushën politike ku shprehet vendosja e një qeverie demokratike në Shqipëri të lirë prej fashizmit.
Revolucioni popullor demokratik duke ecur në rrugën e zhvillimit të tij nuk u shtri nga LANÇ-i në drejtim të konfrontimit midis detyrës nacionale dhe asaj demokratike kështu gjatë viteve të LANÇ-it për të mos i lënë vend spekulimeve lëvizja u quajt Lëvizje Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe termi revolucion nuk u përdor. LANÇ-i dallohet si një lëvizje që pati si qëllim kryesor çlirimin e atdheut dhe që u realizua më 29 nëntor 1944 që po festojmë 68 vjetorin sot me krenari.
Balli Kombëtar dhe Legaliteti mbajnë përgjegjësi si kolaboracionistë, janë tradhëtarë të shqiptarëve, si bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit. Kjo tradhëti është dënuar botërisht për krimet e bëra së bashku me pushtuesit ndaj popullit shqiptar. Këtë vulë nuk mund t’ja heqë as partia demokratike, as qeveria e Sali Berishës me rehabilitimet e tyre si “martirë të demokracisë”.
Me të drejtë historiografia shqiptare pas çlirimit të vendit e ka quajtur teorinë e luftës civile si pjesë e propagandës të forcave politike anti LANÇ të cilët e përdorin sot për të mohuar sakrificat e mëdha që ka bërë populli shqiptar në luftën heroike përkrah aleatëve të mëdhenj Anglo-Sovjeto-Amerikanë, si pjesëtarë aktivë në rezistencën evropiane krahas tërë popujve që luftuan kundër pushtuesve fashistë dhe që populli ynë arriti të fitojë çlirimin, pavarësinë, integritetin territorial të vendit.
 *Historian-veteran i LANÇ

No comments: