Sunday, August 19, 2012

Nis më 26 gusht edicioni i pestë i Festivalit të filmit në Durrës

Gjashtë filma, produksione evropiane të viteve të fundit, do të konkurrojnë nga 26 deri më 30 gusht në seksionin "Vizione Bashkëkohore", duke synuar "Gladiatorin e artë". “E ftuara e Nderit” e këtij edicioni, kinematografia franceze, nga e cila do të shfaqen katër filma
Tiranë, 18 gusht 2012 – Nis më 26 gusht edicioni V i Festivalit ndërkombëtar veror të filmit të Durrësit që do të "ndalojë" edhe në qytetet e Tiranës, Vlorës, Pogradecit dhe Sarandës me disa shfaqje filmash menjëherë pas festivalit.
Anila Varfi, drejtore e këtij Festivali, thotë se ky edicion që do të zgjasë deri më 30 gusht, është organizuar në bashkëpunim me festivale të tjerë në ShBA, Bullgari, Rumani, Egjipt, Itali dhe Portugali, me të cilët është themeluar organizmin "Festival network". Filmat fitues të festivaleve të Durrësit do të shfaqen edhe në edicionet pasardhëse të këtij networku.
Mbrëmjet e këtij festivali do t'u kushtohen jo vetëm filmave konkurrues, por edhe "Të ftuari të Nderit", kinemasë dhe kulturës frankofone. Filmi që do të hapë festivalin në amfiteatrin e Durrësit do të jetë "Les Bien -Aimes" nga Christophe Honore. Një program me tre filma të tjerë do të përcjellë kulturën kinematografike franceze edhe në ditët e tjera të këtij edicioni.
Gjashtë filma, produksione evropiane të viteve të fundit, do të konkurrojnë në seksionin "Vizione Bashkëkohore", duke synuar "Gladiatorin e artë" për filmin më të mirë si dhe çmimet për regjinë, aktorin dhe aktoren më të mirë. Presidente e Jurisë do të jetë Alison Frank, kritike e njohur britanike.
Nuk do të mungojnë edhe në këtë edicion konkurrimet për Filmin më të mirë ballkanik, Çmimi i Publikut dhe Çmimi i Kritikës (FIPRESCI).
Amfiteatri i hapur romak, 2.800 vjeçar, do të jetë edhe këtë vit sfondi i mrekullueshëm për ceremoninë e dhënieve të Çmimeve të Argjendta të Durrësit, të cilat nderojnë regjisorë, aktorë aktore, figura në zë të artit kinematografik të cilët kanë dhënë kontribute të rëndësishme për kinemanë. Çmimi është krijuar nga skulptori Prof. Sadik Spahia dhe prodhuar ne Itali nga "Argenti Preciozi".
Pjesëmarrja në edicionet e kaluara e yjeve dhe legjendave të kinemasë botërore si, Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale, Fanny Ardant, Nik Powell, Rade Serbedzija, Lech Majewski, Kryzstof Zanussi, Jiri Menzel, Jan Harlan, Enrico Lo Verso, Maia Morgenstern, Paolo Sorrentino., etj e kanë bërë mjaft popullor Festivalin ndërkombëtar të filmit që organizohet në Durrës për të pestin vit radhazi. (ATSh)

No comments: