Friday, June 1, 2012

Nanoja i pashmangshëm

Alfred Lela
Para nja një muaji, gjatë takimit për një intervistë për MAPO-n, Fatos Nano, kandidati që e loboi më fort se kushdo ofertën e tij presidenciale, përshkohej jo vetëm nga brerja për të qenë konsensual, por edhe nga shqetësimi ‘i të paturit të një shansi në këtë garë’, që ai e dinte se do të ishte dërrmuese. Asokohe, ‘shansi’ i tij prehej te një mbështetje e hapur e ambasadorit amerikan, gjë që u reflektua edhe në titullin e kopertinës së revistës MAPO “Fatos Nano, kandidati amerikan”.
Tani shanset e Fatos Nanos shtrihen te lëvizja politike e radhës e Edi Ramës, kryetarit të Partisë Socialiste. Ironikisht Nano mund të fitojë si rrjedhojë e një lëvizjeje, dredhinë dhe dandyizmin e së cilës mund t’i mishëronte vetëm ai. Në një kohë kur Edi Rama e ka nxjerrë veten dhe partinë e tij jashtë lojës presidenciale, i vetmi As që i jep një mëngë dhe një dorë tjetër letrash është kandidimi i Fatos Nanos në emër të Partisë Socialiste.
Me futjen e Nanos në listën e ngushtë, që do të ngushtohet edhe më, të kandidatëve për president, Rama zhbalancon një skemë që nxjerr fitues Berishën, legjitimon Metën dhe e bën LSI-në parti të Integrimit. Emri i Fatos Nanos jo vetëm rihap lojën, por edhe dobëson unitetin e formuar në kampin mazhoritar rreth emrit të Xhezair Zaganjorit. Shpëtim Idrizi e ka shpallur me kohë mbështetjen e tij të pa kushte për kandidaturën e liderit historik të së majtës. Nanos i mbetet të fitojë edhe votën tjetër të PDIU, gjë jo fort e vështirë, dhe të ulet me Metën për t’ia rishpalosur platformën e tij presidenciale.
Po si ‘erdhi’ Rama te ‘Alternativa Nano’, të cilën ai e ka mbajtur të shtypur, si më të fundmen e ‘festave’ në kalendarin e tij politik? Pas një radhe përllogaritjesh, të cilat nuk merrnin parasysh gjenuinitetin dhe as elasticitetin e kundërshtarit. Edi Rama e ka ndërtuar fushën e lojës politike brenda një halucinacioni artistik ku dominon guernika flakëruese dhe përjashtuese e së kuqes së tij. Vertikalisht e horizontalisht ai vazhdon të ndërtojë një skenë politike imagjinare, ku kundërshtarët dhe fuqia e tyre zerohen me lehtësinë e një barcalete shkëmbyer me njerëz të thjeshtë nëpër megaturin ‘Dialog me Shqipërinë’. Ata që e këshillojnë, mendojnë gjithë ditën se ai nuk mund ta mposhtë Berishën, e megjithatë recetat ia japin triumfaliste. Ata që e ndjekin e imitojnë nëpër studio, lëvizje e diksion bashkë, a thua se përsëritja e kryetarit është akt politik, e jo individualiteti. PS e ka transferuar fërgëllimin e brendshëm të kohës së Nanos te një tur cigan çunakësh e çupëlinash që i bien Shqipërisë kryq e tërthor duke i bërë reFresh ‘amerikanizmit’ të Erion Veliajt.
Sa më sipër, është vetëm garnitura e një amatorizmi që kulmoi me editorialin e para pak ditëve ku shefi i socialistëve bënte thirrje rilindase me ‘o vdekje, o liri!’ Duke u rënë daulleve të luftës në një kohë kur kërkohej pikërisht e kundërta, sa nga faktori ndërkombëtar, aq edhe nga partneri potencial Ilir Meta, Rama kreu një harakiri politik të pashoq. Edhe nëse në war room-in e PS, ai megjithë shtatmadhorinë po kalkulonin luftën, në publik duhet të derdheshin me pëllumba e degë ulliri si ushtarët më të përunjur të paqes.
Edi Ramës i duhet Fatos Nano. Është një kryqëzim interesash që më shumë se ‘kthim nderi’ do të ishte ‘kthim në lojë’. Nuk është rrëzimi i Berishës, as zgjedhjet e parakohshme, heqja e imunitetit dhe as reforma parlamentare, emergjenca politike e Edi Ramës. Atij i duhet t’u tregojë të tijve se nuk është një humbës i madh.

No comments: