Tuesday, June 5, 2012

Faleminderit Zaganjori, President Fatos Nano!

ARIAN GALDINI
Faleminderit ambasadorit të SHBA, Aleksandër Arvizu, apo arvizuterapisë, ambasadorit të BE, Etore Sekui, si edhe ambasadorit të OSBE, Eugen Volfarth, apo trojkaterapisë, më në fund procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës duket sikur ka hapur mundësitë për të hyrë në rrugë të mbarë. Sikurse ata thanë dhe Edi Rama e përsëriti: Kriza po shndërrohet në shans për ripërtëritje.
Prof. Xhezair Zaganjori zhvilloi takime me të gjithë krerët e spektrit politik të përfaqësuar në Kuvend. Ky është ndoshta zhvillimi më shpresëdhënës qëkur ka nisur të flitet a debatohet, veprohet a kulisohet për zgjedhjen e Presidentit në këtë vendin tonë të vogël që me kaq shumë ngulm publik e kaq pak vullnet e kulturë politike synon të bëhet europian. Veçse ishte në shtigjet që kishte hapur, standardit që kishte ngritur, modelit që kishte ndërtuar Fatos Nano disa javë më parë.
Prof. Xhezair Zaganjori është një dinjitar shumë i respektuar i shtetit shqiptar për të cilin nuk ke ç’thua veç vlerësime të pakursyera për të gjithë karrierën e tij si akademike, ashtu edhe diplomatike, e patjetër edhe në Drejtësi. I sjellë në vëmendje dhe i propozuar nga maxhoranca qeverisëse, Prof. Zaganjori shqyrtoi brenda tij mundësitë, kualitetet, eksperiencën, dijenitë dhe kapacitetet e tij personale prej nga edhe gjeti kurajën dhe përgjegjësinë publike e qytetare për ta pranuar kandidimin për detyrën e kreut të shtetit shqiptar i ndërgjegjshëm se ai nuk e kishte menduar e as kërkuar këtë gjë më parë. Por këtu nuk çalonte standardi i Prof. Zaganjorit, këtu çalonte dhe vazhdon të çalojë standardi i kryetarëve të partive politike shqiptare, të cilët nuk kanë asnjë vetëdijësim, as sjellje apo shprehi demokratike për të kuptuar rëndësinë e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, e pjesëmarrjes publike në një proces zgjedhjeje në një vend demokratik. Kryetarokratët tanë takohen me njëri-tjetrin, herë bashkë e herë kokë më kokë, herë njëra gjysmë, e herë të gjithë, duke menduar e pretenduar se po ushtrojnë demokracinë, ndërkohë që nuk bëjnë as më shumë e as më pak, por e vrasin demokracinë. Ua kemi thënë e vazhdojmë t’ua themi kryetarokratëve tanë se demokracia me dyer të mbyllura është demokraci e vrarë, por ata ende nuk e kuptojnë, ose nuk u intereson ta pranojnë këtë të vërtetë. Ata flasin për procesin a thua se procesi është pazar apo marrëveshje kryetarokratësh e nuk e kuptojnë se procesi është drejtpërdrejt ushtrim demokracie nëpërmjet lehtësimit, krijimit të hapësirave dhe inkurajimit të konkurrencës së lirë dhe të ndershme, e pjesëmarrjes së publikut. Kryetarokratët bëjnë lojë kungulleshkash duke dorovitur lista emrash e duke u ndjerë ndërkohë zot të fateve të vendit tonë, por edhe të personalitetit e integritetit të të gjithë këtyre emrave që ata kalojnë në sitën e tyre të padenjë. Themi sitën e tyre të padenje sepse vetë loja e kungulleshkave me darovitjen, shkëmbimin, qarkullimin, përgojimin, rrëzimin apo propozimin e emrave, është strukturalisht në moral dhe mendësi krejtësisht anadollake, joperëndimore e, si rrjedhojë, e padenjë për një vend që synon të europianizohet.
Prof. Zaganjori pati kurajën dhe meritën që përtej mangësive, deformimit dhe gjymtimit të procesit nga kryetarokratët, të ngrihet në lartësinë e duhur qytetare e ta pranojë këtë sfidë, por njëkohësisht duke marrë edhe përgjegjësitë e kërkuara mbi procesin, përderisa është emri dhe integriteti i tij që vihet në lojë. Prof. Zaganjori nuk e la më fatin e emrit të tij në lojën e kryetarëve. Vullnetit të maxhorancës qeverisëse për ta propozuar, Prof. Zagannjori, duke i thënë po, i shtoi edhe kurajën e tij për t’u vetofruar. Lëvizja e Prof. Zaganjorit drejt kërkimit të drejtpërdrejtë të konsensusit është akti më demokratik dhe më i shëndetshëm që ka ndodhur qëkur në këtë “industri” po i lëviznin e kontrollonin punët vetëm gjashtë kryetarët e partive. Pasi Prof. Zaganjori vendosi të zbresë vetë në fushë, mund të themi pa asnjë hezitim se loja e kryetarokratëve me darovitje e shkëmbime listash mori fund. Me takimet që Prof. Zaganjori realizoi me krerët e partive politike të të gjithë spektrit të përfaqësuar në Kuvend, ka ndodhur ajo që duhej të ishte lejuar të ndodhte krejt natyrshëm që në nisje të procesit në një vend normal demokratik: Njeriu që ka përgatitjen, ndërgjegjësimin, përvojën, dijet, kulturën dhe kurajën për të shërbyer si simbol i unitetit kombëtar, si kreu i shtetit shqiptar, meriton dhe kërkohet të jetë ndërtuesi dhe zhvilluesi i procesit në bashkërendim me kryetarët e partive, me lehtësimin dhe inkurajimin e tyre, si edhe me konsultimin dhe pjesëmarrjen e publikut, sepse publiku dhe vetëm publiku e zotëron dhe kontrollon procesin. Nuk mundet të mos e falënderojmë Prof. Zaganjorin që e mbylli me aq mençuri dhe integritet kapitullin e procesit të kryetarokratëve, për t’i dhënë nisje, forcë dhe drejtësi procesit për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë demokratike. Këtu është steka tashmë. Justifikimi i kryetarëve ka mbaruar në momentin që kanë pranuar të takohen me Prof. Zaganjorin. Nuk ka më asnjë legjitimitet kërkimi i emrave nëpër xhepa, axhenda telefoni apo zarfe interesash të ngushta politike apo vetjake. Kryetarët pranuan se kandidati për President duhet të jetë njeriu që ka ndërgjegjësimin, përvojën, vizionin dhe kurajën për t’u vetofruar, për të konkurruar e për të marrë të gjitha përgjegjësitë në këtë konkurrim për detyrën e qytetarit të parë të shqiptarëve. Të mbyllen listat, të ndalojë loja e kungulleshkave me emra, të ndalet fëlligështia e pazareve mbi emra, të zhbëhet kjo mendësi jodemokratike.
Më në fund, kemi një kandidat të propozuar nga maxhoranca, Prof. Zaganjorin, i cili e ka pranuar ofertën dhe ka hyrë vetë në lojë duke u përballur me publikun dhe vullnetet politike. Sot Prof. Zaganjori është kandidat jo thjesht sepse e ka propozuar dhe e ka mbështetur maxhoranca, por sepse ai ka zyrtarizuar ambicien e tij për të konkurruar për postin e Presidentit të Republikës.
E këtu gjithçka merr drejtimin e duhur sepse nuk kemi të tjerë me këtë shpallje ambicieje dhe përgjegjshmërie, përveçse një kandidati tjetër, i cili, me sa duket, nuk i përket asnjërit krah politik aktivisht. Ai është vetofruar prej javësh duke u përballur me publikun dhe vullnetet politike, porse i ka munguar mbështetja nga Partia Socialiste, të cilën ai e drejtoi për 15 vjet. Ky është Fatos Nano. Jemi në mundësinë e një gare që mund të nxjerrë ose kandidatin konsensual të gjithëpranuar që në raundin e dytë, ose kandidatin fitues me vota në një konkurrim të lirë dhe të ndershëm në Kuvend. Nuk besoj se e vë ndokush në dyshim se Prof. Zaganjori vs shumëkujt, i ka të gjitha mundësitë që të jetë kandidati më i mirë.  Por, Xhezair Zaganjori vs Fatos Nanos është një garë që e ka rezultatin që në nisje. Fatos Nano është kandidati që pa asnjë diskutim ka avantazhin e madh të shtetarit të sprovuar, politikanit parësor protagonist, interlokutorit të shkëlqyer, komunikuesit të përsosur. Fatos Nano ka qendrën e tij të pushtetit dhe sferën e tij të influencës, gjë që e bën kandidatin më të mirë për President, i cili qartazi kërkohet nga partnerët tanë euroatlantikë që të jetë mbi palët, i patrysnueshëm nga palët, i aftë për të përballuar e administruar tensione, situata të vështira e kriza, brenda vendit dhe rajonale, i zoti për sipërmarrje politike dhe institucionale, garantues i Kushtetutës, mbrojtës i institucioneve të pavarura, negociator i aftë, pikëbashkues dhe përfaqësues i interesave dhe unitetit të shqiptarëve, si dhe i interesave, nevojave dhe strategjive të partnerëve euroatlantikë. Vetëm Fatos Nano dhe Xhezair Zaganjori kanë pranuar të dalin ballazi para politikës dhe publikut shqiptar për ta synuar detyrën e kreut të shtetit shqiptar. Xhezair Zagannjori e ka bërë këtë sepse/pasi ishte maxhoranca që ia mbështeti mundësinë dhe kurajën. Fatos Nano e ka bërë sepse e ka gjetur mbështetjen te përvoja e tij e gjatë politike dhe si shtetar, por edhe te vokacioni për ta vendosur veten në dispozicion si shërbëtor i mundshëm në detyrën e Presidentit të Republikës.
Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk kanë më asnjë justifikim për të mos e mbështetur konkurrimin e Fatos Nanos. Edi Rama ditën që priti Xhezair Zaganjorin në zyrën e tij duhet edhe ta ketë kuptuar se ka pritur në zyrë një njeri, i cili po i paraqiste një model, një standard andidimi, pra një njeri që sikurse ndodh në çdo vend demokratik normal, e ka të shpallur ambicien dhe të qartë kurajën e ndërgjegjësimin për të konkurruar për President Republike. Edi Rama nuk ka pritur në zyrën e tij shumë të tillë. Ka pritur para disa javësh vetëm Fatos Nanon. Nuk ka rrugë tjetër veçse Edi Rama të vendosë në tryezën e konkurrimit përballë Xhezair Zaganjorit, emrin e kandidatit të cilin mbështet PS, i cili nëse do të jetë Fatos Nano, sigurisht që është më i miri. As Sali Berisha nuk ka rrugë tjetër veçse mirënjohjen që shpreh vazhdimisht në publik, Kuvend e kudo tjetër për bashkëpunimet dhe marrëveshjet që ka bërë me shtetarin Fatos Nano, ta materializojë me kurajë, pozitivitet dhe realizëm politik duke e pranuar Fatos Nanon si kandidatin më të mirë konsensual. Justifikimi se Fatos Nano nuk mund të pranohet si konsensual sepse ka qenë 15 vjet kryetar i PS nuk vlen. Sepse në këto 22 vite politike, Fatos Nano ka qenë 4 vjet në burg e 8 vjet i dorëhequr (1998-1999, 2005-20012). Fatos Nano është kandidati me protagonizëm të lartë politik për shkak të vlerave dhe staturës së tij parësore, por jo për shkak të politizimit. Nuk mund të konsiderohet si i politizuar një njeri që ka qenë aktiv realisht në politikë vetëm 10 vjet në këto 22 vite. Së paku, nuk mund të konsiderohet më i politizuar dhe më pak konsensual se sa kandidati tjetër, i cili, ndërsa ka bërë dinjitarin e ndershëm dhe të vlerë, ka ditur t’i shërbejë edhe politikës me zell po aq të madh sikurse është Prof. Zaganjori. Ky është momenti i provës për Edi Ramën dhe Sali Berishën, nëse ata vërtet janë të interesuar për mbarëvajtjen e punëve në këtë vend apo duan për President një pulë që ta komandojnë, sikurse thotë i madhi Arbën Xhaferri. Fatos Nano meriton pa asnjë diskutim të jetë Presidenti i gjithëpranuar i politikës për të qenë përfaqësuesi i denjë i unitetit kombëtar.

No comments: