Friday, May 4, 2012

Vrasja e gjeneral Tellinit dhe përcaktimi i kufirit shqiptar në 1923

Nga Besi BEKTESHI Nuk ka asnjë dyshim që përcaktimi i kufirit shqiptar, por edhe fqinjëve jugorë grekë, ka pasur jo vetëm peripeci të mëdha, por edhe viktima të shumta midis tyre dhe të një gjenerali italian në vitin e largët 1923. Normalisht ishte një kohë kur regjimi fashist në Itali sa kishte filluar modelin e tij, por në fakt ishte Komisioni Ndërkombëtar i ngarkuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris që kishte vendosur gjeneral Enrico Tellini, për të përcaktuar kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, jo vetëm janë 17 hartat e delimitacionit tokësor të kufirit shqiptar të përfunduar në vitin 1925 nga ky komision, por edhe një vendim i Prefektit të Shkodrës, A. Nepravishta, në 1 shtator të vitit 1923, me fillimin e shkollës për të përkujtuar Gjeneral Enrico Tellinin, i vrarë nga grekët me 27 gusht, midis Janinës dhe Kakavijës në mes të 50 gradë dhe 53 gradëve, në kufirin shqiptaro-grek, por në territorin e njohur atëhere krejtësisht si grek.
Ishte një ngjarje e rëndë e asaj kohe, sepse gjenerali ishte Kryetari i Misionit të Përcaktimit të Kufirit dhe ishte i ngarkuar jo thjesht nga qeveria italiane që tashmë kishte fillimet si regjim fashist, por nga ndërkombëtarët dhe ai vetë ishte një ushtarak i mirëfilltë dhe profesionist. Tellini i vra sëbashku me katër ushtarakë të tjerë shoqërues dhe Musolini atëhere bëri edhe reperkursionet e tij ndaj Greqisë, duke bombarduar ishullin e Korfuzit dhe vendosur një gjobë të rëndë shtetit helen. Gjenerali kishte si detyrë përcaktimin e qartë të kufirit midis Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë dhe ishte i shoqëruar nga specialistë të tjerë. Ai shoqërohej nga major Luigi Corti, toger Mario Bonacini ose ordinca dhe asistenti i gjeneral Tellini-t, shoferi Remigio Farnetti, por edhe Xhezir Thanasi nga Leskoviku, si përkthyes i grupit të italianëve. Janë vrarë barbarisht të gjithë pa përjashtim, dhe në këtë rast nuk u vodh asgjë, por gjithashtu ishin në territor ku nuk kishte aspak shqiptarë dhe menjëherë u përcaktua se ishte një masakër e kryer nga shovinistë apo nacionalistë grekë, të cilët kishin kohë që ishin qartë dhe prerazi, kundër këtij përcaktimi të kufirit me Shqipërinë. Ngjarja ka bërë bujë të madhe në Europë, e para pse ishte prekur një vendim i Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të mëdha, por edhe pse Musolini, po shfrytëzonte rastin për të goditur Greqinë. Ishte një rast i madh për qeverinë e porsa krijuar të tij, për të treguar dhëmbët dhe forcën pikërisht ndaj shtetit grek. Por pavarësisht kësaj, akti ishte një shembull burracakësh dhe me domethënie të madhe për botën e qytetëruar, duke u kuptuar qartë se përcaktimi i kufirit të përbashkët shqiptaro-grek do të kishte shumë probleme.
Diplomacia filloi edhe një herë avancimin e saj, sepse Greqia nuk ia plotësoi të gjitha detyrimet Italisë dhe këtu fillon edhe një moment i madh i keqësimit të marrëdhënieve italo-greke, ku puna shkoi deri te pushtimi për pak kohë nga italianët e ishullit të Korfuzit dhe dërgimit të disa anijeve të mëdha të luftës si “Cavour”, “Giulio Cesare”, “Andrea Doria” e “Caio Duilio”, për t’u tërhequr vetëm me 27 shtator. Problemi shkoi larg deri në Këshillin e Kombeve dhe me nota proteste të shumta, të cilat kanë vendosur edhe incidentin e rëndë midis Italisë dhe Greqisë i cili ishte edhe një nga arsyet e forta të marrëdhënieve gjithmonë të ndera dhe të dobëta, midis këtyre vendeve deri në sulmin që Italia fashiste i bëri shtetit grek në luftën e dytë botërore. Gjithsesi shteti grek nxori nga arka e tij 50 milionë lira (në atë kohë ishte një shifër e madhe) dhe ja kaloi Bankës Kombëtare Zvicerane, dhe vetëm mbas kësaj italianët u tërhoqën nga Korfuzi. Gjithsesi hetimi i vrasjes nga qeveria greke, nuk solli asnjë konkluzion se kush i kishte vrarë italianët e ngarkuar me detyrë ndërkombëtare, duke mbetur çdo gjë në inatet politike dhe kombëtare të qeverive përkatëse.
Por për Shqipërinë mbetej problemi i përcaktimit të kufirit të saj dhe dashje pa dashje, ky kufi kishte edhe dëshmorët e parë të huaj. Në fund të fundit, oficerët e lartë italianë, ishin me një mandat të lartë për punën e tyre, e cila duhet thënë ishte shumë e lavdërueshme në kushtet e vështirësive të mëdha të kohës, dhe në rrethana politike tepër të ngarkuara politikisht dhe emocionalisht. Për gjeneral Tellini-n, ka emra rrugësh në Itali dhe shteti shqiptar atëhere e kujtoi këtë oficer të lartë, për punën dhe fundin e tij tragjik në shërbim të detyrës së ngarkuar. Puna e këtij komisioni mbaroi në vitin 1925, ku për 17 hartat e kufirit tokësor ishte tashmë një gjeneral tjetër italian si Gazzera, nga Franca kolonel Ordioni, nga Britania, nënkolonel Glouch, dhe hartat e prodhoi “Instituti Gjeografik i Firences”. Historikisht shteti shqiptar sidomos nën diktaturë, nuk ka pëlqyer ta përmendë këtë vrasje nga grekët të bërë kundër oficerëve ndërkombëtarë, të cilët po delimitonin kufirin shqiptaro-grek. Nuk e ka pëlqyer ta përmendë, sepse çështja ishte e ngarkuar me qëndrimin e regjimit të Duçes, edhe pse ishte një vrasje tipike greke dhe e bërë me qëllim frikësimin dhe shkurajimin e të huajve, por dhe për teoritë e tyre po fashiste dhe vorio-epiriote, që kishin për Shqipërinë e jugut. Hartat e vitit 1925, janë pothuaj ato që kemi sot dhe që prej asaj kohe nuk është përcaktuar edhe kufiri jonë detar me shtetin grek. Gjithsesi vrasja e gjeneral Tellini-t, mbetet edhe ngjarja e cila megjithëse nuk kishte shqiptarë, përveç përkthyesit, në rëndësinë e saj, kishte të bënte me kufirin shqiptar dhe vështirësitë e mëdha që ky kufi kishte për t’u përcaktuar në atë kohë.

No comments: