Friday, April 27, 2012

Themelimi i Federatës Panshqiptare Vatra

Valentina Duka
Bashkësia shqiptare e Amerikës përfaqëson një prej përbërësve më të fuqishëm e më interesantë të diasporës shqiptare. Roli dhe ndihmesa e kësaj bashkësie për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, për zhvillimin ekonomik e kulturor të tij, kanë qenë të një rëndësie të veçantë.
Veprimtaria atdhetare në shërbim të kombit shqiptar përbën strumbullarin e historisë së diasporës shqiptare të Amerikës. Lëvizja e gjerë me karakter kombëtar në radhët e saj nisi në dekadat e para të vendosjes së shqiptarëve në Amerikë. Shkëndijat e saj u dukën që në maj të vitit 1904, me ardhjen si emigrant në Amerikë të atdhetarit dhe ntelektualit të shquar shqiptar të asaj kohe, Petro Nini Luarasi. “Ai ishte një librari me dy këmbë, me xhepat mbushur plot me pamflete, revista dhe gazeta. Petron mund ta krahasojmë me Shën Janin, sepse përgatiti udhën e Lëvizjes Kombëtare për ata që ardhën mbas tij”, shkruhet në shtypin e kohës
Me gjithë kushtet e vështira, Petro Nini Luarasi, duke qëndruar vetë në epiqendër të shqiptarëve, në vitin 1905 arriti të themelonte shoqërinë e parë të shqiptarëve të Amerikës, të pagëzuar me emrin “Mall’ i Mëmëdheut”. Pas Petro Nini Luarasit në Amerikë erdhën edhe shumë intelektualë të tjerë prej Shqipërisë dhe nga kolonitë shqiptare të Rumanisë, të Turqisë, të Bullgarisë etj. Në vitin 1905 arriti në Boston nga Rumania intelektuali me origjinë nga Dardha e Korçës, Sotir Peci, dhe më 10 maj 1906, në moshën 24-vjeçare, arriti gjithashtu në Amerikë njëra prej figurave më të shquara të historisë shqiptare, Fan S. Noli. Duke filluar nga 6 qershori 1906, Sotir Peci botoi gazetën e parë në Amerikë, të titulluar “Kombi”. Me gjithë kushtet e vështira financiare, gazeta “Kombi” u botua për tre vjet rresht. Gazeta “Kombi”, përgjithësisht, blihej nga pak njerëz, por lexohej si Bibël nga një pjesë e mirë e shqiptarëve, të cilët në pjesën më të madhe nuk e kishin parë kurrë gjuhën e mëmës së tyre nëpër gazeta apo libra të tjerë të daktilografuar.
Në fillim të janarit 1907, prej një grupi atdhetarësh të kryesuar nga Fan S. Noli, u bënë përpjekje për krijimin e një shoqërie tjetër shqiptare në ShBA. Kjo shoqëri u pagëzua me emrin plot kuptim “Besa-Besën”. Shoqëria kishte për qëllim të hapte shkolla në gjuhën shqipe nëpër qytete të mëdha të Shqipërisë, të shpërndante libra dhe literaturë në gjuhën shqipe, si dhe të botonte gazeta dhe revista që do të mbronin e propagandonin idealet e lirisë e të progresit.
Shoqëria “Besa-Besën” e Bostonit, duke filluar prej 15 shkurtit 1909, nisi të botonte organin më të rëndësishëm në historinë e Bashkësisë Shqiptare të Amerikës, gazetën “Dielli” (më vonë ajo do të bëhej organ i Federatës “Vatra”).
Në fillim të vitit 1910, u hodh ideja për bashkimin e të gjitha shoqërive shqiptare të krijuara në qytete të ndryshme të verilindjes amerikane, numri i të cilave pas 1909-s u rrit me shpejtësi. Çështja e organizimit, bashkërendimit dhe drejtimit të lëvizjes shqiptare në ShBA në një shoqëri të vetme patriotike tashmë paraqitej si domosdoshmëri jo vetëm për faktin se duheshin mbajtur të gjalla traditat, gjuha dhe kultura kombëtare shqiptare në mesin e bashkësisë shqiptare të Amerikës, por edhe për faktin tjetër se bashkësia në fjalë ishte tashmë një nga pikëmbështetjet kryesore të luftës dhe përpjekjeve në shkallë kombëtare për çlirimin nga sundimi osman dhe bashkimin e viseve shqiptare në një shtet të veçantë.
Më 24 dhjetor 1911, në Boston, kryeqendra e shqiptarëve të Amerikës, u organizua një mbledhje e përgjithshme, ku u bisedua gjerësisht çështja e bashkimit të shoqërive në një të vetme. Kjo ditë, e cila do të pasohej edhe nga disa takime të tjera, shënoi fillimin e një etape të re për gjithë komunitetin shqiptar të Amerikës. Pas shumë diskutimesh të gjata për karakterin, statusin dhe qëllimet e federatës, mbledhja e dytë e radhës, e planifikuar më17 mars, u shty për më 24 mars, ku u diskutuan disa çështje kryesore të kanunit (programit) të shoqërisë si dhe problemi nëse federata do të vazhdonte të mbante për gazetë të sajën “Dielli”-n, apo jo.
Në mbledhjen e 24 marsit u diskutua edhe emri i federatës. Gjithsecili paraqiti emra të ndryshëm. U propozuan emra të tillë si “Plugu”, “Parmenda”, “Kastrioti”, “Skënderbeu”, “Përlindja” etj., por asnjëri prej tyre nuk u pëlqye. Fan Noli, me elokuencën e tij, arriti t’i bindte delegatët që federata e sapolindur të pagëzohej me emrin “Vatra”. “Vatra”, shkruante “Dielli”, është emri i shoqërisë së re të bashkuar, është emri me të cilin shoqëria federale e re, për të parën herë, shfaqet si një shoqëri e organizuar, e përgjithshme, e kolonive shqiptare të Amerikës.
Emri i plotë i shoqërisë së re të bashkuar do të ishte Federata Shqiptare e Amerikës “Vatra” (në anglisht: “The Albanian Federation of America “Vatra”). Duke sjellë në shprehje argumentet që Noli paraqiti për emërtimin e Federatës Shqiptare të sapokrijuar, në një artikull redaksional të gazetës “Dielli” të datës 4 prill 1912 thuhej:
“Përmbi gjithë kombet e tjera, shqiptari ka më tepër të drejtë të përdorë fjalën “Vatra” si të tijën. “Vatra” fjal’ e butë, e qetë, po me sa të madh kuptim! P.sh.:
Ku pi sisë rritet, flet dhe formohet si njeri me ndjenja e zakone shqiptari?
Ku njeh njeri-tjetrin dhe pastaj Kombin dhe Atdheun e vet?
Ku dëgjon më të bukurat tregime për historinë dhe fisnikërinë e tij?
Ku ëndërron për punën, lumturinë e fatbardhësinë e tij?
Ku e ka qendrën Shqiptari?
Përse rron, punon, mundohet, përpiqet, lufton dhe më në fund vdes?
Për vatrën dhe gjithë për vatrën! Edhe kur themi “Vatra” – vazhdon artikulli – nuk përmendim vetëm atë copë vend tek bëjmë zjarrë e mblidhemi rrotull tok, po e marrim me një kuptim më të lartë e më të shënuar si rrënjën e kombit, si burimin e çdo idealizmi.
Shqiptari luftën për Kombin e tij e quan “Luftë vatre”. Ky emër u miratua zyrtarisht në mbledhjen për bashkim të 31 marsit 1912.

Më 14 prill 1912 u aprovua plotësisht statuti i shoqërisë. Më 14 prill u caktua gjithashtu dita e 28 prillit si dita e fundit e bisedimeve për bashkimin e gjithë diasporës shqiptare të Amerikës nën drejtimin e Federatës “Vatra”. Në këtë mënyrë, 28 prilli hyri në histori si dita e themelimit të federatës “Vatra”. Më 13 qershor 1912 ajo njihet zyrtarisht nga institucionet ligjore amerikane.

No comments: