Wednesday, March 14, 2012

Biografia e ‘46: Si u vranë Qemal Stafa dhe Vojo Kushi

Dritëhijet e ngjarjeve të bujshme në Tiranën e vitit ‘42
Vrasjet e mistershme të Qemal Stafës, Vojo Kushit, Sadik Stravelecit e Xhorxhi Martinit pak çaste pas ndarjes me Enverin.
“Enveri urdhëroi për të vrarë Niko Xoxin e Sadik Premten”
“Koçi Xoxe ishte miku më i afërt i Enverit”
…vijon nga numri i kaluar
Tre heronjtë e Kodrës së Kuqe, Vojo Kushi, Xhorxhi Martini e Sadik Stravreleci, janë vrarë në një shtëpi në Tiranë pak çaste pasi janë ndarë me Enverin. Në pamje të parë, mënyra si e përshkruan këtë ngjarje të bujshme dokumenti i vitit ‘46, përjashton çdo dilemë për rrethanat e tragjedisë, por leximi i vëmendshëm i variantit të servirur aty nga Enveri, të cilin nuk e ka përmendur më kurrë, të krijon një shije dyshimi, që vë në diskutim jo thjesht kronologjinë e ngjarjes. “Enveri mbriti në bazën ilegale të tre martirëve 12 orë para vrasjes së tyre, pohon dokumenti. Aty takoi shokët, u hoqi vërejtje për lëshimet që kanë bërë, i porosi të marrin masa mbrojtjeje, këshilloi Xhorxhi Martinin të mbërthejë mekanizmin e kobures njëzetëshe me të cilën loste. Sadik Stravrelecit i dha udhëzime të niset të nesërmen në Kosovë. Korrierin që do të nisej për te çeta e Baba Fajës e këshilloi të ikë që pa gdhirë. Të zonjën e shtëpisë, një militante të vjetër, e urdhëroi që mos të qasë aty Anastas Lulon. Por, plani dështoi. Të nesërmen që me natë forcat armike rrethuan shtëpinë. Lufta vazhdoi 6 orë me radhë. Gjashtë orë të tjera Enveri nuk luajti nga dritarja e shtëpisë ku ndodhej 600 metro larg vendit të ngjarjes. Ay dëgjonte poteren e armëve dhe merrte me mend se ç’ndodhte. I prekur thellë nga vdekja e shokëve, atë ditë shkroi me dorën e vet traktatin “Tre heronj”, i cili u shpërnda përnjëherësh”. Ky është varianti i autorëve të biografisë së vitit ‘46 për ngjarjen e Kodrës së Kuqe. (Aty, veç të tjerave, nuk përmendet prania e të mbijetuarit të tragjedisë). Enveri, sipas tyre, nuk ka qenë vetëm vizitori i fundit i bazës ilegale, por edhe dëshmitari i ngjarjes të cilën e ka ndjekur nga afër(!)Çuditërisht e njëjta gjë ka ndodhur edhe në rastin e Qemal Stafës, i cili, siç konfirmohet te “Biografia…” është sulmuar në bazën e tij “pak momente pasi merr udhëzimet nga Enveri për të shkuar në Vlorë”. Sidoqoftë, jo çdo rastësi mund të bëhet shkak për hamendësime të ndryshme, megjithatë, mënyra si është zbardhur më vonë kronika e këtyre ngjarjeve nga protagonisti i “Biografisë…” dhe disa pohime të kundërta me variantin zyrtar të publikuar vitet e fundit nga dëshmitarë të tjerë, nuk e kanë fashitur përfundimisht misterin rreth tyre. Ndërkaq, pjesa në vijim e dokumentit zbulon të tjera ndodhi nga jeta e diktatorit në fillimin e viteve ‘40. Ndër to duken interesante konsideratat për Koçi Xoxen, që përcaktohet si kreu i hierarkisë së miqve më të afërt të Enverit, paçka se     pak më vonë do të zinte kreun e agjenturës antishqiptare dhe urdhrat për ekzekutimin e Niko Xoxes e Sadik Premtes…
* * *
Enveri vazhdonte të qëndronte në Tiranë për të drejtuar punën dhe aksionet. Shtëpitë e popullit fukara të lagjes së Tiranës “Vorri i Bomit” u bënë qendrat kryesore, nga ku dilnin parullat dhe direktivat që mobilizonin masat për luftë. Enveri është në kontakt të përditshëm me shokët që kanë përgjegjësi të ndryshme. Ai i udhëzon këta në luftën e tyre dhe nëpërmjet tyre merr eksperiencën e masave. Shoku i tij më i afërt, Koçi Xoxe, arrestohet. Qemal Stafa pasi merr udhëzimet nga Enveri për të shkuar në Vlorë, rrethohet dhe vritet në lagjen e Tiranës, të tjerë shokë bien dëshmorë. Pas dhjetë muajsh përpjekje të Partisë, ishin krijuar konditat e themelimit të Frontit, Italia dhe Gjermania fashiste ishin n’apogjenën e fitoreve të tyre. Me trakte, me organin e rregullt “Zëri i Popullit”, Partia kishte arrirë të ngjallë dashurinë më të madhe për Bashkimin Sovjetik, për Stalinin, për ushtrinë e kuqe heroike. Kundër manovrave dhe demagogjisë fashiste që përpiqej të mbillte urrejtjen mes popujve, Partia kishte ngjallur   dashurinë kundrejt popujve të tjerë të shtypur, sidomos kundrejt popujve të Jugosllavisë. Në Shqipëri rezistenca kishte marrë proporcione të mëdha në zonat e çliruara, si Peza, Opari, Tomorica, Mesapliku, Mallakastra etj. Çetat e armatosura vepronin në luftë të hapët me okupatorin. Postat e karabinjerisë ishin spastruar, armiku ishte strukur në qytete, autokolonat e tij qarkullonin të shoqëruara me autoblinda. Çetat vrisnin dhe zinin rob me qindra ushtarë italianë, shkatërronin ura, rrugë, prisnin vijat telefonike, sulmonin depot e ushqimit dhe ua ndanin këto popullit. Njësitë në qytete ishin zmadhuar pa masë. Në këto kondita dhe me këtë aktiv  lufte, Komiteti Central i Partisë mori vendimin për organizmin e Frontit Nacionalçlirimtar.
Vojo Kushi
Në Konferencën e Pezës, që u mblodh për këtë qëllim më 16 shtator 1942, u thirrën dhe kishin ardhur të përfaqësonin nga të gjitha shtresat e popullit dhe patriotë si Myslym Peza, Baba Faja, Haxhi Lleshi etj. Komiteti Central i Partisë kishte deleguar Enver Hoxhën, Nako Spirun dhe shokë të tjerë. Enveri shtroi në konferencë eksperiencën që kishte mbledhur deri atëherë nga përpjekjet e masave popullore, të cilat kishin fituar besimin në triumfin e kauzës së tyre. Ai dha kuptimin e drejtë të bashkimit që duhej, bashkimi i cili do të realizohej vetëm në zjarrin e luftës antifashiste dhe do të krijonte atë bllok të vetëm të të gjitha forcave popullore, pa dallim feje, krahine ose ideje, dhe që kishte predikuar me kohë Partia Komuniste Shqiptare. Ay theksoi nevojën e goditjes dhe të shkatërrimit total t’aparatit të vjetër të shtetit që kishte kapitulluar më 7 prill 1939 dhe të ngritjes së një pushteti të ri. Shoku i tij, Naku Spiru, ngriti çështjen e organizmit të shëndoshë t’organizatës së rinisë. Mbi këto vija të përgjithshme doli rezolucioni i Konferencës së Pezës, që u hartua prej Enver Hoxhës dhe Naku Spirus. Rreth mbledhjes së Pezës armikut i kishte rënë era, por nuk dinte ekzakt vendin dhe qëllimet e mbledhjes. Me gjith’atë ay grumbulloi forcat dhe i lëshoi në sulm për t’i rrethuar dhe për të djegur gjithë zonën. Po ishte vonë, konferenca kishte mbaruar punën 2 ditë më parë dhe delegatët ishin shpërndarë. Vetëm Enveri me disa shokë, duke u kthyer për në Tiranë, takon forcat armike që shkonin të rrethonin Pezën. Ata kishin me vete thasët me material të konferencës të botuar në shtypshkronjën ilegale që kishin të fshehur në mal. Qenë në rrezik të kapeshin, por shpejtësia dhe manovrimi i tyre depistoi vërejtjen e armikut, ata fshehën materialin në një han mbanë rrugës dhe me një farë taktike i shpëtuan nga duart e armikut, i cili u kujtua vonë dhe kontrolloj të nesërmen n’anën ku gjeti dhe zuri materialin, i cili u ribotua përsëri dhe u shpërnda në gjithë Shqipërinë. Në Pezë delegatët kishin mbetur dakord të bëheshin aksione me karakter të përgjithshëm. Aksioni u krye me sukses, u prenë gjitha rrjetat telefonike dhe u sulmuan autokolonat e armikut. Vetëm një nga delegatët e konferencës nuk e zbatoi detyrimin që kishte marrë përsipër, ky ishte Abaz Kupi, i cili vazhdoi në këtë rrugë gjersa u hodh jashtë nga Këshilli i Përgjithshëm. Partia mobilizoi gjithë forcat e saja për realizimin e kësaj vepre të madhe. Pa marrë parasysh rreziqet, nën ndjekjen më të egër të Mustafa Krujës, komunistët edhe patriotët mblidhnin popullin e fshatrave dhe qyteteve dhe organizonin këshillat n.çl. Si reaksion kundër vendimeve të Pezës, okupatori nxiti dhe krijoi forma të reja organizimi të reaksionit të brendshëm, si Ballin Kombëtar dhe të tjera organizata, duke filluar gjithashtu dhe operacione në shkallë të gjerë.  Balli, në të cilën merrnin pjesë të gjithë bejlerët dhe borgjezia reaksionare, “Grupi i Zjarrit”, i vetquajtur komunist, organizoi luftën tok me okupatorin kundër Frontit N.Çl. Në qytete dhe sidomos në Tiranë, ku aksionet ishin bërë të rrezikshme për okupatorin, ay vuri në urdhër të ditës terrorin më të zi. Çdo natë bllokoheshin mëhallë të tëra, arrestoheshin, burgoseshin dhe vriteshin patriotë pa gjyq, masakroheshin njerëz të dyshimtë. Për shumë kohë pas Konferencës së Pezës, Enveri vazhdon të qëndrojë në Tiranë në krye të punës, që kishte ngarkuar partia e tij. Okupatori e kishte dënuar me vdekje ne mungesë dhe ndjekjet kundër tij ishin bërë më të dendura. Fotografia e tij ishte shpërndarë në të katër anët, por agjentëve dhe
Qemal Stafa
informatorëve fashistë nuk mund t’u shkonte kurrë në mendje se muratori me emër usta Hasani, me një kapellë të vjetërt, me robe të shqyera dhe me fytyrë tërë këlqere, ose elektricisti Thanas me petkë të thjeshtë, punëtori me veglat e zanatit nën sjetull, që u kalonte kushedi sa herë përpara, ishte vetë Enveri, njeriu që kërkohej dhe duhej kapur i gjallë ose i vdekur. Armiku kishte informata që një njeri me karakteristikat e tij, i pashëm, me sy të zezë dhe vetulla të gjera ishte kapur pa dokumenta dhe s’tregonte emrin, por Enveri ishte në Tiranë, në rrugën e Gazhinës, karshi postës së karabinjerisë, që ruante lëvizjet e njerëzve të dyshimtë. Ishte aty dy net dhe dy ditë me radhë delegati i Komitetit Central të Partisë në mbledhjen e aktivit të Tiranës, i ruajtur nga shokët e tij me bomba, automatikë dhe mitraloza në duar, gati kundër çdo rreziku. Një lajm tjetër i vjen okupatorit se policia e Prizrenit ka rënë në gjurmë të një njeriu të dyshimtë që i përngjan Enverit. Por, është tamam atëherë kur Enveri ka shkuar të organizojë Konferencën I të vendit të Partisë, që u mblodh në Labinot t’Elbasanit në vitin 1943. Në këtë konferencë të madhe dhe të parë të partisë së Enveri paraqit raportin. Ay vuri në dukje luftën që kishte bërë partia e jonë e re kundra elementave deviatorë të mëngjër, kundra opurtunistëve, ay vuri në dukje rreziqet që e kërcënojnë Partinë nga këta njerëz, vuri në dukje mbeturinat e sëmundjeve të grupeve, të cilat duheshin luftuar me ashpërisë më të madhe, ay vuri përpara Konferencës së Partisë detyrën e organizmit sa më të fortë të luftës kundra okupatorit. Ay kërkoi zgjedhjen e Komitetit Central definitiv të Partisë. Nga Konferenca historike e Partisë doli Komiteti Central i Partisë dhe Enveri u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i saj. Partia Komuniste po bëhej një forcë e madhe, ajo ecte me hapa të sigurta drejt rrugës që e mësonin mësuesit e mëdhenj Marksi-Engelsi-Lenini-Stalini. Pas Konferencës së Partisë, Enveri thirri disa krerë të “Grupit të Zjarrit” dhe duke iu vënë në dukje atyre punën anti-marksiste dhe tradhtare që po bënin, i urdhëroi t’i dorëzonin partisë kuadrot e grupit dhe gjithë punën e tyre, të hidheshin pa rezerva në luftë kundër okupatorit, anëtarët më të mirë të grupit të shkriheshin në radhët e partisë dhe të leftohej   udhëheqësi i këtij grupi, arkeo-marksist dhe sipuni i Mustafa Krujës, Zisi Andrea, me pseudonimin Zjarri. Kjo ishte fjala e fundit e partisë kundër “Grupit të Zjarrit”. Këtu s’kishte lëshime, o me Partinë, ose në luftë me të. “Grupi i Zjarrit” vazhdoi dhe për një kohë veprimtarinë e tij nën drejtimin e Zisi Andreas. Atëherë Enver Hoxha shkroi artikullin në Zërin e Popullit, ku demaskoi hapët si agjentë të okupatorit Zisi Andrenë dhe veprimtarinë e grupit të zjarrit. Një demaskim i tillë bëri që elementëve të gënjyer të kërkojnë likuidimin e grupit dhe inkuadrimin e tyre në radhët e partisë. “Grupi i Zjarrit” mori fund. Zisi Andrea mbaroi agjent i Ovres dhe i gestapos. Enver Hoxha u dha urdhër shokëve të Korçës të pushkatonin Niko Xoxin, trockist dhe agjent i fashizmit. Ay u ekzekutua. Anastas Luloja dhe Sadik Premtja vazhdonin luftën kundër Partisë. Enver Hoxha nga Labinoti dha urdhër t’arrestoheshin dhe të gjykoheshin Anastas Lulo dhe Sadik Premtja. Anastas Lulo u gjykua dhe u pushkatua si tradhtar i popullit e i partisë, dhe sabotator. Gjatë qëndrimit në Tiranë, janë të panumërta episodet që i kanë ndodhur Enverit, por ka disa për të cilat ay mban kujtimin më të shtrenjtë. Në kodrën e Kuqe në Tiranë, në një shtëpi të vjetër prej qerpiçi, banonte ilegalisht Vojo Kushi, Xhorxhi Martini që ishte plagosur në një aksion dhe Sadik Stravreleci, luftëtar i vendosur, por me trup të thyer prej tuberkulozi. Enveri kujdeset për jetën dhe shëndetin e shokëve të tij. Ay ka mësuar se në shtëpinë ku banon Xhorxhi Martini i plagosur, shokët po bëjnë shumë lëvizje dhe kjo bie në sy të okupatorit. Ay niset vet t’i jap fund kësaj gjëje. Ishte 12 orë para se të vriteshin. Aty takohet me shokët, u heq vërejtjet për lëshimet që kanë bërë, i porosit kategorikisht të marrin masa mbrojtje, këshillon Xhoxhi Martinin të mbërthejë mekanizmin e kobures së tij njëzetshe me të cilën po lonte në duar. Sadik Stravreleci i jep udhëzime të nesërmen të niset për Kosovë, i jep letrat dhe të hollat e udhëtimit. Korrierin e Partisë, që do të shkojë në Martanesh, për të çuar udhëzimet dhe material për çetën e Baba Fajës, e këshillon që të mos bëjë lëvizje dhe të ikë që pa gdhirë. Të zonjës së shtëpisë, një militante e vjetër, i urdhëron që mos të qasë më në shtëpi Anastas Lulon, i cili n’atë kohë ndodhej në Tiranë. Por, plani nuk doli në krye, të nesërmen që me natë forcat armike me mitraloza dhe me tankse kishin rrethuar shtëpinë e Vojo Kushit. Lufta vazhdoi 6 orë me radhë dhe 6 orë të tjera Enveri nuk luajti nga dritarja e shtëpisë ku banonte 600 metro larg vendit të ngjarjes. Ay dëgjonte poteren e armëve dhe merrte me mend se ç’ndodhte, ay s’dinte kush luftonte, por sigurisht ishte luftë e shokëve që kish edukuar vetë. Atë ditë, i prekur thellë nga vdekja e shokëve të tij, ay shkroi me dorën e vet traktatin “Tre heronj”, i cili u shpërnda përnjëherësh në popull. Një herë tjetër ay ndodhej me shokun e tij të luftës, jugosllavin Miladin Popoviçin, në një shtëpi punëtori buzë Lanës. Shtëpia ishte izoluar. Dy ditë më parë atje Enveri kishte mbaruar së shkruari traktatin me rëndësi, që Komiteti Central u drejtonte katundarëve të Shqipërisë, i cili ishte shtypur në shtyp-shkronjat klandestinë të qytetit dhe shpërndarë në gjithë Shqipërinë. Ishte pra natë, dhe ishin vetëm të dy, Enveri me Miladinin. Pa pritur ndëgjohen armë dhe bomba, të shtirat u dëgjuan afër shtëpisë së Mustafa Krujës, e cila ndodhej atje afër. Të ipnin përshtypjen e një atentati. Pas armëve të para, gjithë milicët që banonin në kazermat pranë shtëpisë së Mustafa Krujës, duke shtirë nga të katër anët, lëshohen dhe rrethojnë mëhallën. Një burrë që banonte në katin e sipërm të shtëpisë, ku ishte Enveri me Miladinin, filloi të zbrazë armët nga dritarja. Puna u pa, ishte dhe ay një spiun. Të dy shokët u gjenin para vdekjes dhe me bomba në dorë prisnin momentin deciziv të sulmit. Në këtë moment suprem të jetës së tyre ata përqafuan shoqi-shoqin dhe Enveri kur flet për Miladinin, s’mungon të thotë fjalët e tij që ay i tha Enverit n’errësirën e asaj nate që i priste vdekja: “Shoku Enver, luftuam dhe do të vdesim duke luftuar për një çështje të madhe, për çlirimin e Shqipërisë. Unë jam i lumtur që jap jetën për popullin Shqiptar. Gjaku i jonë le të shërbejë për vëllazërimin e popujve t’anë”. Dhe Enveri shton: “Kurrë në jetën e tij nuk e ka ndjerë veten më të fortë se n’atë çast kur shihte se krahas me të një shok jugosllav kishte vendosur të vdiste me aq heroizëm për popullin shqiptar”. Fati e desh që këta të shpëtonin për qime.
Në mbledhjen e 8 nëntorit Enveri s’u zgjodh kryetar
Enver Hoxha e udheheqes te tjere komuniste ne shtepine ku u themeluar partia komuniste shqiptare
Mbledhja e 8 nëntorit 1941 nuk zgjodhi kryetar, por një Komitet të Përkohshëm. Aty Enveri mori pjesë si delegat i grupit të Korçës. Përpos pohimeve të kundërshtarëve politikë dhe dëshmitarëve të tjerë, një fakt i tillë konfirmohet zyrtarisht edhe në një dokument autentik të KQ botuar në vitin 1946. Libri “Enver Hoxha, biografia” sjell një histori disi ndryshe nga ajo që është artikuluar më vonë nga propagandistët e zellshëm dhe vet diktatori. “Konferenca e parë e grupeve komuniste, shkruhet tekstualisht në dokumentin e panjohur, u mblodh në Tiranë në terrorin e math t’armikut dhe zgjodhi Komitetin Central Profizor. Enveri ishte aty delegat i grupit të Korçës mes shokëve të tjerë, Qemal Stafa, Koçi Xoxe, Kristo Themelko, Tuk Jakova e Vasil Shanto”. Ndryshe nga çfarë është artikuluar më vonë për aktet e mbledhjes themeluese, biografia e parë e Enverit pohon faktin që “trakti i parë i Komitetit Central Provizor që lëshoi kushtrimin e luftës pa kompromis kundra okupatorit dhe shërbëtorëve të tij u redaktua nga Qemal Stafa”. Në pjesën tjetër ku shtjellohen rrethanat e krijimit të PKSH-së dhe veprimet e para të saj, dallon  përkujdesja e autorëve për të veçuar qëndrimin e rreptë të Enverit ndaj kundërshtarëve politikë, ku futen “devijatorë”, “arqiomarksistë”, “trockistë”, “antiparti” “puthadorë të të huajit” etj. Likuidimi fizik i tyre nënvizohet te “Biografia…” si merita më e lavdishme e aktivitetit të Enverit në periudhën e ilegalitetit. Në morinë e argumentave të kësaj qasjeje, biografishkruesit e Enverit përmendin kryqëzatën ndaj Aristidh Qëndros, Niko Xoxës, Anastas Lulës e Sadik Premtes, por edhe raste të tjera ku urdhri i Hoxhës ka qenë fatal për dhjetëra të tjerë të shpallur prej tij si elementë të rrezikshëm.

No comments: