Friday, October 14, 2011

Qendra Kurajo: Politikanë, festojeni ditën tuaj të turpit!

Qendra Kurajo: Politikanë, festojeni ditën tuaj të turpit! Transmetuar më 13.10.2011 21:00 Tiranë, 13 Tetor 2011 NOA - Raport Progresi i 9-të i Komisionit Europian për integrimin e Shqipërisë, është më negativi në historinë e vendit pas viteve 90-të, vlerëson në një reagim për Raport Progresin e Komisionit Europian, dërguar agjencisë NOA, Qendra Kurajo. Duke theksuar faktin se dje mbetëm përsëri pas dyerve të Europës, Kurajo thekson: "Jo për faj të qytetarëve, ata gjithmonë ju kanë votuar pasi ju e keni në programet tuaja integrimin në familjen e madhe Europiane, e 90 për qind e qytetarëve janë pro integrimit, 10 përqindëshi i mbetur është klasa politike". Qendra Kurajo vlerëson më tej se "dje ishte dita e turpit jo për qytetarët, por për ju politikanë", kurse shtron pyetjet dhe argumentet si më poshtë: "Përgjegjësia duhet të nis nga mazhoranca, që i kushtoi më shumë rëndësi programeve elektorale. Ndërsa pjesën më të rëndësishme në bllokimin e integrimit e ka edhe opozita, e cila nuk votoi as edhe një ligj të vetëm në Parlament, por me ç'farë argumenti veç stacionit te fundit?! Asnjë justifikim nuk ka për reformat dhe asnjë deklaratë politike dhe pseudo-editorial nuk mund t'i ngushëllojë më shqiptarët. Gjatë një viti ata që paguhen nga taksat tona nuk kanë bërë asnjë progres, por vetëm kanë lëshuar lumë akuza ndaj njeri-tjetrit duke përbaltur jetën e shqiptarëve me sharje nga ekranet dhe podiumet e selive. Dështimi ka përgjegjës dhe përgjegjësia duhet të nisi nga forcat kryesore, të cilat edhe kur dëshiruan, e ndryshuan Kushtetutën në favor të tyre, ndërsa ligjet dhe kushtet për të marrë statusin mbesin akoma një ëndërr në sirtar". "Politikanë, festojeni ditën e turpit, BE u hoqi juve statusin si politikanë evropianë, por jo qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk thyen as edhe një vizë të vetme, ndërsa juve morët anulimin e vizës për në BE", - përfundon reagimi. e.t/NOA

No comments: