Sunday, October 2, 2011

Festohet 20-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA

Si sot e 20 vite më parë, janë rivendosur marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Shqipërisë dhe është rihapur në Tiranë ambasada amerikane. Me rastin e kësaj dite, ambasada amerikane në Tiranë do te organizojë një sërë aktivitetesh për të festuar 20-vjetorin e rivendosjes së miqësisë midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar. Festimet, të cilat janë mbështetur edhe nga bashkia e Tiranës do të nisin sot me një panair në rrugë me shumë stenda, për fëmijë, për jetën amerikane në përgjithësi si edhe për veprimtaritë në ambasadë. Festimet për ri-hapjen e ambasadës, do të vazhdojnë gjatë gjithë javës me pritje të ndryshme dhe me një simpozium akademik, ku janë të ftuar gazetarë dhe akademikë, të cilët ’janë filmuar në vitet 1991-1992, gjatë atyre kohërave në mënyrë që të ofrojnë retrospektivën dhe pikëpamjet e tyre mbi zhvillimet sot’. Shtetet e Bashkuara, në rastet me kritike të ekzistencës së kombit shqiptar, u janë gjetur afër shqiptarëve. Shqiptarët në përgjithësi, janë mirënjohës ndaj angazhimeve të vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë si dhe të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo në Ballkan. Gjatë këtyre 20-vjetëve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rolin kyç në mbrojtje të interesave shqiptare në Ballkan dhe në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në Mars të vitit 1991 dhe ri-hapja e ambasadës amerikane në Tiranë, Tetorin e këtij viti, përbëjnë një fillim të ri në marrëdhëniet midis dy kombeve, dhe të zhvillimeve demokratike në Shqipëri si dhe në trojet shqiptare-marrëdhënie këto që vlerësohen shumë nga ana e Uashingtonit, dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkrahin Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë evropian.

No comments: