Monday, October 10, 2011

Djali i Ramiz Alisë: “Humba më shumë se një baba, brezat e ardhshëm të gjykojnë rolin e tij si shtetar”

Arben Alia, djali i vetëm i ish-Presidentit Ramiz Alia, ka pranuar të komentojë humbjen e të atit në kontekstin familjar. “Kam dashur gjithnjë që marrëdhënien me fëmijët e mi t’i ndërtoja në të njëjtin nivel, siç i ndërtoi im atë me mua. Do të jenë brezat e ardhshëm, ata që do të gjykojnë dhe profilin e tij si shtetar dhe politikan”
Tiranë Arben Alia, djali i vetëm i ish-presidentit Ramiz Alia, ka preferuar të komentojë humbjen e të atit në kontekstin strikt familjar, duke ua lënë brezave të ardhshëm gjykimin mbi rolin e tij si shtetar. Diskret në komunikimin me gazetarët, Arben Alia ka thënë dje pas ceremonisë mortore se për shumëkënd ka ndodhur vdekja e një shtetari, ndërsa për të dhe të afërmit e tjerë po përjetohet humbja e një njeriu të dashur e të veçantë. “Kam dashur gjithnjë që marrëdhënien me fëmijët e mi t’i ndërtoja në të njëjtin nivel, siç i ndërtoi im atë me mua. Me thjeshtësinë, modestinë, mirësinë dhe komunikimin e tij të ëmbël e të mençur, ai ka qenë më shumë se një baba për mua, ka qenë një mik i mirë. Do isha me fat, nëse dhe unë do rezultoj nesër një baba i tillë në sytë e fëmijëve të mi. Unë kam qenë një fëmijë me fat, pasi jam rritur nga një njeri me vlera të jashtëzakonshme njerëzore”, - është shprehur Arben Alia pas ceremonisë mortore. Djali i ish-udhëheqësit të fundit komunist, që njihet për tolerancën e treguar në kalimin e butë drejt pluralizmit, ka ardhur nga Franca ku jeton prej vitesh, për të përcjellë në banesën e fundit të atin. Megjithatë, Arben Alia ka ngulmuar se nuk dëshiron të komentojë aspektin publik të të atit, e aq më pak çështje dhe diskutime politike. “Unë dua të falenderoj të gjithë, pa përjashtim, të gjithë ata që respektuan dhe nderuan për të fundit herë tim atë. I falenderoj për këtë gjë që të gjithë, pa dallim. Komente të tjera nuk mendoj se mund të ishin të denja për t’u bërë nga unë. Do të jenë brezat e ardhshëm, ata që do të gjykojnë dhe profilin e tij si shtetar dhe politikan’, - është shprehur djali i vetëm i ish-udhëheqësit Alia. Ish-presidenti Alia ndërroi jetë në Sanatorium mëngjesin e së premtes, për shkak të një komplikacioni të sëmundjes në mushkëri. Arresti kardio-respirator e ka bërë të pamundur rikthimin e tij në jetë, edhe pse mjekët e Sanatoriumit ishin porositur ta trajtonin atë me kujdes. Alia, deri në momentet e fundit ka gëzuar një gjendje të mirë mendore, sipas mjekëve, dhe ishte koshient për të gjitha veprimet e tij. Pas përhapjes së lajmit për vdekjen e ish-presidentit, në shtëpinë e tij nisën vizitat e para dhe që ditën e parë të vizitave u vu re mungesa thuajse e “organizuar” e shumë politikanëve dhe përfaqësuesve politikë. Këto mungesa janë komentuar përgjatë këtyre ditëve edhe nga familjarët, të cilët duket se kanë pasur një tjetër pritshmëri sa i përket vizitave në familje, sidomos në radhët e të majtëve. Mes familjarëve dhe miqve të afërm të Ramiz Alisë janë komentuar sidomos vizitat e munguara nga drejtues dhe politikanë të Partisë Socialiste, me shumë prej të cilëve Alia takohej në mënyrë periodike. Ditën e djeshme, në ceremoninë e homazheve për ish-presidentin Alia morën pjesë si përfaqësues të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe Namik Dokle si dhe ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi. Ndërsa familjarët dhe të afërmit e ish-presidentit nuk kanë dashur të komentojnë publikisht rezervat e tyre mbi mospraninë e shumë politikanëve socialistë në shtëpi dhe për homazhe.

No comments: