Saturday, September 3, 2011

Kabllogrami-bombë: 6 politikanët VIP të lidhur me krimin

Kabllogrami,15 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme: Kryebashkiaku Lulzim Basha, ministri Sokol Olldashi, numri 2 i PS, Gramoz Ruçi, deputetët Tom Doshi, Paulin Stërkaj dhe Lefter Koka, të lidhur me krimin. Amerikanët shkruajnë se për këta të gjashtë kanë prova për trafik droge dhe lirim të kriminelëve nga burgu. Me poshte, kabllogrami i plotë botuar sot në Shekulli Print:
Titulli: Kriminelët bëjnë ligjin në parlamentin shqiptar
Datë 13 gusht 2009
Dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë
Merr Departamenti Amerikan i Shtetit
Firmosur: Ambasadori Xhon Uidhers
Material i klasifikuar


Fillim i kabllogramit
“Përveç qetësisë në ditën e zgjedhjeve, në vëmendjen tonë kanë ardhur sinjale të forta njerëzish që kanë marrë pjesë ose janë përfshirë në krimin e organizuar që janë përfshirë në manipulimin e mundshëm të zgjedhjeve të 28 qershorit. Janë tre partitë kryesore, PD, PS dhe LSI, ato që kanë lidhje me krimin e organizuar. Në një kohë kur ambasada nuk mund ta provojë zyrtarisht këto lidhje, njohuria e përgjithshme, e mbështetur edhe nga raportime të tjera, tregon se në parlamentin e ri ka goxha trafikantë droge dhe pastruesh parash.Gjatë fushatës elektorale, një politikan, Aleks Koka, kreu i PDK-së në veri të Shqipërisë u vra me një bombë në makinë. Keka dyshohej se ishte i përfshirë në trafikun e armëve dhe drogës. (Shënim: Keka nuk po kandidonte për në parlament, ndërkohë anëtarë të partisë së tij po kandidonin).
Shkelësit e ligjit bëhen ligjbërës
Disa nga politikanët më të rëndësishëm të lidhur me krimin e organizuar janë:
Tom Doshi, një deputet i PS-së në Shkodër. Doshi, i përmendur në raportin e Qendrës për të Drejtat e Njeriut për sulmin fizik ndaj një gazetari në Hotel Sheraton, është një nga figurat kryesore që financon përpjekjet e Partisë Socialiste. Ai njihet si deputeti më i pasur, me një pasuri të deklaruar më të madhe se 15 milionë dollarë dhe i dyshuar për trafik narkotikësh. Doshi ishte në parlamentin e kaluar si deputet i PD-së dhe ndryshoi krah vetëm pak përpara zgjedhjeve.
Lefter Koka: Përfaqëson LSI-në në Durrës. Koka është një anëtar i atij që ndoshta është familja kriminale më e njohur në Shqipëri me lidhje me trafikun e narkotikëve, qenieve njerëzore dhe aktivitete të tjera ilegale.
Sokol Olldashi: Olldashi është momentalisht ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Deputet i PD-së nga Fieri dyshohet për kontrabandë mallrash dhe lëndësh narkotike. Rrethanat lidhin Olldashin dhe F.K. në Fier me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj në një skemë për të liruar të burgosur nga burgu për të vepruar si “të fortë” në zgjedhje.
Lulzim Basha: Sipas një burimi në PS, ministri i Jashtëm Basha, i cli përfaqëson PD-në në Elbasan, është përfshirë në lirimin e një krimineli të famshëm në Elbasan në këmbim të mbështetjes së familjes së tij. Kushërinjtë e kriminelit premtuan se “do të organizonin” njerëzit në Elbasan që të mbështesnin Bashën. Krimineli u lirua më 29 qershor, një ditë pas zgjedhjeve.
Paulin Sterkaj: Deputeti 48-vjeçar i PD-së nga SHkodra është një ish-mundës profesionist me pak ose aspak edukim. Sterkaj ka qenë më parë në PS dhe është akuzuar nga një ish-shoku i tij se ka vrarë një politikan në Shkodër disa vjet më parë. Sterkaj pretendon se ka interesa biznesi në naftë, restorante dhe ndërtime, por shumë pak dihet për aktivitetin e tij.
Gramoz Ruçi: Deputet i PS-së dhe Sekretar i Përgjithshëm. Ruçi ka lidhje afatgjata me trafikantë narkotikësh dhe krimin e organizuar. Ruçit i është ndaluar hyrja në SHBA që nga viti 2005 pasi nuk ka të drejtë të marrë vizë të përhershme.
Ambasada nuk është e sigurt se cilin drejtim do të marrë raporti i ODIHR-it pasi të publikohet, por është e pranuar këtu se shumë deputetë që hiqen si “biznesmenë” janë në fakt të dyshuar të fortë për lidhje me krimin e organizuar. Këta individë janë sot deputetë, kanë imunitet nga ligji dhe janë përgjegjës në bërjen e ligjeve që do të shtyjnë Shqipërinë përpara në integrimin Euro-Atlantik. Sjellja e sëmurë, ndoshta kriminale, e shumë prej deputetëve shqiptarë është shqetësuese dhe nuk premton për zhvillim demokratik. Është gjerësisht e njohur në Shqipëri se të gjitha partitë kanë deputetë të lidhur me krimin e organizuar. Ky është një fenomen shumë shqetësues, të cilin ne, komuniteti ndërkombëtar, duhet ta adresojmë në një farë mënyre në të ardhmen. Një shkëndije drite na jep fakti që disa deputetë kanë nisur ta kuptojnë se Shqipëria nuk duhet të prezantohet me personazhe të tillë në parlament. Sa kohë do të ruhet për të larguar këta rrufjanë nga pushteti, është një tjetër pyetje. Në fund të fundit, paraja i jep jetë politikës dhe në një vend të varfër pa transparencë financiare ose traditë donatorësh të vegjël që mbështesin kandidatin e preferuar, kriminelët janë një burim i lehtë për fondet e fushatës”. (fund i kabllogramit i zbardhur nga Wikileaks)

No comments: