Sunday, August 21, 2011

Sa legjitim është Bashkimi Europian?


Fatos Tarifa


Bashkimi Europian – një projekt i papërfunduar

Projekti Europian që ideuan Jean Monnet dhe Robert Schuman në fund të viteve 1940 dhe në fillim të viteve 1950 synonte krijimin e një shteti të bashkuar europian, i cili të kishte qeverinë, kushtetutën, parlamentin, gjykatën, bankën, monedhën, politikën e jashtme, ushtrinë dhe politikën e vet të brendshme. Ky projekt do të realizohej sipas metodës funksionaliste, përmes integrimit gradual të ekonomive të vendeve europianoperëndimore, gjë që, sipas tyre, do të çonte eventualisht në unifikimin politik të këtyre vendeve. Sipas vizionit të Schuman-it, Europa e bashkuar nuk do të krijohej “menjëherë apo sipas një plani të vetëm”, por gradualisht, “përmes arritjeve konkrete, të cilat krijojnë së pari një solidaritet de facto”.

Sot, kur kanë kaluar 54 vjet që nga nënshkrimi i Traktatit të Romës, më 1957, me të cilin nis historia e krijimit të Bashkimit Europian, shumë nga institucionet e përmendura më sipër janë bërë realitet. Këshilli i Europës, Parlamenti Europian, Komisioni Europian, Gjykata Europiane e Drejtësisë dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut janë krijuar dhe funksionojnë si institucione supranacionale për të 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. 16 nga këto vende, të njohura kolektivisht si Eurozonë, kanë adoptuar euron si monedhën e tyre dhe i nënshtrohen një politike monetare të përbashkët, e cila koordinohet dhe drejtohet nga Banka Qendrore Europiane.

Në vitet 1980, Presidenti francez François Miterrand, Kancelari gjerman Helmut Kohl dhe drejtues të tjerë të disa shteteve anëtare të Komunitetit Europian, shpreheshin hapur se qëllimi politik final i “projektit europian” ishte krijimi i një shteti europian federal. Edhe pse samiti i BE-së, i mbajtur në Lisbonë, në dhjetor 2007, arriti në një farë mase të rinegocionte një dokument kushtetues, pas dështimit të projektit të Kushtetutës Europiane më 2005, duke e vënë veprimtarinë e Bashkimit Europian mbi baza më demokratike, BE-ja akoma nuk ka kushtetutën e vet, akoma nuk ka ushtrinë e vet, nuk ka akoma një politikë të vetën të jashtme dhe të sigurisë dhe, rrjedhimisht, nuk ka sovranitetin e një formacioni politik, si ai i një shteti kombëtar. Bashkimi Europian vazhdon të mbetet një “projekt europian” ende i papërfunduar. Në stadin që është sot, Bashkimi Europian nuk është as një federatë, as një konferederatë. Ai është më shumë se një regjim ndërkombëtar, por më pak se një shtet supranacional. Për shkak të këtij tipari eluziv të tij, studiuesit e kanë të vështirë të bien dakord në gjetjen e një përcaktimi adekuat të Bashkimit Europian, i cili përcaktohet herë si një “sistem politik pjesërisht i formuar”, herë si një “sistem politik i mundshëm” dhe herë si një “sistem sui generis”.

Euro-skepticizmi dhe kritikat ndaj Bashkimit Europian

Përmes zgjerimit dhe integrimit të vazhdueshëm të tij, Bashkimi Europian është shndërruar sot, krahas Shteteve të Bashkuara, në një superfuqi ekonomike dhe financiare, duke i kontribuar ekonomisë globale një të tretën e GDP-së së saj. Paqja që predikonte Immanuel Kanti dy shekuj e gjysmë më parë duket se është bërë sot një fakt i jetës europiane. Popullsia gjysmëmiliardëshe e vendeve të BE-së gëzon një shkallë mirëqenieje që është ndër më të lartat në botë. Sidoqoftë, pavarësisht arritjeve të jashtëzakonshme në integrimin europian, skepticizmi ndaj Bashkimit Europian vazhdon të jetë i përhapur gjerësisht dhe, në vende të veçanta, në rritje, siç dëshmojnë, ndër të tjera, edhe rezultatet e Eurobarometrit në këto 10-15 vitet e fundit. Sondazhet e herëpasherëshme në vende të ndryshme të BE-së dëshmojnë se shumica e qytetarëve të vendeve anëtare të saj (një shumicë e thjeshtë në Bashkimin Europian si i tërë dhe një shumicë bindëse në Britaninë e Madhe dhe në ndonjë vend tjetër anëtar), janë skeptikë dhe të pakënaqur me faktin që mirëqenia dhe jeta e tyre menaxhohen nga Brukseli, nga një Parlament dhe nga një Komision Europian, të cilët nuk përfaqësojnë drejtpërsëdrejti interesat e tyre. As studiuesit euro-optimistë të shkencës politike dhe as politikanët e lartë që drejtojnë institucionet e BE-së nuk arrijnë dot ta bindin shumicën e qytetarëve europianë se ata duhet të ndjehen ndryshe lidhur me këtë çështje.

Skepticizmi i publikut europian është shoqëruar dhe vazhdon të shoqërohet nga një bateri kritikash politike dhe akademike, të cilat u adresohen, kryesisht, mënyrave se si administrohet Bashkimi Europian dhe se si merren vendimet në Bruksel. Në radhët e akademikëve, kritikat bëhen nga një sërë perspektivash: ekonomike, politike, sociologjike, të sigurisë etj. Në media dhe në diskurin politik, kritikët e globalizimit e vlerësojnë Bashkimin Europian si një forcë neo-liberalizuese; ksenofobët e konsiderojnë atë si një kërcënim ndaj integritetit dhe identitetit kombëtar; euroskeptikët, veçanërisht në Britaninë e Madhe, e shohin integrimin europian si një mënyrë për krijimin e një supershteti dhe si një kthim mbrapa në “paternalizmin statist kontinental” dhe në “kapitalizmin Rhenian” sentimental, apo në ekonominë sociale të tregut (social market economy). Ndonjëherë, si në rastin e refuzimit të projektit të Kushtetutës Europiane nga publiku francez dhe ai hollandez në vitin 2005, disa nga këto forca mobilizohen së bashku kundër integrimit të mëtejshëm europian, pavarësisht orientimeve të ndryshme ideologjike nga të cilat ato nisen.

“Deficiti i legjitimitetit” të Bashkimit Europian

Duke filluar nga vitet 1990 dhe, gjithnjë e më shumë pas zgjerimit më të madh të Bashkimit Europian, në vitin 2004, një pjesë e madhe e kritikave ndaj BE-së janë fokusuar dhe fokusohen në atë dukuri, e cila prej kohësh cilësohet si “deficit demokratik” i BE-së, si edhe në mungesën e legjitimitetit (apo në krizën e legjitimitetit) të institucioneve të BE-së. Nëse mbajmë parasysh faktin që BE-ja është një bashkësi shtetesh demokratike, çdonjëri prej të cilëve drejtohet nga një qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhje të lira, mund të duket paradoksale të diskutohet mbi legjitimitetin e tij, apo të kritikohet ai për “deficit demokratik”, ose për mungesë legjitimiteti. Shumë autorë, madje, argumentojnë se Bashkimi Europian nuk ka nevojë për legjitimitet të drejtpërdrejtë, për shkak se mënyrat e vendimmarrjes së tij u ngjajnë atyre të një “asociacioni konfederal”. Një formacion i tillë politik, sipas tyre, drejtohet mbi bazën e interesave të përbashkëta të popujve që bëjnë pjesë në të dhe jo mbi bazën e parimeve demokratike. Ky tipar bën që legjitimiteti i BE-së të varet nga legjitimiteti ekzistues i shteteve anëtare që e përbëjnë atë. Sipas tyre, “përderisa parlamentet e shteteve anëtare, ose qytetarët e vendeve anëtare (përmes referendumeve), u kanë dhënë miratimin e tyre traktateve të Bashkimit Europian, me këtë ata i kanë dhënë BE-së edhe legjitimitet” për të marrë vendime në emër dhe në interes të tyre. Me fjalë të tjera, legjitimiteti i çdonjërit prej shteteve anëtare është, pra, sipas tyre, i mjaftueshëm për të legjitimuar vetë Bashkimin Europian.

Unë, ashtu si edhe shumë studiues të tjerë, e kundërshtoj këtë argument. Bashkimi Europian nuk është një entitet politik sovran; ai është një formacion jo-shtet, ndryshe nga vendet e veçanta që e përbëjnë atë. Për këtë arsye, për BE-në nuk mund të aplikohet i njëjti koncept mbi legjitimitetin që përdorim për shtetet e veçanta. Pikëpamja më e përgjithshme mbi shtetin është ajo që i afrohet përcaktimit kantian: një shtet është “thjesht një pushtet”, por edhe “një bashkësi qeniesh njerëzore nën ligjet e së drejtës”. Nisur nga ky kuptim i përgjithshëm mbi shtetin dhe mbi legjitimitetin e tij, sfida me të cilën ndeshet BE-ja ka të bëjë me përmbushjen e kërkesave të pikërisht këtij shteti normativ, siç e përfytyronte atë Kanti. Kjo do të thotë që Bashkimit Europian i duhet të demonstrojë se autoriteti i tij buron nga vullneti i bashkuar popullor dhe se ata që drejtojnë institucionet vendimmarrëse të tij janë agjentë të këtij vullneti popullor. Nëse e shohim Bashkimin Europian nga kjo perspektivë, nuk është vështirë të kuptojmë se nga buron skepticizmi i qytetarëve europianë mbi legjitimitetin e institucioneve të tij.

Bashkimi Europian nuk vuan nga erozioni i legjitimitetit që ai mund të ketë pasur, por nga shkalla e ulët e këtij legjitimiteti qysh nga krijimi i tij dhe veçanërisht pas zgjerimit të tij në vitet 2004 dhe 2007. Në një mënyrë ose në një tjetër, edhe vetë drejtuesit e Brukselit asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk janë të bindur se Bashkimi Europian ka legjitimitetin e duhur për të vepruar siç do ai, edhe pse kompetencat e pothuajse të gjitha institucioneve të tij kanë ardhur duke u rritur, sidomos duke filluar me Traktatin e Mastrihtit (1992), atë të Amsterdamit (1997), të Nisës (2001), dhe deri te Traktati i Lisbonës (2007). Ndërsa legjitimiteti do të duhej të shërbente si katalizator i proceseve integruese të Bashkimit Europian, ai, siç pohon Janet Mather, “nuk ekziston, ose nuk ekziston në një masë të mjaftueshme, për të konvertuar pushtetin e tij në autoritet”.

BE-ja ka qenë dhe vazhdon të mbetet, për një pjesë të gjerë të publikut europian dhe për shumë studiues, një sistem politik i kontestuar, pikërisht për shkak të perceptimit të tij si një sistem të cilit, ose i mungon tërësisht legjitimiteti, ose ka një legjitimitet të kufizuar. Ky perceptim u bë edhe më i spikatur gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Europian në vitin 1994, të cilat shtruan për zgjidhje një pyetje esenciale, që David Beetham dhe Christopher Lord e kanë formuluar kështu: “Ç’të drejtë ka Bashkimi Europian që të marrë vendime kaq të rëndësishme mbi shanset që mund të kenë individët në jetën e tyre dhe mbi vlerat kryesore, duke imponuar sakrifica për disa dhe duke krijuar oportunitete për të tjerë?”.

Teoritë bashkëkohore sociologjike dhe politike e shohin legjitimitetin e një sistemi politik, ose të një qeverie, si një cilësi që buron, ose që fitohet përmes procesit demokratik, çka presupozon një konsensus në shkallë të gjerë të elektoratit, i cili mbështet vlerat mbi të cilat është ngritur dhe funksionon ai sistem. Pra, legjitimiteti ka një aspekt social, në kuptimin që ai buron nga konsensusi i qytetarëve, një aspekt normativ, në kuptimin e vlerave të cilat gjenerojnë këtë konsensus, si edhe një aspekt procedurial, i cili ka të bëjë me mënyrën se si merren vendimet. Për shkak se procesi vendimmarrës në BE realizohet përmes një kompleksi strukturash kombëtare, ndërqeveritare dhe supranacionale, ende nuk ekziston një teori normative e përshtatshme mbi përgjegjësitë politike dhe mbi pjesëmarrjen demokratike për një formacion të tillë kaq të komplikuar. Mungesa e përkufizimeve të domosdoshme, madje edhe në fushën e jurisprudencës, ka bërë që debati politik mbi natyrën e demokracisë dhe legjitimitetin kushtetues deri më sot të zhvillohet pothuajse ekskluzivisht në kontekstin e shtetit kombëtar sovran dhe të marrëdhënieve të tij me qytetarët e vet. Por, a mund të shtrihen konceptet mbi demokracinë dhe legjitimitetin, të formuluara në kontekstin e shteteve sovrane, edhe për një formacion të tillë supranacional, siç është Bashkimi Europian?

Gjatë zhvillimit të tij historik, i cili është realizuar njëherësh si zgjerim me shtete të reja anëtare dhe si integrim më i thelluar i marrëdhënieve dhe i proceseve të bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare, BE-ja ka marrë mbi vete kompetenca gjithnjë e më të mëdha. Këto kompetenca, në fakt, u janë dhënë institucioneve të BE-së nga vetë vendet anëtare të saj, të cilat, gradualisht ia kanë deleguar, ose, më saktë, ia kanë transferuar një pjesë të sovranitetit të tyre kombëtar Bashkimit Europian. Me këtë, Brukselit i është njohur në atë masë e drejta që të ushtrojë sovranitetin e vet në fusha të caktuara, në emër të sovranitetit të vendeve anëtare të BE-së, saqë vendimet që merren në Bruksel ndikojnë në çështjet e brendshme të çdo shteti anëtar. Me fjalë të tjera, edhe pse Bashkimi Europian nuk është vetë një shtet, ai ka pothuajse të gjitha kompetencat e një shteti sovran tradicional. Për këtë shkak, ka autorë që mendojnë se koncepti klasik mbi kombin është bërë i papërdorshëm për të vlerësuar legjitimitetin e Bashkimit Europian dhe të sistemeve të tjera supranacionale që eventualisht mund të krijohen në një shoqëri gjithnjë e më shumë të globalizuar, dhe se, për këtë arsye, është bërë i nevojshëm një koncept i ri mbi legjitimitetin, i cili, nga njëra anë, të mos mbështetet në konceptin e shtetit kombëtar dhe, nga ana tjetër, të jetë mjaft abstrakt dhe i hapur për të marrë në konsideratë tiparet specifike të një sistemi të tillë politik kompleks, apo sui generis, siç është edhe Bashkimi Europian.

Parlamenti Europian dhe legjitimiteti i tij

Çështja e legjitimitetit të BE-së është me interes të trajtohet duke u përqendruar kryesisht tek Parlamenti Europian. Në të gjitha sistemet politike demokratike, parlamentet konsiderohen si bastione dhe simbole jo vetëm të sovranitetit kombëtar, por edhe të legjitimitetit. Si organe të zgjedhura drejtpërsëdrejti nga populli, merret si e mirëqenë që parlamentet përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe marrin vendime në dobi të tyre. Përsa i përket Parlamentit Europian, ai është jo vetëm një prej institucioneve kryesore të Bashkimit Europian, por edhe i vetmi institucion “përfaqësues” i BE-së, pasi anëtarët e tij zgjidhen drejtpërsëdrejti nga qytetarët e vendeve anëtare.

Sidoqoftë, Parlamenti Europian ndryshon nga parlamentet e vendeve demokratike si për nga forma, ashtu edhe për nga funksionet që ai kryen. Si i tillë, ai ka një rëndësi të veçantë kur bëhet fjalë për legjitimitetin e BE-së. Në këtë kontekst, legjitimiteti i Parlamentit Europian dhe, ipso facto, i Bashkimit Europian, duhet parë nga pikëpamja e përfaqësimit, që do të thotë, nëse ekziston apo jo një komunikim politik midis institucioneve dhe elitave drejtuese të Bashkimit Europian, nga njëra anë, dhe qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së dhe grupeve të interesit, nga ana tjetër. Janet Mather me të drejtë vë në dukje se, ndryshe nga parlamentet e vendeve të veçanta, Parlamenti Europian nuk krijon një qeveri europiane. Zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe rezultatet që dalin prej tyre nuk sjellin ndryshime në Këshillin Europian apo në Komisionin Europian dhe, për këtë arsye, Bashkimi Europian nuk përfaqëson një demokraci parlamentare. Nëse votuesit europianë do të zgjidhnin Presidentin e tyre dhe nëse përbërja e Këshillit Europian dhe e Komisionit Europian do të përcaktoheshin nga rezultatet e zgjedhjeve në nivel europian dhe jo nga marrëveshjet mes elitave politike të vendeve të veçanta të BE-së, Bashkimi Europian do të kishte më shumë legjitimitet. E njëjta gjë mund të thuhet edhe nëse vetë procesi i integrimit europian do të kishte qenë që nga fillimi një proces i orientuar më shumë nga interesat dhe nga aspiratat, apo nga një volonté générale e “demosit europian”, sesa nga vizioni dhe vullneti i një elite politike europiane dhe nga zgjidhjet praktike të teknokratëve të Brukselit.

Aftësia e Parlamentit Europian për të krijuar një farë “legjitimiteti europian” varet, në një shkallë të konsiderueshme, nga vetë natyra dhe struktura institucionale e Bashkimit Europian si i tërë dhe nga roli i veçantë që luan ky parlament në të. Ironikisht, institucionet e tjera të BE-së, veçanërisht Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian, edhe pse kanë më shumë prerogativa dhe të drejta në vendimmarrje, kanë më pak legjitimitet demokratik sesa Parlamenti Europian. Megjithatë, Parlamenti Europian mbetet një institucion gjerësisht i kontestuar, pasi roli, rëndësia dhe statusi i tij, ashtu si roli i institucioneve të tjera të BE-së, interpretohen në mënyra të ndryshme, nisur nga strategji dhe interesa politike të ndryshme. Edhe pse kompetencat e Parlamentit Europian janë rritur pas Aktit të Vetëm Europian (Single European Act) të vitit 1986, pas Traktatit te Mastrihtit të vitit 1992 dhe, veçanërisht, pas Traktatit të Lisbonës më 2007, legjislatura e Bashkimit Europian vazhdon të jetë e dobët për të pasur minimunim e prerogativave që kanë parlamentet e shteteve kombëtare sovrane.

Një ndër argumentet kryesore që sillet për të provuar “deficitin demokratik” apo mungesën (pamjaftueshmërinë) e legjitimitetit të Bashkimit Europian, është se ai nuk ka institucione dhe/ose mënyra proceduriale për të ndëshkuar individët që janë përgjegjës për dështimet e politikave të tij. Politikat e BE-së duket se formulohen në një vakum popullor nga euroteknokratë, të cilët nuk japin llogari dhe të cilët nuk dihet përse dhe kujt i shërbejnë. Këto dy elemente―shkalla e ulët e përfaqësimit dhe mungesa e kërkesës/dhënies së llogarisë―të cilat në zhargonin e sotëm politik quhen “deficit demokratik”, e bëjnë më iminente çështjen e legjitimitetit të Bashkimit Europian.

“Demosi” europian si pouvoir constituent

Çështja e legjitimitetit të Bashkimit Europian duhet të trajtohet edhe në një kontekst tjetër, që ka të bëjë me subjektet njerëzore që i njohin ose jo si legjitime institucionet politike të tij. Nëse legjitimiteti ka të bëjë me aprovimin moral të një sistemi politik, të një forme të caktuar organizimi politik të shoqërisë, ose me pranimin e status quo-së të formës së shtetit prej pjesës më të madhe të shoqërisë, atëherë pyetja që lind është kjo: Kush duhet t’i aprovojë moralisht institucionet politike dhe kush duhet t’i pranojë ato dhe t’i bindet autoritetit të tyre?

Në rastin e Bashkimit Europian, arkitektura kushtetuese e tij nuk është aprovuar asnjëherë deri më sot nga një pouvoir constituent i vetëm, nga një personalitet kolektiv i quajtur “popull”, pra nga një “demos europian”. Një demos i tillë, i kuptuar si burimi kryesor i legjitimitetit demokratik, ekziston në SHBA, në Gjermani, në Australi dhe në Kanada, por jo në Bashkimin Europian, edhe pse ai nuk ka ekzistuar në asnjërin prej këtyre vendeve qysh nga krijimi i tyre. Demosi europian konsiston në një “qytetari pluraliste”, që nuk është vetëm një komunitet shtetesh, por edhe një komunitet qytetarësh të bashkuar në diversitetin e tyre. Ai është një demos politikisht i fragmentuar dhe pa një identitet të spikatur civik, i cili të ushqente ndjenjën e kolektivitetit europian, apo, siç shkruan M. Viroli, “të një patriotizmi republikan”. I kuptuar si tërësia e individëve që përbëjnë një shtet unitar, apo një federatë dhe që përmbushin kriteret e shtetësisë (citizenship), një demos i tillë konstitutiv nuk ekziston në Bashkimin Europian dhe, pra, BE-ja nuk mund të quhet një sistem i legjitimuar përderisa nuk ka një “pouvoir constituent europian”, një “demos transnacional”, pra, një populus liber, që udhëhiqet nga një charitas civicum, i aftë që të projektojë dhe të arrijë aspiratat e veta përmes institucioneve qendrore nëpërmjet debatit të lirë public. Pikërisht këtë kontradiktë synonte të zgjidhte projekti i Kushtetutës Europiane, e cila, siç shprehet filozofi francez Etienne Balibar, “presupozonte të zgjidhte pikërisht atë që në të vërtetë është problemi: natyrën dhe ekzistencën e një publiku konstitutiv në nivel europian”.

Debati mbi këtë problem është i gjerë, madje, siç shprehet Fritz Scharpf, ai është shndërruar sot në një “fushë të minuar”. Sidoqoftë, duhet thënë se identiteti europian, si një identitet kolektiv i popujve të këtij rajoni, i ushqyer nga (dhe i mbështetur në) një histori të përbashkët dhe në vlera të përbashkëta mund të konsiderohet si një proces, të cilin, vetë integrimi europian, deri më sot e ka lehtësuar dhe, ndoshta, edhe e ka motivuar. Pavarësisht shkallës jo të njëjtë të aprovimit që gjejmë në vende të caktuara të Bashkimit Europian mbi politikat e BE-së, procesi i derisotëm i integrimit europian nuk do të kishte qenë i mundur pa konsensusin e gjerë të qytetarëve të vendeve të integruara në këtë union.

“Deficiti” i legjitimitetit të sistemit apo i konceptit të legjitimitetit?

Për shkak se Bashkimi Europian ka si karakteristikat e një formacioni ndërqeveritar, ashtu edhe ato të një shteti federal; për shkak se ai, në disa aspekte, i ngjan një organizate ndërkombëtare, ndërsa në aspekte të tjera i ngjan një shteti federal, pa qenë as njëra, as tjetra prej tyre, natyra dhe shkalla e legjitimitetit të tij janë teorikisht të kontestueshme. Për këtë shkak, për të vlerësuar nëse Bashkimi Europian dhe institucionet e tij janë ose jo legjitime, është e nevojshme të formulohet një koncept i ri mbi legjitimitetin, i cili të jetë mjaft abstrakt dhe i hapur, për të marrë në konsideratë tiparet specifike të një sistemi të tillë politik kompleks, siç është Bashkimi Europian, si edhe kushtet e reja në të cilat realizohet qeverisja politike në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar në kushtet e një globalizimi gjithnjë e më të madh të shoqërisë njerëzore.

“Deficiti demokratik” i Bashkimit Europian mund të ngushtohet dhe shkalla e legjitimitetit të tij mund të rritet nëse në të ardhmen rriten roli dhe përgjegjësitë e Parlamentit Europian, duke i transferuar atij gradualisht sovranitetin dhe kompetencat e parlamenteve kombëtare, gjë që unë besoj se ka pak gjasa të ndodhë. Sidoqoftë, është me rëndësi të vihet në dukje, siç argumenton Francis Fukuyama, se legjitimiteti i një sistemi politik ka të bëjë më shumë me stabilitetin dhe me jetëgjatësinë e tij sesa me vetë natyrën e sistemit. Sepse stabiliteti dhe jetëgjatësia institucionalizohen kur format organizative dhe procedurat funksionuese përmes të cilave ushtrohet dhe respektohet pushteti shndërrohen në rutinë, ndërsa konformiteti i sjelljes së njerëzve që krijon pushteti bëhet i zakontë. Me këtë, sistemi në vetvete merret si diçka e natyrshme dhe shihet si normal. Parë nga ky prizëm, mund të themi se Bashkimi Europian është në një situatë “catch-22”. Që të jetë i suksesshëm, ai duhet të jetë legjitim, por që të legjitimohet, ai duhet të provojë në vijimësi se është një sistem politik supranacional i suksesshëm.

No comments: